back to top
23.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Berati – Gjurmë të krishtërimit të vjetër nga Ilirjan Gjika

Gazeta

Ilirjan Gjika
Ilirjan Gjika
Berati – Gjurmë të krishtërimit të vjetër
nga Ilirjan Gjika

Në antikitetit e vonë qytetin e Beratit e ndeshim në burimet historike me emrin Pulkeriopolis. Kështu përmendet ai në udhërrëfyesin e Hieroklit në shek. VI, si një ndër 8 qytetet kryesore të provincës së Epirit të Ri, së bashku me Dyrrahun, Skampën, Apolloninë, Bylisin, Amantian, Aulonën dhe Aulinidos metropolin (Ohrin).1) Historianët aludojnë se këtë emër ky qytet mund ta ketë marrë nga perandoresha Pulkeria, motra e perandorit Teodos (408-450) dhe e shoqja e perandorit Marcian (450-457).2) “Kjo ka ndodhur nën sundimin e Theodosius-it diku para vitit 450, ose nën Markianos-in, diku menjëherë pas vitit 450. Me rastin e ndërrimit të emrit kanë qenë ndërmarrë gjithashtu edhe ndërtime të mëdha, për të cilat mund të hamendësojmë se muret rrethuese të qytetit, kishat apo ndërtime të tjera kanë qenë financuar nga perandori…”, shkruan në studimin e tij “Gjetje të kohës së hershme Bizantine nga Berati”, arkeologu gjerman Guntram Koch.3) Në këtë periudhë të shek. V-VI, Pulkeriopolisi, duhet të ketë funksionuar si peshkopatë pavarësisht mungesës së dëshmive historike. Një fakt të tillë e përforcon një prej ligjeve të perandorit Zenon (474-475), sipas të cilit: “…çdo qytet … të ketë me çdo kusht një peshkop të vetin…”4) Por dokumentet e kohës që japin dëshmi të shumta për peshkopët e qyteteve të tjera kryesore të Epirit të Ri çuditërisht për Pulkeriopolisin ‘heshtin’. Ndërsa Prokopi i Çezaresë në veprën e tij “Mbi Ndërtimet” përmend edhe një kështjellë me emrin Antipagrai të rindërtuar nga perandori Justinian në këtë provincë.”5) Kurse një sërë autorësh e identifikojnë Antipatrean e dikurshme me Pulkeriopolisin e antikitetit të vonë.6) “Në periudhën bizantine emrin e qytetit e rigjejmë në listën e fortifikimeve të ndërtuara prej Justinianit, por të deformuar nga Prokopi i Qezaresë në trajtën Antipagrai”, shkruan studjuesi Apollon Baçe në studimin “Qyteti i Fortifikuar i Beratit”.7)
Ndërkohë është pranuar gjerësisht nga studiuesit ideja e bazuar te dëshmitë e Prokopit, se një pjesë e programit të ndërtimeve të Justinianit e zinte edhe ngritja e monumenteve kishtare me karakter imponues dhe spektakolar. Kështu në këtë drejtim edhe Antipatrea e quajtur tashmë Pulkeriopolis nuk mund të bënte përjashtim. Rreth aktiviteteve ndërtuese të perandorëve romakë dhe bizantinë në shek. V-VI, dëshmojnë një sërë elementësh arkitektonikë dhe dekorativë, si dhe zbulimet e fundit të dy mozaikëve paleokristianë, brenda dhe jashtë mureve të kalasë së Beratit.9) Të tilla janë disa imposte, kapitele, bazamente kolonash, kolona dritaresh, relikuar, pllaka apo kolona temploni, të cilat i gjejmë në kishat e kalasë si, ato të “Fjetjes së Shën Mërisë”, “Shën Nikollës”, “Shën Todrit”, “Shën Mëri Vllahernës”, në godinën e Banesës së Llavdës (Muzeu Etnografik), apo në Teqenë e Halvetive në qytetin e Beratit.10) Në librin e tyre “Kishat e kalasë së Beratit”, studjuesit Dritan Çoku dhe Genc Samimi, mendojnë se elementë të ndryshëm me karakter arkitektonik dhe dekorativ të shek V-VI, që janë ripërdorur në kishat e kalasë, tregojnë se këtu kanë ekzistuar disa kisha paleokristiane.11) Një gjë të tillë e pranon edhe Guntram Koch, i cili në këtë rast thekson se: “Në kohën e perandorit Justinian, ndërmjet viteve 527 dhe diku rreth vitit 550 pas.Kr, në Berat janë kryer aktivitete të ndryshme ndërtuese. Mbetje të këtilla duket se nuk janë ende të njohura, ashtu si edhe mbetjet e ndërtimeve të ndërmarra në shekullin V nën Theodosios-in II dhe Markianos-in”.12). Ndërkohë mungesa e gërmimeve të mirëfillta arkeologjike brenda kalasë së Beratit dhe jashtë saj nuk ka mundësuar për një kohë të gjatë gjetjen e rrënojave të këtyre kishave dhe bazilikave. Një fakt i tillë ka ndodhur në disa qytete të vendit përfshirë edhe Vlorën fqinje, për të cilën ka një dokumentacion të gjerë historik rreth peshkopëve dhe kishave të shumta të këtij qyteti antik dhe mesjetar. I çuditshëm është fakti se në territorin e kastrumit të dikurshëm të saj nuk është evidentuar ndonjë gjurmë objektesh kulti.13) Ndërkohë që në Berat vetëm vitet e fundit nga zbulimet rastësore do të vinin disa rezultate befasuese. Të tillë do të ishin rastet e dy mozaikëve paleokristianë të gjetur brenda dhe jashtë mureve të kalasë.14) Kështu, në vitin 2012, gjatë punimeve me karakter ndërtimor të një depozite uji brenda kalasë, dolën në thellësinë 1.80 m gjurmët e fragmentuara të pesë paneleve me mozaikë, nga të cilat u zbulua një seksion me përmasa 5,90 x 3,30 m. Duke u nisur nga vendosja në orientimin Lindje-Perëndim, pozita dominuese brenda zonës së rrethimit të tretë, si dhe elementët e zbukurimit, autorët e gërmimit sugjeruan se mozaiku i përkiste periudhës paleokristiane, pjesë e një kishe-bazilikë.15) Në gjendje të dëmtuar u gjetën edhe panelet me mbishkrime në gjuhën greke me gërma kapitale. Pjesërisht të lexueshme ato ndodheshin në qendër të dyshemesë, paralelisht me njëra-tjetrën. Ndërsa mozaiku ishte vendosur mbi një shtresë të sipërme të përbërë nga llaç gëlqeror dhe pluhur tulle. Teserat në fomë kubike i përkisnin spektrave të ngjyrave të ndryshme, si të bardhë, gri dhe të kuqe tulle, kurse ndër motivet e përdorura ishin luspat e mbivendosura, rrathët tangentë, tetëkëndëshat, fasha e valëzuar dhe gërsheti i thjeshtë. Nga studimi i mbështetur në një sërë elementësh, si motivet e përdorura, stili i kompozimit, teknika e përdorur dhe tiparet e përbashkëta me mozaikë të tjerë të kësaj periudhe, arkeologët sugjerua në këtë rast se mozaiku duhet të ishte një ndërtim i shek. V.16) Ndërkohë në vitin 2018, gjatë punimeve për përforcimin e themeleve të xhamisë Mbret në qytetin e Beratit, doli në dritë një tjetër mozaik, i cili do të kostatohej dhe zbulohej fillimisht nga arkeologu Dritan Çoku. Pas gjetjes së tij në thellësinë 0.77 nga ana e specialistëve të fushës do të kryheshin në një sipërfaqe të caktuar edhe gërmimet arkeologjike, prej të cilave do të dilnin të dhëna interesante. Përveç pjesës së mozaikut në gjendje të dëmtuar dhe fragmentuar do të ishin edhe disa mbetje skeletore.17) Ndërkohë që orientimi i motiveve të tij në drejtimin Lindje-Perëndim, elementët e zbukurimit dhe përmbajtja e mbishkrimit, do të sugjeronin edhe në këtë rast ekzistencën e një kishe paleokristiane. Po kështu, përmasat e njëjta të kubikëve si në rastin e mozaikut të akropolit të kalasë, teknika e realizimit dhe kombinimi i kufizuar i ngjyrave, do ti drejtonin specialistët e fushës në përfundimin, se edhe ky mozaik “extra muros” mund t’i përkiste shek. V, realizuar nga e njëjta atelje mjeshtrash.18) Duhet theksuar se kubikët e përdorur këtu kishin ngjyrë gri, të bardhë dhe të kuqe tulle. Ata ishin vendosur në një shtresë ngjyrë rozë, të përbërë prej përzjerjes së llaçit të gëlqeres dhe pluhurit të tullës, kurse në dekorin e mozaikut ndesheshin motivet e luspave e mbivendosura trengjyrëshe dhe kornizat me zbukurim gjarpërues.19) Në këtë fragment të zbuluar ndodhej edhe një mbishkrim në greqisht me shkronja të zeza mbi një sfond të bardhë, vendosur në drejtimin veri-jug, jashtë kornizës së tij. “Enë… Hyjlindëse Ma(ri)” lexohej në këtë tekst të përkthyer prej Kostandinos Giakumis. Mbishkrimi i kushtohej Shën Mërisë, ndërsa gojëdhënat në Berat dëshmojnë se përpara fundit të shek. XV, kohë e ndërtimit të xhamisë Mbret, në këtë vend ekzistonte një kishë kushtuar Shën Pjetrit dhe Pavlit.20) Ndërkohë gjurmët e djegieve dhe depozitimi i shtresave të tyre dëshmojnë për një shkatërrim të dhunshëm të dy mozaikëve. Një gjë e tillë lidhet me dyndjet sllave të shek. VI, të cilat çuan në shkatërrimin e një sërë qytetesh përfshirë edhe Pulkeriopolisin. Ndërsa prania e mbetjeve skeletore mbi mozaik tregon se pas shkatërrimit dhe braktisjes së bazilikës hapësira e saj është përdorur si varrezë, një rast i njohur edhe në rastet e bazilikave të tjera që ndodhen në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës.21)
Mospërmendja e Pulkeriopolisit në dokumentet historike tregon se qyteti pësoi një fat të tillë. Gjatë periudhës së mesjetës së hershme ai duhet të jetë rindërtuar përsëri sepse në dokumentet e kohës shfaqet herë pas herë si një qendër peshkopale.22) Ndërkohë në vitin 878, përmendet si peshkopatë me emrin Belograd, në një letër që Papa Ioannes VIII i dërgon mbretit bullgar Mihal.23) Duket se ky emër do të zyrtarizohet shpejt pavarësisht reminishencës së termit Pulkeriopolis që ndeshet në noticiet kishtare të Patriarkanës së Kostandinopojës. Ndërkohë që thellimi i studimeve të mëtejshme historike dhe arkeologjike do të sjellë patjetër të dhëna më të plota rreth kësaj teme.

Berati - Qytet i nji mbi nji dritareve
Berati – Qytet i nji mbi nji dritareve
Bibliografia

1.Hieroclis Synecdemos, 8, 13
2.Daniele Farlati, Illiricum Sacrum-Jacopo Coleti, Venetiae 1817, vol. VII (A.B), f. 436; R. Rikaqis, Istoriki archeologiki qe laografiki pragmateai teu tematon Beration, Athene, 1911, f. 6).
3.Guntram Koch, Gjetje të kohës së hershme bizantine nga Berati, Iliria, 35, Tiranë 2011, f. 308
4.Codex Justinianus, Lib. I, 3, 354
5.Procopi Caesariensis, De Aedificiis IV, 4, 3; D. Farlati, Illiricum Sacrum-Jacopo Coleti, Venetiae 1817, vol. III, f. 436; R. Rikaqis, Istoriki archeologiki qe laografiki pragmateai teu tematon Beration, Athene 1911, f. 6
6.Milan Suflay, Städte und Burgen Albaniens, hauptsächlich Während des Mittelalters, Wien und Leipzig 1924, f. 24
7.Apollon Baçe, Qyteti i Fortifikuar i Beratit, Monumentet, 2, Tiranë 1971, f. 47
8.S. De Maria, M. Podini, La basilica paleocristiana di Phoinike (Epiro): dagli scavi di Luigi Ugolini alle nuove ricerche, in Ideologia e cultura artistica tra Adriatico e Mediterraneo orientale (IV-X secolo), Bologna 2008, pp. 207-228
9.Dritan Çoku – Genc Samimi, Kishat e kalasë së Beratit, Pegi, Berat 2019, f. 79, 103
10.Po aty, f. 79-103
11.Po aty, f. 79
12.Guntram Koch, Gjetje të kohës së hershme bizantine nga Berati, Iliria, 35, Tiranë 2011, f. 308
13.Acta Albania, 1. 23, 29, 36; S. Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 171
14.Dritan Çoku – Genc Samimi, Kishat e kalasë së Beratit, Pegi, Berat 2019, f. 79, 103
15.Skënder Bushi – Era Xhaferaj – Altin Behari, Mozaiku paleokristian në kalanë e Beratit. Raport paraprak, Candavia, 4, 2014, f. 123-132
16.Po aty, f. 123-132
17.Dritan Çoku – Genc Samimi, Kishat e kalasë së Beratit, Pegi, Berat 2019, f. 103-105; Dritan Çoku, Pasuria ndërtimore e kulturore e trashëguar në shekuj, Alsar, 2022, f. 68
18.Po aty, f. 103-114; f. 68
19.Dritan Çoku – Genc Samimi, Kishat e kalasë së Beratit, Pegi, Berat 2019, f. 111
20.Po aty, f. 103-115
21-Dritan Çoku – Genc Samimi, Kishat e kalasë së Beratit, Pegi, Berat 2019, f. 114; Dritan Çoku, Pasuria ndërtimore e kulturore e trashëguar në shekuj, Alsar, 2022, f. 68-69
22.Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 189-190
23.Acta Albaniae I, 55

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.