back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Një lirik në New York – Leka Ndoja mbi poezinë e librit “Pa moshë” të Artan Kafexhiut

Gazeta

Studiuesi Leka Ndoja, në mbrëmjen e diskutimit të librit "Pa Moshë" të Kafexhiut
Studiuesi Leka Ndoja, në mbrëmjen e diskutimit të librit “Pa Moshë” të Artan Kafexhiut

Një lirik në New York

Leka Ndoja – mbi poezinë e librit “Pa moshë”

të Artan Kafexhiut

Paraqitja para lexuesit e një autori të pjekur, tashmë i Diasporës, lëvrues i poezisë prej mbi 30 vitesh, i cili për arsye të ndryshme i ka qëndrue tentacionit të botimit, nuk ka kalue pa lanë gjurmë. Historianët e letërsisë dhe të vetë poetëve të shënuem si traditë janë tërhjekë nga miti i gjenive të rinj, si Moxarti, Giaccomo Leopardi, Lord Byron, John Keats, Heine ndërsa tek ne nga talente si De Rada, Gaspër Pali, Migjeni e Reshpja. Këtij modeli i përkiti pritja e stuhishme në shtypin letrar që i bani Goethe shpërthimit të talentit të Lord Byron-it, teksa parashikonte dominancën e tij në poezinë e shekullit 19.
Në të kundërt të këtij drejtimi, pra për zbulimet e shkrimtarëve në moshë të pjekur, janë shprehë disa studiues e shkrimtarë me randësi. Të parin kujtoj, ndërsa lexoja “Antologjinë e poezisë italiane të shek 20″, paraqitë nga Carlo Bo, ku përmendet Eugenio Montale, i cili paraqiti me shumë delikatesë dhe ndjenjë përgjegjësie, siç theksonte, madje me ndjenjë përulësie e faji, faktin se iu desh të bante nji parathanie të librit të parë të nji poeti, për t’u ba në njifarë mënyre tutor i nji 50 vjeçari, virtuoz e universal si Umberto Sabba.
Së dyti, kujtoj Kavafin që mbylli jetën pa botue asnji libër poetik, ndonëse quhej poeti ma i madh grek i fillim shek. 20. Dhe së treti kujtoj i Ezra Pound, cili njihet si masakrator i poemës së parë të Thomas Elliot- në fakt ai e mori në dorë t’ia redaktonte dhe i hoqi qindra vargje – çka Elliot e pranoi me kënaqësi, madje ia kushtoi librin “The Waste land” me dedikimin ndaj mjeshtrit ‘Al miglior fabro’.

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Asnji rastësi e tillë!

Artan Kafexhiu u shfaq vetanak – i vetërysur – pa kalue filtrat e tutorëve – dhe ka ndërmarrë nji risk – dhe për guximin ka vlerësimin magior, por tani meqë e pret reagimin – le të temperohet poezia e tij e librit metaforik “Pa moshë” në analizat dhe përqasjen komparative që do përpiqemi ta shqyrtojmë dhe të japim një vlëresim të përgjithshëm për poetikën e këtij libri të një autori që vjen nga qëndrimi i tij prej 3 deceniesh, në New York.
Gjatë promovimit, para një jave në Tiranë pata përmendë, leximet e hershme si latinitet të Artanit nga Verleni, Boudelaire, Pascoli, Leopardi, deri te Whitman dhe Elliot – kontemplativitetin e poezise se tij dhe vargëzimin modern me bazë hendakasilabin e aleksandrinin, si bartës të koncepteve neoklasike të lëvrueme nga Artani – shih poezitë “Zanusha”, qe te kujton Montalen e John Keats-in “La belle dame sans merci”.
Pata premtue se “do t’ia heqim me nge lpezat ku e ka burimin poetika e tij”. Tani që autori u largue dhe ka kriju distancën e duhun – për kritikë analitike – mbi intertekstet anglofone që na patën shpëtue gjatë diskutimeve që patëm nën avujt e rakis (për mu së paku) dhe të joneve lirike të librit “Pa moshë”.

Struktura e librit dhe alineimi

Ndarja në 5 cikle, 1.Dëshira, 2.Jeta vazhdon, 3.Njih Vetveten, 4.Rreze malli dhe cikli i fundit “Unfinished journey” përshkruen në mënyrë metaforike rrugëtimin e artit të tij i cili ligjëron për konceptin e së ardhmes – duke prekë në mënyrë eloekuente procesin e rrugëtimit artistik me gjenezë Tiranën – me burimet e shkollës latine të leximeve. Nga poetët neoklasikë dhe simbolistë italianë dhe francezë – vërehet shtysa e alineimit të tij si qytetar i botës dhe i përkatësisë së re socio-linguistike dhe artistike të New Yorkut. New Yorkut të kaosit dhe përbashkues universesh dhe ndarjes përfundimtare nga poezia që e pati kultivue ne vendlindje. Cila ishte kjo poezi – në leximet e tij?
Leximet e Artanit nga neoklasicizmi – Pascoli, Carducci, kalon vargjet në përpunimin modern të miteve klasike – çka përbante poetin modern të viteve ’80-’90 te shek. XX, kur u shmnagen rimat. Gjatë konservimit të poezive që shihen sidomos në ciklin e parë “Dëshira” shihen eksperimentimet e konceptit të “Korelativitetit objektiv” të Elliotit dhe Montales që mbizotërojnë majën e poezisë së Artanit – falë ripunimeve pas kontaktit me poezinë amerikane – konceptet ideograme të Ezra Poundit dhe disi të poetëve beat generation si Gingsbergu me poezinë e “Drerit”.
Në substratin e tij si shumësi leximesh Artani natyralizohet si poet lirik me bazë qytetin amësor me të cilin e lidhin përveç ADN-së dhe genetikës artistike së përcjellë nga familja e Sokolëve me bibliotekën dhe rritjen mes nji konteksti familjar savant – çka përcillet në poezi sikundër në konservimin e asaj çka ka trashëgue nga nji familje artistësh – por duke sublimue në art travajet jetësore gjatë diktaturës, përmes tablove të errëta dhe ngjyrimeve esoterike që receptohen sipas gjendjes që shpalos autori me anë te nji figuracioni dhe simbolizmi tingullor dhe eufonik si te poezia me koncept të Shën Agostinit “Koha”.

Koha
Paditur ku ne udhëtuam*
Destinacione, rrugë të pashkelura.
Ditët, muajt, vitet u tretën
Në distancat mitike pa kthim,
Të kohës jetëlindëse,
Përtej ekzistencës tonë biologjike,
Në hapësirat esoterike pa përmasa.

Motivet lirike

Ndërsa sipas cikleve motivore poezia e Artanit ndahet në poezitë nostalgjike të atmes ku gjithmonë nxirret nji koncept që justifikon alienizmin e shtresëzimin e ri – që shpesh e vesh me ngjyra apokaliptike, motivet introspektive janë me bazë autosugjestioni që përmes procesit të amnezes – e transfiguron te ndodhunen përmes autoironisë dhe duke mos i dhanë emër nocionit etik të shoqnisë – por duke shprehë absurdin si shkaktar të akteve jetësore.
Poezia paradoksale si burim i tretë motivor i lirikës së Artanit lidhet me filozofinë si pjesë agregate e leximeve por edhe e elanit jetësor të disa periudhave të errëta, por që sublimohen në art si epifani e jetës së poetit, shpesh yjet ndrijnë mbi tablo purgatoriale – bash për këtë – ai kapërcen lumin e Lethes nga del i pacënuem në ciklin e fundit “Unfinished Journey” si në Parajsën tokësore – ku motivet bahen ma komunikative dhe bie intensiteti hermetik i 4 cikleve të parë.

Të mbledhur për Librin "Pa moshë" të Artan Kafexhiut
Të mbledhur për Librin “Pa moshë” të Artan Kafexhiut

“Samisdatët” e viteve ’80

Me termin “Samisdat” rusisht ”botim personal” mori emrin letërsia që botohej dhe shpërndahej fshehurazi në Rusi e vendet e lindjes, ndërsa në Shqipëri qarkullonin në nji rreth të ngushtë lexuesish, autorë, shokë e miq të tij.
Ndërsa konstatojmë fibrën e artit – që tek poetët shihet tek ruejtja e kujtesës dhe “krijimi i rendit etik” të fenomeneve natyrore dhe sociale në përshtatje ose në kundërshti me të arritunën apo botkuptimin e kohës. Me këto poezi shënojmë periudhën e parë të letërsisë “samisdat”, që në vitet ’90 iu dha termi “letërsi e sirtareve”.
Artani e kishte dorëzu për botim një përmbledhje me poezi në redaksinë e botimeve të Sh. B. Naim Frashëri (viti 1988) ku poeti Ndoc Gjetja ia kishte kthyer me dashamirësi, duke e mbrojtur nga inkoveniencat që mund t’i vinin nga lirikat e tij. Poezi e cila u ndalue ideologjikisht – qoftë vetëm si panoramë e përceptimit të lirikës. Fakt që do të ndihmojë në ndonjë antologji të kësaj poezie, çashtja e akribisë së dorëshkrimeve ka ba që ky koncept antologjik të mbetet vetëm “projekt”.
Me ndihmën e Artanit, në nji anketim të autorit sipas teorisë së psikokritikës së ndjekun nga Krist Maloki, sipas metodës së vështrimit të jashtëm të letërsisë, përcaktuem tri poezitë e viteve ’80. Poezitë “Bethoveni”, “Diellit”, “Fqinjave plazhiste” duke i shtu këtyre disa poezi të viteve ’80 që autori ka ngurru t’ua përcaktojë datën.

Fqinjave plazhiste*

Pak u desh të afroheshim,
Fqinjë e përkohëshme.
Të pashë {…}
Pastaj njohja jonë {…} u vodh.
Ka sekret dashuria?
{mjafton/ një shigjetim i vetëm
Shikimi i parë.

"Pa Moshe" - Artan Kafexhiu
“Pa Moshe” – Artan Kafexhiu

Lirika e punktueme drejt motivit erotik, mjedisit arratiak të plazhit ku demokracia shpalosej në paraqitjen trupore dhe në dehjen e andrrave të rinisë në kërkim të dashurisë dhe të nji lumtunie abstrakte që sendërtohej në objektin, por në të vërtetë dashuria paraqitet si metaforë e lirisë dhe e ekspresionit artistik që shpesh idealizonte raportin e mezimbrritshëm. Dallime, mospërputhje dhe sinteza poetike të personalizueme – edhe në zhgënjime erotike – si leitmotiv i kësaj periudhe kur pritej në eter se diçka e jashtëzakonshme do të ndodhte.
Prozodia në këto lirika me bazë vargun e lirë dhe strofa monokolonë tregon se autori e ka çliru vargun nga metrika – vargjet e matuna njihen – ato janë në bazë të nëntë rrokëshit të thyer sipas kadencës dhe ritmit të mendimit. Kjo tregon se teknikat e vargut njiheshin nga autori dhe nuk ka shtërzime.
Disa propozime ia kemi ofru në eliminimin e disa fjalëve, por për të qenë autentik, Artani ka respektu origjinalin dhe ka ba shumë mirë. Ripunimet pastaj asht i lirë t’i kryejë në vijim.
Në poezinë “Artistit i kanë vjedhur muzikën” (Bethovenit) sikundër në poezinë “Diellit”, autori ndërton lirikën përmes pyetjeve retorike – rrjedhojë e leximeve të poetëve neoklasikë, si intertekste pascoliane dhe carduciane ndonëse motivet janë të ndryshme dhe të “artit poetik” që do ta vërejmë tek poezitë “Vargje”, “Kupidi” etj. Këto intertekste – ndikime të cilat i kanë zbulu shokët e redaksive që qëndronin me ‘syrin vigjilent’ kundër simbolizmit e neoklasicizmit, madje edhe kundër kozmogonisë që shfaqet në poezinë e viteve ’60 në letrat tona.

O Artist i drobitur, i vetmuar**
ç’e do mundimin tënd?
Bethovenin dhe muzikën,
Apolonët modernë ta kanë vjedhur.
{…} lutje e përnatëshme,
Bethoven të rinj, viganë,
Shpresëtreturit njeri,
Përsëri në tokë t’i zbresë.

Këtu në koncepte niçeane të madhështisë sublime, metaforizohet gjendja e letërsisë dhe arteve në vendet e lindjes kur Bethoveni metaforik asht grabitë nga Salierët, nji metaforë e guximshme për “artistin e oborrit” në kontekstin e Artanit të Salierit të Shqipërisë socialiste – që redaksia e ka parandie duke mbrojtë statusquonë e artit – si demagogji dhe ilustrim të realitetit.
Në poezinë “Diellit” Artani nis dialogun e tij sipas koncepteve kozmogonike me anë të similitudave danteske si vrojtues kontemplativ dhe leximeve klasike – ai intonohet dhe përcjell notat e para “impresioniste”

E kotë është lodhja jonë,***
Veç udhën tënde {…}
Me përgjërim dhe endje,
Si lule të paçelura ne ndjekim.
{…} drejt dritës, ngrohtësisë…

Të kësaj periudhe të poezisë lirike-erotike dhe të rrymës impresioniste të fundviteve ’80 të sh. XX do të kuadronim poezi si: “Stoli memec”, “Dajti me diej të artë”, “Puthje ngjyrash”, “Muzgu”. Ndërsa bota e kujtimeve të dhimbshme nis të afrohet me “depresione ajrore” ku nis poezia e panjohun, abstrakte dhe hermetike ku autori ekstrapolon kujtime të hidhura për të shprehë paradokset e jetës. Do t’i kalonim këto poezi si të periudhës së “Tokës së re” ku poezia e Artanit ndryshon filozofinë e impresionit momental. Mendimi i prin kësaj poezie dhe ekuilibri kontemplativ zhbalancohet.
Poezia “Nana” mund të shënohet si fund i nji periudhe impresioniste dhe shohim në vargje monokolonë – temat e dekës – qoftë edhe si kozmogoni për të përfundu në ciklin “Njih vetvedin”.
Në këtë cikël mendimi i mbivendoset lirikës, dhe koncepti i dekës, kozmogonisë, e zhgënjimit përpajtohen në nji harmoni simboliste. Vargu aleksandrin dhe poezia monokolone – i përshtatet ritmit të mendimit që gjen disa pauza paqtuese.
Disa motive të Manhatanit, i kundërvihen kontemplacionit të Jones beach, Long Island, si kontekst dhe atraksion i poezisë së “përtëritjes” të viteve ’20 të shek. XXI – por edhe ekzistencializmit dhe rikthimit tek plangu si nji Odise në poemën e G. Pascoli “Il ritorno” – se sa e gjen të njohur Itakën e tij përtej ishullore do ta njehim tjetër herë.

*Kafexhiu, Artan: “Pa moshë”, f. 102.
**Po aty, f. 42.
***Po aty, f. 37.

Marrë nga Muri i Fb Leka Ndoja, 27 – 28 nëntor 2022

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Vrethee Lnika – Epokë tjetër ajo e nënave tona – unë i jepja me lexu Montalen, lexonin fshehurazi romanxat në italisht të familja jonë së paku, nuk vinë ma, paçin dritë.
    Randësi ka që e theve akullin – se gjithë ato lexime që ke të shkonin kot.

    Artan Kafexhiu – Vrethee Lnika – Duhet ta bëja në dekadën e gjashtë. (qesh)

    Vrethee Lnika – Artan Kafexhiu – Edgar Lee Masters rrojti 90 vite – e shkroi shumë. Spoon river, vetëm nji pati sukses – dhe qe avokat. Ti sa vite je marrë me librin “Pa moshë”.

    Artan Kafexhiu – Vrethee Lnika – S’jam marrë me librin hiç. E detyrova veten të mbledh çka kisha hedh andej këndej ndër vite. Poezi si ajo e Bethovenit, Diellit, Fqinjave plazhiste i gjeta të daktilografueme në makinën e shkrimit të punës së babës/ mamës, që 15-16 vjeç.

    Vrethee Lnika – Artan Kafexhiu e vuna re se cikli i dytë asht ma i moçëm nga lloji i prozodisë dhe motivet e asaj kohe, po nëse s’i ke redaktu shumë – do habitesha si ka mundësi të rezistojnë. Atëhere ato quhen poezi “sirtari” që mund të ishin botu po të mos ishte censura, pra vitit 1990.

    Artan Kafexhiu – Vrethee Lnika – E kam shpjegu arsyen. Ia di për nder Gjetjes…(qesh)

    Vrethee Lnika – Artan Kafexhiu
    E mbajte fjalën Lekë! Maestoso do ta quaj sjelljen tënde ndaj librit tim. Po e vazhdon po kështu edhe me kritikën letrare.
    Më ngazëlleve, po po pres me etje vazhdimin.
    Një falenderim nga zemra.

    Vrethee Lnika – Me kishte hupë nji koment që pata ba te muri yt, anise e shpika për së pari, ma ndrysh se librin mund ta lexosh dhe ta receptosh ndryshe sa herë e lexon – atëhere quhet art letrar, arritje jo e vogël. Se leximi i poezisë sipas Barthes-it lidhet me tekste të tjerë vetëm kuptimet ndryshojnë – prandaj këtu nuk shijojnë dot poezinë se asht art që kërkon lexime se ndryshe nuk shfaqen përfytyrimet. Poezia jote më shfaq epifaninë e lirikës. Tani që shoh që përkthen Gingsbergun – unë e kam përkthy 25 vite ma parë – mos të ngelë hatri – pres pak dekadencë nga poezia jote. Por rekomandimet po ia lemë së ardhmes – dhe kontemplatives që vijon e të ngacmon – ekspedient i randësishem i lirikës.

    Vrethee Lnika – E ke ruejt fibrën e artit – çdo gja tjetër pastaj asht teknike – me kenë puntuer – e kur ke koncepte nga vëzhgimet kalon nji periudhë në nji gjini tjetër prozë psh. Do nxjerr antologjinë e Nerudës se shoh që jeni në sinkron – vetëm kormoranë s’e di a ka n’Long Island. Se ai e shtjellon egërsisht temën detare.

    Artan Kafexhiu – Vrethee Lnika – Ndaj të spikata mes njerëzve të zgjedhur për të folur siç thojnë anglezët “frankly” për artin tim. Por mos me u ndalë vetëm aty. Me dhanë edhe këshilla.
    Vazhdoj të ndjek këshillën e mamës që i vogël: miqtë e shokët me i zgjedhë dhe i pas si vetja, por edhe më të mirë se vetja!
    Ka Lekë: double crested cormorant.
    Mund të jetë një imazh i zogut dhe natyra

    Vrethee Lnika – Artan Kafexhiu i madh je – e dija që ka vetëm në Kili në Isla negra – se kam heqë më e gjetë çfarë lloj shpendi ishte – se e kam perkthy disa lirika – dhe nga poema Canto general – vitet ’90!

    Isida Kalaja – Vrethee Lnika – Karabullak në shqip! Ka edhe në Irlandë (e qeshur)

    Vrethee Lnika – Isida Kalaja faleminderit – s’e dija – kemi pasë vështirësi me përkthy disa terma të Amerikës – flora e fauna – para se të aksesonim internetin viti 1999 – vinim vërdall me enciklopeditë. Në Zvërnec as lejleket nuk ishin ma. Ne të Tiranës njohim veç pulbardhat – dhe zogun marinar – martin pescatore – mezi e gjeta në natyrë në Sarandë gjuente në sipërfaqe të detit

    Gentiana Kone – Kënaqsi tejet e veçantë me lexu k’të kritikë të z. Lekë Ndoja. Prej vitesh, si lexues e shijues të poezisë, na mungon këndvështrimi i kritikut dhe estetit.
    Kjo njëkohësi, syu kritik dhe ardhja në dritë e librit “Pa moshë”, është një njëkohësi fatmirë, për poetin si dhe ne dëshiruesit e poezisë.
    Përgëzime sërish i dashur Artan Kafexhiu dhe z. Lekë Ndoja!☘️

    Emrije Krosi – Unë nuk e kam lexuar, por atë peshtafin që mbështjell së jashtni autorin, di ta nuhas edhe pa lexuar asgjë, nuk flas dot dhe pse unë “kritikohem” për mënyrën time të shkruarit, por aq më bën.
    Respekte Vrethee Lnika dhe Artan Kafexhiu!

    Artan Kafexhiu – Lekë të lumshin mendja e duart! Do ta ripostoj te faqja ime e ta lë të hapur për publikun. Është njohja kritike e parë e librit tim, e pamun me një këndvështrim të dikujt që i ka përjetu të dy epokat, e jo vetëm linearisht abstragon për evoluimin e krijuesit te reflektuem në vargjet e tij. Kemi një kritik që nuk ecën në majë telit me mbajtë ekuilibrin, por hap rrugën me forcë për me tregu si një mendje kritike udhëtimin krijues mendor të poetit.
    Përjetë mirënjohës!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.