back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 17 Shkurt, 2026

Shen Nënë Angjelina Shpirti i Shenjtë Arbëror (5-6) – nga Lutfi Alia

Gazeta

Prof. Lutfi Alia 2025
Prof. Lutfi Alia 2025
Shen Nënë Angjelina Shpirti i Shenjtë Arbëror (5-6)
nga Lutfi Alia (Siena – Itali)

Një vend të veçantë në historinë e kishës ortodokse europiane dhe arbërore ka Shën Nënë Angjelina, themeluesja e shumë manastireve dhe kishave, e kanonizuar shenjëtore nga Patriakana e Kostantinopojës, e adhuruar dhe e nderuar nga besimtarët e dhjetë shteteve europiane, ku Ajo kishte shtrirë aktivitetin si kryemurgeshë. Nënë Angjelina impenjohej personalisht në takimet me besimtarët, madje si vendasit dhe pelegrinët, që vinin nga trevat e tjera, i drejtoheshin duke e quajtur Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e adhuruara Nëna e jonë, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për misionin e saj si murgeshë e krishterë, mëshirmadhe e përkushtuar në misionet shpirtërore dhe humanitare. [Momčilo Spremič, 2004. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. p. 335.4]
Në vitin 1518, në shpinën e duarve të kryemurgeshës Nënë Angjelina u shfaqën stigmat, plagë njëlloj si ato të Jezu Krishtit të kryqëzuar, shenja mistike që shprehnin vuajtjen e saj shpirtërore, dhimbjen, misterin dhe lidhjen shpirtërore me Jezu Krishtin. Shfaqja e stigmave ishte shenjë paraprake e shenjtërimit të Nënë Angjelinës, andaj murgeshat, murgjit, priftërinjtë dhe besimtarët e shumtë që e takonin e thërrisnin e Lumia, e bekuara, e shenjta Nënë Angjelina. Lajmi i shfaqjes së stigmave në shpinën e duarve të Nënë Angjelinës u përhap në të gjitha trojet ku shtrihej aktiviteti i saj fetar, çka ndikoi në shtimin e numrit të pelegrinëve që vinin ta takonin dhe të admironin stigmat në duart e saj.
Mosha, vuajtjet dhe impenjimet intensive në aktivitetet si kryemurgeshë, kishin ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të Nënë Angjelinës. Në pranverën e vitit 1520, shkoi në Manastirin Triniteti i Shenjtë në Sretenje të Vojvodinës, ku kaloi muajt e fundit të jetës, e kujdesur me devocion dhe përkushtim nga murgeshat.
Më 30 korrik 1520, e adhuruara, shumë e dashura e bekuara Nënë Angjelina arbërore ndërroi jetë, u ngjit në amshim, duke lënë pas dhimbje, lot dhe një boshllëk të madh shpitëror për mugeshat, murgjit, priftërinjt dhe për besimtarët e shumtë. Si e kishte lënë porosi, Nënë Angjelinën e varrosën në manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Sretenje. Në funeralin e Nënë Angjelinës morën pjesë një numër shumë i madh banorësh dhe besimtarësh nga treva të shumta, të cilët asistuan për t’i bërë nderimet të bekuarës Nënë Angjelina arbërore.
Në vitin 1521, lipsanet e Nënë Angjelinës i transferuan në manastirin e Krušcedol, ku i vendosën krah varrit të Stefanit, të Johanit dhe Maksimit. Në korrik të vitit 1522, Patriarkana Ekumenike e Kostantinopojës, bazuar në virtytet e krishtera, në mrekullië dedikuar Nënë Angjelinës dhe për kontributin e saj në ngritjen dhe organizimin e manastireve dhe kishave ortodokse, për adhurmin dhe nderimin nga besimtarët e shumtë, e kanonizoi shenjëtore, e shpalli Shen Nënë Angjelina.
Si për të gjithë shenjëtorët dhe për Shen Nënë Angjelinën, kisha ortodokse i dedikoi një hymn liturgjik i tipit Mineo, por me veçori, se nuk u kompozua një melodi e veçantë, por duke marrë në konsideratë kalvarin e jetës së saj dhe martorizimin si murgesha ortodokse, autor i këtij hymni ka huazuar melodinë e hymnit të Shën Teodorës, një askete e krishterë e shekullit V pas K. Ky hymnograf këndohej gjatë ceremonive
përkujtimore, liturgjive dhe meshave dedikuar Shen Nënë Angjelinës. Në hymnograf theksohet:
Ejani në Izraelin e ri,
Në të gjitha vendet dhe qytetet për rreth,
Bashkohuni në kor,
Në kujtim të nderuarës Shen Nënë Angjelina,
Ta përqafojmë me shpirt dhe me zemër varrin e saj hyjnor,
Me gëzim të marrim prej saj mirësitë e shërimit.

Për rreth 200 vite, varri me lipsanet e Shën Nënë Angjelinës në Manastirin e i Krušcedol vizitohej përditë nga mijëra pelegrinë, të cilët të ulur në gjunjë para varrit të saj, luteshin dhe i kërkonin ndihmë, për të përballuar vështirësitë e jetës. Besimtarët e shumtë, adhurimin dhe nderimin për Shën Nënë Angjelinën, e shprehin me një lutje të veçantë, kësisoj të ulur në gjunjë luteshin para varrit të saj, para ikonave, para afreskut, apo para mozaikut të saj.
Lutja e besimtarëve drejtuar të adhuruarës dhe të nderuarës Shen Nënë Angjelina: “Oh, e adhuruara dhe e nderuara Angjelina, Nëna e jonë e mirë dhe mëshirëmadhe, na ndihmo ne bijtë tuaj të pabindur. Ti o nëna e jonë e mirë, kalove jetë të vështirë në tokën tonë, por me ndihmën e Zotit, i fitove me kurajo të gjitha betejat dhe u ngjite gëzueshëm në Mbretërinë Qiellore. Shtëpia tënde, shtëpia e artë e Krishtit, është e zbukuruar me burrin tuaj Shën Stefani, me djemtë Shën Johanin dhe Shen Maksimin.
Ti kishe një zemër të madhe dhe bujare për të gjithë ata që jetonin në vështirësi. Për ne besimtarët tuaj të devotshëm ti je Nëna e jonë. Ne mëkatarët dhe mëkataret, të drejtohemi ty për të na ndihmuar.
Ti o nëna e jonë e mirë, nuk pushove të duash Qiellin, andaj na ndëshko ne mëkatarët me kamxhikun e Zotit, por mos na moho dashurinë tënde. Me dorën e drejtësisë të Zotit na ndëshko dhe me dorën tënde të dashurisë na forco e na largo nga rruga e jonë e padrejtësisë, na ndihmo e na udhëhiq në rrugën e të vërtetës dhe të mirësisë.
Ooo Nëna e mirësisë, me lutjet e tuaja Zotit, të kërkojmë të na japësh bekimin e Qiellit, t’i japësh shëndet të sëmurëve, forcë të dobëve, shpresë të dëshpëruarve, bukën e përditëshme të uriturve, fëmijëve, prindërve pa fëmijë; t’japësh shpresë ikanakëve dhe ngushëllime të gjithëve atyre, që kërkojnë diçka nga ti, na dhuro shpresa me shpirtin tënd mëshirëmdh, se për atë ne kemi nevojë.
Ne presim më shumë nga ti, o Nëna e jonë e mirë, ti thesar i Qiellit, na i pastro shpirtat tonë, na forco me udhëzimet e Zotit, që të na udhëheqin të largojmë çdo të keqe. Nëse nuk i largohemi të keqes në këtë botë, si do të mund t’i shmangim në botën tjetër? Nëse nuk pastrohemi nga të këqiat këtu, si mund të bëjmë atje lart, ku ti do të na shikosh me ato të këqia që kemi marrë nga kjo botë?
Na ndihmo të vdesim në këtë botë, ashtu si vdiqe Ti në këtë botë, duke krijuar një thesar në përjetësi.
Na ndihmo që thesaret tona të shkojnë në Qiell, kësisoj dhe zemrat tona të rrinë në Qiell dhe jo këtu ku çdo gjë po kalbet dhe çduket, ku hajduti vjedh dhe tenja me ndryshkun na gërryjnë. Ne i shpenzojmë të gjitha forcat për të krijuar një thesar në këtë botë, vetëm për një grusht dhè e kësaj toke, që nuk do ta marrim me vete, andaj presim të na ndihmosh Ti, o Nëna e të mirave tona. Nëse nëpërmjet Teje ti nusja e Qiellit, i drejton një thirrje të vogël Zotit, do të në rikthehen thesaret e shumta Qiellor, që do të na forcojnë për të ndjekur shtegun e ngushtë të shpëtimit edhe pse shumë të vdekur prisnin të kalonin nëpër atë shteg.
Është e vërtetë se shpirtrat tona janë prishur dhe mjeruar nga mëkatet, por Zoti mëshirmadh na ka drejtuar t’i kurojmë nëpërmjet pendimit. Nëpërmjet pendimeve të vërteta Zotit, ti Nëna e Jonë e Shenjtë do të rilindish në shpirtat tona. Me lotët e tua të ngrohta që derdh për ditë për ne, na ke sjellë hyjnoren në shpirtat tona dhe ne i detyrohemi më shumë Zotit dhe Ai do të na i fali mëkatet tona, por vetëm atëhere kur ne ia kërkojmë sinqerisht dhe me lotët tona.
Ki mëshirë për ne, o Nëna e jonë Angjelina, kryemurgesha e shenjtë e Krušedol, na ndihmo të shpëtojmë nga çdo e keqe, derisa një ditë, me lutjet tuaja Zotit, të mund të ngjitemi në paqe në Mbretërinë e Qiellit, aty ku të gjithë ne lavdërojmë me mirënjohje Trinitetin e Shenjtë, në emër të Atit, Birit dhe Shiprtit Shenjtë, tani dhe për herë nga shekulli në shekuj. Amin!

Manastiri Krušedol, Shën Nënë Angjelina, Shën Johani & Shën Stefani
Manastiri Krušedol, Shën Nënë Angjelina, Shën Johani & Shën Stefani

Në manastirin e Krušedol, krahas ikonës dhe mozaikëve, ështe dhe një mozaik, që prezanton Shën Nënë Angjelinën, Shën Johanin dhe Shën Stefanin.
Në vitin 1716, hordhitë barbare turke dogjën shumë kisha dhe manastire në Vojvodinë, ndër ato dhe manastirin e Krušedolit, ku shkatërruan dhe dogjën lipsanet e shenjëtorëve, të patriarkëve dhe të fisnikëve që ishin varrosur në këtë manastir dhe çka mbeti pa u djegur i morën dhe i groposën në një varr të përbashkët.
Barbarët turq dogjën dhe lipsanet e Shen Nënë Angjelinës, por murgeshat e manastirit ndërhynë mes flakëve dhe mundën të shpëtojnë vetëm dorën e majtë, e cila aktualisht ruhet në një kuti xhami e mbyllur hermetikisht, e ekspozuar përballë ikonostatit, në kishën e Shen Angjelinës në Kupin të Sremit – Vojvodinë.
Për herë të parë, dorën e majtë me stigmën në shpinën e dorës, ia prezantoi publikut shqiptar, gazetaria dinjitoze Zenepe Luka, në monografinë “Angjelina Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020”. Rreth vizitës në kishën e Shen Angjelinës, ndër të tjera Zenepe Luka shkruan: “Mbi të përulen me nderim dhe mirënjohje të thellë, të gjithë besimtarët, që vijnë nga e gjithë bota. Dhe unë u afrova pranë arkmortit, e pafuqishme për të përballuar emocionet dhe u përkula para dorës, e vendosa dorën time sipër dorës së saj e m’u duk se dora e saj lëvizi, kërkoi të dalë e të shtrëngojë dorën time, për të thënë:
Mirë se erdhët! Të fala Arbërisë! Duke puthur xhamin e ftohtë të arkmortit, më dolën nga shpirti fjalët: Na fal e shenjta Angjelinë, shpirti i shenjtë arbëror”.

Dora e majtë e Shen Nënë Angjelinës me stigmën...
Dora e majtë e Shen Nënë Angjelinës me stigmën…

Dora e majtë e Shen Nënë Angjelinës, me stigmën (shenjën) në shpinën e dorës, e ruajtur në kuti xhami. Mbi të përulen me nderim dhe mirënjohje të thellë, të gjithë besimtarët, që vijnë nga e gjithë bota.
Shen Nënë Angjelina, është modeli i përkryer i murgeshës ortodokse, e cila falë edukatës nga prindërit arbëror, virtyteve të krishtera, guximit, krenarisë, përballimit të vëshirësive të shumta gjatë gjithë jetës dhe të mrekullive të dedikuar asaj si murgeshë e përkushtuar, adhurohej dhe vazhdon të adhurohet e të nderohet nga popujt hungarezë, vllahë, austriakë, sllovakë, rumunë, sllovenë, kroatë, bosnjakë, serbë, rusë, ukrainas, italianë, francezë, grekë, nga shqiptarët e Kosovës dhe nga shqiptarët e emigruar në USA, të cilët e nderojnë, e adhurojë dhe luten të gjunjëzuar para Shenjtërisë së saj.
Krahas ikonave, afreskeve dhe mozaikëve në manastiret dhe kishat e Vojvodinës, Vllahisë, Hungarisë, Rumanisë, Rusisë, Kroacisë, Serbisë, Bosnjes etj, një afresk dedikuar Shen Nënë Angelinës ndodhet dhe në manastirin e Hillanderit në Malin Athos në Greqi. [Fresques médiévales à Chilandar, Actes du XIIe Congrès International d’Etudes Byzantines, Ochride 1961].

Manastiri e Hillanderit në Malin Athos - Greqi
Manastiri e Hillanderit në Malin Athos – Greqi

Manastiri e Hillanderit në Malin Athos në Greqi.
Ikona dhe afreske të Shen Nënë Angjelinës arbërore ndodhen dhe në manastirin e
Patriarkanë së Pejës, në manastirin e Deçanit dhe në manastirin e Graçanicës në Kosovë, e nderuar, e adhuruar nga besimtarët ortodoks shqiptar të Kosovës, ndërsa në Francë, në kishën Notre-Dame-du-Coral (Prats de Mollo La Preste), ndodhet një shtatore e Shen Nënë Angjelinës arbërore.
Ikona të Shen Nënë Angjelinës ndodhen dhe në kishën Fan Noli në Boston të SHBA, ku nderohet nga emigrantët shqiptarë si ato të besimit ortodoks dhe ato katolikë, myslimanë dhe bektashi.

Shen Nënë Angjelina
Shen Nënë Angjelina

*** 
Një vend të nderuar në historinë arbërore dhe të kishës ortodokse europiane, ka Shen Nënë Angjelina Arianiti, themeluesja e shumë manastireve dhe kishave ortodokse, e adhuruar dhe e nderuar nga besimtarët në disa shtete europiane. Jeta dhe veprimtaria e saj si murgeshë ortodokse janë si një film ku shpaloset përunjtësia e madhërishme e Shen Nënë Angjelinës, vezullon besimi në Krisht, përkushtimi në emër të Tij për t’iu shërbyer të tjerëve, atyre që kishin më shumë nevojë, atyre që ishin më të varfërit e të varfërve, iu shërbeu me devocion të përbuzërve, të braktisurve, të pastrehëve, jetimëve, të sëmurëve të cilëve iu shëronte plagët dhe vuajtjet shpirtërore. Besimtarët vendas dhe pelegrinët, që vinin nga vendet e tjera, kur e takonin për të marrë bekimet e saj i drejtoheshin Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e adhuruara Nëna e jonë, e lumja Nënë Angjelina, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për misionin e saj si murgeshë e krishterë, mëshirmadhe e përkushtuar në misionet shpirtërore dhe humanitare.
Në korrik të vitit 1522, Patriarkana e Kostantinopojës, bazuar në virtytet e krishtera, në mrekullitë dedikuar Nënë Angjelinës dhe për kontributin e saj në ngritjen dhe organizimin e manastireve dhe kishave ortodokse, për shpirtin e saj mëshirëmadhe dhe shërbimet humanitare, për adhurmin dhe nderimin nga besimtarët e shumtë, e kanonizoi shenjëtore, e shpalli Shen Nënë Angjelina, ndër shenjëtoret e rralla të kishës ortodokse e cilësuar Shen Nënë Angjelina.
Pasi u kanonizua shenjëtore, Shen Nënë Angjelina u përjetësua duke i dhënë emrin e saj disa manastireve dhe kishave në Vojvodinë, Vllahi, Serbi, Kroaci, Bosnje, Rusi etj, ashtu si dhe e prezantuar në qindra ikona, afreske dhe mozaikë në manastiret dhe kishat në shumë shtete europiane. Krahas hymnografit dedikuar Shen Nënë Angjelinës, që këndohet gjatë riteve liturgjike dhe në meshat, besimtarët e shumtë, adhurimin dhe nderimin për shenjëtoren arbërore e shprehin edhe me një lutje drejtuar Shen Nënë Angjelinës, kësisoj luten të ulur në gjunjë para varrit të saj, para ikonës, para afreskut dhe mozaikut të saj.
Ne shqiptarët kemi nderin dhe krenarinë se kemi dy shenjëtore dhe si asnjë nga shenjtoret e tjera, të dyja murgeshat arbërore janë kanonizuara Nënë e Shenjtë, kështu kisha ortodokse ka Shën Nënë Angjelinën dhe kisha katolike Shën Nënë Terezën. Ndërsa Shen Nënë Tereza u bë e njohur pas vizitës së parë në Shqipëri në gusht të vitit 1989, Shen Nënë Angjelina u njoh nga publiku shqiptar rreth 500 vite pas kanonizimit shenjëtore. Në Shqipëri, Angjelina Arianiti njihej pak, vetëm si vajza e vogël e Princit Gjergj Arianiti dhe e Maria Muzakës, por jo si shenjëtore dhe pse ishte murgeshë arbërore e kanonizuar shenjëtore që në fillim të shekullit XVI. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë e ka harruar Shën Nënë Angjelinën, madje nuk organizon aktivitete për të kremtuar ditën e shenjtërimit, në manastiret dhe në kishat ortodokse shqiptare nuk ka asnjë ikonë, afresk, apo mozaik të Shen Nënë Angjelinës arbërore, nuk ka asnjë kishë me emërin e saj, si janë në Vojvodinë, Vllahi, Kroaci, Serbi, Bosnje, Rusi etj.
Këtë vakum të memories të historiografisë shqiptare dhe të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare për Shen Nënë Angjelinën, e plotësoi përkthimi në shqip i librit “Rrëfime shpirti” i shkrimtares serbe Lilana Habjanoviç Gjuroviç, vepër kushtuar Shen Nënë Angjelinës, e përkthyer në katër gjuhë: italisht, rusisht, maqedonisht dhe shqip. Pasi lexoi këtë vepër të rrallë, gazetarja Zenepe Luka, shkruan: “Thellë në shpirt përjetova dy ndjenja të kundërta, por që bashkëjetonin me njëra tjetrën, ndjeva lumturi, por edhe dhimbje.
U ndjeva e lumtur, që kjo kolege serbe, me një mjeshtëri të rrallë, kish sjellë në gjuhën shqipe, për ta njohur bashkëkombësit tonë portretin dhe shpirtin e shenjtë të bijës së Arbërisë, Angjelina Arianitit. Ndjeva dhimbje për jetën e vështirë me shumë brenga, që kish kaluar Angjelina jonë, por falë virtyteve dhe kurajos së saj, mundi t’i përballojë vshtirësitë e jetës me dashuri dhe besim, duke shpresuar te Zoti, që i lutej jo vetëm për vete, por për të gjithë të varfërit. Bijë princi, që dashuroi dhe u martua, u bë nënë e fëmijëve me një burrë të verbër, Stefanin II Brankoviç, princin serb, i cili kurrë nuk e pa fytyrën engjëllore të saj. Zor se do të gjejmë një tjetër Angjelinë, në faqet e ndonjë libri, apo skenar filmi, si kjo bija arbërore, me virtyte kaq të larta, e bukur, e mençur, që nga shpirti i saj i shenjtë përcjell mirësi, urtësi, dashuri për Zotin dhe njerëzit e varfër. Ishin këto virtyte dhe forca hyjnore, që e ndihmuan të përballojë vuajtjet, varfërinë,
largimet sa në një vend në tjetrin për të shpëtuar veten dhe fëmijët. Mbi të gjitha Ajo mposhti dhimbjet e vdekjes të Stefanit II, të djemëve dhe të vajzave. Fundi i jetës së saj, është po aq i shenjtë: Jetoi në manastiret që themeloi vetë, veshi rrobën e murgeshës, duke u lutur e duke falur dashuri njerëzve të varfër dhe të sëmurëve, pavarësisht nga vendi apo etnia. Pena e autores Lilana i ka skalitur me mjeshtëri të lartë virtytet e krishtera të Shen Nënë Angjelinës, pastërtinë, mëshirën, durimin dhe mençurinë, dinjitetin e saj si bashkëshorte, sakrificat e nënës dhe përkushtimin me devocion në fenë ortodokse”.
Pasi u njoh me jetën dhe veprimtaritë e Shen Nënë Angjelinës, gazetaria dhe shkrimtaria dinjitoze Zenepe Luka, presidente e Shoqatës Kulturore Mbarëshqiptare “Nermin Vlora Falaski”, mori një vendim të guximshëm, vendosi të shkojë të takohet me shenjëtoren arbërore, të vizitonte manastiret dhe kishat ku ajo shërbeu me devocion, duke lënë pas një histori të pasur shenjtërie ortodokse.
Zenepe Luka, shquhej për nisma të guximëshme, mendonte dhe ideonte ngjarje, takime dhe udhëtime nga më të pamundurat dhe përherë e gjente çelësin magjik për t´i vënë në jetë, kësisoj organizoi dhe realizoi me sukses një udhëtim disa ditor, në kërkim të vendeve ku jetoi dhe kontribuoi me aktivitetet ekleziastike Shen Nënë Angjelina Arbërore.
Më 4 mars 2020, Zenepe Luka e shoqëruar me poeten Vllasova Musta, aktoren Lavdie Bisha dhe me Kristo Goçi – zv./drejtori i Institutit të Pakicave në Shqipëri, u nisën për në Serbi. Nuk ishte vizitë turistike, por një udhëtim tepër impenjativ, i shoqëruar me përgjegjësi, me dilema dhe ngarkesa emocionale dhe për faktin se ishte ekipi i parë shqiptar që vizitonte Serbinë. Ata vizituan manastire dhe kisha të themeluara nga
Shen Nënë Angjelina dhe ku ajo kishte shërbyer si murgeshë dhe në përfundim, përshtypjet e këtij turneu, Zenepe Luka i botoi në monografinë “Angjelina Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020”.
Në këtë monografi, autoria Zenepe Luka, me synim të sjellë para publikut shqiptar fakte dhe dokumenta historike për arbëroren e shquar Shën Nënë Angjelina, bashkoi publicistikën me studime historike të shumë autorëve, të dedikuara dinastisë Arianiti dhe aktiviteteve të murgeshës arbërore Shën Nënë Angjelina.
Vllasova Musta, Lavdie Bisha dhe Kristo Goçi, nuk ishin thjesht bashkudhëtarë në këtë vizitë, por dhe bashkautorë të monografisë të Zenepe Luka, me reportazhe dhe meditime, ku shprehën përshtypjet plot ndjenja dhe emocione për vizita dhe takimet e shumta me funksionarë dhe klerikë të manastireve dhe kishave ku kishte shërbyer Shën Nënë Angjelina.
Ndër të tjera, në këtë monografi Zenepe Luka thekson: “Dhe tashmë, pas 500 vitesh, ne po shkonim të gjenim gjurmët e kësaj shenjtoreje, aty ku ajo jetoi, ku ngriti manastiret, ku mbolli fjalën e mirë dhe ku la pas dritën e saj. Misioni ynë merrte rëndësi të veçantë edhe për faktin, sepse ishim shqiptarët e parë, që do të “zgjonim” nga gjumi Shenjtoren shqiptare, bijën e Arbërisë Shen Angjelina Araniti Komneni, që më 30 korrik të këtij viti ka datën e 500 vjetorit të vdekjes”.

Kristo Goçi, Zenepe Luka, Lavdie Bisha, Vllasova Musta, përballë portës të Manastirit në Krušedol.
Kristo Goçi, Zenepe Luka, Lavdie Bisha, Vllasova Musta, përballë portës të Manastirit në Krušedol.

Në monografi, autoria Zenepe Luka tregon: “Udhëtimi me makinë ishte tepër i gjatë. Herë pas here na telefononte për vendndodhjen zoti Demë Berisha, Kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve të Serbisë “Matica Albanica”, i cili edhe pse ne mbërritëm pasmesnate, po na priste dhe ishte i pari person që takuam dhe na shoqëroi hap pas hapi, në të gjithë ditëqëndrimin tonë, përherë me ne, duke na mundësuar përpikmërinë e takimeve dhe gjithë lëvizjet nëpër gjurmët e Shën Angjelinës. Kishte diçka të veçantë në praninë e tij, në dashamirësinë, në saktësinë në fjalën dhe përkujdesin ndaj gjithçkaje për të përmbushur më të mirën dhe për të prekur vendet dhe ngjarjet më pikante të lidhura me Shen Nënë Angjelinën arbërore, për të cilat ne interesoheshim. Kur je larg tokës amë, dashamirësia dhe përkujdesi i bashkëkombësit tënd, që të gjendet në një vend të huaj, merr tjetër vlerë, të bëhet më i afërt dhe provon se genetika e gjakut ka forcë, që i lulëzon edhe drurët nën savanë ngrice”.
Në vazhdim, shkrimtarja Zenepe Luka shkruan: “Për ne, ishte befasuese mikpritja dhe përzemërsia me të cilat u përballëm kudo që shkuam, në Manastirin e Krushedol dhe në manastriret dhe kishat e Vojvodinës ku kishte shërbyer Shen Nënë Angjelina, në Arkivin Shtetëror të Vojvodinës, në Bibliotekën e Bashkisë të Novi Sad, në takimin me shkrimtaren Lilana Hambjanoviq Gjuroviç, në takimin me ekipin e televizionit të Vojvodinës ku gazetaria Sonja Ljukovqan na dhuroi CD me dokumentarin dedikuar Shen Nënë Angjelinës; në Muzeun e Patrikanës Serbe në Beograd, në takimin me Ljubica Boshkoviç drejtore e turizmit e komunës Peqinci, në takimin me zotin Gavrilo Grban zv. ministër i Drejtësisë dhe marrëdhënieve kulturore e fetare në Qeverinë Serbe etj, etj. Kudo flisnin me një përkushtim gati ngazëllyes për gjithçka ruanin nëpër dosjet e tyre prej qindra vitesh dhe që kishin lidhje me fakte të plota për jetën dhe veprimtarinë e Majka Angjelinës, siç e quanin serbët. Ata ndiheshin mjaft mirë teksa na dëshmonin reliktet e ruajtura prej qindra vitesh, ndërsa ne, krahas emocioneve që përjetonim teksa njihnim së pari dëshmitë e shenjtores, njëherazi ndjenim dhe keqardhje, që për të, nuk na kish folur historiografia jonë”.
Shkrimtarja Zenepe Luka shkruan: Në këtë libër timin, shumë të vogël në raport me atë që duhet e që meriton Shenjtorja Angjelinë, përveç se përcjell emocionet e mia dhe të delegacionit të Fondacionit, që prekëm gjurmët, dorën e Shenjtores e gjithçka rreth saj në Manastirin e Krushendol, gjenden edhe materiale të tjera, fakte e foto, që publikohen për herë të parë si: kisha ortodokse Fan Noli në Boston ku janë dy ikona të Shen Nënë Angjelinës; kisha Notre-Dame-du-Coral (Prats de Mollo La Preste) në Francë, ku gjendet shtatorja e Angjelina Arianiti – Komnenit, ashtu si dhe në Itali, Austri etj, të gjitha këto i japin dritë portretit të Shenjtores shqiptare, e cila vjen në Arbërinë e saj, në ditën e 500 – vjetorit të ndarjes nga jeta, për të mbetur një meteor, që do të ndriçojë në shekujt që vijnë, duke e mbushur me krenari vendlindjen e gruas së shenjtë shqiptare”.
Vllasova Musta, në reportazhin e përfshirë në monografinë e Zenepe Luka, rrëfen: “Zenepja, presidente e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, më njoftoi se, në vijim të Projektit për të rizgjuar dhe ringjallur figurat e grave të shquara të kombit ndër shekuj, duhej që unë të përgatitesha për një udhëtim, ku veç Zenepes, do të ishte aktorja vlonjate Lavdie Bisha dhe Kristo Goçi, që mbështeste udhëtimin tonë. Do të niseshim drejt Serbisë, e do të ndaleshim në Novi Sad, në një vend ku prehej një shenjtore e rrallë, krejt e veçantë, jo vetëm për mrekullitë e saj, por për atë, që kjo ishte një shqiptare nga familje e madhe e Arbërisë.
Do të shkonim, aty ku prehej Shën Angjelina, e shpallur shenjtore pas vdekjes nga Kisha Ortodokse. Misioni ynë merrte rëndësi të veçantë edhe për faktin, sepse ishim shqiptarët e parë, që do të “zgjonim” nga gjumi Shenjtoren shqiptare, bijën e Arbërisë, Angjelina Araniti Komneni, që më 30 korrik të vitit 2020, ka 500 vjetorin e vdekjes. Mbi supet tona, rëndonte një përgjegjësi e madhe, shoqëruar me dilema edhe ngarkesa emocionale dhe nderimi, që i bënin në shekuj popujt e Vojvodinës, Vllahisë, Bosnjes, Serbisë dhe nga shumë popuj të tjerë europianë. Shen Nënë Angjelina ishte epiqendra në të gjitha bisedat, që u ndoq me interes dhe emocione, pasi të dy palët ndjeheshim krenarë për vajzën e Arbërisë, për faktin që kish shpalosur vlera të rralla si bashkëshorte, si nënë, si murgeshë e devotshme e mbi të gjitha si humaniste, që jetën ua kushtoi të varfërve, të vuajturve. Në të gjitha takimet, bashkëbiseduesit theksonin, se nusja e denjë arbërore, është modeli i gruas së shquar, që falë virtyteve, guximit dhe qëndresës gjatë gjithë jetës, vlerësohet e nderohet nga të gjithë popujt të cilëve iu shërbeu dhe populli serb lutet përpara Shenjtërisë së saj. Mes nesh vjen zonja Milena Popoviq Subiq, specialiste e arkivit që merrej me studime, që kishin në epiqendër gruan, pavarësisht se kujt kombi ju përkisnin. Në manastirin e Krušedol, në një vend të dukshëm, është një pikturë murale me stemën e familjes Brankoviç, ku janë prezantuar Stefan II Brankoviqi, Gjoni, Maksimi dhe Nënë Angjelina. Na shpjegojnë, se kjo pikturë është realizuar në vitin 1750 nga piktori ukrahinas Jovan Vasiljeviç, financuar nga tregtari Racko Jovanoviq nga Novi Sadi i Vojvodinës. Gjithashtu në ikonostasin e kishës së Manastirit të Krushedolit, ndodhet dhe ikona familjare ku shihen katër shenjëtorët
e kësaj kishe: Shen Maksimi, Shen Angjelina, Shen Gjoni dhe Shen Stefani II”.
Plot ndjenja dhe emocione janë dhe përshtypjet e aktores Lavdie Bisha: “Vizita në kishën e Shën Angjelinës, ku gjen çdo detaj dhe objekt të historisë së jetës dhe familjes së Shenjtores, ishte sa prekëse, aq edhe magjepse. Mësuam, se ne ishim shqiptarët e parë, që vinim këtu dhe teksa qëndrojmë e prekim arkëmortin, ku ndodhet dora e saj, na u duk se ajo lëvizi e sikur donte të thoshte: “Mirë se erdhët”. Qëndrimi ynë përgjat 72 orëve në këtë Manastir, na mbushi me emocione e përjetime të fuqishme, njëherësh edhe me krenari për bijën e Arbërisë, që fatkeqësisht vendlindja, nuk ja njeh vlerat dhe historinë”.
Kristo Goçi, rreth kësaj vizite shkruan: “Kudo na pritën me buzëqeshje dhe me respekt. Angjelina, nusja e tyre ishte vajza e Arbërisë dhe këtë serbët e dinin, andaj e pohonin në çdo bisedë dhe takim. Çuditërisht, paskemi qenë dy popuj miq! Ka shumë kohë që nuk jemi! Por duhet të jemi, ne emër të bashkekzistencës, dhe të historisë së përbashkët, në emër të së ardhmes!”
Zenepe Luka tregon: “Ndër çastet më emocionuese ishte vizita në Kishën e Shen Nënë Angjelina në fshatin Kupinovo, ku Pop Predrag, na mirëpriti më shumë respekte. Kjo kishë, nuk ka vetëm emrin “Shën Angjelinë”, por gjithçka aty, i përket asaj dhe familjes së despotit Brankoviç. Pika më e dhimbshme është arkëmorti, ku ndodhet dora e majtë e Shenjtores. Në shënimin mbi të lexojmë: “Në vitin 1716, kur turqit u vunë zjarrin kishave dhe manastireve, murgeshat arritën të shpëtojnë vetëm një pjesë të eshtrave të Shën Angjelinës, dorën e majtë e ruajtur në arkëmortin e vendosur në vendin më të dukshëm të kishës. Mbi të përulen me nderim dhe mirënjohje të thellë, të gjithë besimtarët dhe pelegrinët, që vijnë nga e gjithë bota”.
Në vitin 1518, në shpinën e duarve të kryemurgeshës Nënë Angjelina u shfaqën stigmat, plagë njëlloj si ato në duart e Jezu Krishtit të kryqëzuar, shenja mistike që shprehnin vuajtjet e saj, dhimbjen, misterin dhe lidhjen shpirtërore me Jezu Krishtin. Shafqia e stigmave ishte shenjë paraprake e shenjtërimit të Angjelinës arbërore, andaj murgeshat, murgjit, priftërinjtë dhe besimtarët e shumtë kur e takonin e thërrisnin e Lumia, e bekuara, e shenjta Nënë Angjelina. Lajmi i shfaqies të stigmave në shpinën e duarve të Nënë Angjelinës u përhap në të gjitha trojet ku shtrihej aktiviteti i saj fetar, çka ndikoi në shtimin e numrit të pelegrinëve që vinin ta takonin dhe të admironin stigmat në duart e saj.
Në vitin 1716, hordhitë barbare turke vranë shumë klerikë, dogjën kisha dhe manastire në Vojvodinë, ndër ato dhe manastirin e Krušedolit, ku shkatërruan dhe dogjën lipsanet e shenjtorëve, të patriarkëve dhe të fisnikëve që ishin varrosur në këtë manastir dhe çka mbeti pa u djegur, i morën dhe i groposën në një varr të përbashkët. Barbarët turq dogjën dhe lipsanet e Shen Nënë Angjelinës, por murgeshat e manastirit ndërhynë mes flakëve dhe mundën të shpëtojnë vetëm dorën e majtë, e cila aktualisht ruhet në një kuti xhami e mbyllur hermetikisht, e ekspozuar në kishën e Shen Angjelinës në Kupinova të Sremit – Vojvodinë.

Lavdie Bisha, Kristo Goçi, Vllasova Musta dhe Zenepe Luka
Lavdie Bisha, Kristo Goçi, Vllasova Musta dhe Zenepe Luka

Lavdie Bisha, Kristo Goçi, Vllasova Musta dhe Zenepe Luka, ne kishën Shen Nënë Angjelinës, para kutisë me xham, ku ruhet dora e majtë e Shen Nënë Angjelinës Arbërore.
Dora e majtë e Shen Nënë Angjelinës, me stigmën (shenjën) në shpinën e dorës, e ruajtur në kuti xhami.
Për herë të parë, fotografinë e dorës së majtë të Shen Nënë Angjelinës me stigmën në shpinën e dorës, ia prezantoi publikut shqiptar, gazetarja Zenepe Luka, në monografinë “Angjelina Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020”.
Rreth vizitës në kishën e Shen Angjelinës, ndër të tjera Zenepe Luka shkruan: “Mbi të përulen me nderim dhe mirënjohje të thellë, të gjithë besimtarët, që vijnë nga e gjithë bota. Dhe unë u afrova pranë arkëmortit, e pafuqishme për të përballuar emocionet dhe u përkula para dorës, e vendosa dorën time sipër dorës së saj e m’u duk se dora e saj lëvizi, kërkoi të dalë e të shtrëngojë dorën time, për të thënë: Mirë se erdhët! Të fala Arbërisë! Duke puthur xhamin e ftohtë të arkëmortit, më dolën nga shpirti fjalët: Na fal e shenjta Angjelinë, shpirti i shenjtë arbëror”.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.