back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Punishtja ku për shumë vite punuan Lek Pervizi dhe Lazër Radi – letër nga Lek Pervizi

Gazeta

Punishtja e Parullave - skicë nga Lek Pervizi
Punishtja e Parullave Pluk – skicë nga Lek Pervizi

Punishtja ku për shumë vite punuan Lek Pervizi dhe Lazër Radi

letër nga Lek Pervizi

E nderuara Ardita,
Faleminderit për fotot e Plukut që i nxora nga ai programi.
Për ish banesën e kishe paraqitur mirë me gjithë rrugën, siç ishte, por jo e shtruar. Pavarësisht se kishte shtesa e rregullime.
Ndërsa në atë punishten kam punuar një vit e pak,
sepse me hoqën nga ajo punë e me çuen në bujqësi. Ndërsa punishtja e vjetër ishte si barakë e rrethuar me llamarina, mbuluar me katrama. Aty kam punuar rreth 15 vjet. Ajo mund të quhet punishtja ime.
Po ta çoj një skicë të shpejtë që të formoni idenë, në ç’kushte punoja, e ku për ndihmës kisha Prof. Dr. Lazër Radin, që më pas e hoqën e më sollën një djalë të ri nga Pluku, që më vonë më zëvendësoj edhe mua, (në punishte e fotos) kur me çuan në bujqësi, më 1979, deri kur dola në pension më 1983.
Më bëre të kthehemi mbas në ato vite, ku jeta jonë ishte e kufizuar në punë të detyruar në kushte të këqija e të trajtuar si armiq, pavarësisht se ma kishin nevojën, sepse punën që bëja unë s’i dilte dot për zot askush, e s’e bënte dot njeri.
Edhe kur më hoqën e më çuan në bujqësi, u detyruan të më merrnin për ato punë ku s’vinte dorë askush.
Kur dola në pension, refuzova çdo lloj pune që kërkonin të më ngarkonin, deri më 1990, kur u larguam për në Belgjikë.
T’i tregova këto, për të formuar idenë lidhur me fotot që më çove.
Për konferencën do të kontaktojmë dhe t’ju njoftojmë që të merremi vesh për organizimin të saj.
Gjithë të mirat,
Leka
.
P.s. Ja dhe skica e shpejtë e punishtes së vërtetë me kondita primitive. Kjo ishte ajo punishtja e parullave, ku unë kam punuar për rreth 15 vjet. Me parë kam punuar në zdrukthtari e ofiçinë, derisa u vendos të krijohet një vend pune dhe u sajue kjo kasolle ose barakë teneqeje nga të gjitha anët.
.
Lek Pervizi: Zdrukthtar...
Lek Pervizi: Zdrukthtar…

Punishtja e Parullave, si plotësim i një skice të Lek Pervizit

nga Jozef Radi

Piktori Lek Pervizi, krahas punëve të shumta artistike është një kujtesë e gjallë e kalvarit të diktaturës. Para pak ditësh, edhe pse mbi të 90-at, ai ka sjell një skicë të punuar me stilolaps të Punishtes së Parullave, në Plug të Lushnjës, ku si ndihmës i tij punonte Dr. Lazër Radi. Duke qënë se për disa vite, (1968-’71) gjatë muajve të verës si fëmijë, me merrte im atë me vete, kështu që jo vetëm mësoja të punojë, po ndodhte që të më fusnin edhe në punë për disa ditë e “më shpërblenin” aq sa të blerja librat e dhe fletroret e shkollës, ndonjë libër jashtë shkollë, ndonjë palë pantallona e ndonjë triko… duke ua lehtësuar ca barrën prindërve për dy fëmijët e tjerë.
Duke qenë se për disa vite kam punuar aty, e quaj si plotësim të asaj skice të jap edhe kujtimet e mia…
Punishtja e Parullave ishte në të dalë të Plugut nga veriu dhe kishte afër ca koçekë misri, një pulari e më tej ishin stallat e lopëve. Ndërmarrja quhej Poligoni, dhe varesh nga sektori i Investimeve të Fermës së “29 Nëntori”. Aty bëheshin tuba kanalesh të disa përmasave, blloqe betoni trarë dhe soleta betoni, parafabrikatë për magazina, skara hekuri, të cilat më pas përdoreshin në gjithë ndërmarrjen “29 Nëntori”, e cila kishte 12 sektorë. Quheshin sektorë ferme po në të vërtetë ishin kampe internimi, mbasi më shumë se gjysma kishin ardhur si të tillë… Lek Pervizi ishte një i internuar, ai ishte jo vetëm një parullaxhi, por piktor me vlera të jashtëzakonshme, po edhe njeri me duar të arta e tejet praktik. Ai ishte një tapicier i shkëlqyer i makinave të vogla si gaz, jeep-a dhe vetura, një mekanik me fantazi, një zdrukthtar, po edhe gdhendës i pashoq i drurit të famshme skulpturat e tij të vogla, po mbi të gjitha ishte edhe shpikës… Ai shpiku një makineri që prodhonte rrjetat romboide të cilat morën një përhapje të madhe, aq të nevojshme për rrethime. Po edhe i pompetave me frymë, që e spruconin uniform bojën e holluar nëpër kartone dhe mure… Mund të ketë edhe shpikje tjera, por unë si fëmijë, këto dyja i kam parë i kam regjistruar e kam punuar me to.
.
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Punishtja e Parullave ishte e para sapo hyjë në Poligon. Një ngrehinë rrangalle teneqeje e bëre me fuçija të ndryshkura që e rrethonin nga të gjitha anët, nga sipër e mbuluar me katrama, një lloj kartoni i bituminuar, që në krahun e diellit kishte një skarë të madhe xhami e cila shërbente si burim dritë, po edhe si një serë përvëluese gjatë verës… Në mes të kësaj stalle ishte një tavolinë e madhe pune rreth 12 me 4 metra, ku në të gjitha kishte pjesën e vet të punës punonin secili prej tre parullaxhive ku përgjegjës ishte Lek Pervizi dhe ndihmësa kishte Lazër Radi dhe një djalë të ri nga Devolli i quajtur Gëzim Lumi, që jetonte në Saravë. E gjithë pjesa rrethuese ishte me mbështëse hekuri dhe kavaleta ku ishin vendosur lloje gërma formatesh të ndryshme që shërbenin për parrullat murale të politikës, kartonë cilësish e formatesh të ndryshme, dhe një dollap i madh me dry, ku ishin bojrat, furçat, penelat, dokumentet, porositë, urdhëresat që partia sillte çdo ditë. Brigadier i poligonit po edhe i Punishtes së Parullave, ishte Lame Ranxhi, një lushnjar respektues që meriton të kujtohet. Në mes të asaj ngrehine ishte një sobë tallashi, e cila gjatë dimrit shërbente për ngrohjen e asaj gërdalle. Edhe soba ishte një shpikje, sepse punonte me tallash, pluhur sharrë që ngjishesh fort në sobë, duke vendosur dy shishe, që të merrte frymë soba. Ajo ndërtesë ishte si furrë në verë dhe si frigorifer në dimër…
Po kujtimet më të rëndësishme i kam në shtëpinë e Lekës që ishte përballë Poligonit. Aty pashë për herë të parë albume të piktorëve më të mëdhenj të botës po edhe veprat e tij artistike, pashë ato coprat e vogla të letrës me grafika nga Tepelena, nga Kuçi, nga Plugu, që atëherë edhe s’e kuptoja rëndësinë e tyre, po sot e di që ato janë thesari i një kulture që i mbijetoi tmerrit! Lek Pervizi mbetet një njeri që e kam dashur dhe vlerësuar qysh në fëmininë e hershme, dhe ndjehem tejet fattlum që besimi im i atëhershëm përputhet me lavdinë e tij të sotme, sepse mbetet ndër njerëzit që ka realizuar më dinjitet një vepër që s’mundi askush tjetër, dhe bëri atë që dëshmia e ndaj diktaturës do të mbetet e pashoqe…!
10 shtator 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.