
Tufa dhe pasojat e indiferentizmit ndaj së keqes
nga Agim Baçi
Gjashtë vjet më parë, Agron Tufa, atëkohë kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, do të shpallte vendimin për të kërkuar azil politik në Zvicër. Ishte një ikje e papritur e një njeriu që jo vetëm përmes drejtimit të Institutit, por edhe përmes gazetarisë, por sidomos përmes letërsisë, kishte mundur të fliste hapur dhe fort lidhur me nevojën për zbardhjen e së shkuarës.

Në momentin e largimit kishte shumë zëra dhe pikëpyetje se përse Tufa, që fliste kaq hapur publikisht për krimet e së shkuarës nën diktaturë, që kish debatuar nëpër televizione e gazeta duke publikuar krimet dhe emrat e kriminelëve, që kishte fituar çmime letrare për letërsinë e tij me motive nga krimet e diktaturës, tashmë ndihej i rrezikuar me jetën? Në letrën e tij, në ditët e para të dhjetorit 2019, drejtuar Uran Butkës si kreu i Bordit të ISKK-së, më shumë se sa kërcënimet e jetës ndaj tij dhe familjes, Tufa shprehej i shqetësuar për indiferentizmin tonë si shoqëri për të studiuar natyrën e së keqes, sidomos në një shoqëri ku pafuqia shfaqet më qartë se kudo në mungesën e pendesës së atyre që bënë krime.
Alarmi i Tufës, i cili kishte botuar qindra dëshmi krimesh, ishte një kambanë e fortë për ne si shoqëri: Pra, nëse ata që kanë bërë krime nuk shfaqin asnjë pendesë edhe kur ka dëshmi të qarta për krimet që kanë bërë, a mund të besosh se kanë ndryshuar? A mund të besosh se ata që heshtën përpara të vërtetave drithëruese, të vërtetave të denja për ferrin dantesk, do të ngurronin të kërcënonin dikë që përmes publikimit të krimeve u rrezikon të humbin statusin politik apo ekonomik të arritur në Shqipëri apo diku gjetkë? Ikja e Agron Tufës në fakt duhej të kish zgjuar shumë nga studiuesit, politikanët dhe gazetarët, për të analizuar natyrën e së keqes, që rrezikon çdo shoqëri që nuk ka kaluar përmes forcës shëruese të pendesës. Ikja e Tufës duhej të ishte alarm për këdo që ka preferuar të shohë krimet nën diktaturë si një lajthitje e çastit, sikur i përket vetëm një segmenti historik dhe se nuk ka të bëjë me të tashmen. Fatkeqësisht, alarmi i Tufës për rrezikun që vjen nga indiferentizmi u braktis nga të gjithë ne që duhej të bënim shumë e më shumë për të përhapur të vërtetat mbi natyrën e totalitarizmit dhe humbjes së njerëzores në një sistem të tillë.
Edhe pse u bënë botime, edhe pse u bënë emisione e filma, ne sërish dështuam të shpjegojnë se për shkak të indiferentizmit ndaj krimeve të së shkuarës, për shkak të mosanalizimit të natyrës kriminale të sistemit totalitar, shoqëria është në rrezik të rrëshqasë lehtësisht përballë atyre që vijojnë t’i tallin dhe poshtërojnë. Madje, mosanalizimi i së keqes solli vite më parë një realitet absurd dhe cinik, kur ish-persekutorët e kohës së diktaturës dolën të pafajshëm nga burgjet dhe morën edhe dëmshpërblimin, ndërkohë që ish-të dënuarit apo të internuarit politikë vijojnë ende ta lexojnë emrin në gazeta, pa u dëmshpërblyer kurrë mjaftueshëm jo vetëm në mënyrë monetare, por mbi të gjitha moralisht. Aq e madhe ishte heshtja jonë përballë kambanës së Agron Tufës për indiferentizmin ndaj së keqes, sa nuk është çudi që organet kompetente që shqyrtojnë kërkesën për azil në Zvicër, të shohin me dyshim këtë vendim të ish-kreut të ISKK-së.
Nuk është çudi që shumë të mos na besojnë jo vetëm për natyrën kriminale të ish-diktaturës, por më së shumti për heshtjen tonë përballë asaj të keqeje. Dhe ky është cinizmi jo ndaj Tufës, por ndaj nesh që duhet të kishim gjetur rrugët e një sensibilizimi më të madh, e gjetjes së rrugëve të duhura për të zbuluar shkaqet e vërteta të humbjes së njerëzores, që na solli deri në atë pikë sa nuk njohim një nga institucionet më të shenjta të historisë njerëzore: Pendimin! E pazgjidhura me të vërtetat e së shkuarës ka të bëjë me ndërgjegjen tonë si shoqëri, pasi krimet e së shkuarës janë raporti me ndërgjegjen tonë. Për sa kohë ne do jemi indiferentë ndaj të shkuarës sonë, edhe e shkuara do ta ketë të lehtë të na rikthehet në çdo formë. Ajo e ikjes së Tufës mbetet edhe më e dhimbshme si rikthim i indiferentizmit, pasi as nuk na shërbeu për të zgjuar një reagim shoqëror.
Marrë nga, Panorama 8 maj 2025