Çfarë keni me Nartën? – nga Marieta Mërkuri (dhe 25 opinione rreth këtij shkrimi)

Gazeta

Zvërneci dhe Laguna e Nartës
Zvërneci dhe Laguna e Nartës
Çfarë keni me Nartën?
nga Marieta Mërkuri
Thirrje për ata që kanë përgjegjësinë por heshtin

Qëllimi i këtij shkrimi është që sensibilizojë
edhe njëherë organet kompetente.
Por fatkeqësisht, me gjithë premtimet e administratës
së Bashkisë dhe e Drejtorisë së Ujësjellësit,
prapëseprapë gjendja e krizës së ujit vazhdon… Autori

Më duhet t’ua them hapur.
Çfarë keni me Nartën? Pse e lini në këtë gjendje të turpshme, pa ujë, në kulmin e sezonit, në pikun e vapës. Pa ujë për muaj të tërë.
Ndërsa në qytet ngrihen e do të ngrihen kulla gjigande dhe aeroporte moderne, ju, ata që duhet të kujdeseni për njerëzit, i lini banorët e Nartës të vuajnë si në mesjetë, me bidona në dorë, duke kërkuar ujë të pijshëm ca andej e këndej, që është e drejta më elementare e çdo qenieje njerëzore.
E njoh Nartën. Është fshati i nënës sime, me familje fisnike, njerëz punëtorë, me zemër të madhe dhe shpirt artistësh. Por për dekada me radhë, sistemi i asaj kohe i trajtonte ata me përbuzje thjesht sepse flisnin greqisht dhe i quanin “filogrekë”, një epitet talljeje që u shërbente për t’i përjashtuar dhe stigmatizuar.
Kjo urrejtje sistematike ndërtoi një mur indiference që fatkeqësisht vazhdon edhe sot.
Tani, në 2026-ën, prapë i njëjti skenar.
Ju, që jeni në pozicionet e pushtetit lokal dhe qendror, ju që keni në dorë fatin e banorëve, pse heshtni?
Pse lejoni që banorët e Nartës të jenë pa ujë për muaj të tërë?
Përse nuk bëni asgjë për të zgjidhur këtë problem që është thjesht një e drejtë njerëzore?
Kjo nuk është thjesht një mungesë infrastrukture, është një turp.
Një shkelje e dinjitetit njerëzor dhe një dëshmi e indiferencës së thellë.
Ju, mund të ndërtoni aeroporte dhe kulla, por nëse nuk siguroni ujë për njerëzit, nuk po bëni asgjë më shumë sesa të fasadizoni një pamje të jashtme zhvillimi pa përmbajtje.
Nëse dikur përbuzja ndaj nartiotëve ishte një politikë shtetërore për t’i margjinalizuar, sot ajo vazhdon përmes heshtjes suaj dhe mungesës së përgjegjësisë.
Për një popull që ka qenë gjithmonë pjesë e kësaj toke, e cila punon dhe beson fort në traditat e veta, ky trajtim është një padrejtësi e pashpjegueshme.

Zgjohuni!
Narta nuk është thjesht një vend, është një histori njerëzore që meriton respekt dhe drejtësi. Është koha të dilni nga indiferenca dhe të nisni zgjidhjen e problemeve reale që po i bëjnë njerëzit të vuajnë.
Uji është jetë!
Dhe ju jeni përgjegjës për çdo pikë që mungon. Nuk ka më justifikime, nuk ka më vonesa.
Nëse duam të quhemi shoqëri e qytetëruar, fillojmë nga njerëzit më të thjeshtë. Sepse një vend nuk matet nga kullat që ndërton, por nga kujdesi për ata që kanë më shumë nevojë.
Ndaj, Bashki e Autoritete përgjegjëse!
Mos e lejoni më Nartën të vuajë në heshtje.
Uji është i tyre. Drejtësia është e tyre.
Dhe ata do të kërkojmë drejtësi deri sa ta marrin atë që u takon!


Manastiri i Zvërnecit - Vlorë
Manastiri i Zvërnecit – Vlorë
25 opinione rreth këtij shkrimi

Arben Latifaj
Banorët e nartës nuk janë çobanë por janë ata njerëz që kanë ardhur në Nartë para 400 vjetesh dhe kur kanë ardhur Narta ishte komplet e mbuluar nga uji. Ata me punen e tyre filluan të ndërtonin shpi me drunj dhe kallama mbi uji dhe me kalimin e kohës avash-avash, duke u larguar uji nga bregu, ata filluan ndërtimet e shpive dhe më pas qytetin e Nartës. Ata ngritën edhe kishën që është ende sot, kanë pasur festat më të bukura në Shqiperi kanë pasur një edukatë shëmbullore, kanë qenë njerëzit më puntorë në kohën e diktaturës, kanë qenë shumë mikpritës e të respektushëm me njerëzit nga Vlora prandaj mos e lini Nartën pa ujë, unë kam qenë dëshmitar kur dy narqiotë deshën të arratisen dhe diktatori i bëri shëmbull, i tërhoqi zvarrë me xhips nëpër nartë që t’i frikësonte të tjerët.

Lulzim Kapllani
Shume e drejtë – Narta po njësoj si ju edhe për mua meriton respekt!!!!
Meriton respekt sepse ka njerëz punëtorë, atdhedashës, nikoqirë e mikpritës! Ndër vlonjatët ajo meriton edhe respekt dhe jo nënvlerësim!!!!
Edhe pse larg Vlorës, kam njohur Narqiotë të nderuar dhe respektuar para demokracisë – Në këto kohë kam punuar prej shumë vitesh me ta dhe ndjehem me fat që puna më ka lidhur me ta!!!!!!!
Një gjë me sinqeritet ta kërkoj zonjë e nderuar: Unë jetoj në Vlorë e jo rrallë kam dëgjuar se Panajaja, Kërkova, Bestrova apo dhe Zverneci në periudha të caktuara dhe të gjata janë ndodhur pa ujë!!!!!?? Askush nuk ka diskriminuar ata apo qëllimshëm është bërë kjo gjë!!! Mos na bëni ne vëllezërit e tyrë të ndjehemi keq!!!
Nuk po kërkoj ta justifikoj problematikën!
Me respekt për ju dhe Narqiotët

Savo Bala
Narta që i jepte oksigjen Vlorës.
Prej saj dolën me dhjetra mësues, doktorë, sportistë, këngëtarë, akademikë, etj… Dëgjojeni zërin e kësaj pedagoge, bashkohuni me mendimin e saj, kudo që ndodheni mos braktisni Nartën, mos neglishoni për të ruajtur kulturën tuaj, për banorët që banojnë aty!
I mbroni me fantaizëm të drejtat tuaja e mos bini prè e politikës.
Marieta është udhërëfyese për ju e gjithë vlonjatët e ndershëm ajo herë pas herë ngre probleme jetike për Vlorën.
Punon me pasion për të nxjerë studente të devotshëm për të ardhmen e Vlorës.
Zoti ju bekoftë Marieta, familjarisht.

Qani Abazi
Një fshat aq i dëgjuar i respektuar për qytetarinë e tij për “ Pusin e Kavalonës” një objekt historie ku mbushnin ujë gratë e sidomos vajzat e bukura Narqote. Banorët e Nartës kishin një llojë qytetërimi të veçantë por të integruar në hapsirën vlonjate. Vera e Nartës ishte dhe është me nam. Narqotët djem e vajza që banonin anë e mbanë Shqipërisë kanë shkëlqyer në qytetarinë kulturën dhe harmoninë me lagjet ku banonin, Respekt për Nartën e bukur, vërtet para kullave e grataçielave shteti duhet të sigurojë elementin themelor ujin.
Qeveri ule kokën poshtë te njerëzit, jo lart te pasanikët miliarderë!

Seit Seitaj
Keni të drejtën e madhe të kërkoni korrektësi dhe mungesa e ujit është një poshtërim për çdo lloj njësie banimi apo edhe një individ i vetëm të jetë. Pushtetarët tanë meritojnë fjalë edhe më të ashpra. Ndërsa kur mundoheni të fusni Greqinë në mes të këtyre gjërave në e dijmë mirë zonjë trukun e shfryrjeve ku e kanë burimin. Asnjëherë nartiotët nuk kanë pasur probleme, se kanë përdorur atë zhargon grek mes tyre pa u futur në budallallëqet e prejardhjes apo pse e përdorin. Përkundrazi vlerat e tyre njerëzore dhe kulturale janë admiruar dhe respektuar. Narta është konsideruar Vlorë dhe njerëzit e saj vlonjatë të vërtetë në punë jetë e shoqëri. Ndërsa batutat humoristike mes fshatrash, zonash, fushe, ngjolë a mal shkëmbehen në gjithë botën.
Kërkoni përgjegjësi prej administratorëve të korruptuar por mos bëni ndasi me mungesë uji. Ju përshendes.

Eleonora Papa
Po ku je moj zonjë fisnike, apo me
mirë mbesë e Nartës, ky shkrimi juaj na jep shpresë, se mund ta hedhin syrin ta lexojnë organet kompetente të bashkisë Vlorë, që na kanë tharë
buzët me muaj të tërë, fillon që nga muaji prill mungesa e ujit deri në shtator që fillojnë shirat e vjeshtës, se mos në dimer kemi, po hajde dhe me orar, jemi lagje e Vlorës dhe jetojme si në Afrikë.
Ka më të dhimbshme t’u thuash fëmijëve mos hajdeni se s’kemi ujë!? Të kete turp bashkia Vlorë, që me vite të tëra ankesa dhe kërkesa për ujë dhe asgjë, mos i shkeltë këmba në Nartë, se po afrojnë zgjedhjet, premtime boshe nga sa kanë ardhur,
1.Ermal Dredha premtoi.
2.Bruna Mersini, premtoi
3.Vullnet Sina deputeti, keni të drejtë, keni shumë probleme, por do përpiqemi t’i zgjidhim, sidomos problemi i ujit që ështe faktori më i rëndësishëm jetik dhe asnjeri s’e mbajti fjalën, ndërkohë e gjitha Shqipëria në grevë për Nartën,
e zeza Nartë po vuan shpirtërisht për ujë dhe vetëm për ujë.
Asnjë qeveri në fuqi s’e ka ndihmuar Nartën e shkretë.
Narta ka qenë fshati më i pasur në Republikën e Shqiperisë, dhe më i përbuzuri nga rrethi i Vlorës, as bukë nuk na jepnin shitëset (çobankat fshatare), që ne prodhonim grurin dhe hanim bukë misri dhe Vloraaaa jonë e dashur, na kishin venë epitetin
grekofonët e Narës, sepse flisnim greqisht, tani u vjen mirë që emigruan femijet e tyre ne Greqi, poooo, të na rrojë. Demokracia!!!!!!! që na dha liri, dhe na bëri lesh e li,
Dhe në shtëpi, nuk na hyn më njeri,
Që u shofshit moj qeveri mavri!!!!

Mercedes Meta
Dihet: Uji është jeta
është fatkeqësi që uji mungon për banorët e Vlorës dhe zonat rreth këtij qyteti si Orikumit dhe Nartës dhe ky problem ende i pazgjidhur e turpëron bashkinë e Vlorës si dhe anëtarë të qeverisë, por më tepër vështirëson jetën e banorëve të këtyre zonave.
Mendoj se shkrimet ankesë për çeshtjet jetike duhet të shtohen (mos të bjerë daullja në veshë të shurdhët) por në asnjë mënyrë nuk mund të deformohet realiteti.
Banorët e Nartës kanë qenë pothuajse lagje e qytetit të Vlorës.
Më kujtohet kur gratë nartiote, shumë punetore, ecnin zbathur, mbanin në kokë ngarkesë, kujtoj kur shumë studentë të kësaj zone, nxënës në gjimnazin “Halim Xhelo” i ndihmonin për shumë probleme edhe ju blenin bukë gruri, më kujtohet që flisnin një greqishte të çalë që stërgjyshërit emigrantë në Greqi ua kishin lënë në trashëgimi, por nuk më kujtohet diferencimi ndaj banorëve punëtorë të Nartës.

Vasil Vido
Ky shkrim është një aktakuzë tronditëse dhe e pamëshirshme ndaj qeverisë mashtruese shqiptare, me Edi Ramën në krye. Është një dëshmi që nuk akuzon vetëm me fakte, por edhe me dhimbjen e një populli që ndien se po i tjetërsohet historia, identiteti dhe dinjiteti.
Kjo vajzë – apo grua shqiptare, nuk e di kush është – ka shkruar një pamflet për Nartën që, sipas mendimit tim, ka vlerën e një dokumenti historik. Ai duhet të ruhet me të njëjtin përkushtim me të cilin gratë e Nartës kanë ruajtur ndër shekuj uniformën e tyre të famshme, simbol të krenarisë dhe identitetit nartiot.
Jam i bindur se një ditë ky shkrim do të zërë vendin që meriton në Muzeun Historik të Nartës, muze që, herët a vonë, do të ndërtohet patjetër. Brezat që do të vijnë do ta lexojnë jo thjesht si një artikull, por si një dëshmi të kohës sonë dhe si një zë që pati guximin të mos heshtë.
Kjo grua meriton respektin më të thellë dhe një Bravo të fuqishme nga çdo banor i Nartës. Zëri i saj nuk i përket vetëm asaj; ai i përket kujtesës, së vërtetës dhe ndërgjegjes së një komuniteti të tërë.

Arta Bedini
Jam dakord që mungesa e ujit në Nartë, në Vlorë e në të gjithë Shqipërinë është një problem që nuk është i sotëm, as i djeshëm, po e mbaj mend qëkur kam qenë fëmijë. Eshtë problem struktural. Habitesh e habitem që me gjithë ujin që ishte e është në Shqipëri nuk është menduar për ta çuar tek banorët? Edhe sikur gjithe Shqiptarëve t’u bëhej thirrjen për të kontribuar falas, do të ishin të gatshëm për të ndërtuar rrjetin hidrik. Sot mendojne më shumë për të çuar ujin resorteve se sa popullit. Sot mendojne të ndërtojnë datacenter, që do volume të mëdha të ujit për t’u ftohur e ndotje të ambientit se sa t’u çohet qytetarëve. Dhe ishte në programin e qeverisë që është në fuqi ka 13 vjet! Ndërkohë që nga ndryshimet e klimës, në botë po bëhet urgjencë për ujin, qeveria jonë mendon si ta shesë, si t’ia cojë elitës e jo popullit shqiptar që e ka pasurinë e tij.
Ju jap shumë të drejtë. Unë banoj në Vlorë, afër jush. Turistët largojnë për këto gjëra jo pse shikojnë njerëz në shesh që në mënyrë paqësore, me pleq, fëmijë të vegjël i bëjnë thirrjen se duan drejtësi në mbrojtjen e pasurisë së tyre! Përsa i përket të drejtave si minoritet, mund të them se keni qenë gjithmonë të respektuar, keni folur gjuhën tuaj, traditat tuaja, banoni në zona të mrekullueshme… Di plot shqiptarë që për një fjalë kanë bërë 30 vjet burg, në izolim, në miniera, në masakrim ata dhe familjet e tyre. Sot ne shqiptarët në tokën tonë, të të parëve tanë, po kërkojmë të drejtën jo të ujit, po të ekzistencës si shtet, si truall, si identitet, si zotër të tokës sonë.

Briselda Çela
Ky është turpi më i madh për Vlorën pastaj për shtetin shqiptar,
po trumbetohet me të madhe drejt Europës një mashtrim i radhës, e si mundet një fshat, një lagje e Vlorës që e shpopulluan dhe sot po i detyrojnë të vdesin me pahir ata pak pleq që kanë ngelur në Nartë,
Ku je o Taulant o maskara?!
Ku je o Erion Brace o maskara
Ku je moj Eriona deputete
Ku je o Piro Vengu
Ku je o kryetare e bashkisë,
Ju që dilni dhe llapni me të madhe uji 24 orë! Turp të keni o maskarenj e maskaresha!

Lulo Kanaj
Në Vlorë nuk vuan vetëm Narta për uji por që nga ish Divizioni atëhere Repart ushtarak me numër të madh ushtarësh sot i banuar nga ish familje ushtarake të asaj kohe dhe shumë familje të tjera të ardhura nga vende e qytete të Shqipërisë përfshi Pusmezinin poshtë, ish ushqimorja deri Nartë, e më tej mungon uji ose vjen sa për të thënë, rreth gjysëm ore dhe me ditë të tjera mungon fare. Këtë e di mirë Bashkia, Drejtori i ujësjellësit dhe në vazhdim na përcjellin se do rregullohet kjo mungesë uji të paktën na kanë përcjellë jo më pak se këto 20 a 25 vjet.

Aleko Kutulla
E ke shumë gabim. Në sistemin komunist nga Narta kanë dalë mjekë, këngëtarë, mësues, (kam pasur dhe në gjimnaz dhe në universitet mësuese nartiote) inxhinjerë, (drejtori ndërmarrjes së ndërtimit në Vlorë ishte puro nartiot: Llazar Nasto) Nga Narta kanë dalë specialistë me nivel. Futbollistë nartiotë shumë të mirë luanin me Flamurtarin. Pra, Narta duke qenë shumë afër Vlorës ka pasur avantazh të dyfishtë, pra dhe për Vlorën dhe për Nartën) Dhe së fundit dua të them që nartiotët janë shumë punëtorë.

Enkeleida Goga Beqiraj
Kjo është çështje, problem që kërkon zgjidhje! Respekt dhe vlerësim për njerëzit që kanë forcën e guximin të flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë!
Nga ç’kam parë e dëgjuar deri më sot, në këtë vend, nëse i thua të vërtetat siç janë, nuk je dhe aq i dëshiruar.
Kjo është ajo që kanë dhe me Nartën! Nartiotët nuk pranuan si dele të bindura çfarë po iu ofrohet; shto dhe faktin që flasin edhe gjuhën greke, ndërlikohet puna pastaj pfff… këta, ata, shumë e ndërlikuar, më mirë leri pa ujë!!

Alexandër Polo Bej
Ah Narta! Vend që natyra dhe Zoti e ka bekuar, por njeriu i ka dënuar me interesat e tyre të ngushta dhe indiferencën, nuk e harroj kantinën dhe verën e shkëlqyer të Nartës në vitet para ‘90. Pse duhen shkatëruar këto vende, pse njerëzit duhet të vuajnë, për mungesa bazike sot në 2026?!

Kujtim Halimaj
Ky shkrim më duket tendencioz. Shkruan për të kaluarën komuniste kur Nartiotët atëhere ishin të privilegjuar, ku shumë prej tyre ishin komunistë me detyra të rëndësishme në Parti e Pushtet të cilët, ishin të respektuar nga shoqëria shqiptare pa i dalluar si minoritarë, ndërsa për sa i përket se s’paska ujë në Nartë më duket habi se si në një zonë fushore si Narta nuk ka ujë… Në majë të Malit banorët e fshatit Peshtan pa ndihmën e Pushtetit, kanë ujë ditë-natë pa ndërprerje me puset e ujit që kanë hapur me fondet personale. Shkoni e shikoni! Nuk jemi në socializëm një për të gjithë e të gjithë për një, zonjë e respektuar, por jemi në kapitalizëm ku njerzia të kuptojë se disa kërkesa për të jetuar njeriu i zgjidh në mënyrë personale.

Fatmir Kondo
Jo me larg se dje isha, në Nartë dhe pashë dy zonja në moshë me karroca dore ku në çdo karrocë kishte 7-8 bidona me ujë dhe po i çonin për në shtëpitë e tyre. Kjo është Europa që ne pretendojmë të shkojmë? Ky është një turp. I çoni ujin Nartës, jo sepse do të bëhet mediatikë ndërkombëtare, por nuk mundet të tolerohet që të rri një fshat i tërë pa ujë. Po të kishte ujë aty do të lulëzonte turizmi.

Arqile Mjeshtri
Eh se është kjo punë.
Sa lehtë, sa kollaj hidhemi te ca gjera që nuk qëndrojnë.
Sa për ujë nuk është Narta që vuan, ky shqetësim qëndron, por zonja në fjalë e gallavit Nartën e saj e tonën me të padrejtë si dje në socializëm edhe sot në demokraci.
I paskan parë nartiotët si filogrekë ndaj vuajnë për ujë… Eh pikë e zezë. Si nuk dinë ca njerëz të mbajnë një ekuilibër. Nejse.
Zenel Gjoleka lindi me 1805, i krishterë nga Kuçi, e kur filloi muslimanizmi shume kuçiotë gjetën strehë në Nartë.
A m’i ndan dot sot znj. Marietë.

Egtiser Langt
Narta e Kavalonës, Narta e verës, Narta e ngjalave, Narta e kripës, Narta e njerëzve punëtorë që në kohën e diktaturës çobane nuk u lejohej të blenin bukë në dyqanet e Vlorës.
Narta e izoluar, e mënjanuar dhe e bullizuar nga opinioni dhe mentaliteti anadollak lëpirës përreth.
Kur djemtë e Nartës që përpiqeshin të arratiseshin nga diktatura kriminale e Bandës Komuniste, trupat e vrarë në kufi nuk lejohej të preheshin në varrezat e fshatit për shkak të regjimit komunist gjakatar.
Narta drejt asimilimit dhe humbjes të identitetit në sajë të globalizmit majtist dhe korrupsionit të Ripjelljes neomarksiste të nipit të Xha Pilos ose djalit të Taqit, siç e njihnim ne në Tiranën e 200 mijë banorëve dikur.

Vilson Mersinllari
Akoma nuk e kini marrë vesh o njerëz që kjo është e qëllimshme, që edhe ata pak që kanë ngelur të ikin dhe hajdutët e qeverisë t’ua shesin – Osmanëve – ose të bëjnë resorte shpura e tyre.

Ilir Shëngjergji
Eshtë me regji gjithçka ndodh dhe bëhet me qëllim të realizimit të skenarit ogurzi të shpopullimit që ka filluar dekada më parë! Narta, kjo perlë e Shqipërisë jo më kot është lënë në këtë derexhe sikurse edhe shumë mrekulli natyrore të Shqipërisë, prandaj duhet të reagojmë të gjithë, për të frenuar këtë hemoragji Kombëtare, zonjë e nderuar!


Po kush është Marieta Mërkuri, kjo zonjë e vërtetë që ngre zërin kundër padrejtësive që i bëhen Nartës, e cila ka edhe ajo një pjesë nga e ëma që është nartiote. Për këtë na vjen në ndihmë enciklopedia…

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri përfaqëson një profil profesional që bashkon median, edukimin dhe qytetarinë aktive në një model të integruar përmes përvojës, pasionit dhe përkushtimit.
Me një karrierë të ndërtuar mbi bazat e etikës profesionale dhe komunikimit të vërtetë, ajo ka kontribuar në disa media kombëtare, në televizion, radio dhe shtypin e shkruar, duke mbështetur gjithmonë informimin e saktë, mendimin kritik dhe promovimin e vlerave qytetare.
Në fushën e edukimit, Marieta Mërkuri udhëheq studentët drejt një formimi modern dhe praktik, duke ligjëruar në lëndë si Komunikimi Masiv, Arti i të Folurit Publik, Edukimi Qytetar, etj. Me laboratorë kreativë, projekte ndërdisiplinore dhe mentori të vazhdueshëm, ajo synon zhvillimin e një brezi të ri profesionistësh të aftë të mendojnë lirisht dhe të veprojnë me përgjegjësi.
Formimi i saj në Filozofi, Shkencat e Komunikimit dhe Bibliotekonomi i jep thellësi dhe seriozitet qasjes së saj në çdo fushë ku angazhohet.
Puna e saj është më shumë se një profesion, është një mision për të nxitur një kulturë të dijes, të komunikimit të shëndetshëm dhe të shërbimit ndaj komunitetit. Ajo beson se media dhe edukimi mund të ndërtojnë së bashku një shoqëri më të vetëdijshme, më humane dhe më të drejtë.
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit