
Kur Brajan Gruda këndon Himnin Gjerman…
nga Saimir Kadiu
Një zë gjerman,
rrënjë prindërore shkodrane dhe
një histori që lidh dy atdhe…
Emocion kur sheh Brajan Grudën, djalin me rrënjë shkodrane, të rreshtuar me fanellën e Gjermanisë, duke kënduar himnin kombëtar gjerman.
Përpara tij valëvitet flamuri me tri ngjyrat e Gjermanisë. Rreth tij qëndrojnë futbollistë të rritur në një traditë të madhe sportive. Kamera ndalet për pak çaste në fytyrën e tij. Ai këndon. Është aty, mes më të mirëve, duke përfaqësuar vendin ku ka lindur, është rritur dhe ka formuar ëndrrën e tij sportive.
Dhe për një shqiptar, sidomos për një shkodran, kjo pamje ka një emocion të veçantë.
Sepse pas atij mbiemri, Gruda, qëndron edhe një histori tjetër: Shkodra, familja, rrënjët dhe kujtesa e një qyteti që e ka dashur futbollin si pak qytete të tjera në Shqipëri.
Brajan Gruda nuk është thjesht një futbollist me origjinë shqiptare. Ai është një histori e bukur e brezit të ri europian, ku identitetet nuk përputhen gjithmonë me kufijtë shtetërorë.
Historia e tij ka diçka simbolike.
Brajan është djali i një familjeje shqiptare. Babai i tij ka qenë futbollist profesionist, sulmues i Vllaznisë së Shkodrës. Pra, futbolli nuk i erdhi rastësisht. Ai e kishte në gjak, në familje dhe në atë trashëgimi sportive që Shkodra ua ka përcjellë brezave.
I lindur në Speyer të Gjermanisë më 31 maj 2004, ai u formua në futbollin gjerman. Aty mësoi disiplinën, teknikën, ritmin dhe kulturën e një prej shkollave më të mëdha të futbollit europian.
Në vitin 2024, kaloi te Brighton, ndërsa në vitin 2026 u rikthye në Bundesligë, te RB Leipzig, në formë huazimi.
Dhe pastaj erdhi momenti i madh!

Më 13 nëntor 2026, në Beograd, Brajan Gruda bëri debutimin me përfaqësuesen e parë gjermane kundër Serbisë. Jo vetëm debutoi, por shënoi edhe golin e tretë në fitoren 3-1.
Tri ditë më vonë, më 16 nëntor, në Berlin, kundër Holandës, shënoi përsëri në fitoren spektakolare 5-0 të Gjermanisë. Një fillim që pak futbollistë mund ta ëndërrojnë.
Me fanellën numër 10, ai po hyn në një histori ku kanë shkëlqyer emra si Lothar Matthäus, Mesut Özil dhe shumë të tjerë.
Dikush mund të pyesë: Si ndihet një shqiptar kur sheh një djalë me origjinë shkodrane të këndojë himnin gjerman?
Unë mendoj se duhet ta shohim këtë moment me zemër të hapur.
Brajan ka deklaruar se prindët e tij janë shqiptarë, por ai ka lindur dhe është rritur në Gjermani dhe zemra e tij e shtyn të përfaqësojë këtë vend. Nuk ka arsye t’ia kontestojmë zgjedhjen.
Identiteti nuk është gjithmonë një zgjedhje me dy alternativa. Mund të jesh gjerman në formimin tënd, në gjuhën që flet, në shkollën sportive ku je rritur, por të mbash në kujtesë rrënjët e familjes, mbiemrin dhe historinë e prindërve.
Nuk duhet të kërkojmë prej tij të zgjedhë midis Shkodrës dhe Gjermanisë për të merituar respektin tonë.
Përkundrazi, duhet të ndihemi krenarë që një familje shkodrane i ka dhënë futbollit europian një talent të tillë.
Dhe kur kamerat e televizionit e tregojnë duke kënduar himnin gjerman, unë nuk shoh një djalë që ka harruar Shkodrën.
Shoh një djalë që ka arritur të bëhet pjesë e një ëndrre të madhe sportive, pa pasur nevojë ta mohojë prejardhjen e tij.
Shkodra ka nxjerrë shumë futbollistë të mëdhenj. Por është bukur kur emri i saj dëgjohet edhe larg kufijve të Shqipërisë.
Brajan Gruda, shkodrani 24 karat!
Le të jetë i suksesshëm në rrugën e tij. Sepse talenti nuk ka pasaportë, ndërsa rrënjët nuk humbasin me një himn tjetër.
Dhe ndoshta kjo është bukuria e Europës së sotme: të kesh lindur në një vend, të jesh formuar në një tjetër dhe të mbartësh në mbiemrin tënd historinë e një qyteti që nuk e ke harruar kurrë.
Marrë mga muri i FB, Saimir Kadiu, 17 nëntor 2026, Saimir Kadiu
