back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

Prennushi: Simbol i pastërtisë dhe virtyteve shqiptare

Gazeta

Monsignor Vincenc Prennushi
Monsignor Vincenc Prennushi

Vinçenc Prennushi:

Simbol i pastërtisë e virtyteve shqiptare

nga Lazër Radi

(Kushtue Prelatit të nderuem,
poetit delikat,
atdhetarit
dhe demokratit të madh:
Vinçenc Prennushit)

Lazër Radi - Romë 1991
Lazër Radi – Romë 1991

(Nga cikli: Njerëzit që zhduku dhuna komuniste)

Vinçenc Prennushi u lind në Shkodër më 4 Shtator 1885, në nji familje modeste, në Lagjen Rus, në rrugicën e Makajve. Ashtu si Fishta, Gjeçovi e mjaft te tjerë studimet e para i kreu në Bosnje, kurse pjesën tjetër e kreu në Itali, Poloni dhe Austri.

Jehona e veprës së parë

Më 25 mars të 1908, shugurohet meshtar i Urdhrit Françeskan O.F.M.
Në vitin 1911, boton në Sarajevë veprën e tij të parë: “Kangë Popullore Gegnishte”. Ky botim pati nji jehonë të gjanë në vend, po sidomos në emigracionin shqiptar. “Kangët” e Prennushit u banë themeli mbi të cilin ma vonë do të ngrihej vepra monumentale kombtare: “Visaret e Kombit”.
Në vitin 1917, Prennushi ishte anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër, ku u  përcaktuan edhe rregullat e para të drejtshkrimit shqip.
Në vitin 1918, botoi si broshurë në vete poemthin “Grueja Shqiptare”, e para vepër letrare e tij, botue në shtypshkronjën françeskane. Për kët poemth të mrekullueshëm poetik e patriotik do të kemi rast me folë ma poshtë.
Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën “E tradhtuemja”, nji adoptim i goditur nga T.A.Rolando.

"Gjeth e lule" - Poezi Vincenc Prennushi
“Gjeth e lule” – Poezi Vincenc Prennushi

Në vitin 1921, në moshën 36 vjeçare, boton përmbledhjen e njohur poetike: “Gjeth’ e lule”. Poezi të bukura, të ambla e delikate sikur i ka shkruar nji shpirt vajzë. Me plot të drejtë Prof. E. Çabej e ka quejt: “Poet i qytetit të Shkodrës”.
Dihet se Vinçenc Prennushi çeli nji shteg të ri në letërsinë shqipe, e veçanërisht, në atë shkodrane. Gjithmonë, duke ndjekë mësimet e Fishtës, me fjalë të tjera duke i pranue modelet popullore, bani që ndër shkrimet e tija të rrjedhë gjuha e ambël e qytetit të tij të lindjes. Me at stil të hijshëm ai arriti me krijue edhe nji aradhë shkrimtarësh që e imituen, ndër të cilët mund të përmendim dy ndër ma të mdhajtë: Patër Anton Harapin dhe At Justin Rrotën.
Patër Anton Harapi i çoi edhe ma përpara format e arsyetimit letrar. I thellë në filozofi, psikolog depërtues – pa asnjë prirje poetike – ai u përpoq që shkrimet dhe tekstet e tija të kishin nji stil të mprehtë, t’i përdorte ato si mjete me bindë të tjerët dhe si vegla vëzhguese… Ndërsa Justin Rrota ishte  gramatolog, kritik letrar dhe shkrimtar i hollë plot shije. Gjuha e qytetit të Shkodrës, në shkrimet e Justinit, shpalos me gjithë mundësitë dhe ngjyrat e veta.
Prennushi mbodhi kangët e vallet e “Dasmës Shkodrane” dhe pikërisht këtu ai tregoi ma mirë se në asnji vend tjetër kumbimin e ambël të fjalës shkodrane. Në fakt, trajtat janë vërtet shkodrane, kurse përmbajtja e tyne asht mbarëkombëtare. Me të drejtë Vinçenc Prennushin e quejtën: “Bylbyli i kopshtijeve t’Shkodrës”.
Në vitin 1924, boton përkthimin e bukur “Fabiola” apo “Kisha nën dhe e mbi dhe” e Kardinalit Visseman. Përktheu e botoi romanin “Quo Vadis” (Ku po shkon?) të E.Sienkievicz, në vitin 1933.
Në vitin 1939, përkthen e boton romanin e Silvio Pelico-s “Burgjet e mia”, kurse në vitin 1940, emnohet Argjipeshkëv i Durrësit, aty ku dikur e kish pasë selinë e vet Argjipeshkëvi Pal Ëngjelli.
Në verën e vitit 1946, arrestohet.
Më 19 mars 1949, vdes ndër torturat ma çnjerzore që iu banë në burgun e Durrësit.

Rruga e mundimeve e Vinçenc Prennushit

Nji shok i bashkëvuajtjeve të tija në burgun e Durrësit, Prof. Arshi Pipa, tregon: “Në burg, Monsinjor Prennushin e torturuen keqas. Me gojën e tij ai më ka numërue nji e nga nji se sa policë e kanë goditë me shkopinj të mdhenj prej druni. Duert dhe kambët i kishte të lidhuna ndër pranga dhe e kishin varë në mur. Ashtu të varun e kanë lanë derisa humbte ndjenjat në nji dhomë plot lagshtinë. Ka qëndrue – siç më ka thanë ai vetë – “si nji kafshë në nji dhomë të tymosun”.
Nuk ka mendje njerzore që mund të imagjinojë nji barbarizëm ksisoji. Pra, ai Vinçenc Prennush, nji njeri i mirë, i drejtë, nji predikator i shkëlqyeshem virtytesh njerzore e shqiptare, poet e shkrimtar i talentuem i rezistencës shqiptare – goditet, torturohet dhe varet si nji “bandit” nëpër birucat e tmerrshme dhe famkeqe të Sigurimit komunist. Vinçenc Prennushi, ky burrë i fisëm, kjo vlerë kombtare, ky simbol i pastërtisë dhe i virtytit shqiptar, nji ditë prej ditësh, për kapriçot e sadizmit dhe dhunës së tërbueme të pushtetarëve stalinistë, rrëmbehet barbarisht nga vetmia e tij qiellore dhe e shenjtë e Deblinishtit, shkitet nga librat e uratëve dhe nga përkthimet e tij shumë i vyeme të letërsisë dhe kulturës tonë kombtare dhe rraset si kafshë në “qelitë” e vdekjes. Këtij njeriu të ndershëm e të nderuem, këtij atdhetari të panjollë, këtij shpirti të pastër engjullor, terroristët e diktaturës i ngjitën epitetet ma të poshtra, ma të pameritueme, të denja vetëm për “komandantin” e tyne dhe krejt skotën e tij prej komisarësh të degjeneruem…”

Portret i Arshi Pipës
Portret i Arshi Pipës

Prof. Arshi Pipa vazhdon: “Vinçenci s’ishte vetëm plak, por ishte edhe i sëmunë, kishte nji “hernie” therëse, e cila, edhe në lëvizjet ma të vogla i shkaktonte dhimbje të mëdha… Policët i kishin vendosë trarë mbi shpinë Arqipeshkëvit, i cili nuk mund t’i mbante. Qëndresa e tij ishte mbinjerzore. Iu morën kambët dhe u rrëzua nji herë, dy herë, tri herë… por, asnjiherë, s’u ndigjue nji “ah!” nga goja e tij. Drejtori i burgut dhe komisari e ndiqnin kët skenë makabre prej shkallëve të burgut, duke qeshë e duke ba vërejtje sarkastike. Edhe pa asnji ngarkesë mbi shpatulla, ecja në përpjetën e asaj kodre të burgut, ishte shumë e vështirë jo vetëm për të, por edhe për ne të tjerët. Sa herë u rrëzue ai njeri i shkretë, e prapë, sa herë u ngrit, e ngarkoi at shtyllë si Krishti Kryqin dhe, mes dhimbjesh, e vazhdonte rrugën e Kalvarit… Gjendja e tij shëndetësore sa vinte e përkeqësohej përditë. U ba e domosdoshme të shtrohej në spital. E shtruan. Për fat edhe unë isha keq me shëndet dhe më shtruan edhe mua. M’u ba qejfi se do të isha afër Monsinjorit dhe do të mund ta ndihmoja sadopak. Spitali i burgut ishte nji barrakë e ulët, aneksue spitalit kryesor të Durrësit… Pavioni ku ishim ne, ishte i vogël dhe i vjetër, me dritare të vogla prej nga dallonim fare pak, si në sfond, kaltërsinë e Adriatikut. Argjipeshkëvi Vinçenc Prennushi vdiq nji natë marsi të vitit 1949. Natën, në të cilën ai po jepte shpirt, shndriste zjarri midis dhomës tonë. Kur ia mbylla sytë e rufitun, që e kërkuan aq shumë dritën, m’u duk sikur pashë në fytyrën e tij të hequn nji pamje të qetë, nji persiatje e jashtzakonshme, sikur shikoja nji qenie, e cila, mbas aq shumë vuejtjesh, po prehej n’jetën e pasosun… Në rrullat e thella të atij balli të gjanë sikur shihja zbrastësirën e pamjes së tij. Kur dhimbja pushon, çdo gja e keqe arratiset nga shpirti, duke e lanë kët të fundit me ndriçue i lirë, ashtu si ujnat e turbullta kthjellohet kur llumi bien në fund…”

At Vinçenc Prennushi (1895-1949)
At Vinçenc Prennushi (1895-1949)

Brezi ynë – ne të moshuemit – nuk mund ta harrojmë kurrë at pasditen e 4 Prillit 1939, kur në kinema “Gloria” (sot Republika), Instituti i vajzave kishte organizue nji shfaqje. Salla ishte përplot me spektatorë. Ndonëse ishte nji shfaqje e bukur dhe interesante, njerzit ishin shpirtnisht të  trazuem: aeroplanët italianë zhurmonin demostrativisht mbi  qiellin e pamësuem të Tiranës. Pushtimi fashist i Italisë, dukej qartë në horizontin e turbulluem të vendit. Të paharrueme do të mbeten ato çaste kur njena nga vajzat e Institutit po recitonte poemthin “Gruaja shqiptare”… Në nji moment, befas, ajo nxjerr Flamurin Kombëtar, e shpalos dhe e valëvit në ajër. E elektrizueme salla shpërthen në brohori e ovacione të fuqishme, ndërmjet lotëve të dëshpërimit dhe të thirrjeve me mbrojtë Atdheun prej invazionit fashist… Krejt populli doli në rrugë duke këndue kangë patriotike… Si nji vërshim i pandalshëm lumi njerzor, ai u derdh rrugëve të kryeqytetit për te pallati Mbretëror… Populli kërkonte armë për të mbrojtur Vatanin. Poezinë “Grueja shqiptare” të Vinçenc Prennushit, at shkandijë që çoi peshë zemrat e shqiptarëve në mbrojtje të vatrave tona, kurrë nuk do të mund ta harrojnë ata që patën fatin ta përjetojnë këtë ngjarje historike.
Edhe Shkodra ka kujtimet e veta.
Ajo s’mund ta harrojë kurrë at 19 Marsin e vitit 1914, kur qyteti i Rozafës ishte i rrethue prej serbo-malazezve, ndërsa mbrenda qytetit sundohej nga Fuqitë e Mëdha (Internacionalja). U shpartallue rrethimi i qytetit dhe Shkodra u bashkue me Shqipninë. Madhështor dhe i paharrueshëm qe mitingu i shkodranëve që u mbajt atë ditë në Kalanë e Rozafatit. Ma shumë se njizetmijë vetë u tubuen në at kështjellë të lashtë. Flamuri ynë kombëtar u ngrit mbi ledhet e kalasë. Midis nji entuziazmi dehës foli At Vinçenc Prennushi. Ishte nji fjalim i zjarrtë. Kët fjalë të ndezun e botoi dhe e riprodhoi krejt shtypi i kohës, mbasi ajo u ba burimi i pashtershëm atdhetarie për gjithë brezat e mavonshëm deri në ardhjen e komunizmit. Jo vetëm atdhetar, por ai ishte edhe demokrat i vërtetë. Që në vitin 1910 botoi artikullin e famshëm: “Liri në mendime”. Në vitin 1922, broshurën: “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”…
Pra, kët Vinçenc Prennush, kët atdhetar të madh, kët demokrat dhe mbrojtës të lirive të njeriut, kët poet të ndjenjave ma të holla e ma delikate, diktatura ugurzezë e komunizmit shqiptar, në verën e vitit 1946 e burgosi dhe  e dënoi me 20 vjet burg duke e akuzuar si “armik të popullit”, “fashist”, “klerik reaksionar” dhe “spiun të Vatikanit” e “tradhtar të atdheut”. Policët “humanitarë” të komunizmit, kët pet të magjishëm, e trajtuen me shqelma, e gozhdonin ndër mure, e ngarkonin me trarë të randë dhe e detyronin t’u ngjitej kodrave. Vinçenci ishte njeri i madh. Si të tillë duhet ta njohin dhe ta studiojnë brezat e ardhshëm. Vetëm mbas këtyne studimeve të thella, ata do ta kuptojnë se sa dam i ka sjellë diktatura komuniste tokës ilire.

(Rilindja e Kosovës, e shtunë 15 maj 1993)
Dr. Lazër Radi

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.