back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024

Tre Mjekët e Konferencës së Mukjes – nga Pertefe Leka

Gazeta

 

Dr. Ymer Dishnica
Dr. Ymer Dishnica

Tre Mjekët e Konferencës së Mukjes

nga Pertefe Leka

Mjekët që morën pjesë në Konferencën e Mukjes, edhe pse në pozicione të ndryshme, kishin një qëllim, të shëronin dhe të bashkonin krahët e prerë të trupit, Shqipëri.
Ata që prishën Konferencën e Mukjes të 2 Gushtit 1943, ata e ndalojnë edhe sot Bashkimin Kombëtar.
Nga njohja dhe bisedat me tre personalitete të mjekësisë humane, pjesëmarrës në atë Kuvend, në pozicione të ndryshme: Dr. Ymer Dishnica, përfaqesues i Nac. Çlirimtares, Dr. Shefqet Ndroqi, nacionalist i pavarur dhe Dr. Agim Leka, përfaqësues i Rinisë së Ballit Kombëtar, dëshmojnë qartë të vërtetën e atij tubimi gjithëpërfshirës.
Në një takim me Dr. Ymer Dishnicën, në vitin 1995, kam marrë dorëshkrimin prej 17 faqesh, lidhur me jetën dhe aktivitetin e tij. Shkrimi fillon: “Kam lindur me Shqipërinë, me 21 Shkurt 1912, me këmbë të mbarë për Vatanin…”
E njoha personalisht Doktorin në moshën mbi të tetëdhjetat, por shumë vital e energjik, që kërkonte nga vetja të jepte gjithë eksperiencën e tij, në dobi të Atdheut, pavarësisht se i qe mohuar kontributi i tij patriotik dhe humanitar, gjatë diktaturës. Si emër, ai ishte shumë i njohur për ne, pasi e kishte lakuar me përbuzje emrin e tij diktatori. Njohja me Dr. Dishnicën ishte e herëshme në familjen Leka. Kështu Luan Leka në takimin me z. Ymer, në zyrën e tij, kur u zgjodh si kryetar i “Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës kundër Okupatorit” bisedoi shtruar dhe e admiroi për qëndrimin e tij të pandryshuar, sepse shpaloste po ato pikëpamje për bashkimin e shqiptarëve, si atëhere gjatë luftës dhe pas viteve 90-të.
Duke pasë edhe ne (Pertefe e Luan Leka) të njejtat mendime me Dr. Dishnicën, u lidhëm edhe më shumë me Prof. Hazir Shalën me të cilin u bashkuam në organizatën e themeluar “Bashkimi Kombëtar”, ku të parat firma ishin e Dr. Lazër Radit, historianit Sherif Delvina, Gani Ratkoceri historian, dhe e zotit Dishnica sëbashku me zonjën e tij…
Në vizitën që bëmë në shtëpinë e Familjes Dishnica, në rrugë të Kavajës, u mirëpritëm me bujari nga shkodrania trime, zonja Gjystina, ku biseduam ngrohtësisht. Doktori kishte përgatitur me shkrim dore kontributin e familjes Dishnica gjatë luftës.
Nga komunikimi në familjen Dishnica u përftua shkrimi i mëposhtëm, i publikuar në vitin 1995

Dr. Ymer Dishnica - Prof. Hazir Shala - Dr. Lazër Radi - Krujë 1996
Dr. Ymer Dishnica – Prof. Hazir Shala – Dr. Lazër Radi – Krujë 1996

E vërteta zhytet por nuk mbytet…

Dr. Ymer Dishnica (21 shkurt1912-22 shtator 1998)

nga Pertefe Leka

Mbas rënies së komunizmit, po marrin frymë lirisht të gjithë ata patriotë, që luftuan okupatorin me idealin për bashkimin e shqiptarëve.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës kundër okupatorit nazi-fashist në Tiranë zgjodhi kryetar Dr. Ymer Dishnicën, aktiviteti i të cilit ka hyrë në histori, duke u trajtuar nga diktatori Hoxha, negativisht.
Dr. Ymer Dishnica u lind në Shqipëri më 1912, në një kohë kur Dishnica, fshati i tij i lindjes ishte plaçkitur shkatërruar nga grekët. Gjatë Luftës së Parë Botërore, çetat patriotike me Themistokli Gërmenjin e Sali Butkën në krye, i detyruan grekët të largohen nga Qarku i Korçës. Qe fat i madh për të riun Dishnica që u mbyllën shkollat greke dhe ai i filloi mësimet në gjuhën shqipe.
Gjithashtu, pas shpalljes së Korçës si Republikë Autonome, dhe pas Luftës së Parë Botërore, Liceu Francez i Korçës mbeti i hapur me personel francez dhe me program arsimor francez, kështu që edhe shkolla e mesme i shkoi mbarë. I riu Dishnica pasi mbaroi Liceun Francez në Korçë, vazhdoi studimet në Francë. Siç thotë vetë Dr. Ymer Dishnica, “m’u hap rruga që të shkoja për studime universitare në Atdheun e Iluministëve të mëdhenj, në Atdheun e të Drejtave të Njeriut e të qytetarit, ku mund të përfitoja shumë edhe për kulturën në përgjithësi”.
Në vitin 1932, u vendos në Lion të Francës, ku ndoqi studimet universitare në mjekësi. Në Francë gjeti një mjedis shqiptarësh emigrantë ekonomikë dhe dy organizata politike antizogiste: njëra me emrin “Çlirimi Nacional” me në krye Fan Nolin dhe tjetra me emrin “Bashkimi Kombëtar”.
Në Lion vepronte “Dega e Çlirimit Nacional”, si organizatë politike dhe një tjetër “Shoqata vëllazërore e shqiptarëve të Francës” si organizatë shoqërore. Kështu, një pjesë e studentëve shqiptarë qenë anëtarë me aktivitet politik e shoqëror të theksuar, por që vepronin në qytete të ndryshme të Francës si Paris, Lion, Montepelie etj.
Gazeta “Liria Kombëtare”, ishte organi qendror i Organizatës së Çlirimit Nacional deri më 1934. Mbas kësaj, në vitet 1937-1939 dolën gazetat “Populli” dhe “Sazani”, dy botime me program të theksuar patriotik dhe demokratik.
Në këtë lëvizje politiko-shoqërore mori pjesë edhe i riu Ymer Dishnica: cili shkroi rregullisht në këto dy organe duke paraqitur pikëpamjet e veta për progresin shoqëror, për Shqipërinë e ardhshme.
Këto gazeta shpërndaheshin në gjithë Diasporën si në SHBA, Argjentinë, Australi, Egjypt e kudo ku kishin miq e të njohur, duke u bërë frymëzuese për çështjen shqiptare.
Aktiviteti politiko-shoqëror mori përpjestime të mëdha në vitet 1939-’40, me pushtimin fashist të Shqipërisë.
Mitingjet që organizoheshin në Paris nga studentët shqiptarë, kishin pjesëmarrjen e popullit francez dhe të botës antifashiste.
N’atë kohë, po në Paris u organizua edhe një konferencë panshqiptare, e cila kishte për qëllim të zgjidhte organin udhëheqës të federatës Panshqiptare të shqiptarëve të Francës. Platforma e saj ishte kryesisht nacional-çlirimtare.
Konferenca zgjodhi komitetin udhëheqës dhe sekretarin e përgjithshëm duke pasur si president nderi senatorin Justin Godart, i cili e ka mbrojtur kauzën shqiptare tërë jetën. Këto pikëpamje ai i ka paraqitur në librin “Shqipëria më 1921” dhe në mitingun që u bë kundër Italisë fashiste, ai me elokuencën e tij të zjarrtë tërhoqi vëmendjen e publikut në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar.
Propozimin që bëri Dr. Ymer Dishnica në emër të udhëheqjes së Federatës Panshqiptare, që të vinin Justin Godart si president nderi në triskat e anëtarësimit, u miratua.
Dr. Ymer Dishnica i përgatitur në botën perëndimore, në vendin që ishte shembull në zbatimin e demokracisë, pasi mbaroi Universitetin, vendosi të kthehet në Shqipëri, pranë familjes dhe Atdheut të tij të dashur, siç thotë dhe vetë “guri i rëndë në vend të tij”.
Tërë bagazhin kulturor e shkencor dhe eksperiencën e fituar donte ta vinte në shërbim të popullit të tij që kalonte një situatë tepër të rrezikshme, sidomos rinia shqiptare, e cila ishte ndezur nga urrejtja kundër Italisë fashiste.
Ndër të tjera ai e përshkruan kështu gjendjen: “Në verën e vitit 1941, kur erdha në Shqipëri, pakënaqësia e popullit shqiptar po merrte formë të organizuar në grupe klandestine. Në Pezë qe formuar çeta e Myslim Pezës dhe e Mustafa Gjinishit, të cilat kishin rënë disa herë në përpjekje me milicinë fashiste…”
Në vjeshtën e vitit 1941, u formua në ilegalitet PKSH, që shfaqej kryesisht me platforma antifashiste dhe nacionalçlirimtare. Nga fillimi i vitit 1942, kishte nisur lufta e njësiteve guerile me veprime të vogla e sabotime.

Përkeqësimi i situatës dhe dr. Dishnica në ilegalitet.
“Në prill të vitit 1942 u hodha në ilegalitet, pasi autoritetet kishin lëshuar urdhër arrestimi për mua. (Këtë e vërteton një dokument që e kam gjetur tani në arkivat e Organeve të Sigurimit, ku vërtetohej se më kishin vënë në shënjestër për aktivitet antifashist, që kur isha në Paris).”
Me hedhjen në ilegalitet të dr. Ymer Dishnicës, ai u lidh më shumë me çetën e Pezës dhe me udhëheqjen e PKSH, po ashtu edhe me patriotë pa parti, për t
‘i tërhequr në luftën e popullit shqiptar kundër okupatorit.
Kjo lëvizje gjithëpopullore përgatiti “Konferencën e Pezës”, e cila vërtetoi se bashkimi bën fuqinë, se duke luftuar pa dallim feje, krahine dhe ideje shpëtohej Shqipëria, luftohej me sukses fashizmi.
Në Këshillin e Përgjithshëm Nacional Çlirimtar ishte zgjedhur edhe dr. Ymer Dishnica.
Në arenën politike shqiptare doli edhe organizata e Ballit Kombëtar me platformën e saj të njohur, për luftë kundër okupatorit dhe për Shqipërinë etnike.
Dr. Ymer Dishnica e përshkruan kështu: “Në pranverën e vitit 1943 dhe në verë, lëvizja e armatosur mori përpjestime të mëdha në mbarë Shqipërinë nga të dy palët. Kështu, ndihej nevoja që të koordinoheshin aksionet e armatosura. Ne të Frontit Nacional Çlirimtar, në korrik të vitit 1943, vendosëm të bëjmë një mbledhje në Labinot me qëllim që të organizojmë një shtab të përgjithshëm të Luftës.
“Pasi u formua Shtabi i përgjithshëm Nacional Çlirimtar, u ngrit problemi i zgjerimit të Luftës Antifashiste, ku u diskutua gjerë e gjatë bashkëpunimi me Ballin Kombëtar dhe me çdo njeri që donte për të luftuar okupatorin. Në këtë mbledhje u vendos që të zgjidhej një delegacion për t’u takuar me një tjetër të Ballit Kombëtar.
Nga ana jonë u caktuan pesë vetë: Abas Kupi, Myslim Peza, Kamber Qafmolla, Mustafa Gjinishi edhe unë ( Dr. Dishnica).
Për këtë punë u zhvilluan dy takime: i pari në Tapizë dhe i dyti në Mukje.
Në takimin e parë erdhën si delegatë dy nga figurat kryesore të asaj organizate: Mit’hat Frashëri dhe Hasan Dosti.
Delegacioni i Ballit Kombëtar na dha sihariqin e rënies së Musolinit. U krijua një klimë optimiste për të arritur në një marrëveshje pozitive në zgjidhjen e problemit të Shqipërisë etnike dhe për problemin e Kosovës. Delegacioni ynë insistoi që ky problem të zgjidhej konform Kartës Atlantike.
Më në fund, u arrit me konsensus që të bëhej një mbledhje më e gjerë në një vend tjetër, e cila u realizua pas ca ditësh në Mukje.
Në një shesh të Mukjes biseduam 24 burra ku trajtuam zgjerimin e luftës kundër okupatorit me një Komitet udhëheqës me prioritet të të dy organizatave për të vepruar kudo në Shqipëri.
Për fat të keq, punët nuk shkuan kështu. Udhëheqja e LNÇ-së e disaprovoi Konferencën e Mukjes dhe e dënoi platformën e marrëveshjes. Ajo organizoi menjëherë një mbledhje të gjerë në Labinot për t’i hedhur poshtë vendimet e Konferencës së Mukjes. Në mbledhjen e Labinotit u vendos diktati i Enver Hoxhës, i inspiruar kryesisht nga Milladin Popoviqi dhe shokët e tij.
Ata nuk mund të duronin të flitej për problemin e Shqipërisë etnike, për problemin e Kosovës. Ata nuk donin që të flitej për një bashkim me paritet pushteti të dy organizatave politike. Marrëveshja e Mukjes u hodh poshtë që në kartë, që në embrion. Nga anëtarët e delegacionit tonë dy qenë që pësuan më shumë” Mustafa Gjinishi dhe unë (Dr. Dishnica)
Të gjitha të zezat u përdorën për ne, pa kursyer asnjë formë denigrimi, pa kursyer edhe zhdukjen fizike.
Rruga që zgjodhi Enver Hoxha me shokët e tij, dihet sot botërisht. Zor se ka pasur bota një diktator me të zeza më makabre se ato të Enver Hoxhës”.
Edhe pse i dënuar nga PKSH, pjesëtarët e familjes së tij vazhduan luftën.
I vëllai i tij, Xhavit Dishnica luajti një rol aktiv në organizimin e Brigadës së Katërt në operacionin e dimrit dhe u vra në janar të vitit 1944. Nëna dhe dy kunatat u burgosën dhe shtëpia u dogj nga gjermanët. Gjatë gjithë luftës, familja qëndroi në ilegalitet. Nuk e ndaluan luftën për asnjë çast as kushërinjtë e tij. Shinasi Dishnica u vra më 1942, në demonstratën kundër italianëve. Asaf Dishnica u vra në ndeshje me gjermanët. Hasan Dishnica u ekzekutua më 4 shkurt 1944. Alo Dishnica u muar nga gjermanët dhe
vdiq në kampet e përqëndrimit në Gjermani. Një e treta e Dishnicës u dogj nga gjermanët duke mbetur 29 të vdekur. Një dramë si ajo e Borovës.
E shoqja e Ymer Dishnicës, Gjystina Sata, (pseudonimi i saj gjatë luftës Flora Panariti) u lidh me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare që në moshë të re, që nga viti 1941 e deri në çlirim.
Ajo vuajti 14 muaj në burgun e Tiranës dhe 5 muaj në burgun e Korçës.
Të dy herët ishte arratisur nga burgu për të vazhduar veprimet klandestine. Qëndrimi i saj në burg dhe në luftë ka qenë shembullor.
Pra, një kontribut gjithëfamiljar, një fis, një fshat të tërë në luftë kundër okupatorit. E për të gjithë këto, propaganduesi, organizatori që bashkoi zemrat e mbushura me urrejtje kundër shtypjes së huaj ishte Dr. Ymer Dishnica.
Por, s’qe e thënë të realizohej ajo që ëndërronte dhe luftonte Dr. Ymer Dishnica. Dikush tjetër do të vendoste fatin e tij dhe të Shqipërisë, që të sillte eliminimin, përçarjen dhe luftën civile.
Këtu këputet në mes aktiviteti i një patrioti, i një intelektuali revolucionar, i një mjeku, për të cilin Shqipëria e porsadalë nga lufta kishte shumë nevojë.
Ai mbijetoi edhe pse tirani e shau, e luftoi… por karakterin e tij, s’e përuli dot. Historia e vërtetë e rishkruar do t’i caktojë vendin e merituar, vendin e nderit.
Dr. Ymer Dishnica edhe pse sot është mbi të tetëdhjetat, është përtërirë nga vitet e demokracisë.
Ai e drejton me përkushtim moral Organizatën e Bashkuar të Veteranëve, duke hedhur po ato parulla që kishte mbjellë në shpirtin e tij gjatë luftës.
“I takon popullit shqiptar që të bashkohet në bllok graniti për të shkulur rrënjët e tiranisë, për të ndërtuar një Shqipëri të re, një Shqipëri demokratike si shtetet perëndimore dhe Amerika.
Të jemi të bashkuar si në kohën e Skënderbeut, nën hijen e flamurit të tij, pa kursyer asgjë, as edhe jetën”.
Pertefe Leka, nga takimi me Dr.Ymer Dishnica, Botuar në “Gazeta Illyria”, 14 Gusht 1995

Shënim: Gjystina Sata Dishnica 1924-2020 (pseudonimi në ilegalitet, Flora Panariti) Bijë e një familje qytetare shkodrane, me ndjenja të thella patriotike.
Lindi në Shkodër, dhe u edukua në shkollën e murgeshave, ku u dha mjaft mbas leximit të librave. U largua nga shtëpia në moshën 16 vjeçare, për t’ju bashkuar idealeve të lirisë së Atdheut. U përfshi në lëvizjen Nacional-Çlirimtare përkrah Qemal Stafës, ndaj e përjetoi me shumë dhimbje vdekjen e tij, për të cilin shprehej: Ishte njeriu më i pastër në idealet që mbartte.
Gjatë luftës Flora u burgos në Tiranë dhe në Korçë dhe u dënue me vdekje nga fashistët, por për arsye moshe, për 18-vjeçaren, nuk u ekzekutua denimi. Gjystina, gjatë luftës u njoh me shokun e jetës, Dr. Ymer Dishnica, me të cilin u martua në vitin 1944. Për arsye të qëndrimit konseguent të të shoqit në pikëpamjet e tij dhe për dënimet që merrte nga partia, ajo nuk iu nda kurrë atij, por i qëndroi besnike deri në fund të jetës.
Më 1950, i transferuan në Berat, ku qëndruan për 44 vjet. Me gjithë tallazet e jetës, kishin një familje shumë të konsoliduar me tre fëmijet: Perin, Kozetën, Tatjanën. Gjystina (Flora) e mbështeti Dr. Dishnicën edhe kur në moshën 80 vjeçare, mori përsipër drejtimin e organizatës së Bashkuar të veteranëve të luftës OBVL. Ata të dy sëbashku nënshkruan anëtarësinë në organizatën “Bashkimi Kombëtar” LDBSH, të themeluar nga, Dr. Lazër Radi dhe Prof. Hazir Shala. Ajo duke nënshkruar tha: “Edhe unë bashkë me Ymerin jam për bashkimin kombëtar deri në vdekje…”
Gazeta Shqiptare shkurt 1999

Dr. Shefqet Ndroqi
Dr. Shefqet Ndroqi

Dr. Shefqet Ndroqi – Doktori i famshëm i Sanatoriumit,

njeriu që i kushtoi jetën e tij pacientëve

nga Pertefe Leka – Domnori 

Historia e studentit shqiptar që braktisi Parisin për t’iu kushtuar Atdheut, bindjet nacionaliste, pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, si nacionalist i pavarur.
Në korridoret e Sanatoriumit të Tiranës, shpesh do ndeshësh një 85-vjeçar, që vazhdon të mbajë veshur bluzën e bardhë të mjekut. Shefqet Ndroqi, ose siç e njohin të gjithë Doktor Ndroqi, nuk ka hequr dorë nga lufta e tij kundër tuberkulozit. Njeriu që u detyrua të vërë gishta plastikë e njerin prej tyre ta presë vetëm nga dëmtimi i rrezeve, ende kalon në duart e tij të arta të sëmurë nga të gjitha vendet e Shqipërisë.
Po kush është ky vigan i shëndetësisë, të cilin mjekësia botërore e rendit si një nga njerëzit e shekullit?!
Është historia e studentit me bindje nacionaliste, që la Parisin për t’ju përkushtuar Shqipërisë në periudhën më kritike të saj.
Si ka rrjedhur jeta e djaloshit që nuk e ndau çantën e ilaçeve që nga koha e luftës?!
Libri i botuar kohët e fundit “Një jetë për jetën” nga vetë doktor Ndroqi, është autobiografia e njeriut, që i kushtoi jetën e tij, jetës së të tjerëve.
Nuk mund ta kuptosh ndryshe studentin parizian tek i cili janë gërshetuar ndjenjat atdhetare të trashëguara nga familja, me idetë e iluminizmit francez.
Angazhimi i të riut në këtë luftë, duket që kur ishte student në Francë.
Lajmi se Italia fashiste do të zbarkonte në Shqipëri, e nxiti Dr. Ndroqin të organizonte mbledhjen e parë me studentë e specializantë në Paris, për t’i treguar botës se shqiptarët nuk e pranojnë zgjedhën fashiste.
Promemoria që iu dorëzua Mbretit Zog, kishte po atë frymë, se studentët shqiptarë do të ktheheshin menjëherë në Shqipëri për të luftuar krah vëllezërve të tyre.
Në vijim vazhduan protestat, telegramet dërguar Kryeministrit francez Deladier dhe atij anglez Chamberlain.
Kulmi i këtij organizimi ishte mitingu i 9 Prillit në Paris, me pjesëmarrjen e Justin Godartit dhe formimi i Federatës Shqiptare në Francë.
Aktivitetet nuk ishte vetëm me ide të hedhura në letër, por ktheheshin në veprime konkrete: Ishte regjistrimi i të riut Ndroqi në një batalion shqiptarësh për të marrë pjesë me aleatët.
Me këtë formim, ai nuk i ndali detyrat në shërbim të njeriut. Lufta e popullit francez kundër nazizmit e zuri në shërbim e sipër në spitalin Fontenblo, aty ku punonte.
Aksioni, që i caktoi spitali, për të shoqëruar disa autobusë me fëmijë të sëmurë dhe gra në prag të lindjes, drejt jugut të Francës, u krye më shumë korrektësi dhe profesionalizëm të lartë. Puna cilësore në spitalin Fontenblo, vlerësimet, mirënjohja pakufi ia forcuan lidhjet me Parisin, por ndjenjat patriotike, siç thekson doktori, mbizotëruan mbi gjithçka personale.
Kthimin në Shqipëri e shoqëron emërimi si mjek në Gjilan të Kosovës. Kënaqësia e madhe për të shërbyer atje, ku vlonte ëndrra e Shqipërisë Etnike, u prit me një miratim unanim nga ai vetë dhe familja, paçka se familja kishte nevojë për atë ta kishte pranë.
Edhe pse nuk realizohet vendimi për mungesë aparaturash në atë zonë, Dr. Ndroqi punoi në spitalin civil, duke mos u ndarë nga lufta kundër okupatorit.
Fill pas Konferencës së Pezës, me inisiativën e Dr. Ndroqit, lindi ideja e bashkimit të mjekëve me emrin “Këshilli i mjekëve të rinj”, e cila u bë realitet nga mbledhja e zhvilluar në shtëpinë e tij. Mjekët e rinj do të luftonin kundër okupatorit edhe si qytetarë edhe si mjekë.
Mendimet që shfaqi Dr. Ndroqi me kolegun e tij Dr. Dishnica, të cilin e kishte mbajtur disa kohë si ilegal në shtëpinë e vet, ishte mjaft realiste. Dr. Ndroqi, si intelektual i pavarur me tendenca liberalo-demokratike diskutonte me një anëtar të KQ të PKSH, me të cilin kishte bashkëpunuar në aktivitetet antifashiste para dhe pas 7 prillit 1939, në Francë.
Ndër të tjera i kishte thënë dr. Ymer Dishnicës: “Unë jam për Shqipërinë Etnike, kam disa rezerva për jugosllavët, sidomos në lidhje me Kosovën. Jam për parimin e vetëvendosjes së popullit. A do ta pranojnë dhe a do ta zbatojnë jugosllavët këtë parimi?!” Nëse këto pyetje do të merrnin përgjigjen e merituar në ato vite, nëse dyshimet për sllavokomunistët do të bëheshin evidente, do të shmangeshin tragjeditë e tmerrshme, që vuajtën dhe po vuajnë edhe sot kosovarët dhe i gjitha populli shqiptar.
I ndodhur në këtë pozicion dhe i palëkundur në idetë që praktika e kohës ia përforcoi, Dr. Ndroqi vuajti shpirtërisht dhe vazhdon të vuajë për ato gjymtyrë, që iu shkëputën padrejtësisht trupit të Shqipërisë. Edhe sot doktori diskuton po me atë pasion për këtë të keqe të madhe për të cilën një botë e tërë është ngritur dhe nuk po e korrigjon dot.
Në korrik 1943, i lajmëruar nga Dr. Pustina për fillimin e aksioneve në stil të gjerë del vullnetarisht në mal. I jati i kishte thënë: “Vepro si ta mendosh vetë o bir! Edhe unë asnjëherë nuk jam kursyer për atdheun!”
Kjo gatishmëri e shoqëroi edhe në Konferencën e Mukjes, ku mori pjesë si nacionalist i pavarur, si vëzhgues i jashtëm. Aksionet e drejtpërdrejta i filloi me çetën e Abas Kupit në luftën e Qafeshtamës e deri në Burrel.
Me çantën e shpëtimit në krah, doktori do të udhëtonte duke u ekspozuar me të plagosurit në mes predhash për të shoqëruar të sëmurët drejt spitalit. Pas shumë aksionesh, kur çeta pati një moment pushimi, ai gjeti rastin të largohej si ilegal, për të parë të atin që e kishte të sëmurë me kancer pulmonar. Edhe pas këtij momenti të rëndë për familjen ai gjen forca për të vazhduar luftën.
Më 9 dhjetor të vitit 1943, Dr. Ndroqi merr pjesë në takimin e përfaqësuesve të Legalitetit me Abaz Kupi në krye dhe të Nacionalçlirimtares me Enver Hoxhën.
Ndërhyrja e Dr. Ndroqit në debatin e ashpërsuar midis Abaz Kupit dhe Enver Hoxhës, ishte për mirëkuptimin e të dy palëve “të bashkërendojmë përpjekjet e të gjithëve… dhe pas çlirimit, populli të zgjedhë vetë sistemin që i pëlqen”. Abaz Kupi pranoi arsyetimin e doktorit, ndërsa Enver Hoxha kërkonte bashkëpunimin nën udhëheqjen e PK, në të kundërt – kishte theksuar ai – “po të biem ballë për ballë ne do të çajmë përpara, do t’ju godasim”.
Në këtë pështjellim ngjarjesh, kur shtrohesh alternativa e vëllavrasjes doktor Ndroqi kthehet në qytet, ku lufta politike ishte ashpërsuar dhe angazhohet në ndihmë të luftëtarëve të lirisë pa dallim ideje. Thirrjen që i bëri PK, që të dilte në anën e saj e refuzoi, sepse nuk mund të luftonte kundër Abaz Kupit dhe bindjeve të tij nacionaliste. Por më vonë me urdhër mobilizimi të Korparmatës së Parë, firmosur nga Hysni Kapo e Dali Ndreu, caktohet në Brigadën e XVII, në Peshkopi që të punonte në spitalin partizan. Kontributi që jep në këtë spital në luftën kundër tifos, shtrihet dhe në Dibrën e Madhe, ku ishte vatra e infeksionit të kësaj sëmundjeje. Me vullnetin që e karakterizonte gjithmonë në punë luftoi deri në vetëmohim për të shpëtuar nga vdekja dhjetra të sëmurë, që vuanin nga mosnjohja e sëmundjes dhe kurimi i saj.
Më shumë se predhat filluan ta godasin sëmundjet. Një tifo ekzantematike për pak i rrezikoi jetën. Më vonë kaloi një infiltratë, kur ishte Drejtor i Sanatoriumit. Në vitin 1966, u detyrua t’i bënte plastikë dy gishtave të parë dhe të priste të katërtin. Prej shtatë vitesh sëmundja i kishte prekur dorën e djathtë. “Bëja radioskopi jashtë çdo norme me kërkesën e madhe të të sëmurëve” – kujton Dr. Ndroqi në librin e tij e duket se rrezet e shumta i kishin shkaktuar kancer në gishtin e unazës.
Bamirësia shpirtërore e profesionale, kthehet në materiale dhe vë në dispozicion të laboratorit spitalor aparaturat personale që i kishte sjellë nga Franca.
Duke vazhduar deri më sot këtë bamirësi, Doktori ia dhuroi bibliotekën personale Sanatoriumit, themeluesi i të cilit ishte ai vetë. Edhe sot në moshën 85 vjeçare, i mbuluar nga thinjat, pak i kërrusur, me gishtërinjtë e dërmuar nga rrezatimi, ecën shpejt për ku e thërrasin si për të sfiduar vitet në luftën për jetën.
Në këtë vazhdimësi, për të përballuar dallgët e jetës, një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur familja kompakte e doktorit dhe veçanarisht bashkëshortja e tij e ngushtë, Luçia, e cila me devocion i krijoi kushte të favorëshme për të ecur në rrugën e tij shumë fisnike. Edhe pse akademia e shkencave është treguar e kursyer për t’i dhënë vendin e merituar, populli nuk njeh kufizime për ta ngritur në majën më të lartë doktorin e vet, tashmë të afirmuar si akademik. Ky aktivitet i gjithanshëm i Prof. Dr. Ndroqit, shpalos para nesh një figurë dimensionale që ngrihet si monument i gjallë, simbol i punës së pakursyer, i vullnetit titanik dhe i pastërtisë shpirërore, i bardhë si bluza e tij që s’pati kohë ta zhveshi kurrë.
Pertefe Leka

Shënim: Prof. Dr. Shefqet Ndroqi (21 Mars 1912 – 23 Shkurt 2001) është quajtur edhe Babai i Pneumologjisë shqiptare, kirurg dhe organizator i sistemit shëndetësor të Sanatoriumit të Tiranës. Shkencëtar dhe humanist i njohur dhe i vlerësuar botërisht nga specialistë të fushës si italianë, francezë, sepse zbriti ndjeshëm mortalitetin… Spitali Universitar i Sëmundjeve të Mushkërive në Sauk, mban emrin” Spitali Universitar Shefqet Ndroqi”, në front edhe Busti i tij hijerëndë.
Portreti i tij është përjetësuar në pikturën e mjeshtrit të madh Fatmir Haxhia, 1994.

Marrveshja e Mukjes 3-7 gusht 1943
Marrveshja e Mukjes 3-7 gusht 1943

Përshëndetje seksionit shkencor Përkujtimor me rastin e pescdhjetë Vjetorit të Konferencës Kombëtare të Mukjes

Shqipëria e Shqiptarëve:
Po, sot Shqipëria është e Shqiptarëve:
Kudo në botën shqiptare valon Flamuri i papërlyer i lirisë.
Flamuri i Gjergj Kastriotit na prin përsëri, sot të studjojmë historinë tonë dhe të përqëndrohemi sidomos në plagët tona për të kërkuar shërimin e tyre. Pikërisht ky është qëllimi, në mendimin tim i Seksionit Shkencor Përkujtimor me rastin e 50-Vjetorit të Konferencës Kombëtare të Mukjes të kësaj mbledhje historike, shprehje e gjallë e popullit shqiptar për bashkim kombëtar.
1 Gusht 1943 – Ishte Nëna Shqipëri që i thërriste Shqiptarët si në “Lidhjen e Lezhës” 2 Mars 1444: të luftojmë pushtuesin dhe të mbrojmë kufijtë e Shqipërisë Etnike. Ishte Nëna Shqipëri që u thërriste bijëve të saj që të mbronin Atdheun, disa herë të cunguar, që të mos lejonin kurrë më spastrime etnike në trojet e tyre. Shqipëria e jonë, Nëna e jonë, kërkonte që të ishte e Zonja vetes, e nderuar dhe e lulëzuar, me ballë lart e plot dinjitet.
Shumë nga ne, të mëdhenj e të vegjël në moshë, që morëm pjesë në “Mbledhjen e Mukjes” kishim pikërisht këto qëllime: Një Shqipëri Demokratike me drejtësi shoqërore në trojet etnike. Marrëveshja ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes Nacional Çlirimtare u kurorëzua me këto vendime:
1.Shpallja e Pavarësisë në Krujë
2.Krijimi i “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë” që do të vepronte si qeveri e përkohshme.
3.Dendësimi i luftës kundër okupatorit 4.Mbrojtja e Shqipërisë Etnike sipas parimit të Kartës Atllantikut për vetvendosjen e popujve.
Në Mukje, 50 vjet më parë, mbretëroi arsyeja dhe patriotizmi mbi intrigat e huaja dhe pasionet e partive. Prandaj, ajo marrëveshje u hodh poshtë nga agjentët serbë dhe nga ndjekësit e tyre në Partinë Komuniste Shqiptare. Si rrjedhim, kombi shqiptar u copëtua përsëri dhe ra viktimë e humnerës gjysmë shekullore komuniste, e cila u karakterizua nga lufta e pamëshirshme e klasës, dhuna e përpunuar në shkencë në institutet e spiunazhit të Moskës dhe nga një urrejtje dhe veprimtari e sëmurë kundër nacionalizmit shqiptar kudo në botën shqiptare. Ideologjia komuniste
ishte përmbi të gjitha: Qeveria e popullit më të varfër dhe më konservator në Europë u bë pararoja e “Komunizmit Evropian”.
Historia do t’i japi vendin e merituar atyre patriotëve shqiptarë që qëndruan në parimet e tyre të Shqipërisë Etnike dhe të atyre që megjithëse të inkuadruar në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare pranuan tezën e Ballit Kombëtar. Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti dhe Thoma Orollogaj ishin tre shtylla të Nacionalizmit Shqiptar që nuk thyheshin dot. E vërteta historike, pastërtia morale e tyre dhe urtësia e tyre e fituan tezën e Shqipërisë Etnike.
Historia do të çmojë pa dyshim ata përfaqësues të Lëvizjes Çlirimtare që votuan për bashkimin kombëtar. Ata rrezikuan veten e tyre dhe e paguan me jetë si Mustafa Gjinishi dhe me përndjekje të pamëshirshme si Dr. Ymer Dishnica dhe të tjerë.
Lavdi për të gjithë ata që vunë interesat jetësore të Shqipërisë përpara karrierës politike të tyre.
Pasojat e prishjes së “Lidhjes së Mukjes” i pësuan të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijëve shtetërorë. Prandaj duhet të mësojmë nga kjo përvojë e hidhur në historinë tonë. Në të vërtetë, duhet të kemi mirëkuptim edhe për ata që ndoqën rrugën e gabuar duke besuar se luftonin për Shqipërinë brenda suazës të një “Bote të Re”, zhgënjimi i tyre është fatkeqësi.
Prandaj, duhet t’i shtrijmë dorën njeri tjetrit me “Besë, nder dhe burrëri” për të mirën e kombit pse armiqtë e Shqipërisë nuk flejnë kurrë. Ata do të mundohen ta mposhtin Shqipërinë sidomos tashti, kur ajo lëngon si pasojë e një llahtarie të pashembullt në histori. Por Shqipëria Demokratike
Do të qëndrojë e fortë e trime. Me urtësi do të fitojmë bashkimin kombëtar dhe vendin tonë plot dinjitet në botën e qytetëruar.
Rroftë Shqipëria!

Dr. Agim Leka
Dr. Agim Leka

Agim Leka, pas 50 vitesh në Shqipëri

nga Pertefe Leka – Domnori

Dr. Agim Leka, (ish pjesëmarrës në “Mbledhjen e Mukjes”) – Baldwin, New York, 1 Gusht 1993

Pas një gjysmë shekulli ndodhet në atdhe patrioti zemërbardhë i diasporës Shqiptare, personaliteti i shquar Dr. Agim Leka.
Aqim Leka lindi më 1924 dhe u shkollua në Elbasan, Korçë, Firence, Tiranë dhe maturën e mori në Austri, ku shkoi sëbashku me 100 studentë shqiptarë, nga të cilët vetëm ai e mori dëftesën e pjekurisë pasi gjermanishten e mësoi në një kohë rekord.
Mësimet universitare i filloi në fakultetin e medicinës në Romë, prej ku u diplomua.
Ndërsa në Amerikë dha provimet për të drejtën e ushtrimit të profesionit në shtetin e Ohajos, Pensilvanisë dhe së fundi edhe në shtetin e New York-ut ku prej 40 vitesh ushtron profesionin e mjekut kardiolog.
Dr. Agim Leka është pasues i denjë i dy gjyshërve të tij Ibrahim Leka Borshit, i cili shpëtoi Ismail Qemalin nga arrestimi duke ndryshuar drejtimin e rrugës për në Vlorë dhe i Nebi Sefa Lushnjës, i cili si delegat i Lushnjës nënshkroi aktin e shpalljes së pavarësisë më 28 Nendor 1912, dhe mori pjesë edhe në Kongresin e Lushnjës. Është djali i Av. Rakip Lekës, i cili ishte ndër juristët e parë Universitarë shqiptarë që zbatoi me ndershmëri dhe korrektësi ligjshmërinë, e për këtë arsye u bë viktima e parë e arrestimit nga shteti i dhunës, pa zgjedhje të lira, pra jo ligjor komunist.
Që në rininë e tij, Dr. Agim Leka dallohet për pikëpamjet nacionaliste. Ai mori pjesë në demonstratën e Korçës kundër pushtimit fashist me kërkesën duam armë, po ashtu në demonstratat e Tiranës me parulla antifashiste, duke iu përgjigjur kësaj urrejtje me përkthimin në gjuhën italiane të librit “Skandali i Kordinjanos dhe mbrojtja e popullit shqiptar”
Si ithtar i Mit’hat Frashërit dhe si mendimtar për Shqipërinë Etnike mori pjesë në Konferencën e Mukjes. Ishte delegat i rinisë nacionaliste, i inkuadruar me Ballin Kombëtar. Pas përfundimit të saj u entuziazmua pa masë për vendimet e rëndësishme që u morën aty, por ky gëzim e pati jetën e shkurtër sepse Miladin Popoviç dhe pasuesit e tij nuk mund të ishin dakord per bashkimin Shqipërisë me Kosovën, plagë që e vuajti tërë jetën.
Si politikan demokrat ai mbajti qëndrim antikomunist duke mos pushuar së shkruari në organet më të njohura të botës si Neë York Times etj, pra u shqua në, fushën publicistike duke përpiluar letra, peticione, mesazhe në emër te shqiptarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre nga O.K.B.
Nuk mund të lëmë pa përmendur kontributin e tij dhënë Enciklopedisë Britanike dhe falenderuar prej tyre për identitetin e Skënderbeut si shqiptar dhe jo sllav siç ishte paraqitur deri atëherë, në atë enciklopedi.
Edhe pse diktatura e kuqe nuk ia lejoi komunikimin me familjen, ai lidhjet me prindërit nuk i shkëputi asnjëherë, mbeti djalë i dëshiruar i zemrës së tyre, të cilët e dhanë frymën e fundit me mendjen tek biri i mërguar.
Ndryshimet politike në Shqipëri i priti me përkrahje të përgjithshme duke vënë gjithë familjen në dispozicion. Ai priti e përcolli personalitete te larta të Shqipërisë dhe Kosovës me shpresën e madhe se Shqipëria e ëndrrës së tij, po bëhet realitet. Ai është ndër të parët që u prononcua për ndihma në mjekësi si aparatura, medikamente, vaksina dhe libra.
I njohur si humanist, ai ka vizituar dhe konsultuar mjaft shqiptarë si nga diaspora edhe nga Shqipëria pa asnji shpërblim. Këtë humanizëm ai e ka shtrirë edhe në përkrahje te religjioneve.
Miqtë e tij më të ngushtë janë At Artur Liolin, Imam Vehbi Ismaili dhe Dom Pjetër Popa edhe këtë e sheh me syrin e atdhetarit dhe shqiptarit të vërtetë, se kontributet për institucionet fetare në diasporë janë tribuna të bashkimit dhe të vëllazërimit gjithëkombëtar. Po ashtu ai nuk është kursyer për shpenzimet në mësimin e gjuhës shqipe duke vënë të shoqen Elizabeta Çipi Leka në dispozicion pa asnjë shpërblim si mësuese të gjuhës amtare për fëmijët e mërgimtarëve që të shpëtonte sa më shumë asimilimin e huaj.
I dëshëruar për ta parë Shqipërinë dhe Shqiptarët e mbledhur tok, ka ngritur Zërin jo rrallë kundër të ashtuquajturve Vorio-Epirote, pretendentë të padrejtë të tokave shqiptare. Për këtë ai ka shkruar në shtypin amerikan artikuj revolte dhe mbrojtjeje kombëtare.
Kontributii tij në drejtim të modernizimit të shkollës shqiptare qëndron edhe në faktin se është nismëtar i fondacionit Harry Fultz, gjithashtu duke falur një pjesë të mirë të bibliotekës së tij fakultetit të shkencave të natyrës.
Në fushën e blegtorisë ka krijuar mundësinë e sigurimit të ndihmave prej dhjetramijë dollarësh dhe me perspektivë të mëtejshme.
Në fushën e diplomacisë ai ka marrë pjesë aktive në Departamentin e Shtetit Amerikan për njohjen e Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Dr. Agim Leka është një nga Personalitetet më aktive të diasporës, shembull i njeriut të sakrificës, energjik dhe i gatshëm për kauzën e Atdhetarisë.
Përkrahës dhe përkushtues ndaj problemit Kosovar, Ai është shembull i pastërtisë morale e shoqërore, atë e karakterizon urtësia, modestia dhe komunikimi i përzemërt me njerëzit. Ai vjen në Shqipëri, në tokën e shtrenjtë në këtë pranverë të bukur të demokracisë së re të shohë valvitjet e flamurit të Skënderbeut, tashmë pa yllin komunist.

Gazeta “Kosova” 1993

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.