Visar Zhiti: Si më dënuan 10 vjet burg për poezi!
rrëfen emrat e shkrimtarëve që i bënë aktekspertizën:
ekskluzive nga Alma Mile
Visar Zhitit, Zoti i ka dhënë dhuntinë e fjalës
dhe në një formë katarsisi për vete, por me shpresë,
edhe të shoqërisë, ai e ka treguar rrugën e tij të kryqit.
Përmes burgologjisë së tij, ai ka rrëfyer të gjithë procesin,
që nga përndjekja, arrestimi, hetimi, gjyqi, dënimi, burgu, lirinë e gjymtuar…
Por gjithnjë ka diçka për të thënë, shoqëria shqiptare vuan ende prej të pathënave, nga mosdënimi i krimit dhe moskërkimi i ndjesës publike dhe mungesa e faljes. Pak ditë më parë, shkrimtari Agron Tufa, duke botuar faksimilet e akt-ekspertizës së poezive të Visar Zhitit, e rihapi edhe një herë jo vetëm çështjen e dënimit të poetit, asokohe 27 vjeç, por edhe debatin e denoncimit të poetëve nga poetët.
Duke botuar emrat e autorëve të ekspertizës, Tufa nxiti reagimin e njërit prej tyre, poetit dhe ish-redaktorit Pandeli Koçi, i cili, përmes një letre të hapur në gazetën “Panorama”, mohon ta ketë hartuar atë aktekspertizë dhe se, sipas tij, gjithçka ishte manipuluar nga Sigurimi i Shtetit.
Përmes një interviste, reagon edhe poeti e shkrimtari Visar Zhiti, i cili i rikthehet procesit gjyqësor, efektin që pati akt-ekspertiza tek ai edhe në dënimin e tij, si dhe raportin që kishte pasur më herët me redaktorët, të cilëve u figuronte emrin në fund të akt-ekspertizës.
.
Ma do mendja se e keni ndjekur shtypin këto ditë dhe rihapjen e një teme shumë të ndjeshme për ju, atë të aktekspertimit të poezive tuaja, për të cilat dhe u dënuat. Pasi shkrimtari Agron Tufa botoi emrat e të dy atyre që firmosën, njeri prej tyre, Pandeli Koçi, ka reaguar në gazetën tonë. Cili është reagimi juaj? Çfarë ndjesish ju shkakton rihapja e kësaj teme? Së pari, më duket se është një kohë e zënë keqas me protesta dhe ndërgoditje që nuk dëgjon dhe aq dhe ndjen shumë më pak, ku shumëçka me rëndësi që ka të bëjë jo thjesht me të kaluarën, pra me kujtesën kolektive, por dhe me përgjegjshmëritë, me ndërgjegjen dhe idetë që do të duhej të na çonin më përpara, janë lënë pas dore.
Për çështje të tilla që po më kërkoni, ndjej se jemi dëshpërimisht vonë. Ka një çoroditje të bipolarizuar, ku përzihen mënjanësia dhe arroganca gjenerale, absurdi dhe jo thelbësorja, varfëria me pasurimin e dyshimtë, marramendës, një harresë vrastare. Vite më parë, në tollovitë kësisoj hidhej bojë e kuqe mbi fytyra që të shihej se sa përgjakje ka, tani hedhin bojë të zezë për të parë se sa zi është, duke u përtallur kështu gjaku i derdhur vërtet dhe duke shmangur përqendrimin në çështjet kardinale të mirëqenies dhe lirisë, që është dhe ndërgjegje, dhe përgjegjësi, dhe kulturë etj.
Ndërkaq, e kuptoj dhe gjithsesi e përshëndes gazetën “Panorama”, që i rijep hapësira kujtesës kolektive, kulturës së munguar të dialogut, qortimeve në emër të moralit dhe të drejtësisë. Njohja dhe vlerësimi i vuajtjes njerëzore, i padrejtësive shtetërore, i qëndresës së madhe deri në martirizim, mashtrimet postdiktatoriale etj., duheshin dhe duhet që të vendosen në themele e të shndërroheshin si përvojë e atillë që e gjithë ajo t’i shërbejë një të tashmeje më të mirë, jo vetëm materialisht, dhe të drejtë si dhe një të ardhmeje edhe më të begatë shpirtërisht, të Vërtetës utilitare për të gjithë, që të besohet që e keqja ndëshkohet, pse jo dhe paqësisht, për t’iu mbyllur rrugët e rikthimit.
Prandaj, përshëndes me zemër dhe mbështes punën e shkrimtarit Agron Tufa dhe si Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, ndjeshmërinë dhe kurajën e tij si qytetar dhe poet. Siç më thoni, ju keni rihapur një temë, çështje më saktë, që lidhet dramatikisht me mua, për të cilën edhe pse nuk jam pyetur dhe as më është marrë leje, e kuptoj që tashmë është jashtë meje dhe as që dua ta pengoj, por dhe as ta nxis. E përsëris, është vonë shumë për mua, padurueshëm vonë për të gjithë.
Edhe pse ka filluar dhënia e dosjeve ligjërisht, pra, hapja e tyre, unë e kam mbyllur timen. Ngaqë jo vetëm ndiej lodhje, por dhe i kam thënë me kohë ç’kisha, kam dy libra, mbi 1000 faqe, i kam quajtur burgologji, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çare”, ku shtjellohen të gjitha, si u dënova, pse, kush ishin gjyqtarët, operativi që më arrestoi, akt-ekspertiza, cilën ishin ata që e formuluan, akuza, burgu, shokët e burgut, revolta në burg, heronjtë, ridënimet, pushkatimet, dalja nga burgu, protestat për ndryshimet e sistemit, entuziazmi më i madh se zhgënjimet etj., etj., e tëra me emrat e vërtetë.
Tani le të flasin të tjerët. Më duket se fola kur duhej folur dhe do të doja të heshtja, nëse heshtja është më e mirë. Detyrën qytetare do të dua ta bëj pa u shmangur. Prandaj dhe po pranoj t’u përgjigjem pyetjeve tuaja.
Gjatë procesit gjyqësor u lexua edhe një aktekspertizë e poezive tuaja, firmosur nga dy redaktorë të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, Si e pritët, çfarë ndjetë kur dëgjuat emrat? Çfarë ndjeva? Mendoj se nuk ka rëndësi tani. Rëndësi ka çfarë ndjeni ju, dua të them shoqëria shqiptare dhe ç’do të bëjë ajo me të kaluarën e saj, se siç thotë me shpoti George Orwell, ne dimë ta bëjmë të ardhmen tonë, por nuk dimë ta bëjmë të kaluarën. Në gjyq, në fakt, lexohet vetëm akuza, të cilën e kishte përgatitur hetuesi im, Nexhat Selimi. U akuzova për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit, krim ky i parashikuar nga neni 55/1.
Akuza ime, sipas gjyqit, u vërtetua nëpërmjet bisedave me njerëz të ndryshëm në vende të ndryshme dhe shkrimeve të mia, poezisë, kjo zuri gjithë vendin e akuzës. Më nxorën dëshmitarë nja katër kolegë, mësues fshati, ata ngjanin më të drobitur se unë, që isha në bankën e të akuzuarve. Siç thashë, goditja ishte te poezitë, ato zunë vendin kryesor, gati të gjithë kohën 8-9 mujore të hetuesisë sime, po kështu dhe në gjyq. Pretenca dhe vendimi i gjyqit i ngjanin recensës së zezë të një libri me poezi, ky ishte krimi im.
Edhe dosja ime tani këtë ka brenda, madje janë futur si provë mbi 40 poezi, një poemë, procesverbalet e hetuesisë mbi to, përgjigjet e shtëpisë botuese, etj. Do të doja të botohej dosja, por jo thjesht si material, por si dëshmi e një dukurie, me përsiatjet dhe deduksionet, që do të mund të shërbenin.
Jam i hapur. Ndoshta po zgjatem ca në shpjegime, por nga që u fol në gazetën tuaj për përmbajtjen e dosjes sime. Vazhdojmë. Në gjyq bëhej kujdes dhe paralajmërohesha, me pasoja, që të mos përmendeshin emra më shumë se ç’donin ata që po më dënonin, pra, dhe emrat e aktekspertizuesve. Dhe jo vetë ata. Ndërkaq, përmendej shpesh emri i poetit Frederik Rreshpja, mik i imi atëherë, ngaqë ai ishte në Burgun e Spaçit dhe s’përbënte sekret mbase dhe, sipas hetuesisë dhe gjyqit, Frederiku duhej të kishte ndikuar në bërjen time armik.
Por dhe origjina ime familjare. Aktekspertiza e poezive të mia m’u bë e njohur shumë shpejt pas arrestimit tim, gjatë hetuesisë në birucë dhe poezia, siç rezultoi, ishte çështja, për të cilën më kishin arrestuar. Më tronditi ajo aktekspertizë. Isha i ri, as 27 vjeç, në atë moshë vdiq dhe Migjeni, i thosha hetuesit. Më erdhi tepër hidhur, që dy redaktorë të shtëpisë së vetme botuese në Shqipëri, ku unë qysh student kisha dorëzuar librin tim me poezi, më cilësonin si armik, para se ta vendoste gjyqi, ekskluzivitet i të cilit ishte. Pra, ata po e udhëzonin, po e paraprinin. E përsëris, ata e kishin bërë akt-ekspertizën para se të më arrestonin, nja 15 ditë më parë.
Kur ma dhanë ta lexoj në qeli, jo vetëm që m’u dukën të padrejtë, por dhe të pamëshirshëm, jo njerëz të letrave, por të prangave. Dhe me atë akt-ekspertizë në themel të akuzës, të përpiluar nga kryehetuesi Nexhat Selimi, e cila u vu në themel të pretencës, të mbajtur nga prokurori Avdi Gashi, unë u dënova me 10 vjet burg nga kryegjyqtari Mërgim Dragusha. Po kështu, me vendim gjyqi m’u hoq e drejta e botimit për më pas, e ushtrimit të profesionit, isha mësues, si dhe ajo elektorale, që nuk më shqetësonte dhe aq, fare madje, ishte një drejtë e paqenë. Po kështu, shpenzimet e gjyqit iu ngarkuan të dënuarit, pra, mua.
Shtoj se dosja ka shumë gabime ortografike, deri edhe në emrin tim herë pas here, vrazhdësi dhe shkarje shkencore. Emrave të aktekspertizuesve nuk u dhashë ndonjë rëndësi të veçantë, mund të ishin kushdo nga ata, por që njeriu po dënonte njeriun, kjo më dukej më e rënda, dhe përse po dënohesha, për poezi. Kjo më tralliste.
Ç’marrëdhënie keni pasur me redaktorët e “Naim Frashërit”? Me ata që më lidhi botimi, dy a tre redaktorë, kryeredaktorë, se përveç poezive, kisha dërguar dhe një libër tjetër me rrëfime, dhe atë qysh student, s’di si të them, siç ishin marrëdhëniet atëherë autor-redaktor-botues, normale, fillimisht të mira, pastaj u acaruan, fill pas Plenumit IV të PPSH-së për Letërsinë dhe Artet dhe u katandisën në gjysmë idioto-absurde, ndërkaq unë nuk jetoja në Tiranë, banoja në qytetin e vogël, të internimeve të mëdha, Lushnjë, isha student në Shkodër, pas mbarimit të studimeve të larta, më emëruan mësues në një fshat të largët dhe tejet të varfër të Kukësit, me njerëz bujarë e mikpritës.
Në Tiranë nuk mund të vija dot shpesh ose aq sa do të doja, që të bisedoja më shtruar me redaktorët, më saktë me redaktorin tim, Ramazan Vozga, i pandryshueshëm, pra, përgjigjet më vinin me postë për përmbledhjen time me poezi me titullin e parë “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Lejomëni të kujtoj këtu, se për këtë titull libri do të fliste tani vonë dhe Umberto Eco, do ta çmonte si shenjë kundërvënieje, se poezinë për trëndafilat nuk e do diktatura, ngaqë poezinë e do për vete, sipas Eco-s së madh. Përgjigjet që vinin nga shtëpia botuese, drejtoria e poezisë dhe e kritikës, gjithnjë e më tepër ashpërsoheshin, sa herë e dërgoja librin, duke e përpunuar, hequr e shtuar e duke ndërruar dhe titujt. Pasi përmendnin vlerat shpejt e shpejt, ishte arritur të gjenin “gabime ideore, mosnjohje të realitetit…, hermetizëm…, ndikime nga poezia borgjezo-revizioniste…”, të rënda për atëherë, por jo të veçanta, besoj, jo veç për mua.
Ç’përgjigje ju kanë kthyer ata për vëllimin që ju kishit dërguar? Respektivisht, në dosjen time gjenden tri përgjigje, ato më të fundit, të viteve 1977, 1978, 1979, viti kur më arrestuan, duhej të ishin dhe ca të tjera, por kaq do të kenë mbajtur nga materialet që më konfiskuan, bashkë me nja 39 fletore dhe blloqe me dorëshkrime, poezi e tregime e ditar, që ende nuk i kam gjetur më, me gjithë kërkimet e mia pas rënies së diktaturës.
Ndoshta në një të ardhme, kur të mos jem, i boton ndokush me emër tjetër. Ky mospranim, shkaqet që pse nuk më botohej libri, më dukej se kështu dhe ndodh, vështirë të çash në art, jo e pazakonshme për atëherë, sidomos me të rinjtë. Recensat për poezitë e mia, m’i tregonte ndonjëherë redaktori, Ramazani, bëheshin nga poetë dhe kritikë të ndryshëm, janë një pjesë e emrave të tyre në dosje, të njohur në atë kohë. Natyrisht, ata nuk kërkonin dënim të autorit, besoj që as nuk u shkonte ndër mend, nuk korrigjohet poezia, duke futur poetin në burg, ata qortonin me forcë dhe vigjilencë gabimet në poezi, kërkonin përmirësimin e tyre, që libri të bëhej i botueshëm, sa më i partishëm.
Kështu më dukej dhe kështu besoja. Në fakt, unë doja që të botohej libri im, pa e përmbysur veten, të tejkaloheshin metaforat që doja, shqetësimet, ëndërrimet, ethet e lirisë, i bindur se ato nuk ishin trakte, por poezi. Besoja në vlerat me sinqeritet fëmije. Redaktori Ramazan Vozga këmbëngulte në të kundërtën, nuk donte problem.
Nuk më ruante mua, por veten. Pas burgut dhe pas rënies së perandorisë komuniste e ndryshimit të sistemit dhe në vendin tonë, unë, si për hakmarrje, do të emërohesha drejtor i asaj shtëpie botuese, ku kishte nisur dënimi im, kurse poeti Ilirjan Zhupa, që do ta gjeja atje e do të miqësoheshim, do të më jepte një sasi fletësh me poezitë e mia, të mbetura që nga atëherë. M’u duk një dorëshkrim i gjorë, pa ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Mendoj se si vazhdim dhe rrjedhojë e atyre përgjigjeve që po acaroheshin, të sintetizuara partishmërisht nga redaktori im i pandryshuar, duhet të ketë ardhur dhe urgjenca e aktekspertizës së poezive të mia.
Aktekspertizat, ka rëndësi të thuhet, se ishin tjetër gjë nga recensat, ato i kërkonte Ministria e Punëve të Brendshme ose organet e saj, Dega, hetuesitë etj., madje ashtu fillonin standard, pra ai që e bënte, e kishte të qartë përse shërbenin, për dënime. Hartuesit e tyre ishin më të besuarit, natyrisht specialistë, d.m.th kritikë letrarë apo arti, poetë, shkrimtarë, pra dhe nga radhët e redaktorëve, që punon në entet botuese. Ndoshta ata mendonin se ata që do të dënoheshin e kishin marrë atë rrugë prej të tjerëve lart apo dhe të denoncuar prej tyre dhe aktekspertiza ishte një formalitet, që mund ta bënin si ua kërkonin lart, që sugjerimet i kishin marrë prej tyre poshtë.
Pra, aktekspertizuesit ishin ndër më të vendosurit për t’i shërbyer regjimit e partisë dhe vepronin sipas mësimeve të saj. Dhe përfitimet ishin të ditura. Së pari rritej siguria e tyre. Por kishte dhe nga ata që i kanë refuzuar. Shkrimtari Nasi Lera më ka thënë se nuk ka pranuar të bëjë aktekspertiza. Po kështu, edhe poeti Bardhyl Londo, madje ia kishin kërkuar për mua. Kurse Kadare e ka bërë në dobi të të akuzuarit, të cilin e kanë liruar. Është botuar në media.
Aktekspertiza ishte vendimtarja, aty ishte shpëtimi, që s’para ndodhte ose gjëma e sigurt. Përligjja e gjëmës. Aq sa dhe hetuesi rrotull saj vinte dhe s’kishte nga të lëvizte. Ndikim në gjykim kishte qysh në zanafillë biografia politike, familjare, kur ende nuk kishe biografi. E imja nuk konsiderohej aq e mirë për regjimin dhe kur kishte përkeqësim të luftës së klasave, e shikonin si të keqe.
Babai ka qenë dhe ai në burg, një xhaxha i pushkatuar, viktima të Koci Xoxes, u thanë, gjyshi i përndjekur si i pasur, edhe nga nëna pak a shumë kështu, pra kisha lindur, si të thuash, i shënjuar. Pritej mosha e dënimit.
.
Njëri prej redaktoreve, Pandeli Koçi, ngul këmbë se firma e tij në fund të akteskpertizës është manipuluar, e besoni ju këtë variant? S’e di, gjithçka mund të ketë qenë e mundur. Prandaj, me të drejtë, shkrimtari Agron Tufa, në përgjigjen e tij, thoshte se sot rëndësi ka dukuria dhe jo ky dhe ai apo unë se ç’besoj. Pra, do të thosha se ne duhet të jemi kundër së keqes për të shpëtuar edhe keqbërësin. Lejomëni të ndal pak më gjatë dhe këtu, meqenëse ky edhe i ka dërguar gazetës suaj letrën e hapur shkrimtarit Agron Tufa, një përgjigje e adresuar gabim, siç e quajti Agroni. Po kthehem pas në kohë.
Siç thashë, nuk ka qenë Pandeli Koçi redaktor i librit tim, por ai tjetri, Ramazan Vozga. Që vetëm hesht. Siç e kam dëshmuar dhe në “burgologjinë” time dhe siç ia kam thënë dhe vetë Pandeli Koçit me ndjesinë e keqardhjes, hetuesi më jep aktekspertizën e poezive të mia me emrin e redaktorit tjetër, Ramazan Vozgës. Tepër rënduese, pa rrugëdalje. “E çfarë pastaj, – i thashë hetuesit Nexhat Selimi, që s’dihet se ku shkoi pas ndryshimeve, – dikush mendon kështu dhe duhet të dënohem unë?!” Pas kësaj, kohë më vonë, kur isha ende në qeli e shpesh me pranga në duar, aktekspertiza m’u ridha, disi më e shtuar, 5-6 faqe e gjitha, por me dy autorë, me dy firma, mbas asaj të R. V. ishte shtuar dhe e P. K. “Po tani, – më tha atë natë hetuesi, se zakonisht merresha natën në pyetje, pas mesnate, – çdo të thuash?” “Janë dy mediokër që mendojnë kështu”, – u përgjigja me pezm.
“Jo, – tha, – ata janë redaktorë që i ka vënë Partia, nuk duhet të flasësh kështu se prapë po bën agjitacion dhe propagandë kundër”. Ia ktheva i zënë ngushtë: “Por poetët e shquar Dritëro Agolli si dhe Xhevahir Spahiu, komunistë të dy, nuk mendojnë kështu për poezinë time, madje ata mendojnë se ajo është e mirë dhe e botueshme. Dhe më kanë botuar…”, – u mbrojta.
Hetuesi vetë m’i kishte përmendur më parë, madje dhe Kadarenë, shkrimtarët e tjerë Bashkim Shehu, djalë i Kryeministrit të atëhershëm, Rudolf Marku, Ndoc Gjetja, Zija Çela, Agim Spahiu e Agim Isaku, skulptori Hilmi Hoxha. Pse i njeh, – më thoshte, – pse i ke shokë, ç’bisedonit? Që të mos zgjatem, kisha një lumturi të mynxyrshme që pata forca t’i mbroj këta emra, të njohur, miq dhe shokë, që s’patën dhe nuk pësuan asgjë prej meje. E kisha bindje të thellë që nuk do ta pranoja kurrë bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, gjë që është e vërtetuar dhe me dokumentet e dosjes sime. Jam i detyruar t’i them këto. Zoti më dha forca. Raca e poetëve, desha ta mbroj dinjitetin e tyre, më erdhi ky apel së brendshmi a nga qiejt. Dhe nuk është detyra ime, as mundësia ime dhe as dëshira ime të gjej në janë të vërteta apo false ato firma aktekspertizuesish, më mjafton e vërteta ime.
E them sinqerisht, nuk kam urrejtje, as ndjesi hakmarrjeje ndaj tyre. Pandeli Koçin asnjëherë nuk kam dashur ta rëndoj, as ta sulmoj, as ta përbuz, madje do t’u kërkoja ndjesë edhe familjarëve të tij nëse do të gjenin ndonjë gjë të tillë tek unë. Dukurinë duhet ta godasim së bashku. Kur nisa punë në Kuvendin e Shqipërisë, në Parlament, pas viteve ’90 sigurisht, me kryetar bashkëvuajtësin tim, “Mandelën e shqiptarëve”, Pjetër Arbnorin, gjeta aty dhe e kisha vartës Pandeli Koçin dhe kurrë s’kërkova prapashpinërinë më të vogël, heqjen e tij nga ai vend jo se jo, ishte në redaksinë dhe shtypshkronjën e Kuvendit, të “Fletores Zyrtare”, që botonte ligjet, ku s’erdhi kurrë një ligj serioz që të dënonte diktatorin, diktaturën dhe veglat e saj aktive e të këqija, spiunët me rekorde të zymta. Madje, kam pirë kafe dhe me P. K., ma ka thënë që s’e kishte firmosur atë aktekspertizë ai. Po nuk mjaftoja unë dhe as që më duhej mua më. E ja e besova? Ai të ishte i qetë me veten, me ndërgjegjen e tij.
Edhe kur ka dalë për herë të parë në gazetën “RD”, në fillimet e saj opozitare, çështja ime, poeti dhe gazetari Bujar Xhaferri botoi një shkrim të fuqishëm për nenin e kobshëm 55 dhe emrat e aktekspertizuesve të mi, që përmendeshin aty, ishin me iniciale, unë e kërkova, edhe kur m’u botuan poezitë e mia anglisht në SHBA vite më parë, përkthyesi, albanalogu i njohur, Robert Elsie, vuri si pasthënie aktekspertizën e dënimit tim si një çudi dhe shkruan se me kërkesën e autorit të librit, emrat e aktekspertizuesve janë me iniciale (Names abbreviated at the request of the poet, faqe 297, “The Conddemned apple”, Los Angeles, 2005). Po kështu, edhe në italisht. Eh, paskam krijuar rastin që të përkthehen, s’e di a kanë ndonjë botim jashtë?!
Pandi K. ka treguar një acarim permanent ndaj meje, që në fillime e deri tani në letrën e hapur të tij të së premtes më të fundit, dërguar z. Agron Tufa, (pse e bëri tani dhe jo më parë, është puna e tij se kur e zgjedh kohën), teksa ai shkruan për mua se “Valëvitja e kësaj ekspertize nga ky autor, në libra gazeta e intervista për vite me radhë… të bën të mendosh se është përdorur për kapital politik, material e letrar”(?!?). Po merru me veten, ç’ke me mua, tjetër gjë po të kërkohej, ose hesht. Aq më tepër që s’është kështu. A ka përfitim më të ulët se kjo që të valëvisësh ca copa letre absurde që kanë firmën false ose jo të Pandeli Koçit? Pse ky kompleks për vuajtjen e tjetrit? Le ta themi, edhe të kolegut?
Ndërkaq, edhe ai e di se sa kapital kanë fituar të burgosurit politikë, kur më shumë kanë përfituar prej tyre, edhe ai si e gjithë shoqëria, prej gjithë asaj pune të papaguar prej skllavi në minierat e ferrit, kënetave, themeleve, aeroporteve, fermave, etj. etj… Në postdiktaturë, më shumë kanë përfituar ata që kanë persekutuar sesa ata që u persekutuan. Ndërkaq atij nuk ia zë njeri në gojë se i fituar ka qenë vazhdimisht pa ndonjë meritë të veçantë, përveçse të redaktorit të poezisë në diktaturë dhe censorit të poezisë që vinte nga Kosova, ndërsa sot është i lirë të bëjë dhe poetin. Dhe ai e di se unë nuk e kam valëvitur gjëkundi atë aktekspertizë-nekrologji, që më solli kalvarin e rëndë. Ma kanë kërkuar mediat apo botuesit. Dhe nëse atij ia kanë falsifikuar firmën, duhej ai ta valëviste atë më shumë sesa unë, duke e denoncuar së bashku. Ose të tregonte, nëse e ndiente të nevojshme, që, p.sh., firmosi pa e parë, për t’u dukur i devotshëm a nga shtrëngesat e atëhershme, nga frika, mund ta hiqnin, ta degdisnin gjetiu etj., nëse ka qenë ashtu, se normale ishin atëherë dhe anomalitë.
E them prapë, jam kundër atij që të detyron të bësh keq, shumë më tepër sesa atij që ishte i detyruar të bënte keq. Unë e fal të tillin dhe i kam falur të mitë. Por le ta thonë të vërtetën për të tjerët, për veten, në të mirë të së mirës së përbashkët. Kjo ka qenë e keqja jonë, se po të ishte ndryshe, duhej që ata që kishin firmosur dikur kundër jetës së të tjerëve, duhej të ishin pas hekurave sot. Natyrisht, që s’kisha pse t’i fshihja aktekspertizën, akuzën, pretencën, vendimin e gjyqit që bënë të tjerët ndaj meje. Ishte detyrë morale t’i shpallja. Janë pushkatuar dhe varur poetë në vendin tonë. Me Havzi Nelën e dhembshur kam shtyrë vagonë në ferr. Ndërkaq, nuk e kemi parë arsyen iluministe dhe ndjesën njerëzore, as dhimbjen e duhur, as drejtësinë e mjaftueshme, as mbështetjen e merituar, por braktisje, deri edhe nëpërkëmbje e çoroditje e shpifje deri lart dhe sa më lart, aq më i madh mëkati. Unë nuk jam më i fortë se e vërteta. Nuk kam akuzuar, kam treguar deri më tani.
Dhe dihet që ne mund t’i falim ata, të cilët na kanë bërë keq, por nuk i falim dot ata, të cilëve u kemi bërë keq. Siç e vuri re dhe shkrimtari Agron Tufa, edhe unë s’e kuptoj kur P. K. shkruan në letrën e tij të hapur se kjo ekspertizë, ku ai ka të ngecur firmën, nuk është e vetmja që u bë shkak i dënimit tim: “(çka nuk e vërteton dosja hetimore)”, – e ka futur ai vetë ndër kllapa si në pranga, po ku e di ai dosjen time hetimore, nuk është ai përgatitësi i saj dhe nuk e ka tagrin ta hapë ai atë.
Në fund të letrës së tij të hapur, Koçi bën një thirrje qe “le të flasin (për Visarin, sh. im) ata që e kanë njohur, pa përjashtuar dhe ish-Presidentin e Republikës, Bujar Nishanin”. Ç’do të thotë ai me këtë? Do të ndërsejë të tjerë kundër meje? A nuk kam të drejtë të them se kështu ai prap po hedh firmën e munguar për të vazhduar aktekspertizën e dikurshme ndaj meje? Po ky ish-President që përmend ai, më ka dhënë mua dekoratën “Mjeshtër i Madh” dhe po ai më dekretoi si ministër Kulture në qeverinë Berisha. Pra, e kishte detyrim të njihte dosjen time. Dhe kujtoj këtu se unë e kalova “kontrollin e pastërtisë së figurës” kur kisha kandiduar për deputet, madje dhe u zgjodha, edhe kur jam caktuar me detyra diplomatike jashtë vendit etj. I thashë këto i detyruar, nga zori.
Po Pandeli K. kërkon kështu paterica të kalbura që të mbajë në këmbë akuza të pavërteta dhe shpifje të dënueshme kundër atyre që i qëndruan dhunës dhe persekutimit, mes së cilëve kam nderin të jem? Ndërkaq, edhe atij ish – Presidenti iu përgjigj dhe një ish President, z. Bamir Topi, duke i thënë se kishte gabuar ndaj meje në çështjen që po aludon P-ja. Po kështu, iu kundërvunë me përçmim ndaj asaj shpifjeje dhe shumë bashkëvuajtës të mi, me integritet intelektual si: Maks Rakipaj, përkthyes i njohur tashmë, Lekë Mirakaj, që vazhdimisht bën analiza me vlerë që nga SHBA-ja, Lekë Froku, Nebil Çika, i riu, shkrimtari dhe bashkëvuajtësi Tanush Kaso, gazetari Bardhok Lala, poeti Skënder Buçpapaj, Jozef Radi, gazetarët dhe analistët Alfred Lela, Lorenc Vangjeli, Luan Rama, Mero Baze, botuesi Luan Pengili, ju, vetë shkrimtari Agron Tufa, pa shkuar te politikanët. Ja, pra, ata që më njohin.
I them Pandeli K. që të mos ia lejojë vetes t’i shkojë firma, e falsifikuar ose jo, prapë për andej, tek ata që kanë qenë me ata që shtypnin e jo me ata që shtypeshin.
A jeni takuar me dy redaktorët, pasi keni dalë nga burgu? Cili ka qenë qëndrimi i tyre? E ç’rëndësi ka, i kam takuar. Qëndrimi i tyre? Ja, njërin po e shikoni. Tjetrin s’e di. As dua ta di, për të gjithë…
Në përgjigjen botuar te “Panorama”, Koçi shprehet ndër të tjera se edhe ju vetë keni qenë i bindur që nuk e ka shkruar ai atë aktekspertizë, pasi e kishit lexuar edhe më herët të formuluar dhe firmosur nga dikush tjetër. Si qëndron e vërteta? E tregova më sipër dhe e kam treguar dhe më herët. E vërteta ime mua më mjafton. Unë kam mbaruar punën time. Gjejeni ju si qëndron e vërteta, shoqëria, nëse do apo i duhet. Detyra e P. K. nuk është tani që të më bindë mua. As shkrimtarin Agron Tufa, që ia tha dhe ai. Po të dojë Pandeli Koçi, është i mirëpritur besoj, le ta sjellë të vërtetën e vet, i duhet, po aq shumë sa atij, edhe shoqërisë, kujtesës kolektive, katarsisit, si dukuri natyrisht, e përsëris. Këtu të përqendrohemi. Jemi kundër mëkatit, por jo kundër mëkatarit, thotë Papa Françesku. Falje dhe drejtësi. Drejtësi dhe falje!
Në librin tuaj më të fundit, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, ju përmendni shumë pseudonime, pas së cilave fshihen, pa dyshim, emra poetësh e shkrimtarësh, që ju kanë denoncuar apo kanë raportuar për ju. I njihni? I keni zbuluar se cilët janë? Ka mes tyre nga ata që ju i konsideronit miq? Po, ka ca pseudonime, pas së cilëve fshihen emra të njohurish dhe të panjohurish, kolegësh, mësues, studentë të atëhershëm, poetë, që më të arrira kishin denoncimet e tyre sesa poezitë etj. Ca i kam njohur, ndokënd po e njoh a do ta njoh, po që s’kam dashur asnjërën nga këto. Autoriteti i Hapjes së Dosjeve ma ka vonuar përgjigjen, kështu më duket, se të kujt janë ato pseudonime. Me sa di, edhe ju si media, studiuesit, keni të drejtë t’i kërkoni, t’i gjeni emrat e tyre, të keqen që sollën, ato dukuri, atë poetocid a poezicit që pësoi vendi ynë, meqenëse po flasim për këtë temë. U kam thënë në Autoritetin e Hapjes së Dosjeve, që unë nuk e dua dosjen time për të parë se kush jam, e di këtë, por për të parë ju se kush jemi e t’ua tregoni të tjerëve. Po, po, është detyrë dhe e juaja, dua të them dhe e medias, që të tregoni, thënë metaforikisht, se ç’ishte “bojë e kuqe” e ç’ishte gjak, dekoratë apo plagë, ç’është “bojë e zezë” dhe zi. Njerëzit po i lodh realiteti i papërshtatshëm për njerëz, sherret janë shndërruar në punë e paguar mirë në Parlament dhe protestat punë e papaguar në rrugë. Me këtë nuk dua të them se janë të padrejta. Më e drejtë është drejtësia, puna, mirëkuptimi, prosperiteti i përbashkët. Kërkoni të rikthejnë besimin në popull ata që e kanë dhe detyrë. Se më e rëndë se pseudonimet është pseudokoha, pseudonjerëzit. Me maskat e së keqes.
Tani që e keni parë edhe dosjen tuaj, tani që jeni në një tjetër kontekst, si ju duken aktekspertizuesit, ekspertizat, akuzat, nga përvoja e vuajtjes? Do të doja “dy aktekspertizues” të tjerë, mundësisht të huaj, një nga SHBA-ja dhe tjetri nga BE, që të aktekspertizojnë realitetet e përjetuara tonat, një e tashme plot me të shkuara, një ardhme invalide të ekpertizonte politikën që rrjedh nga politika, jo nga hallet dhe nevojat e vendit, të shikojnë “Dosjen e diktaturës”, dosjen e Shqipërisë bashkë me ne, të goditet mashtrimi i madh dhe për pasojë dhe ai i vogli, tani dhe në të dikurshmen. Nuk duket e mundur? Atje ku largohet Zoti, është e mundur gjithçka, thoshte një tjetër i burgosur i madh, Dostojevski. Se dhe aktekspertizuesi kryesor mund të thotë se dhe atij ia kanë falsifikuar firmën, edhe hetuesi, edhe prokurori, gjykatësi, komandantët e burgjeve, të skuadrave të pushkatimit, ministrat e përbrendshëm dhe përsipër tyre, por dhe e veja e diktatorit mund të thotë se dhe Enverit ia kanë falsifikuar firmën Titoja apo Stalini a të dy dhe më pas Hrushovi e kështu me radhë, por ju siguroj që burgu ynë nuk ishte i falsifikuar, ishte llahtarisht i vërtetë, real, me firma, pa firma janë shkatërruar njerëz, populli, janë pushkatuar me të vërtetë burra dhe gra, me qindra, janë shuar urie nëpër internime fëmijë, pleq, me mijëra, janë bërë dy revolta të mëdha në burgjet e Spaçit, plotësisht politike dhe të Qafë Barit, të vetmet në të gjitha burgjet e perandorisë komuniste, për ato do të doja të flisnim, si mund të bëhen muzeume ato kampe dhe jo veç me dy aktekspertizues të rëndomtë, dy revolta tragjike në burg, që s’ishin shou, as xhirime filmash të socrealizmit, u derdh gjak i vërtetë dhe u thyen kocka të vërteta, u tretën mijëra vite dënimesh, jete dhe dijeje të shkuar dëm, barbarisht, ishin kohë e Shqipërisë. Gjithë ajo frikë dhe mbyllje dhe rraskapitje në ekspertizën e atdheut, dobësim mendor dhe shpirtëror, që, për pasojë, as sot s’po e merr veten, s’po mëson të ndërtojë shumë e më shumë dhe të shkatërrojë pak e më pak, por bën të kundërtën. E kundërta e së kundërtës është udha e njeriut shqiptar sot, e një Shqipërie euroatlantike, me poezinë e jetës, e pse të mos e themi, se është tepër e zymtë kur me forma nga më ndryshmet dënohet poezia, ajo e të jetuarit.
.
Marre nga Gazeta Panorama
.