
Dosja Ime Sekrete…
nga Skënder Guma
Dosja Ime Sekrete e ish Sigurimit të Shtetit ende “nuk është gjendur”, ndonse para 5 vjetësh që kisha aplikuar në Autoritetin e Dosjeve, ky institucion (në përgjigjen e poshtë fotografuar), më premtonte se sapo të gjendeshin të dhëna të reja, do të më vinte në dijeni menjëherë. Unë nuk kisha aplikuar për t’u pajisur me Çertifikatën e Sigurisë për karrierë në administratën shtetërore, se kisha dalë në pension.
Por vetëm që të njihja spiunët e “mi të dashur”, të cilët patën tentuar të më bënin gropën. Absolutisht për t’u hakmarrë, vetëm që të mos pija më kafe me ta… madje t’i fshija nga miqësia apo farefisnia ime.
Se isha dhe jam 100 % i sigurt, se ish Sigurimi i Shtetit më pat hapur dosje (survejuese e përndjekëse në të gjitha format e mundshme), të paktën për 4 fakte të padiskutueshme, që janë:
I pari: tri herë, kuadro të Sigurimit apo bp të tij, ishin përpjekur të më bënin bp, spiun, jo me presione e shantazhe, por duke më premtuar e ofruar shanse për karrierë speciale në strukturat elitare të FASH, kurse në një rast tjetër edhe me joshje intime të drejtëpërdrejtë nga një femër, (N.Z.), e cila rrezikoi duke më treguar edhe pseudonimin e saj.
Në të tri rastet refuzova, veçse kostua do më fanepsej shpesh herë përgjat profesionit të oficerit.
I dyti: Për pasojë të faktit që kisha qenë në detyrën e sekretarit dhe redaktorit personal të figurës Nr. 2 të shtetit monist, në dosjen time të oficerit të ushtrisë, qysh prej v. 1982 gjer më 1990, është shënimi konstant:
” …ka qënë bp i poliagjentit dhe armikut më të egër të Partisë e të popullit…”, ndonse ai titullari nuk u anatemua fare në ushtrimin e funksionit të lartë shtetëror, që do të thotë se unë nuk mund të kisha absolutisht faje apo gabime në detyrën që kryeja.
I treti: për shkak të një korrespodence trevjeçare, me një kosovar të arratisur prej Jugosllavisë në Gjermaninë Perëndimore, për pasojë të terrorit policor ndaj kërkesave për liri e pavarësi të Kosovës në 1981, i cili kish marrë edhe statusin e azilantit politik në Landin Bavarez të Gjermanisë (kapitaliste), përveç përndjekjeve të fshehta, më 19 gusht 1989, jam marrë në pyetje nga drejtori për agjenturat e huaja në Sig. Sht. (H.H.), 4 orë gjer në mesnatë në zyrën e tij, pasi (e kisha kuptuar), dyshohesha si agjent i rekrutuar nga UDB.
I katërti: zv. shefi i Sigurimit të Divizionit (A.K), që më shoqëroi tek ai titullari i Sigurimit të Shtetit, në konfidencë, pas 90-ës, i është shprehur kolegut të tij (kushëri imi): “Skënderi për gati 10 vjet e ka patur çimkën brenda strehës së kapeles së oficerit”.
Mjaftojnë këto fakte që në institucionin përkatës të ndodhet një dosje e ish Sigurimit për mua, e cila, për shkak të kërkimit tim edhe mund të jetë asgjësuar.
Meqënëse Autoriteti i Dosjeve po kërkon kompetenca të reja (për të cilat edhe Qeveria e Kuvendi po duket se do i ndërmarrin ato nisma) për hapjen e dosjeve, unë po bëhem gati që të aplikoj për së dyti, pavarësisht që,
për “mosgjetjen e dosjes” Autoriteti më ka garantuar: “se në arkivat e tyre depozituese, unë nuk rezultoj të kem qenë bp apo i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit.” (Sikur unë s’e dija këtë gjë!!)
p.s. – Për të katër arsyet që rendita, si oficer u penalizova 13 vjet me detyrë të ulët, ndonse me tri arsime të larta;
-Në memuarin që po shkruaj, janë të gjitha detajet e ngjarjeve të mësipërme.
Marrë nga Muri i Skënder Gumës, 5 gusht 2022