
Bretkoca dhe Akrepi
nga Artan Kafexhiu
Kur shkruaja dikur tek Shekulli… *
Vjen një moment, kur publikisht të konfirmohen gjërat, që një pjesë thjesht i ke ditur, i ke njohur nga afër, një pjesë i ke përceptuar intuitivisht, e me logjikë e bindje i ke hedhur në “letër”.
Një shkrim i hershëm i imi, botuar shumë kohë më parë në një të përditëshme të Tiranës (Shekulli). Megjithatë shkrimi mbetet gjithmone tepër aktual për me tregu fatin e Atdheut tonë, aktualisht në duart e mendjeve më ordinere, hajna e banale, njëkohësisht mendërisht të sëmura edhe ndër më kriminalet, e të dhunëshmet që ka njohur ky popull, krejt i neglizhuar nga bota.
Sigurisht “diktatorët e vegjël akrepë” janë në krye të kësaj piramide antivlerash, që po shkërmoqin pa i hyrë ferra në këmbë, një shtet të brishtë, të varfër, e të vuajtur, e tashmë krejt të përbuzur të shqiptarëve.
Fabulën e bretkocës me akrepit nuk jemi të sigurtë se nga cila kulturë e kemi trashëguar, por është shumë e vjetër, shpesh i atribohet edhe Ezopit. Siç janë të shkurtra edhe fabulat e Ezopit, unë po e ritregoj në stilin e tij.
Një ditë prej ditësh, një bretkocë dhe një akrep u takuan në buzën e një përroi. Akrepi iu lut bretkosës ta hidhte në krahun tjetër të përroit. Bretkosa dyshuese e pyet: – “A mund të të besoj që ti nuk do të më ngulësh thumbin tënd vdekjeprurës?” Akrepi e kishte pergjigjen në majë të gjuhës: – “Si mundem ta bëj diçka të tillë? Po të ishte kështu, do të mbyteshim të dy në ujë.” E kandisi bretkosën, e cila më në fund u bind ta mbarte në kurriz. Dikur në mes të përroit, bretkosa ndjeu një pickim të fortë dhe fill nisi t’i paralizoheshin gjymtyrët. Duke u fundosur me akrepin në kurriz e pyeti: – “Përse vallë?” Akrepi iu përgjigj me skërmitjen e tij cinike edhe në vdekje: – “Është vet natyra ime…” .
Herë pas here fabula është rishkruar duke u endur në labirintin e natyrës inkuizitive të arsyes njerëzore. Është stërholluar debati midis bretkosës e akrepit; si arriti akrepi të kandisë bretkosën; e njëjta orvatje rreth dialogut bretkosë-akrep në momentin e mbytjes. Mendoj se fabula e shkurtër duke moralizuar në gjuhën ezopiane të botës së kafshëve, e kryen fare mirë misionin për çka do të iluminohet në këtë shkrim.
Akrepat me natyrën e tyre të pandryshueshme gjenden në çdo kulturë, gjini, shtresë, apo rreth shoqëror, profesion, etj. Bretkosa simbolizon njeriun e zakonshëm me logjiken e tij racionale. Bretkosa, pra njeriu normal, përdor arsyetimin, rrjedhën logjike, për të kuptuar e nxjerrë racionalen në aktin vetvrasës të akrepit.
Pavarsisht, nuk do të gjendej përse-ja, arsyetimi i tij do të dështonte plotësisht. Ndërkohë, bretkosa do të mund të dallonte çdo rrenë tjetër të vogël, por kur vjen tek gënjeshtra e madhe, do të dështonte. Po përmend Adolf Hitlerin, jo për ta përdorur si etalon krahasimi, siç bëhet herë herë pa e peshuar siç duhet fjalën, por për një thenie që thuhet se është trashëguar prej tij: – “Masat e gjera bëhen më lehtë viktima të një gënjeshtre të madhe se sa të një rrene të vogël”. Ishte pikërisht ai, që për një kohë ishte në gjendje të manipulonte një komb të tërë. Logjika e Fyhrerit është e thjeshtë: kur një personi racional i shtihet në mendje se një gënjeshtër e madhe i është thënë popullsisë mbarë, e nga goja e udhëheqësit të besuar, pavarsisht arsyetimit e orvatjeve për të zbuluar n’se është e mundur diçka e tillë, zakonisht e vërteta e thenë nën zë, nuk do të besohet, duke e arsyetuar si të pamundur (Jo, si mund ta thotë diçka të tillë e të jetë gënjeshtër!).
Njerëzit me natyrën e akrepit janë fare pak, ndoshta rreth 1% të popullsisë. Sjellja e njeriut-akrep, në fjalorin mjekësor, përfshirë edhe Ëikipedia-n, përshkruhet si çregullim emocional; thelbi i natyrës të akrepit është një lloj boshllëku, varfërie emocionesh. Si mund të pikaset një individ i tillë? Megjithë konfuzionin që mund të na krijojeë dukja: inteligjenca, karizma e sharmi sipërfaqësor, natyra e vërtetë e tyre nuk vonon të shfaqet me tërë forcën e tiparet e shëmtuara. Shfaqet si nje amalgam: ku përzihet paaftësia për të dashuruar, varfëria për të shfaqur emocione, nevoja e vazhdueshme për ekzaltim, mosmbajtja e premtimit, gënjeshtra si metode pune, mashtrimi e manipulimi i të tjerëve, aftësia për të justifikuar çdo veprim, një nevojë për pushtet absolut, nevojë e vazhdueshme për të dominuar të tjerët, një mbushje tejmase (inflacioniste) me vetveten, sjellja antisociale si shprehje antihumanizmi, bjerrje vlerash e të harmonisë shoqërore, mungesë perspektive dhe imagjinate, etj.
Ndryshimi midis njeriut-akrep dhe atyre qe jemi mësuar t’i quajmë “psikopatë”, zakonisht individë që kryejnë akte kriminale, dhunime e vrasje, e që zakonisht i shohim të përfundojnë burgjeve e spitaleve psikiatrike, është se njeriu akrep di të kamuflojë sociopatinë e tij. Ai është mjeshtër i maskimit. Nën këtë maskë njerëzit-akrepë ngjajnë të funksionojnë krejt normalë; midis tyre mund të ketë turli profesionesh e vokacionesh si avokatë, akademikë, shkrimtarë, ushtarakë, inxhinjerë, artistë, doktorë, politikanë, policë, sipërmarrës biznesi e arti, etj. Çfarë përdorin ata si mjete e metoda maskimi? Profesionet e tyre, inteligjencën, rrethin familjar e shoqëror, kauzat socio-politike, ambjentaliste, e rrethanat e krijuara prej tyre, duke ngritur rreth vetes fasadën e gënjeshtërt të njeriut normal.
Po, po, mos u habisni njerëzit-akrepë jetojnë mes nesh. Megjithëse në një boshllëk emocional, ata janë tepër të vemendshëm, duke u kujdesur të mimikëzojnë, imitojnë emocionet e njeriut normal. Kur e takon fillimisht njeriu-akrep, të ngjan se ka po ato interesa e aspirata që ke edhe ti, tepër i pranueshëm. Kur ndahesh nga ai mbetesh me mbresa pozitive, përshtypje të jashtëzakonëshme. Me njeriu-akrep mund të flasësh lirshëm, ai tregohet i vemendëshem, buzëqesh vazhdimisht, tregon interes për bisedën tënde, ëndrrat, aspiratat, hallet e nevojat e tua. Nuk ka asgjë dyshuese, të çuditëshme; ai përshtatet, ulet në nivelin tënd, e përsëri, e përsëri, mbetet tepër i pranueshëm dhe i arritshëm. Por mimikëzimi i tij është thjesht kameleonik, merr ngjyrat e ambjentit. Nuk është për t’u habitur, që kur të jetë i sigurt që është vetëm, mund të ndodhë që para pasqyrës, njeriu-akrep mëson veten të imitojë aktorialisht, me atë buzëqeshjen e djallëzuar, fakirin e rradhës, e të tallet. Njeriu-akrep mund të jetë gaztor, mund të ketë në çdo moment në majë të gjuhës shakanë e batutën e rradhës.
Njerëz të tillë, jo vetëm që i ndeshim në jetën tonë të përditëshme, në grumbullime dhe evenimente sociale e profesionale, por shpesh ata diktojnë edhe vet të përditëshem tonë, jetët tona. Si pakuptuar gjendemi nën marshin e tam-tamit, muzikës së tyre. Jo rrallë, janë këta lloj njerëzish që drejtojnë jetën tonë, parasëgjithash si pushtetarë e politikanë, kryetar partishë e organizatash, etj.
Kur njerëzit-akrepë kontrollojnë politikën e një vendi, e keqja penetron në të gjitha nivelet poshtë. Politika projekton imoralitetin e vet, ndërkohë, që e moralshmja përqeshet. E keqja kamuflohet, gjithmonë prezantohet nën emrin e një kauze të drejtë. Tipari kryesor që karakterizon një vend të tillë janë trazirat shoqërore, ku viktimat janë njerëzit e thjesht. Trazirat shoqërore nuk i japin atij vendi mundësi për progres.
© Artan Kafexhiu
*Ky shkrim është shkruar duke pasur ndërmend njeriun më të përfolur këto vite nga shqiptarët në përgjithësi. Në praktikën e klinikës psikiatrike, termat “psikopat” apo “sociopat”, nuk konsiderohen terminologji e mirëfilltë mjekësore diagnostikimi.
Në manualin amerikan të sëmundjeve psiqike, – American Psychiatric Association’s Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders (DSM-5-TR), – termi ombrellë i përdorur është “Antisocial Personality Disorder (ASPD)”. E në një pjesë të mirë të rasteve, ky lloj çrregullimi mendor është i mbivendosur skizofrenisë.
Marrë nga Muri i FB, Artan Kafexhiu, 21 tetor 2026