back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Një intervistë nga Jozef Radi – dhe raportet e vështira me shtypin shqiptar…

Gazeta

Rrëzimi i diktatorit... 20 shkurt 1991
Rrëzimi i diktatorit… 20 shkurt 1991

Një intervistë nga Jozef Radi –

dhe raportet e vështira me shtypin shqiptar…

Zakonisht nuk jap intervista… më së shumti kam marrë intervista!
Përzgjedhja në të lexuar e shtypit shqiptar, më ka mësuar të jem i kujdesshëm…
si në të dhënë si në të marrë të fjalës së tjetrit, dhe t’u paraprij spekullimeve.
Ftesa e datës 20 shkurt, nga gazetarja e Ditës, Entela Resuli,
dhe mirësjellja e saj më ndali për pak…
Gazetën Dita e njoh që në lindje të saj
edhe drejtuesin e saj e njoh më herët se gazetën.
Megjithatë ftesa për bisedë më bëri të marr nji vendim jashtë çdo paragjykimi!
 
Jozef Radi 2015
Jozef Radi 2015
.
Nuk e di sa marrëdhenie korrekte mund mund te ketë midis nje gazetari dhe nje njeriu që ka një jete qe merret me letrat, por di të them se leximi i intervistës së sotme, më trishtoi se kishte mjaft spekullime në titull (shtypi shpesh e pranon këtë forme) po edhe në paraqitjen time. Një pjesë e tekstit ishte cunguar (pyetjet me gjithë përgjigjet) e diku ishin përgjysmuar edhe përgjigjet! Gazetares u detyrova t’ia shpreh kët pakënaqsite e mia, dhe ajo me premtoi se në online do të jetë intervista do te ishte e plotë…
Rregulli e do, që një gazetar në një intervistë, kur heq një pjesë të tekstit duhet të merret vesh me intervistuesin… Përndryshe spekullimi kapërcen çdo lloj përmase… dhe gazetarët e gazetat botojnë vetëm çka atyre u shërben për të shitur  titujt dhe për të tërhequr për kapistalli opinionin…
(Sqaroj se pjesa ngjyre manushaqe e intervistës është pjesë e munguar në gazetën e sotme Dita)
.
Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Baraka e Savres – Nji nga kampet e medha te Interrnimeve

Ish-juristi i Berishës që kaloi 31 vite në internim:

Pse PD-ja e sotme nuk ngjall shpresë

intervistoi Entela Resuli

26 vite më parë, në 20 shkurt,
në Tiranë, u rrëzua busti i Enver Hoxhës,
e bashkë më të ra sistemi i asaj kohe.
Ndër vite, atë ditë e kanë kujtuar shumë personazhe
të cilët kanë marr pjesë në atë demonstratë.
Ne kërkuam një njeri i cili përpos datës 20 shkurt t
ë në na rrëfente dhe historinë e jetës së tij deri në atë ditë.
Kontaktuam me Jozef Radin, poet, përkthyes,
nga familja e të cilit dy breza kanë kaluar në internim.
Ai ka jetuar prej 31 vitesh në kampin e internimit në Savër të Lushnjes.
Pas përfundimit të studimeve për Juridik,
ai punon për 3 vite në Presidencë, si jurist,
në kohën kur ky institucion drejtohej nga Sali Berisha.
Jeta nuk është treguar shumë bujare me të.
Në ‘97, kur ndjeju se shpresa iu vra, emigroi në Itali.
Por, si për ironi të fatit, prej pesë muajsh
ai jeton në një hotel së bashku me 28 familje të tjera.
Tërmeti që ra tetorin e kaluar i shembi atij shtëpinë…
Shteti ia mbulon të gjitha shpenzimet.
Radi nuk është njeri mediatik,
por këtë herë vendosi të flas për Dita-n
dhe të rrëfejë jetën e tij para dhe pas viteve ’90.
 
Savër 1964 - Baraka e Lazrit - Gulielm e Marie Deda, Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi
Savër 1964 – Baraka e Lazrit – Gulielm e Marie Deda,
Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi

Z. Radi, sot është data 20 shkurt, çfarë ju kujton kjo datë?

20 shkurti i 1991, mbetet për mua nji Ditë e Madhe dhe e papërsëritshme. Një ditë që historia zakonisht i krijon pak shoqe! Për të qënë më i plotë më duhet të dal nga vetja, dhe ta theksoj atë që mendon një shumicë se 20 shkurti i 1991, dëshmoi qartë se një pjesë solide e popullit shqiptar ishte në kërkim të kurajos për ta rrëzuar të Keqen Madhe, kurse një pjesë tjetër po kërkonte kuptimin e së Keqes, që të rreshtohesh kundra saj. Ishin qytetet e mëdha rrebele që po kërkonin rrëzimin e dhunës dhe simboleve të saj… Ndërkohë që krejt piramida e pushtetit dhe e diktaturës ishte duke vepruar në të kundërt të asaj që kishte zemruar masat e gjera të popullit.
 
-Sa vjeç ishit në atë kohë dhe me se merreshit?
Në atë kohë isha 34 vjeç. Ikja e vëllait të madh me dokumente në Itali, nga fundi i nëntorit të 1990, na krijoi mundësinë të vendoseshim në Tiranë. Erdhëm si banues në një shtëpi përdhese në qendër të Tiranës. Rruga “Reshit Çollaku” 118. Fillimisht aty u vendosëm vetëm unë më babanë, Lazër Radin; mbasi familja vazhdoi të banonte në Savër, në kampin e famshëm ku jetonim prej 31 vitesh. Kjo derisa arritëm të bënim dokumentet e pasaportizimit. Unë kisha punuar në fermë për 17 vite, si punëtor krahu, dhe isha pjesë e atij brezi që kishte lindur në internim po edhe ishte rritur, ishte shkolluar, ishte martuar bile edhe kishte krijuar edhe brezin e dytë të fëmijëve të lindur në internim!
Megjithatë kjo s’më kish penguar të mbaroja shkollën e mesme (aq ishte maksimumi) edhe pse me 1000 veshtersi, as të lexoja, të studioja, të shkruaja pse jo edhe të besoja se një ditë gjithçka mund të ndryshonte, ashtu siç edhe ndodhi.
 
-Si ka qenë e kaluara apo fëmijëria juaj përpara viteve ’90?
Këtu nuk do të doja të flisja vetëm për vete. Unë isha një! Ata si unë ishin shumë me mijëra. Kam njohur, jam rritur dhe kam ndarë dhimbje me qindra fëmijë të së njëjtit fat, të cilët një pjesë të mirë të jetës së tyre e jetuan pa prindët e tyre, thjesht pse shteti i ndëshkonte pikërisht këta njerëz, sapo ata kishin krijuar familjet dhe lindur fëmijët.
Unë i përkas brezit të parë të fëmijëve të lindur nëpër kampe. Shpjegoj se nga viti 1944 deri në vitin 1954, krejt familjet shqiptare të cilat komunizmi i kishte vendosur nën indeksin “armiq të popullit” humbën normalitetin e të jetuarit. Një pjesë e këtij kontingjenti emigroi, një pjesë u arratis apo rezistoi maleve deri në eliminim, shumë u pushkatuan me ligje e pa ligje, një pjesë tjetër u burgos me dënime të rënda mbi dhjetë vite, një pjesë tjetër e mbetur ajo e grave, pleqve fëmijëve u vendos në kampe masive ku fjala “familje” tashmë kishte humbur çdolloj kuptimi. Aty nga viti 1954, mbas një presioni të madh ndërkombëtar, jeta e këtyre “njerëzve të kampeve” pësoi njëfarë normaliteti. Së paku nisi të përtërihej shpresa se nëpërmjet lindjes së një brezi fëmijësh, që mund t’i quaj “Fëmijët e Kampeve” diçka mund të ndryshonte.
Këto krijesa të pafajshme që pësuan aq shumë, kurrë s’u trajtuan si duhet as nga shteti i mbas nëntëdhjetës dhe as nga shoqëria shqiptare. Krimi ndaj këtyre fëmijëve është ndër krimet më të mëdha që bëri diktatura! Për ta nuk ekziston as ndjesë dhe as kuptimi i traumws sw shkaktuar! Unë i përkas këtij brezi!
 
Cila është vuajtja më e madhe që keni përjetuar? Vuajtja nuk është kapital me të cilin njeriu mund të mburret e ta tundë si flamur sa herë i nevojitet! Për mua njeriu i dinjitetshëm i jep madhështi edhe vuajtjes! Ashtu si njeriu i paasnjidinjitet, s’i jep dot asnjë lloj vlere lumturisë së rreme.
Shumë prej vuajtjeve të mia i kam shkruar, të tjera vazhdoj t’i rrëfej shpesh me dokumente. Jo thjesht si vuajtje të miat, por si tragjedi e të një populli, që ende s’ka arritur të vendosë një raport leal me të shkuarën e tij.
Kam jetuar mbi shpinë vuajtje, por edhe krime… për të cilat nuk do të kem kurrënjëherë dëshirë të hesht.
Shpesh e kam përkrahur popullin hebre në denoncimin e së keqes së pësuar si popull, si mundem të mos e përkrah popullin tim që është aq i ngjashëm në tragjeditë e tij me popullin hebre!
 
-Pse ishte internuar familja juaj, me ç’motivacion?
Motivacionet janë të shkruara, të publikuara, të trajtuara prej meje dhe të tjerëve, qoftë me shkresa, qoftë me shkrime, qoftë me biseda, qoftë me dokumentarë.
Internimet ishin fryma e diktaturës ishin ozoni i saj, ato nuk ishin ligje të shtetit po vullnete bandash. Kujtdo, me sado pak pushtet i lindte e drejta të vinte gishtin e të internonte cilindo që ai e konsideronte “armik të partisë dhe të popullit.”
Familja ime ishte pjesë e këtij gjeneralizimi të “armikut” nga pushteti diktatorial, kështu që iu desh të paguajë në tri breza, dhe për 46 vite në vazhdimësi!
 
-Po le të kthehemi te 20 shkurt, ku ishit atë ditë dhe si e përjetuat?
Në 20 shkurt isha në Tiranë. S’kishim as dhjetë ditë që e kishim sjellë familjen nga kampi i internimit në kryeqytetin e revoltës së madhe. Ishte tronditëse! Pra, ishim të ikur nga një e keqe e madhe për t’u bërë dëshmitarë të një ëndrre të madhe.
Në orën tetë të mëngjesit, nipi i tim eti, Ferdinand Radi, së bashku me një grup artistësh të teatrit Kombëtar, i ranë derës së hekurt të oborrit, duke na ftuar mua dhe tim të shkonim në mbështetje të grevistëve të urisë në “Qytetin Studenti”. Ecëm nëpër një Tiranë nën plasdarmë terrori, por gjithkah kishim një guxim qytetar të një sfide të paparë! Aty rreth orës dhjetë nga gjitha rrugët dhe rrugicat po derdhej një lumë njerëzish të ekzaltuar, po edhe grupe të shumtë qytetarësh të emancipuar.
Në atë shesh, që kurrë s’do të mbushet si atë ditë, isha midis atij grupi ku megafoni i kaluar dorë më dorë, u ndal në dorën e grave të teatrit kombëtar, e ku thirrja e tyre që gjithë gratë e protestës në mbështetje të studentëve të shkonin drejt Televizionit dhe Presidencës, për ta dëshmuar fuqishëm zërin e grave dhe nënave, pati një jehonë të jashtëzakontë. Grumbulli i grave u vu në lëvizje drejt institucioneve. Ne vazhduam mbas tyre të penguar gjithkah nga policia. Ora ishte diku te një e gjysma dhe im atë, 75 vjeçar ndjehej i lodhur. I bishtnuam pak turmës së madhe, dhe krismave të automatikëve, për të gjetur mënyrë të çonim babanë në shtëpi! Ura e Lanës te rruga e Elbasanit qe bllokuar nga policia… Unë para im atë në mes dhe Ferdinandi nga pas e kaluam babanë nëpër tubin e madh të ujit, derisa e nxorëm në krahun tjetër. Policia praktikisht e kishte gardhuar gjithkah qendrën e Tiranës. Me vështirësi mbërritëm ta çojmë babanë në shtëpi, dhe dolëm në sheshin qendror ku turma vërsulesh drejt Statujës së Madhe të së Keqes. Për dhjetë minuta qemë pjesë e saj nga krahu i Bankës, derisa kavoja e Turmës e lëkundi e më pas rrëzoi statujën nën një brohorimë dhe ulërimë të trazuar bashkë.
 
Rrëzimi i Diktatorit Hoxha - 20 shkurt 1991
Rrëzimi i Diktatorit Hoxha – 20 shkurt 1991

-Kishit një rol të veçantë atë ditë, apo ishit një nga njerzit që dolën në shesh?

Nuk kam pasur kurrë ndonjë rol në jetën time, dhe as ndonjë dëshirë protagonizmi! Fati i madh i jetës sime është se atë ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje kam qenë gjithkund, kam parë gjithçka, kam ndjerë emocione aq të thella, që nuk i rrok dot fjala.
Kisha besuar se e keqja s’mund të ketë përjetësi. Aty mes turmës kam parë gëzime njerzish që s’përsëriten, kam ndjekur statujën që u mor zvarrë drejt qytetit studenti, kam parë studentë që vërvisnin librat e diktaturës nëpër nji qiell gri, më ka dhimbur një mimozë te ndërtesa e Grevës së Urisë, që u çvesh e gjitha prej luleve, duke u bërë dhuratë studentëve, km parë një kokë statuje që u këput nga trupi i bronxtë dhe mbrriti si trofe në muzgun e ditës më të gjatë të jetës sime…
Pjesa tjetër është kalkulim i atyre që përfitojnë nga rrethanat, përdhunojnë ëndrrat dhe vjedhin frymën e lirisë!
Ata janë njerëzit e roleve, unë e kam jetuar këtë të çlirimit nga dhuna në shumës!
 
Cilët ishin miqtë tuaj që ju shoqëronin atë ditë?Përveç Ferdinandit, njohe dhe takove njerëz të tjerë atë ditë?
Sigurisht pak si i huaj isha në kryeqytetin e asaj dite lirie. Por kjo s’ma vështirësoi aspak as harenë e fitores, as përqafjen me njerëz të panjohur, që s’kishin asnjë grimë shtirje në atë çka përjetonin. E megjithatë ishin midis shokëve të Nand Radit si Bert Ndrenikës, Milto Kutalit, Mërkur Bozgos, Ilir Bezhanit, Vangjel Toçes e plot të tjerëve..
Miqtë dhe shokët e mi, për fat të keq ishin ende kampeve dhe baltrave të Myzeqesë…
 
-Përveç asaj që shohim në televizor, si përjetohej nga ana psikologjike dhe emocionale kjo ditë? Si u përjetua ajo ditë nga ana emocionale?
Me grimca i kam shprehur krejt emocionet e mia më sipër. Po gjithnjë do të theksoj me emocioni të madh brenda vetes: Ajo ditë ishte diçka e papërsëritshme. Unë isha aty! Dhe më këtë “Unë isha aty!” më duket sikur them gjithçka!
 
-Kishit frikë për çfarë ju priste më pas?
Në familje nuk jam edukuar me ndjenjën e frikës! Me ndjenjën e respektimit të ligjit po, edhe kur është fjala për ligje të padrejta! Me kushtin që edhe në përmasën e një qytetari, mund të bësh diçka për ta kundërshtuar atë. Këtu do të rrëfej diçka të vogël për të dëshmuar jo frikën, por pasigurinë e asaj kohe. Kur lamë Barakën e Savrës, dhe do të niseshim për në Tiranë, futëm një të njohur të cilit i vumë kushtin: “…çfarëdo që mund të ndodhë, kjo banesë është e jona, dhe ti duhet të na e lirosh nëse kthehemi!” Kjo është një dëshmi e vogël e shkallës së lartë të terrorit që ushtronte diktatura, por jo e frikës sonë, sipas meje!
 
Vërtet besoni se rënia e bustit ishte meritë e disa njerëzve që e rrëzuan?
Nëse nisemi nga ideja e rrëzimit të nji statuje (apo busti) si meritë e disa njerzve, bëhemi qesharakë. Bustet janë objekte simbolike dhe praktikisht ato meritojnë një nderim të përjetshëm. Lufta me statujat është një trajtë qesharake e luftës së njeriut me vetveten. Një statujë kur ngrihet në këmbë, ka konsensus të madh, s’po them të plotë! Fakti që Shqipëria në 70 vitet e fundit ka pasur një luftë të vazhdueshme me statujat e saj, deshmon për një shoqëri që s’ka bërë paqe me veten. Ngritja e statujave me dhunë dhe rrëzimi po me dhunë i tyre, tregon asgjë më shumë se trazimin e madh që po jeton një shoqëri përmes politikave të saj vetshkatërruese.
E quaj këtë shfaqje të shëmtuar beteja e vlerave me antivlerat. Statujat nuk imponohen, statujat dëshirohen dhe si të tilla ato shenjtërohen! Statujat janë shenjtore të dashurisë, të historisë, të lirisë së një populli dhe jo të përçarjes apo përçartjes së tij!
Të mos harrojmë se në Shqipëri, lufta kundër diktaturës ka filluar si betejë kundra statujave me hije tiranie… Shkodra ishte e para në këtë beteje kundra simboleve të së Keqes. Nder atyre që me të keqen e nisën betejen me simbolet e saj të dhunës!
 
-Si ishte një ditë pas rrëzimit të bustit?
Gjithë asaj nate rrugët e Tiranës, e në veçanti rruga “Myslym Shyri” gjëmoi nga zinxhirët e tankeve! Megjithatë, për mua Dita mbas rrëzimit të statujës së Diktatorit, nisi si ditë e zakonshme. Me biçikletë, shkova të blej pak presh, pak lakra e pak turshi në Pazar të Ri, kur qielli i Tiranës gjëmoi nga breshëritë e armëve. Për pesë minuta isha te Ura e Lanës dhe e kam ndjekur nga brenda turmës atë ditë që njerëzit e sot e quajnë fatkeqësia e demokracisë shqiptare! Mosmarrjen e Bllokut me dhunë! “Atë që e fituam dje pa gjak, mos ta përgjakim sot!” – qe thirrja e megafonit që e ktheu turmën mbrapsht! Dhe sipas të gjithë atyre që e kanë jetuar atë Ditë: aty nis legjitimi i sundimit të bllokistëve të rinj!
I ka mbetur kohës ta thotë të vërtetën e saj!
 
Ju prej vitesh keni emigruar jashtë apo jo, pse e morët këtë vendim?
Ndërkohë që shumë prej bashkëvuajtësve të mi rrëzimi i statujës, i ndihmoi ta braktisin Atdheun për të fituar kohën e humbur, unë nuk u largova. E gjithë familja me vendosjen në Tiranë, iu përvesh punës për të qenë kontribuues modestë të asaj çka mund të quhet kohë e re! Im atë nisi të shkruajë e të botojë, unë nisa dhe mbarova studimet juridik, im vëlla nisi dhe mbaroi një shkollë të lartë ushtarake (sigurisht të gjithë me korrespondencë). Më pas u punësuam, jetuam, vepruam dhe i shërbyem shtetit si qytetarë të devotshëm, jo si viktima, pa asnjë ndjenjë nënshtrimi ndaj ndonjë partie. Vendimi për largim nga Shqipëria, qe mbas shumë vitesh, dhe është nga më të vështirët e jetës sime. Viti 1997, shkatërroi më së pari shpresën e gjithë atyre që kishin pësuar për 46 vite. Mjaft prej tyre të veshur me pak pushtet, ranë pre e bandave dhe krimit të organizuar! Në ditët e marsit ‘97, kur praktikisht Shteti kishte rënë, unë dhe im vëlla ishim në punë! Ajo çka kemi parë e përjetuar është një dramë më vete. Sigurisht largimi im s’ka lidhje me ndonjë frikë, kërcënim, apo vendim të marrë në gjendje terrori! Më së qarti e ndjeva dhe e kuptova se ajo çka ishte shpresë e madhe tashmë kishte marrë fund! Dhe për të mos qenë nën thundrën e një rroge, zgjidhja më e mirë ishte mërgimi! Ishte 26 maj 1997!
 
-Sot, e ndiqni aktualitetin në Shqipëri?
Unë kam ndjekur dhe vazhdoj të ndjek me vëmendje e me dhimbje gjithçka që ndodh në vendin tim!
Pjesa e dytë e pyetjes s’besoj se mund të trajtohet në një intervistë të kësaj natyre!
.
Jozef Radi 1982
Jozef Radi 1982
.
-Çfarë mendimi keni për Sali Berishën, po për Partinë Demokratike?
Edhe kjo pyetje nuk është fort komode. Së pari për Ju, sepse unë edhe mund t’i përgjigjem cekët, por mendoj se një pyetje për nji personazh kaq të rëndësishëm politikës, duhet të ndiqte hullitë e informimit mbi politikën ai që pyetet. Kështu që kalimi drejt e te një personazh i këtij formati, e zhbën pak bisedën. Megjithatë, për ta kënaqur kurreshtjen tuaj po shprehem.
-Me sa dimë, ju keni punuar në Presidencë, gjatë kohës kur Berisha ishte President në vitet 93-97, si jurist i zyrës së pritjeve dhe letrave, çmendim keni sot për Sali Berishën?
Berishën e konsideroj personazhin më të rëndësishëm i këtyre 26 viteve. Në gjithë rrugën e përshkruar politika e këtyre 26 viteve, nuk ka pikë të kësaj rrote ku të mos jetë Berisha. Nga shfaqja në shtyp në mesvitin ‘90, te pardesytë e bardha të Dhjetorit, nga rikthimi triumfues i nusërimit të dytë e deri te ulja në sheshin e protestës së 18 shkurtit, ai është aty i pranishëm fizikisht, po edhe jo vetëm fizikisht. Pra, në këtë pikë ku ndodhet sot politika shqiptare me krejt heroiken dhe tragjiken e saj është edhe vullneti i tij politik!
Kjo tregon se autoriteti i tij, por edhe fatin e përbashkët! Nëse Shqipëria është sot buzë greminës ka edhe ai gjithë përgjegjësinë e tij, e në të kundërt nëse Shqipëria është në ditët e saj më të lavdishme, edhe kjo është meritë të tij…
Mbi këtë këndvështrim secili mund të ndërtojë mendimin e vet për kohën dhe situatën që jetojmë të pavarur. Ashtu sikundër unë kam (ndërtuar) nderruar mendimin tim.
Duke qenë nëpunës për më shumë se katër vite i Berishës, sigurisht i njoh anën e punës, mënyrën e komunikimit, seriozitetin e trajtimit të problemeve, raportet interpersonale, shantazhimet e rafinuara, dhe sipas mendimit tim kjo është një përmasë e vlerave. Puna e ka dashur, që në vogëlsinë time, të kem marrëdhënie me të, e të vlerësoj edhe cilësi të tij, po edhe të kuptoj “bishën politike” që kishte aq shumë lidhje me ambiciet për pushtet që shpesh s’e stepnin as e stepin para asgjëje për të mbërritur te synimi i tij thelbësor.
Di të them se kam qenë model nëpunësi në trajtimin e problemeve që më përkisnin dhe se jam larguar prej shërbimit me një akt dorëheqje, mbasi kisha kryer gjitha detyrimet ligjore, pa përfituar asgjë prej postit ku punoja edhe pse i ardhur nga një jetë internimesh. Pra mbas katër vitesh nuk kisha as shtëpi, as pronë, as privatizime, asgjë! Sigurisht ky fakt është shenjë respekti reciprok!
 
-Po mendimi juaj për Partin Demokratike sot?
E sa për Partinë Demokratike, mund të them se në dukje është opozita shqiptare, në efekt s’e ndjej si opozitë. Këtë e shpjegoj kështu: Nuk e shoh të gjenerojë ide, as programe, as aleanca dhe as figura që mund të sjellin përmbysjen dhe perspektivat që pretendon.
Për të tjerat koha mund të flasë më mirë se unë, e t’i përmbysë gjepurat e mia…
 
-Me çfarë merreni aktualisht dhe cila është jeta juaj në Itali?
Po, shpjegoj se jetoj në Itali, dhe mbas tërmetit të 30 tetorit të 2016-ës, pra prej afro katër muajsh, jetoj në hotel, së bashku me 28 familje, prej nxjerrjes se pabanueshëm të pallatit ku jetonim. Përkohësisht jam i papunë, por jo pa punë!
 
-Z. Radi, a keni mllefe për të kaluarën tuaj?
Jam edukuar në një familje ku kultivohej kultura, dashuria, ligji, tradita, feja dhe respekti, kështu që të gjitha këto elemente ma përjashtojnë fjalën mllef. Mllef zakonisht mbledhin të pakulturuarit, të pandjeshmit, të pafetë, antiligjorët, përçmuesit e vlerave dhe ata që i përkasin paksa vulgut…
Për fat, unë kam banuar në lagje pak të epërme!
.
Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Jozef Radi – Kampi i Çermes – 1958
Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
E kujtoni shpesh të kaluarën dhe a vuani nga këto kujtime?
Të kaluarën, për dreq po e kujtoj pak shpesh, edhe për faktin se mosha më shtyhet përditë e nga pak aty ku kujtesa nis e bëhet determinuese. Megjithatë e kaluara brenda meje tashmë ka marrë përmasat e trajtimit filozofik por jo tragjik. Edhe pse tragjedia tashmë ka ndodhur, e secili prej nesh ka hisen e saj në kujtesë. E kaluara është brenda nesh, problem është trajtimi i saj! Unë dhe jo vetëm unë, po përpiqemi t’i japim asaj përmasat e vërteta të asaj çka ka ndodhur, që njeriu i sotëm të familjarizohet me të vërtetat e heshtura dhe të fshehura, që ajo të mos përsëritet, e të mos përpiqët të gjurmojë viktima të reja e të freskëta. Këtë unë e quaj kontribut modest në ndërtimin e kujtesës kolektive. Kjo bëhet më e vlerë kur sheh se shteti dhe organizma të tij e trajtojnë shpërfillshëm e pak si me tallje… Shtetarët harrojnë se pushteti është i përkohshëm, e kujtesa kolektive edhe pse pak e shthurur është shumë më jetëgjatë… Unë e perceptoj si fatkeqsi e atyre që u besojnë më shumë pushteteve, se të vërtetave…
Edhe në kët pikë, për fat të keq, banoj jashtë lagjes së pushteteve…
 
-Cila është familja juaj?
Familja ime është tipike e atyre që u desh të krijohen në jetë kampesh e sakrificash, e që mbijetojnë me fuqinë e krahëve dhe lodhjes. U përkas atyre që nuk ankohen për fatin e tyre, por përpiqen ta tejkalojnë çdo të keqe të pësuar, përmes gjërave pozitive që lënë pas.
 
-A ktheheni shpesh në Shqipëri?
Jetoj diku midis Italisë, Amerikës dhe Shqipërisë. Kthehem shpesh te vendvuajtja ime (pak Sindromë Stokholmi siç duket) dhe përpiqem të jem i pranishëm për aq sa të mos ndjehem i huaj! Kam mjaft miq, që mi bëjnë të këndshme ditët e ndejtjes dhe ikjen tejet të dhimbshme…
Gazeta Dita shkurt 22, 2017
.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.