
Fjalët profetike të Eqrem Bej Vlorës –
një “çelës” për të kuptuar të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen tonë
nga Klodi Stralla
Eqrem bej Vlora, një prej njerëzve më të zgjuar dhe më të kulturuar të Shqipërisë të periudhës 1912-1944, në Kujtimet e tij, mes të tjerash, na sjell një bisedë të tij me Kajmekamin El-Maanin, një ministër të Perandorisë osmane, kur ajo ishte në grahmat e fundit të saj, pak vite para se shqiptarët të fitonin pavarësinë dhe të kishin shtetin e tyre në Ballkan.
“Unë i njoh Shqipërinë dhe shqiptarët më mirë se sa mendoni ju. Ju keni jetuar në Perandorinë Osmane jo si të shtypur dhe të nënshtruar, por si zotërinj dhe urdhërues. Ju keni përfituar nga pushteti i Perandorisë dhe i fesë më tepër se turqit. Tani po bëheni renegatë dhe kërkoni ta braktisni anijen që po mbytet, në vend që të punoni dorë për dore me ne për shpëtimin e saj. Ndoshta një ditë edhe do t’ia arrini asaj që kërkoni. Vetëm kujdes! Shqipëria është e vogël dhe e varfër, shqiptarët nuk janë as qytetarë të mirë, as punëtorë të mirë, e shumta ata mund të jenë sundimtarë të mirë dhe ca më tepër kusarë të mirë. Një ditë prej ditësh, kur të mos i keni më kullotat e pafundme të kësaj perandorie, ju do të hani njëri-tjetrin në atë Shqipërinë tuaj të ngushtë e të varfër!”
Ai nuk foli atëherë si ministër, por si një turk i thjeshtë! I bindur dhe i ndershëm. Dhe kishte pasur të drejtë. Sa e sa herë më vonë e kam kujtuar kajmekamin e El-Maanit, kam kujtuar ato qindra e mijra shqiptarë që kam takuar edhe në qoshet më të largëta të Perandorisë, të cilët, në toka të huaja urdhëronin mbi njerëz të huaj, vetëm e vetëm sepse quheshin “shqiptarë”. Dhe sa e sa herë më janë kujtuar fjalët profetike të atij turku të ri, më vonë, kur në Shqipëri isha i detyruar të shihja me tmerr e neveri, sesi njerëzit që donin të bëheshin dikushi, shqyenin dhe shkelnin me këmbë shoqi-shoqin, vetëm e vetëm se në koritë nuk kishte vend për të gjithë…
Marrë nga Muri i FB Klodi Stralla, 14 maj 2022