Lazër Radi – ky Mjeshtër i Dhimbjes – nga Kazanova Aliaj

0
10
Muret e Muzgut - Lazer & Jozef Radi (1993)
Muret e Muzgut - Lazer & Jozef Radi (1993)
Kazanova Aliaj
Kazanova Aliaj

Lazër Radi – ky Mjeshtër i Dhimbjes 

nga Kazanova Aliaj

(Refleksion mbi poezinë “Mos ma trazoni vetminë”) 

Asnjë lexues i vërtetë, nuk mund të mos ndalet e të lexojë krijimet e z. Lazër Radi, pa pëshpëritë me zanin e ndërgjegjes fjalën: “Mjeshtër i Dhimbjes!” 
Jo, nuk do mundet kurrsesi, nëse e kupton se po lexon Lazër Radin. Ashtu si dikur ndër kohra kam lexuar po dhe sot përballë mjeshtrave të literaturës botërore si: Hygo, Dostojevski, Balzak, etj. kur prekja madhështinë e tyre, me po at pathos e kam lexu dhe e lexoj edhe Lazër Radin. 
E nëse Franca ka nji Hygo dhe koha e naltësoi përmbi vlerat e tija artistike dhe njerzore, Mjeshtrin Lazër Radi e lartësoi heshtja që e shoqëroi në nji vend diktatorial, aty ku vlerat vriteshin dhe krijuesit ndëshkoheshin. 
E Lazri, e kapërceu kët barrierë vrasëse, ai shkoi përtej me shpirtin dhe talentin e tij, e ajo kohë e mbrapshtë s’e ndali dot, e nëse Franca ka Hygonë e saj, unë nuk e definoj të them se asht si Hygoi, jo… por them e bindur, që Franca u naltësua me Hygoin e Shqipëria edhe pse asht në kët gjendje të drobitur, shqiptarët kanë shpirt dhe e duan artin e letërsinë… 
Kët ordinator shpirtëror, mbrenda kësaj toke të hidhët, ato kanë Lazër Radin si kanë francezët Hygonë, ai Lazër i fuqishëm, që e naltëson dhimbjen me artin e tij, e ngre ate në kult. Duke u kujtu njerëzve që duhet të gjejnë rrugën që i çon drejt lirisë dhe progresit.
Kët e shkruaj unë, dhe e përligjin shumë si unë që e lexojnë Lazër Radin, dhe nuk kena pritë me na ardhë ndonjë fletë e bardhë me gërmat e zeza për me vulosë vlerat artistike e njerëzore të Lazër Radit… Jo, ato i ka vulosë Ai vetë, me kontributin intelektual, shpirtëror me krijimet e tij të pafundme e me përmasa që shkojnë përtej kohës…!!! 

Lazër & Jozef Radi "Muret e Muzgut"
Lazër & Jozef Radi “Muret e Muzgut”

Mos ma trazoni vetminë

Dr. Lazër Radi (1916-1998)

I
Kur të vdes
askush mos t’më vajtojë!
S’due të jem
nji vajë ma shumë
n’lumin e Njimijenji t’Zezave
s’due me rrëshqitë fytyrash të lodhuna
me nji dhimbë të re,
s’due m’e shtue asnji kokërr misër
n’thesin e zbrastë të së Mirës
s’due asgja,
veç më leni vetëm…!

II
As tufën e drandofilave mbi vorr
mos e leni me m’ba dritë,
pse edhe nderimi Juej
tashma ka veç vlerën e talljes.
Mbi varr asgja,
veç emnin shkrue keq,
me dorën e të fundmit nip.
Me leni njaty, 
n’krahë të vdekjes
me jetue n’njat dashni që ju ma munguet.

Më leni,
e mos ma trazoni vetminë…

.

(Marre nga Libri Muret e Muzgut 1993

Related Images:

Artikulli paraprak25 dhjetor 1989 – Pushkatohet çifti Çausesku – Përgaditi Saimir Kadiu
Artikulli tjetër“Nata e Krishtlindjes” – nga Anton Luli S.J dhe kujtimi i një bashkëvuajtësi
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.