
“Siç më thotë Nënua Plakë”
Shënime kritike nga Jani Lili
Një gjë që vlen t’i jepet rëndësi në vendin tonë është se në jetën e sotme realistike autorët tonë merren më shumë me poezi, karakteri i së cilës është romantizmi. Frymëzimet e poezisë e të prozës janë të njëjta, po shqetësimet e epokës sonë kërkojnë të shfaqen jashtë masave poetike të përkufizuara.
Lyrismi, lënda e parë e poezisë, gjëndet edhe në prozë, po i brymosur në prozë, me jetën e heronjve.
Nëse poezia shfaq dhe vepron për poetin vetëm poezia individuale – proza shfaq edhe përqafon roli i saj – ndjenjat e turmës.
Veprim, skulptim i frazës, rythm i shpejtë, stil i bukur dhe mbi të gjitha, psykologji jo anormale: ja virtytet e para të prozës. Dhe me fjalën prozë këtu kuptojmë krejt prozën letrare.
Po ku duhet të caktojmë vendin e librit të zonjushës, Musine Kokalari?
Shumë nga ne i dhamë karakterin e novelës; shumë thanë se është një romancë me shumë tituj e me një hero: gruan që qëndron në kërthizë të epokës, që lëshon frymën e saj të fundit, dhe në fillim të epokës së rè që po lind.
Sipas zgjatjes dhe përdorimit të lëndës, unë i jap karakterin e kronikave të numërimit (konfesionit). Një është personi që rron edhe dëgjuesi nuk ekziston, pasi nuk lëviz.
Është lloji që krijon Anna Komnena në kohën e Mesjetës. Zonjushja Kokalari më jep ndështypjen e nxënëses, që qëndron “gatitu” përpara mësueses paraluftarake. Me pamjen e saj paraqitet përpara gruas së vjetërë jo si grua e epokës së re, po si fajtore e një krimi. Asnjë përpjekje kundërshtimi, asnjë përkrahje e ideve që beson.
I përket, pra, letërsisë ky libër apo shkencës folkloristike?

Ja një pyetje që ka rëndësinë e saj
Cila është dëshira e autores? Të shtojë edhe kjo një libër akoma në raftet e bibliotekës sonë, apo ndjen nevojën që diç të thotë? Dyshime këto që sillen nga pikëpamja letrare.
Nëqoftë se duhet të harrojmë lëndët e para të prozës letrare duke mbrojtur kështu auktoren tonë, libri i saj përmban frymëzimin e vërtetë të prozës, të një lloji proze që e krijoi shpirta e zotësisë së Hamsun-it.
Mungon dialogu (lënda e veprimit) dhe atje ku gjendet s’e ka dinamizmin dhe karakterin e jetës.. Stili i saj mjaft tërheqës edhe fraza shumë e punuarë.
Të gjitha themat e librit kanë një qëllim: vijëzatimin e epokës së shkuarë. Dhe që këtej e tutje fjalën e ka folklori. Nga kjo pikëpamje vepra merr vlerën e saj të vërtetë. Sinqeriteti shkencor, që lyp rreptësisht folklori, dhe një shkallësim i lëndës së nevojëshme. Jeta e vërtetë e Gjirokastrës e përshkruarë në një mënyrë që karakterizon shumë fotografinë.
Me niciativën e saj zonjusha Kokalari i çel rrugë të ra letërsisë sonë të varfërë, rrugën e folklorit letrar, edhe nga ana tjetër shtyn kolegët që të ndjekin udhën e saj.
Vlerë e shënuarë për histori dhe një hap i ri për studimet folkloristike.
Jani Lili, Marrë nga Gazeta Tomorri 1940