back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Terri hala s’ka ra mirë mbi Prishtinë – nga Ardiana Shala Prishtina (a. s. p.)

Gazeta

Adriana Shala Prishtina
Ardiana Shala Prishtina

Terri hala s’ka ra mirë mbi Prishtinë

nga Ardiana Shala Prishtina (a. s. p.)

Kam pasë nji gjysh.
Qerim kishte emnin.
I biri i Musliut. Nip i Qerimit. Evlad i Poneshit.
Dashnor i Tuzllës. Ateist me fe.
Koleksioni i tij i librave ishte ma i pasun
se aj i bibliotekës kombëtare të Kosovës.
Gjithësesi, libra të lexuem.
E jo të harrume territ si ato të bibliotekës kombëtare të Kosovës.

Terri hala s’ka ra mirë mbi Prishtinë.
Në Berlin un isha tue rregullu flokët
me dalë nëpër klube me motrën.
Kishim dhanë besën me i shpallë luftë
shisheve të birrave gjermane.
Kushedi sa herë na ka pëlqye vetja në pasqyrë.
A jem shqiptare a jo?
Duhet me e kallë për me e shue kit shpirt.
Do ta kallim për bukuri.
Sot kemi festë.
Mbesat kanë shku me studiu në Berlin.

Në Prishtinë terri hala s’ka ra mirë.
E s’ka terr ma të keq se terri që hala s’ka ra mirë.
Nuk e di à gru.
Nuk e di à burrë.
Por ma përpara naj burrë.
Por e di nji veturë kish dalë me kallë shpirtin
rrugëve të Prishtinës me e festu 28 nandorin.
Ndoshta ka pasë flamur në ‘haubë’.
Ndoshta ka qenë veturë patriotike.
Gjyshi jem me gjyshen përdore
sapo kanë zbritë prej autobusit.
Autobusi nuk e di a ka pasë flamur në ‘haubë’.
Ndoshta ka qenë, e ndoshta s’ka qenë autobus patriotik.

Kanë qenë në Gilan te kushëritë.
Edhe i kanë luttë ata boll.
Agë, rrini dhe sonte.
Ja, falemnerës, po shkojna.
Po rrini bre, agë.
Ja, shum falmnerës, po shkojna.

Edhe kanë shku.
Sa kanë zbritë prej autobusit –
i cili ka qenë ose s’ka qenë patriotik;
tek rrethi i spitalit në Prishtinë
mu para pompës të benzinit patriotike
mbi tokën e uzurpume patriotikisht
e kanë ecë skej gilenderave të hotel Viktorisë
gjithashtu, pronë e ndërtume patriotikisht
në tokë të uzurpueme patriotikisht
dhe në vija të bardha marrin hapin me kalu rru…

Mbrrinë vetura që kish dalë me kallë shpirtin
rrugëve të Prishtinës me e festu 28 nandorin –
ndoshta ka pasë flamur në ‘haubë’;
ndoshta ka qenë veturë patriotike;
edhe iu mshon.
Ose qysh thojna na katundarët e Kosovës
pa saktësi anatomike,
i shkelë.
Gjyshi si gjest të fundit ‘gjentelmeni’
ndoshta si protestë të fundit kundër xhunglës
ku ka jetu
e shtyen gjyshen mbrapa vetes.
Ajo pshton.
E rrnon ma shum se që i ka borxh nji nanë kësaj toke.
Gjyshi des në vend.
Krytë e çamë ja mbledhin tek në spital.
E gjaku s’ju ka ftohë hala.
Pikon pytje rrugëve të Prishtinës.
Se un jam gjaku i tij.

Vetura nuk asht ndalë.
More ti njerì, a thu a të kam taku najherë?
A thu na janë pre rrugët kund?
A thu ke jetu jetën normal ti
i lumtun që ke ikë?
Ndoshta je gru.
Ndoshta je burrë.
Ma përpara burrë.

Me 28 nandor 2004,
ti ke dalë me veturë me kallë shpirtin rrugëve të Prishtinës –
shpirtin tem.
Ndoshta ke qenë tue dalë prej Prishtinës
kofsh i mallkuem që ke hy najherë në to –
ti ma ke vra gjyshin.
Nuk t’i kam borxh ndjenjat.
Veç dashta me të kallxue
ne paç vuejt bile nji ditë
un po të fali.
Veç nji ditë
ne paç kapë krytë me durë
e me piskatë në kupë të qiellit
“çka më ka gjetë moj nanë
un patrioti i leshit
kam vra nji njeri dhe kam ikë si qeni.”
E në paç jetu i lumtun krejt këto vite
nji ditë prej ditësh
mbi dritën e syve tu
raftë nji terr që s’bahet krejt zi
se s’ka ma keq se terri që s’bjen
me t’i mshelë sytë krejt.

Kam pasë nji gjysh.
Qerim kishte emnin.
I biri i Musliut. Nip i Qerimit. Evlad i Poneshit.
Dashnor i Tuzllës. Ateist me fe.
Koleksioni i tij i librave ishte ma i pasun
se aj i bibliotekës kombëtare të Kosovës.
Gjithësesi, libra të lexuem.
E jo të harrume territ si ato të bibliotekës kombëtare të Kosovës.
Kur e kujtoj sot, në vend të fëtyrës të tij
shoh kopertina librash –
dhe e ndi bisedën tonë të fundit:
Dana, a ke mbërri mirë?
Jo, agë. Në Berlin nuk mbërrita.
E as në Prishtinë kur u ktheva nuk mbërrita kurrë.
E kanë uzurpu çdo hap që ban njerì ktu, o agë.
Edhe librat.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.