back to top
9.5 C
Tirana
E martë, 17 Shkurt, 2026

Pse shqiptarët quhen “të majtë”, ndërkohë që vlerat e tyre nuk janë të majta – nga Përparim Gjeka

Gazeta

Absurdi shqiptar i diktaturës - Foto sa 1000 fjalë
Absurdi shqiptar i diktaturës – Foto sa 1000 fjalë
Pse shqiptarët quhen “të majtë”, ndërkohë që vlerat e tyre nuk janë të majta
nga Përparim Gjeka

Në një bisedë intelektuale me një nga personalitetet më të njohura dhe më të respektuara të zonës së vendlindjes sime, publicist prej dekadash, ish-drejtues i shoqatës “Myzeqeja”, me bindje të majta – si shumica e qarkut të Fierit – studiues dhe njohës i mirë i historisë dhe mendësisë myzeqare, ndodhi një moment domethënës. I befasuar nga përgjigjet e veta ndaj pyetjeve të mia, profesori filloi dyshimin nëse myzeqari tipik, në thelb është apo jo i majtë.
Ky episod ilustron qartë një paradoks të thellë të diskursit politik shqiptar: një shoqëri që në shumicë respekton Zotin, familjen, pronën private dhe lirinë individuale, etiketohet dhe trajtohet si “e majtë”. Ky kontrast nuk është rastësi dhe as pasqyrim i bindjeve reale ideologjike të shqiptarëve, por rezultat i historisë, manipulimit politik dhe mungesës së alternativave të vërteta.
Nëse i analizojmë me ndershmëri vlerat themelore të shqiptarit mesatar, del qartë se ato nuk përputhen me parimet klasike të së majtës. Respekti për Zotin, edhe kur nuk shoqërohet me praktikë fetare të rregullt, mbetet i rrënjosur thellë në ndërgjegjen shoqërore. Familja shihet si institucioni themelor i jetës dhe i identitetit. Prona private konsiderohet e shenjtë, ndërsa liria personale – e kuptuar si mosnënshtrim ndaj autoritetit arbitrar – është tipar historik i shqiptarit. Këto janë vlera konservatore dhe liridashëse, jo të majta në kuptimin ideologjik.
Edhe trashëgimia historike e organizimit shoqëror ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e vetëdijes politike. Në Veri të Shqipërisë, organizimi shoqëror ka qenë i ndërtuar mbi familjen, fisin dhe bajrakun; organizimi juridik mbi bazën e Kanunit; dhe organizimi ekonomik mbi pronën private familjare. Kjo ka ndikuar që edhe sot veriorët, në përgjithësi, të kenë një vetëdije politike më të djathtë.
Në Jug, përkundrazi, ka ekzistuar historikisht një shtresë e gjerë popullsie pa pronë private, ku toka ishte ose në pronësi të bejlerëve dhe familjeve të mëdha, ose tokë shtetërore ku punonin familje të tëra me mëditje. Në këtë kontekst, vetëdija e nënshtrimit ndaj të fortit dhe pritja nga autoriteti më i lartë ka qenë më e theksuar. Prandaj është e pranueshme që në Jug të ketë më shumë të majtë në botëkuptim, për shkak të lidhjes më të dobët historike me pronën dhe lirinë ekonomike, edhe pse marrëdhënia me Zotin dhe familjen mbetet po aq e fortë sa në Veri. Familja shqiptare është e shenjtë; edhe ai që voton të majtën, konkretisht Partinë Socialiste, nuk i pranon në thelb tiparet ideologjike të së majtës moderne, si promovimin e agjendave LGBT apo degjenerimin moral në tërësi.
Deformimi filloi gjatë 45 viteve të regjimit komunist, kur Shqipëria jetoi nën një sistem ekstremisht të majtë, ku çdo alternativë tjetër u demonizua dhe u shkatërrua. E djathta u kriminalizua, pronari u shpall armik, feja u ndalua dhe shteti u ngrit si autoritet absolut. Edhe pas rënies së diktaturës, elitat politike, gjuha politike dhe institucionet mbetën në thelb etatiste. Kjo krijoi një refleks kolektiv: shteti vazhdon të shihet si zgjidhje, edhe kur nuk besohet realisht në seriozitetin dhe efikasitetin e tij.
Në Shqipëri është keqkuptuar rëndë vetë nocioni i së majtës dhe i së djathtës. “E majta” shpesh barazohet me “të qenit me popullin”, ndërsa “e djathta” me “të qenit me të pasurit”. Ky është një deformim i qëllimshëm. Në traditën politike perëndimore, e djathta klasike mbron familjen, pronën private, besimin dhe kufizimin e pushtetit shtetëror, ndërsa e majta synon barazinë përmes ndërhyrjes së shtetit dhe politikave të mbrojtjes sociale. Në Shqipëri, kjo ndarje është zëvendësuar me slogane boshe dhe propagandë elektorale. Për shembull, nga cilat pasuri kombëtare kanë përfituar realisht shqiptarët si aksionerë – nga nafta, kromi, bregdeti – gjatë gati 22 viteve qeverisje të majtë?
Shqiptari është social në nevojë, si pasojë e varësisë dhe kontrollit nga shteti për shumë vite, por kjo nuk e bën ideologjikisht të majtë. Pas dekadash shkatërrimi ekonomik, varfërie dhe pasigurie, qytetari është mësuar të mjaftohet me mbështetje minimale nga shteti për të mbijetuar – një koncept që në thelb përkon me idenë e “shtetit të vogël”, të njohur në teoritë politike të së djathtës. Shqiptarët, në realitet, nuk e durojnë një shtet që t’u diktojë jetën, familjen apo pronën. Prandaj edhe mosbesimi ndaj shtetit mbetet i lartë.
Kjo gjendje ka ardhur sepse partitë politike në Shqipëri, si të majta ashtu edhe të djathta vetëm në pretendim, nuk kanë përfaqësuar kurrë ideologji të mirëfillta. Në praktikë, ato kanë funksionuar si struktura pushteti etatiste dhe klienteliste, që përdorin shtetin për kontroll dhe për pasurimin e një kaste politike-ekonomike-juridike-mediatike me tipare kriminale. Qytetari nuk ka votuar ide, por frikë, zakon ose mungesë alternative.
Përfundimi është i qartë: shqiptarët nuk janë të majtë në vlera. Ata janë të çorientuar politikisht, sepse për dekada nuk u është ofruar një projekt serioz që ta ndërtojë politikën mbi vlerat e tyre reale dhe t’i materializojë ato në praktikë: respektin për Zotin, mbrojtjen e familjes, garantimin e pronës private, kufizimin e kontrollit te shtetit dhe lirinë individuale e atë ekonomike.
Në momentin që këto vlera të artikulohen qartë dhe të përkthehen në një platformë politike të ndershme dhe kombëtare, do të kuptohet se shumica e shqiptarëve janë natyrshëm konservatorë, komunitarë dhe liridashës – jo të majtë. Vetëm atëherë politika shqiptare mund të fillojë të përfaqësojë realisht shoqërinë që pretendon se përfaqëson.
Marrë nga Muri i FB, Përparim Gjeka, 11 janar 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.