back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

Si u bëra hero i ditës! Dine Dine

Gazeta

Dine Dine 2011
Dine Dine 2011

Si u bëra hero i ditës! Dine Dine

Që në moshë të njomë kisha dëgjuar nga të moshuarit të thuhet se; historia përsëritet ose përsërit vetveten. Nuk e di, nëse mund të bëhet ndonjë analogji me dy episodet që më ndodhën mua, njëra në Savër e tjetra mbas 15 vitesh në Gjazë, por ato ishin aq të ngjashme sa që s’ia vlen t’i përshkruash të dyja sepse ngjanin, me pak ndryshime, si dy pika uji, veçse njëra kishte si protagonist brigadier Hetem H. ndërsa tjetra përgjegjësin e sektorit Rrapi Gj.
Po tregoj këtë të dytën pasi edhe detajet në përgjithësi i kam më të freskëta. Them kështu, pasi këtë, që u bë si një pjesë teatrale shumë e suksesshme në atë kohë edhe kur na binte humori shokët më luteshin ta përsërisja herë pas here, gjë që na bënte të qeshnim me të madhe duke harruar për disa çaste hallet që na kishin rënë mbi kokë.
Ishte e shtunë në mbrëmje kur kryetari i këshillit më trokiti në derë: “Dine, përgjegjësi të kërkon në zyrë. Si zakonisht, në fillim mendja më shkoi për të keq. Në çast m’u kujtua që parrullat ishin vjetëruar e ndoshta do duhej të rinovoheshin, ndaj shkova disi i lehtësuar. Sapo hyra më priti përzemërsisht: Dëgjo – më tha – e di përse të kam thirruar?
– Jo i them. – Ja, po ta spiegoj: “Ti e di që ne kemi ca parcela pambuku në Godolesh në gjendje të mjerueshme. E di që edhe furnizimi me ujë është me difekte. Meqë ishte puna kështu mendova të çoj vetëm një njeri pasi nuk ka punë për dy veta. E kam thënë kushedi sa herë, bima është si fëmija që po s’i dhe të pijë vdes. Kjo është gjendja e parcelave në Godolesh! Të thashë që të çova vetëm që, edhe t’i të marrësh ndonjë lek dhe ne të bëjmë atë që mundemi, që nesër mos të na vrasë ndërgjegja përse nuk u bëmë mukafet”.
T’i kundërshtoja më të madhit të sektorit, në një rast kaq delikat, e sidomos kur ai ta kërkonte atë si një favor që duhej t’ia bëja personalisht, ishte si një lloj paradoksi që përgjegjësi nuk do t’ia falte askujt, prandaj sapo ai i dha fund kërkesës së tij unë iu përgjegja plot teatralitet: “Posi, shoku përgjegjës; që nesër në mëngjez do të nisem herët dhe do të bëj të pamundurën…” Ai s’më la të mbaroja. Me sytë blu që i shkëlqenin nga respekti që po tregoja, me një ngrohtësi të paparë, më shtrëngoi dorën me të dy duart e më uroi punë të mbarë.
Të nesërmen shkova në parcelë dhe për nja nji orë bëra punë pregaditore që uji të hynte në tre katër skolina njëherësh. Pastaj u drejtova të porta e ujit. Ishte e mbyllur. Njëzet-tridhjetë metra më tutje ishin portat e dy puntorëve nga kooperativa e Ngurrzës. Ata e kishin marrë edhe ujin që duhej të hynte tek porta ime. Sapo i pashë i njoha, vinin shpesh në Gjazë për të luajtur futboll me ne. Si rregull, ata duhej ta kërkonin ujin tek vaditës të tjerë që punonin para tyre, kështu që mua, që isha i fundit s’duhej të më ndërpritej uji. Ua qava hallin dhe ata për çudinë time mbyllën portat e tyre dhe hapën timen.
Edhe për një portë nuk kishte ujë të mjaftueshëm. S’dija s’i t’ua shpërbleja. Jo vetëm kaq, njëri prej tyre, me që po afronte dreka na ftoi të pimë nga një got raki. “Gjizë, domate turshi e hudhra të njoma kam me bollëk.
“Ish e djelë sot are! Kambë njeriu s’sheh n’fushët? Ulemi n’byth të mënit, dhe e t’heqim për shtatë palë qejfe. Pse ujin do vajtojmë ne? A, à! Ta ngremë na i got ne, pa dynjaja le t’prishet…”
U tha u bë. Vajtëm n’byth të mënit dhe kur hapëm trastat, ngurrzaku tjetër kishte edhe ai, ndër të tjera gjizë dhe hudhra me bollëk. Mua, nëna ma kish mbushur trastën me qofte dhe byrek… dhe ata kur panë qoftet, që ishin jo pak, u gëzuan shumë.
“Edhe mishin e paskemi të garantur, ça dum ma ne, mutë! Qy ish banket, are… Jo llafe!
Ganiu (po u vë nga një emër, pasi për fat të keq, emrat e tyre, tani që kanë kaluar tridhjet e sa vite s’i mbaj mend). Sapo  nxorri paguren e rakisë pa një njeri të hypur në kalë që po vinte drejt nesh. Sapo kthej kokën pasi isha me shpinë vura re përgjegjësin. Ai zbriti nga kali dhe po u hidhte  një sy bimëve të pambukut. E dija që do të vinte te porta të shihte gjendjen e ujit. Në çast, pasi mbuluam trastat që ishin 30-40 metra nga portat, më lindi një ide. Ua shpjegova dy djemve, apo më mirë burrave pasi të dy ishin të martuar, dhe ata ranë plotësisht dakord.
“Kur përgjegjësi të hypë në kalë ne do të bëjmë sikur zihemi. Fillimisht do të sajojmë ca lëvizje të kota, që ai të kuptojë se diçka po ndodh. Kur të arrijë në gjysëm të rrugës ai do ta shohë me sytë e tij se vërtetë diçka serioze po ndodh e do t’i grahë kalit edhe më tepër. Megjithë këtë zheg, ne po na shkon djersa çurk pa bërë asnjë lëvizje, është shumë e rëndësishme që të djersisim sa më shumë e që atij t’i bëjë sa më shumë përshtypje duhet të shtriremi sikur na zihet fryma.
Ju e kuptoni që kjo që po synojmë ne është thjeshtë një lojë. Po ama një lojë me shumë rrezik. Po qe se do ta pikasë, megjithëse s’më duket aq i quat sa t’i shkojë ndërment se mund të tallemi. Sidoqoftë duhet të jemi shumë të kujdesshëm, se ndryshe do të jetë ai që do na djegë.
Mua po e po, por ama edhe ju s’do shpëtoni pa lagur. “Ja – do thotë – armiku depërtoi me dinakëri, na mashtroi edhe njerzit tanë në kooperativat socialiste. Armikut i dhëmbin sytë kur sheh përparimet që bën vendi ynë socialist në të gjitha fushat. Të hapim sytë e të jemi vigjilentshëm. Mos t’i lejojmë që njerzit tanë të bien viktimë e lojës së tyre të ndyrë!”. E të tjera brroçkulla si këto. Sepse përgjegjësi ynë mezi pret kësi rastesh që të palosë “oratorinë” e vet që edhe juve t’ua nxijë biografinë, se unë, dihet t blozë e kam.
Pasi heshtëm pak i pyeta: A keni luajtur ndonjëherë teatër në atë kooperativën tuaj?
Garipi që ish më shakaxhi u përgjigj menjëherë: “Po qysh, kur ishnjim që ishnjim të vegjël në fillore unë kam lojtur dy herë. Po qysh durtrokisnin! Ishte për të çuditër…”.
Edhe kjo që po bëjmë sot ne të tre është një lloj teatri, sa më mirë ta luajmë pjesën, sa më të vërtetë të jemi, aq më shumë sukses do kemi. Kur Rrapi të jetë afruar pranë, ne duhet të zihemi me të vërtetë. Bile ndonjëri nga ne, bën vaki të hajë edhe ndonjë grusht a dackë të vërtetë që të na dhembë sado pak. Po ne do t’ia bëjmë hallall njëri tjetrit, sepse kjo i jep vërtetësi zënkës, që përgjegjësi për asnjë çast mos të dyshojë se në këtë mes po luhet një lojë. Ndërkohë Rrapi, hypur mbi kalë qe nisur drejt nesh.
I lamë llafet e u pozicionuam ashtu siç kishim biseduar më parë. Unë në mes, ata të dy anash. Filluam të shtyjmë njëri tjetrin sa për nxehje. Duke u bërë pjesë e vërtetë e lojës në një çast unë e shtyva aqë fort Dalipin saqë ai vërtetë u rrëzua, pasi ish penguar edhe në një shkurre, pantallonat i ishin ngjyrosur me pluhur dhe duket se ishte vrarë pak në gjunjë. Isha kthyer nga Garipi dhe për një fraksion sekonde pashë përgjegjësin që ish afruar aq shumë, gjë që nuk ishte aspak argëtuese, se duhej vepruar me shpejtësi. Me pëllëmbën e dorës ia ngjesh Garipit mu në çaçkë të kokës me dorën e djathtë, ndërsa me të majtën, aq sa më hante dora, i bie në gjoks. Ndërkohë Dalipi ishte ngritur e dukej sikur vërtetë, nga që ishte vrarë po më vërsulej me inat. Me shpejtësinë e shkathtësinë e një atleti ia vesh me një grusht në brinjë. Ndërsa mbante brinjët me dorë, iu ktheva Garipit, e mbërtheva për fyti sikur do ta mbysja në vend, duke i këlthitur me zë të lartë; “do të të marr shpirtin, do të të mbys në vend! Ndërsa ai me lëvizje të shpejta bënte sikur desh të mi hiqte duart nga fyti dhe për çudinë time, tamam si në teatër gulçonte sikur t’i kish mbetur fryma në grykë. Ndërsa i drejtohesha Dalipit me gisht duke e sharë e kërcënuar, përsëri me zë të lartë, se do ti asgjesoja të dy, ndërsa një dorë e mbaja në fytin e Garipit duke shqiptuar, ndoshta gjënë më qesharake se me që ishin dy edhe mund të më rrihnin, bile të më merrnin edhe jetën por ama ujin jo!
Me të parë përgjegjësin që ia behu mu aty pranë, mbetëm si të ngrirë.
Ai pa i zbritur kalit na pyeti gjithë solemnitet: Ç’bëhet këtu! Unë si regjia e kësaj loje që për ne ishte thjeshtë një komedi ndërsa për përgjegjësin një dramë, po shtiresha sikur me zor po nxirrja fjalët nga goja, pasi gulçima po ma merrte frymën. Po ja… shoku përgjegjës, këta… shokët e kooperativës i dinë rregullat e lojës. Në vend që të më lenë ujin që më takon me ligj çkanë bërë? Janë ngritur herët në mëngjes kanë mbyllur portën time që mos të kalojë as edhe një meter ujë në sekondë e kanë hapur portat e veta që i gjithë uji të shkojë në parcelat e tyre. Në vend që ta kërkojnë para ata kthehen pas dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat zënë ujin tim. Në fakt puna nuk do të kishte arritur deri këtu sikur ata të mos ngulnin këmbë si mushka. Unë hap portën ata mbylle, unë hap ata mbyll. Dhe kjo mesele vazhdoi për një gjysëm ore. Atëherë shoku përgjegjës, unë, duke mos pasur asnjë zgjidhje tjetër, humba durimin. Nuk kishte kohë për të ardhur deri në sektor e për t’u ankuar sepse, ju e dini më mirë se ne në ç’gjendje të mjeruar janë bimët në atë parcelë. Siç e keni thënë vazhdimisht dhe është shumë me vend – pohova me plot hipokrizi – se bimët janë si fëmija që, po nuk i dhe të pijë vdes. Duke pasur parasyshë këtë, dhe gjendjen e bimëve në parcelë, në nxehje e sipër ua bëra të kjartë edhe këtyre shokëve dhe isha gati të lija edhe jetën aty, vetëm e vetëm që uji të shkonte sa më shpejt në parcelë e shpresën që t’iu ndihmonte sado pak që të merrnin veten. Shkurtimisht kjo ishte e gjitha. Unë isha në të drejtën time e po zbatoja direktivat e Partisë, ndërsa… përgjegjësi, i cili gjatë gjithë kohës që flisja, edhe pse vështronte si me dyshim, pohonte  me kokë, më ndërpreu dhe iu drejtua atyre duke iu mbajtur një leksion morali që edhe tani që më kujtohet shumë sentenca, them se me të vërtetë ia vlen të shkruhet një tregim më vete. Sidoqoftë kur pa që ata të dy po rrinin si pula të lagura ai edhe i kërcënoi. Kur u largua i paralajmëroi që do t’i padiste në gjyq, e u largua me shpejtësi si të ishte në kohë lufte.
Të nesërmen ishte e hënë. Na njoftuan për mbledhje. Në presidium prehej e gjithë paria e sektorit. Përgjegjësi që erdhi disi me vonesë, gjë që tregonte se i jepte një rëndësi të veçantë vetes. Vendin e kish të rezervuar në mes. Pasi çuçuriti diçka vesh më vesh me agronomin dhe sekretarin e partisë u ngrit, përshëndeti dhe pasi bëri një pauzë të vogël e ia nisi. Duke hedhur vështrimin në sallën e heshtur ku s’pipëtinte as miza vuri re që puntorët ishin të rraskapitur. “Nuk do t’ju mbaj gjatë – tha – se e di që jeni të lodhur e nesër përsëri do të çoheni herët” Pasi bëri bilancin e muajit të kaluar e foli për të metat e mangësitë e si duhej të punonim që t’i tejkalonim, duke vënë në zbatim direktivat e Partisë e të shtetit ai papritur u ndal te një çështje që siç tha e kish parë me sytë e tij e e kish përjetuar vetë. Tregoi nga fillimi deri në fund se si më kish thirrur të shtunën në darkë, se si kisha shkuar në punë pa i kundërshtuar, si kisha luftuar për të siguruar ujin etj. Ai ishte kaq i frymëzuar nga ajo që kishte parë, saqë atë natë iu ngjirr edhe zëri duke bërtitur: Shokë! Ajo që kam parë e përjetuar unë është e pabesueshme. Është tronditëse shokë, po po tronditëse e frymëzuese në të njëjtën kohë. pasi tregoi fill e për pe ngjarjen deri kur arriti në vend, filloi të çirrej me të madhe: Ja, aty në atë… përleshej si në një betejë, po, po betejë! Mos u habisni shokë! Ishte një luftë e pabarabartë dy me një. Po, po – thërriste – dy me një! Atje, i vetëm, ku s’shihje këmbë njeriu për be, se ishte ditë pushimi. E shihja e s’po më besohej! S’po u besoja syve të mi, kur vura re se njërin prej tyre e plandosi në tokë, po duket nga marazi ai e mori veten shpejt e u çua duke iu vërsulur tamam si bishë, kur pa pritur kthehet me shpejtësi e pa i dhënë kohë i jep një brinjëve. Kur ai mbante brinjët me dorë, pa humbur asnjë sekondë, ngriti dorën lart dhe me pëllëmbë të dorës i mëshoi tjetrit në tepe të kokës ndërsa me të majtën e goditi anash. Fill pas kësaj vura re që i kish rrasur duart në fyt dhe po i shqyente gurmazin. Në çast, vetëtimthi më kalonin në mendje një mori pyetjesh. Ku e gjente atë forcë që të përballej me dy veta njëkohësisht? Përgjegja qe e thjeshtë; ai kishte me vete të drejtën! Po, po, ai zbatonte direktivat e Partisë! Me siguri ka shumë prej jush që akoma nuk e dinë se për kë bëhet fjalë. Çohu, ma bëri me dorë!” U ngrita si me zor pasi, duket, isha bërë si spec i kuq në fytyrë duke i shtrënguar dorën Ahmet Kolgjinit me të cilin bënim gjithmonë shaka, sikur t’i kërkoja ndihmë se isha në pozitë të vështirë. E gjithë salla i kish drejtuar sytë nga unë!
“Qy, qya, ish hero! Po po shokë qya isht hero! Partia i vlerëson njerëzit si qy. E shikoni ktë? Partia da fusë në Bashkimet Profesionale. Mos u çudisni! Ajo na nji krah të hedh me tjetrin të pret… Partia, Dines, këtij njeriu që ishte gati të jepte edhe jetën në një luftë dhëmb për dhëmbë për të çuar në vend direktivat e partisë, do t’i japë vlerësimet që meriton dhe i uron suksese të mëtejshme.
Suksese të gjithëve, natën e mirë!

Dine Dine, Ahmet Kolgjini dhe Sokol Mirakames shokëve te kampit (Naim Staravecka, Sazan Dine, Evgjen Merlika, Dine Dine, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomor Dosti, Ahmet Kola, Sokol Miraka)
Dine Dine, mes shokëve te kampit (Naim Staravecka, Sazan Dine, Evgjen Merlika, Dine Dine, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomor Dosti, Ahmet Kola, Sokol Miraka)

Epilog…
Për kët histori u fol gjatë… Po unë në radhë të parë dua t’i falenderoj ata dy kooperativistet e Ngurrzës, emrat e të cilëve, e përsëris, për fat të keq, s’i mbajt mend…
Atë ditë mbasi përgjegjësi me kalin e tij u zhdukën, ne e shijuam gjithë lezet një drekë të rrallë. Mbaj mend, që pasi hodhëm ca gota raki, dhe u bëmë disi në qejf, krijuam aq shumë humor, dhe humor me zarar, dhe qeshëm aq shumë me kooperativat dhe fermat socialiste dhe drejtuesit e tyre, aq sa më rrënqethej mishi edhe kur e mendoja se subjekti i asaj bisede aq të këndshme e të rrezikshme njëherësh, mund t’i shkonte në vesh edhe Sigurimit të  shtetit. Për fat, asnjë thashethem s’u dëgjua, asnjëherë dhe kjo, thjesht falë besnikërinë së atyre dy burrave të mirë nga Ngurrza, që gjej rast edhe sot ta theksoj se ju jam shumë mirënjohës…
Gjëja e dytë që më shqetësonte shume, ishte frika që, nëse vërtet kishin udhëzime që të na afronin d.m.th. të na fusnin në B. Profesionale kjo do të shoqërohej me një ftesë për të bashkëpunuar, gjë që ma trazonte shpirtin. Mbase ishte thjesht një fazë e zbutjes së luftës së klasave, ndaj s’duhej të mërzitesha dhe aq shumë… mendoja në çaste optimizmi.
Gjate pushimeve të drekës ose kur mblidheshim me njeri tjetrin darkave, shokët e mi herë mbas here më luteshin që ta imitoja gjithë skenën nga fillimi deri në fund. E bëja me aq qejf sepse më dukej sikur shfreja dhe shprazesha. Bashkë me shokët qeshja edhe vetë. Në sytë tanë ata partiakët drejtues bëheshin krejtsisht të pavlerë. Ishte njëlloj estrade klandestine, të gjithë bënim humor me atë rast.
S’mbaj mend as vitin dhe as diten kur më njoftuan se më kërkonin në Degën e Punëve të brendëshme, dhe s’besoj se s’kishin kaluar 2-3muaj nga mbledhja e famëshme e sektorit… kur u përballa me dy oficerë madhorë të Degës: N. Micin e H. Hodon, që thuhej se kishin ardhur me zbritje nga Ministria e Brendëshme Tiranë.
Biseda zgjati afro tre orë. Për ketë do të shkruaj më vonë. Pasi nuk u morëm vesh… dhe unë e refuzova haptaz rekrutimin e tyre… në fund ata ma bënë të qartë se s’kisha më asnjë rrugëdalje veç burgut.
Dhe ashtu u bë…
Refuzimi i bashkpunimit më kushtoi, vetëm 10 vite burg…

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Prenjo Imeraj
    Zoti Dine, të shkuara e të paharruara! Sidoqoftë kam qeshur me lotë se më kujtove persona interesantë të kohës sonë, të cilët e pësuan po nga partia e tyre më vonë. Ai i ndjeri H. Hodo (ishte mendoj unë R. Hodo) vdiq nga kanceri i kolonit më vonë. U pëshpërit se kishte qenë hetues për B. Ballukun dhe pas asaj duhej ta zhduknin, por pat qenë njeri i mirë, kurse N.Mici shumë negativ.
    Ju faleminderit për tregimin e bukur dhe të sinqertë, ku falenderimi për ata dy kooperativistët e thjeshtë jua shton ju nderin, pasi populli i Myzeqesë ishte fisnik. Të fala
    (marre nga muri i fb. 11 dhjetor 2013)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.