
Personazhë te Dostojevskit në Shqipëri
1. Shtylla e Turpit – nga Mitro Çela
Viti 1972.
Gazetar në “ZP”. Shkova për kafe tek hotel “Arbëria” – sot ministria e Drejtësisë.
Në një tavolinë ishin ulur Dritëro Agolli dhe Vangjush Gambeta.
-Hajde Mitro! – tha Vangjushi. Shefi im dhe zëvendës kryeredaktor, -Po flasim për letërsinë sovjetike.
Të dy kishin qenë studentë në Bashkimin Sovjetik.
-Mitro! Di rusisht? – Më pyeti Dritëroi.
-Pak. – i thashë
-Duhet të lexosh Dostojevskin. Por ai është skëterrë në përkthim. Shijohet vetëm në rusisht.
-Kur ishte 24 vjeç botoi romanin e parë: “Njerëz të varfër”, – nisi të tregojë Dritëroi, – E lexuan dy kritikë të letërsisë. Herët në mëngjes i trokitën në derë. U tromaks djali. I thanë:
-Ke bërë një kryevepër!
U duk sikur fati i trokiti në derë. Erdhi lavdia! I riu-shkrimtar- “përqafoi” Rusinë.
-Kaluan 6 muaj, – vazhdoi Dritëroi, -Mesnatë. Kërcet dera. “Ndonjë gazetar?! – mendoi shkrimtari.” Dhe hapi derën. Një tufë me xhandarë?!
-Je i arrestuar!
-Pse!
-…
Rreth një vit në një kështjellë-burg. Pse? Kishte bërë biseda mes miqsh kundra Carit! Një mik e spiunoi…
-Gjyq. Vendimi: Pushkatim?!
Pas disa ditësh e nxorën nga kështjella. E çuan në një shesh. E veshën me një dolloma të bardhë. E lidhën në Shtyllën e Turpit. Ia lidhëm sytë. Iu lexua vendimi. Ranë tamburët…!
-Në pritje të plumbit, u dëgjua zëri i oficerit:
-Toga Ndal! Cari e kishte kthyer vendimin: Nga pushkatim, në 10 vjet në Siberi.
-Nuk di! – tha Vangjushi, – Herë pas here shoh të njejtën ëndërr. Mesnatë. Troket dikush në derë. Hap derën! Një burrë më thotë rusisht:
-Ke bërë krim! Në emër të popullit je i arrestuar!!
-Leri ëndrrat, se e tromakse Mitron!-Tha Dritëroi, – Çohu! Se e zgjatëm.
Shënim
Viti 1973.
Mesnatë. Një makinë para shtëpisë së Vangjush Gambetës. Internim në Burrel.
Po më tej?
Divorc-formal?! Gruaja me djalin, Artanin, në Tiranë. E la djalin çilimi, kur u kthye në Tiranë, e gjeti burrë!
Pse kjo skëterrë për gazetarin elitë të ekonomisë? E kishin spiunuar miqtë?!
Marrë nga Mitro Çela, 3 shkurt 2026