
Një pedagog model, një studiues i përkushtuar… – Ndahet nga jeta Prof. Piro Dani
nga Kozma Gjini
Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Piro Dani, një prej personaliteteve më të shquara të arsimit, pedagogjisë dhe shkencës , i cili mbylli sytë përgjithmonë më 5 gusht 2026, në orën 16:00, në moshën 93-vjeçare.
Piroja lindi më 27 dhjetor 1933, në fshatin Bishqethëm të Lushnjës, në një familje me tradita të çmuara arsimdashëse. Ishte biri i mësuesit të njohur Aleks Dani, një figurë e respektuar e arsimit në Myzeqe, i cili, së bashku me bashkëshorten, rriti dhe edukoi me përkushtim gjashtë fëmijë: Lirinë, Antigonin, Piron, Teftën, Gencin dhe Minellën.
Arsimin fillor Piro Dani e kreu në vendlindje. 7-vjeçaren e mbaroi në shkollën “Skënder Libohova”.
Në vitin 1954, përfundoi me rezultate të shkëlqyera Shkollën Pedagogjike të Elbasanit, ndërsa në vitin 1960, u diplomua në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Bio-Kimi, duke u dalluar si një nga studentët më të mirë të brezit të tij.
Për shkak të rezultateve të shkëlqyera akademike u emërua menjëherë pedagog në Katedrën e Zoologjisë të Universitetit. Auditorët e tij mbetën të paharruar për qartësinë, thellësinë shkencore dhe pasionin me të cilin u transmetonte studentëve të Shkencave të Natyrës dhe të Fakultetit të Mjekësisë njohuritë bashkëkohore të biologjisë dhe zoologjisë.
Jeta e tij profesionale nuk ishte gjithmonë e lehtë. Botimi i librit “Këngëtarët e Kafazeve”, solli keqkuptime dhe përplasje me eprorët dhe drejtuesit e kohës. Ai nuk pranoi të hiqte dorë nga bindjet e tij shkencore dhe, me dinjitet, i tha “jo” edhe ministrit të atëhershëm të Arsimit, Kahreman Ylli. Si pasojë u largua nga universiteti dhe u “orientua” për në Institutin e Shkodrës, gjë që e refuzoi dhe parapëlqeu vendlindjen, qoftë ajo edhe me ulje në detyrë.
Në vitin 1967, u emërua kryeinspektor në Seksionin e Arsimit të Lushnjës.
Një vit më pas, në 1968, Prof. Piro Dani realizoi një nga veprat më të rëndësishme të jetës së tij që e njohim të gjithë: ngritjen e Filialit Bujqësor Universitar të Lushnjës, institucion që u bë vatër e arsimit të lartë për gjithë zonën nga ku dolën mjaft kuadro e specialistë të lartë të bujqësisë. Ai u emërua drejtor i Filialit dhe e drejtoi me kompetencë, përkushtim dhe vizion, deri në mbylljen e tij, më 1984, duke dalë më pas në pension.
Veprimtaria e tij shkencore është e pasur dhe shumëdimensionale. Ai kreu studime të rëndësishme mbi faunën e trevës së Myzeqesë, duke dhënë një kontribut të vyer në njohjen dhe dokumentimin e pasurive natyrore të kësaj zone. Ishte autor i disa teksteve mësimore për ciklin shkollor parauniversitar dhe bashkëpunëtor i rregullt i revistave: “Shkenca dhe Jeta”, “Revista Pedagogjike”, gazetës “Mësuesi”, si dhe i revistave për fëmijë “Pionieri” dhe “Fatosi”, ku përcolli artikuj interesantë e me gjuhë të thjeshtë, dashurinë për natyrën dhe dijen.
Përtej shkencëtarit dhe pedagogut të shquar, Prof. Piro Dani ishte një njeri fisnik, i urtë, i thjeshtë, korrekt dhe me integritet të lartë. Ai ishte shembull i përkushtimit ndaj dijes, i ndershmërisë intelektuale dhe i dashurisë për vendin e tij.
Në jetën familjare gjeti mbështetjen e palëkundur te bashkëshortja, farmacistja e njohur, Vasilika Bani (Bano), e cila si gjithmonë, edhe gjatë muajve të fundit të sëmundjes, i qëndroi pranë me përkujdesje të palodhur, dashuri dhe përkushtim shembullor ku çdo gjë shndriste në dhomën e të sëmurit e nuk i mungoi asgjë. Të dy me Piron rritën, edukuan e arsimuan dy djemtë: Berti, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, dhe Arianiti, mjek stomatolog, që vazhdon me dinjitet traditën e familjes. Prof. Piro Dani la pas bashkëshorten, Vasiliken, djalin Arianitin, nusen e djalit Albanën, nipin Nino, stomatolog, vëllezërit Genci e Minella, të afërmit, shokë e miqve, gjithashtu dhe një emër që do të kujtohet me respekt nga breza të tërë nxënësish, studentësh dhe kolegësh. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsim, shkencë dhe edukim, u nderua nga Ministria e Arsimit me titullin “Mësues i Merituar”, më vonë nga institucione të tjera me Medaljen e Punës, si dhe me titullin “Qytetar Nderi”, ndër shumë vlerësimeve të tjera.
Sot, Lushnja, Myzeqeja dhe mbarë arsimi shqiptar humbën një intelektual të rrallë, një pedagog model dhe një studiues të përkushtuar. Por veprat e tij, librat, studimet dhe kujtimet që la pas do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat që vijnë.
Lamtumirë, Profesor!
Emri dhe vepra juaj do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së arsimit dhe shkencës shqiptare.
(Ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet në qytet, me 6 gusht 2026, në orën 12:00)