back to top
31.5 C
Tirana
E martë, 25 Qershor, 2024

“Masakra, me knaqë shpirtin e tyne…” nga Fritz Radovani

Gazeta

Imzot Jul Bonati
Imzot Jul Bonati

“Masakra, me knaqë shpirtin e tyne…” nga Fritz Radovani

Imz. Jul Bonatti (4 Maji 1874 –  5 Maji 1951)

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Fritz Radovani
Fritz Radovani

Vështirë me u besue këto, e vështirë me u besue çka po u shkon mendja “disave”!
Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit masiv të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Jul Bonatti, në Vlonë, pra, pak muej mbas kthimit të Tij nga Italia. Hapet dosja nr. 3616…
“…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.”
Imz. Bonatti deklaron në hetuesinë e Vlonës dhe asht fat i madh se, në disa fletë që ruhen në shpjegimet biografike janë detaje që me siguri nuk do të ishin dijtë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Tregon edhe me çka asht marrë edhe në vitet e fundit në Itali.
Nji opinion që vazhdoi mbi 47 vjet në hetuesitë e Sigurimit shqiptar:
“…personat që vajnë tek ky (Bonatti) janë katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjes së tyre ka karakter politik.”  (dt. 10 qershor 1946).
Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti, spijun i djallzuar…”
Namik Cakrani shënon: “…Është i pakorrigjuar, t’i epet dënim i rëndë!”
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin si: “…agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiq të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi…!”
Me datën 27 tetor 1947, jepet vendimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vendimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vendosi: “Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”.
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né.
Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast atëherë… dhe sot.

***
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i Tij me té. Një ditë Ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra, me knaqë shpirtin e tyne pa asnji arsye…!”.
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë… Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni… dhe çohet në manikomio(çmendinë)…
Fantazia e kriminelit asht e pafund…
Një ditë thanë se: Imzot Prof. Jul Bonatti, ndrroi jetë!
“Ndrroi jetë…!?” nji fjalë goje!
U gjet në nji dhomë copa-copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!
Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqeheshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dulrrjollët, ishin e… ishin Aranitçelat me Kadrihazbijtë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobrës së zezë të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij.

Hiresia e Tij Kryepeshkop Kristofor Kissi
Hiresia e Tij Kryepeshkop Kristofor Kissi

***
A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo dishka ma shumë..?!
Imz. Jul Bonatti deklaron: “Qëllimi jonë si fetarë asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës!” Kjo thanie e Profesorit më ka terhjekë vemendjen që atëherë kur e kam lexue. Kam shkrue dhe mendoj mos me u ndalue këtu!
Imz. Prof. Jul Bonatti ishte Klerik katolik shkodranë, teolog, filozof, studiues dhe përkthyes i njohun i letërsisë dhe gjuhës shqipe, nji humanist i përsosun, poliglot dhe mbi të gjitha nji klerik me pikpamje europiane, në vizionin e të cilit qindronte nji nga përpjekjet e vazhdueshme të Atdhetarëve tanë: Unifikimi i Kishave Shqiptare!
Përgatitja e Tij n’Austri, Itali, dhe shërbimi në Stamboll mbi 16 vjet, në Durrës, Vlonë, Siçili, dhe njohja atje e Kishave Uniate Shqiptare prej Tij, duhet të bahet piknisje për nji studim të plotë të përpjekjeve të dy palëve; katolikë dhe ortodoksë për unifikim.
E ky unifikim nënkupton Unitetin e Trojeve të Shtetit Shqiptar!
Një vepër e tillë Atdhetare, ishte fillue me kohë nga Imz. Kristofor Kissi.
Kjo etapë e re fillon me kohë, madje vite përpara At Shtjefën Gjeçovi, kur ishte në Vlonë, flet për përpjekje të dy kishave për Bashkim, dhe kam parasysh edhe vlersimet…
Nga studiuesi z. Nelson Qiriaku, kam mujtë me u sigurue për fillimet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare KOASH, e cila me disa nga drejtuesit e saj të nderuem, filloi marrveshjet për unifikim dhe bashkpunim me Kishën Katolike Shqiptare, që në vitin 1920. Menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë në 1912, shihen dokumentat. Përpjekjet e Hirsisë së Tij Visarion Xhuvanit, Kristofor Kissit, Irene Banushit, etj., dhe lidhjet e Tyne me Famullitarët e Vlonës, Durrësit dhe së fundi të Tiranës, janë nji prej episodeve ma të lavdishme të mardhanjeve mes Kishave tona Shqiptare.
Porsa Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga kishat sllave e greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe përdorimin e gjuhës Shqipe.
Patriarku i Konstantinopojës, emnoi në Shqipni Hierotheos A. Jahon (Peshkop i Miletupolisit) si zëvendsin e tij të plotfuqishëm, i cili, i shoqnuem nga Imz. Kristofor Kissi, Peshkop i Sinadonit, mbrriti në Korçë në vjeshtën e vitit 1923, dhe shuguruen Fan Nolin, me 21 Nandor 1923, në katedralen e Shën Gjergjit.
Hierotheosi emëroi Imz. Kristofor Kissin, Peshkop të dioqezës së Beratit, e cila përmblidhte edhe Vlonën; Fan Noli në 1924, u largue nga Shqipnia. Në nandor 1927, vizitoi Rusinë staliniane, pra Bashkimin Sovjetik, si delegat i Ballkanit në Kongresin “Miqtë e Bashkimit Sovjetik” me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit…
Po, nuk mungoi me i ba urimet edhe Enver Hoxhës në Janar 1946, për “varësinë e Republikës Demokratike Shqiptare nga Jugosllavia komuniste e Titos!!”
Ishte koha kur Peshkopët e KOASH, Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Irene Banushi (u burgos në 1947), Kozma Qirio, At Dhimitër Leka (u pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli (u pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, me 11 Dhjetor 1972), vetëm pse vazhduen me punue për unifikimin e Kishave Shqiptare, njiherit me persekucionin e Tyne të vazhdueshem kryesisht mbas 1944.
Me kët “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Enver Hoxha, derisa e shkatrroi kët Bashkim dhe Fenë!
Kryepeshkopi metropolit Kristofor Kissik, drejtoi KOASH derisa dha dorëheqjen më 1949. Ai jetoi në pension pak kohë në Manastirin e Ardenicës e me vonë në Manastirin e Shën Prokopit afër Tiranës. Thuhet se vdiq nga hemoragjia cerebrale (po, ma shumë mendohet se aty u helmue nga Sigurimi komunist) me 16 qershor 1958.
Patrikana e Konstantinopojës e njohu Kishën e Shqipnisë si autoqefale vetëm nga autoriteti i Imzot Kristofor Kissit. Ai ishte personi ma i respektuem për të gjitha palët e interesueme, për patrikanën e Konstantinopojës, për Popullin Shqiptar, për Klerin Ortodoks dhe lidhjet e KOASH me Kishën Katolike Shqiptare. Ndërsa, Martiri At Josif Papamihali… asht mbulue me baltë i gjallë në kampin e shfarosjes, në kënetën e Maliqit të Korçës, me 26 Tetor 1948,  vetëm per lidhjet fetare me Klerin Katolik Shqiptar.
Kjo ishte Kisha e vërtetë Ortodokse KOASH, për të cilën ruej respekt edhe sot!
Ishte pikrisht koha, kur në Shkodër Hafiz Derguti torturohej në 1947, dhe po i tregonte nji bashkvuejtësi: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
Cili kje qendrimi Europian i Hafiz Ibrahim Dalliut në gjyqin e Tij në 1946?
Kush mundet me i mohue veprat e Hafiz Ali Tarit, ndaj Klerit Katolik në Burrel?
Ndërsa, vrasjet e masakrat e sllavokomunistëve ndaj Bektashijve vazhdonin me korrë koka njerzish, vetëm për qëndresën e Tyne në përkrahje të katolikëve Shqiptarë.
Ashtu si mbyten At Papamihalin, ashtu shkyene dhe Imzot Jul Bonattin…
Historia pa të vërtetat e saja, nga Populli Shqiptar quhet “rrenë”!

Hafiz ibrahim Dalliu (foto e burgut)
Hafiz Ibrahim Dalliu (foto e burgut)

***
Komunistët shovinistë sllavobolshevikë, ashtu si paraardhësit e tyne anadollakë, gjithnji, kudo ku kanë sundue kanë përdorë metodën “Përçaj dhe sundo!”, jo “pa rezultat”.
Në Sheshin Skënderbe, Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ju harrojë…!”
Por me nji kusht, që të mbetët përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë, ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna, dhe ky asht shtegu ma i mirë për nji proces pajtimi të vërtetë.”
Pajtimi i vërtetë arrihet vetëm me hapjen e dosjeve… Dënimi i diktatorëve që kanë ushtrue Gjenocid kundër Klerit Katolik dhe Atdhetarëve Shqiptarë, asht detyrë!
Shqiptarët duhet gjithnji t’i bajnë vetes nji pyetje:
Deri kur do të vazhdojë me u mashtrue Populli Shqiptar?!
Melbourne, 2014.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.