back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Shtypi shqiptar të ketë ma shumë kujdes! Dr. Lazër Radi

Gazeta

Lazer Radi 1916-1998
Lazer Radi 1916-1998

Shtypi shqiptar të ketë ma shumë kujdes!

nga Dr. Lazër Radi

Nji president amerikan, nji nga baballarët e kushtetutës, ka thanë: “Edhe vet presidenti degjeneron, qeveria degjeneron, kongresi degjeneron, vetë sistemi degjeneron – ndërsa shtypi JO!! Prandaj shtypit i duhen dhanë kompetenca të gjana…”
Kështu lexova këtyne ditve në nji gazetë!
Shtypi ynë, ky i sotmi, mbas nji traumë të randë gjysëshekullore, mbas nji censure politike mbytëse, mbas nji kontrolli të egër, papritmas del në horizontin e hapët, me lirinë e fjalës dhe me lirinë e shtypit…
Nji gja që ra fort në sy këto ditë, ishin disa deklarata të njerzve me përgjegjësi, në lidhje me fenë. Dihet se liria e ndërgjegjes asht nji nga institucionet ma të randsishme të të drejtave të njeriut. Prandaj shtypi ynë, i dalë nga diktatura e gjatë komuniste, duhet të ketë kujdes të veçantë në kët drejtim. Asnji redaksi gazete ose reviste s’duhet me lejue që në faqet e saj të fyhen simbolet e nji feje dhe as të propagandohet në favor të nji feje e në dam të nji feje tjetër. Nji veprim i tillë asht jo vetëm i damshëm, po edhe i rrezikshëm për vendin dhe kombin tonë.
Dihet se Shqipëria asht i vetmi shtet në botë me tri besime të ndryshme dhe që të tria të njoftuna dhe të respektueme zyrtarisht. Gjithashtu, kemi edhe të drejtë të mburremi për harmoninë e bashkjetesën vllaznore midis nesh pa dallim feje: vetëm ndër ne, në Shqipëri, koncepti fè dhe Atdhe, asht ba mendim, asht ba fjalë, asht ba dashni, asht ba Komb.
Po si u mbrrit kjo?
Jo, s’ka qenë nji punë e lehtë. Rilindasit tanë, hyjnisht të frymëzuem, e nuhatën rrezikun që mund të na vinte prej përçamjes fetare. Përveç coptimit që po na bante Europa, ishim në rrezik të përçaheshim edhe ndërmjet vedit. Lufta civile dhe vllavrasja, s’do të na ndaheshin deri në shfarosjen e plotë: “Dërgimtarët e Kombit”- siç thotë Poradeci – nisën ta brumosin Rilindjen shqiptare: Si do të mbrrihej kjo rilindje deri sa ne vetë s’kishin vu akoma themelet e harmonizimit shpirtnor të njerëzve? Nji faktor i madh ndasie qenë tri besimet e ndryshme, që ushtroheshin njiherit: Qe nji frymzim hyjnor që i shtyu ata burra të mençëm me eliminue vatrën ma t’rrezikshme të përçamjes kombtare: Ky komb, kishte nevojë për bashkim… dhe me kët dëshirë të shenjtë e shpalosën mendimin dhe fjalën e tyne në krejt qiellën e kombit tonë. Kët rrugë të zjarrtë ndoqi bashkimi kombëtar… kët rrugë e kishin ndriçue Naum Veqilharxhi në Rumani, Eftim Mitkua në Egjipt, Anastas Kullorioti në Greqi, Harallamb Koçi në Rusi, vëllezërit Frashëri në Turqi e në tokat shqiptare, etj.
Si mundet me harrue populli shqiptar poetin bilbil, Naim Frashërin, bektashi i bindun dhe fetar i devotshëm, që shkon dhe puth Krishtin në kryq, në emër të Kombit dhe u mëson shqiptarëve besimin e përbashkët, atdhedashurinë?

Veç shkrimeve Lazёr Radit s'i shpёtonte asgjё edhe nga shtypi i pёrditshёm... - Nё shtёpi, Tiranё janar 1995
Veç shkrimeve Lazёr Radit s’i shpёtonte asgjё edhe nga shtypi i pёrditshёm…
– Nё shtёpi, Tiranё janar 1995

Si mund të harrohet Vaso Pashë Shkodrani, katolik prej Shkodre i cili, pasi gërmoi thellë në shpirtin e vet: dhe shkruan kangën e tij të famshme, e cila ndërmjet kangës dhe vajit u kthye në hymn shpëtimtar të vllaznimit e të dashnisë:

“… e mos shikoni kisha e xhamija,/  feja e shqiptarit asht shqiptaria!”

Po atdhetari tjetër, Mihal Grameno, komiti i kombit, a nuk luftoi për vllazëri të pandame:

“Njeri në kisha, tjetri në xhamija/ – jemi vëllezër dhe s’na ndajnë dot…!”

Në kët rrugë vazhdoi Gjergj Fishta, Luigj Bumçi e deri edhe Fan Noli, që i këndoi kangën ma t’bukur, hymnin ma madhështor: Flamurin tonë të Gjergj Kastriotit, duke e cilsue atë: simbol të shenjtë të bashkimit kombëtar:

“O Flamur që linde Shën Kostandinë!/ Pajton Islamn’ e Krishtërimin,/ Çpall midis feve vëllazërimin.”

Ky bashkim i shenjtë i shqiptarve në shqiptarizëm, u arrit me mund e sakrifica të shumta. Ndaj s’ia lejojmë askujt me na e cënue kët fitore të kombit shqiptar. Qiejt dhe vetë Zoti i shqiptarëve kërkojnë nga të gjithë ne: bashkim dhe dashni në emën të kombit dhe për kombin!
Prandaj shtypi duhet të ketë shumë kujdes në kët drejtim!

(RD, e premte, 19 qershor 1992)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.