back to top
25.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

“Nata e Krishtlindjes” – nga Anton Luli S.J dhe kujtimi i një bashkëvuajtësi

Gazeta

Dom Anton Luli (1910-1998)
Dom Anton Luli (1910-1998)

“Nata e Krishtlindjes” 

nga Anton Luli S.J

Dom Anton Lul Nikaj (1910-1998) 
vuajti gati 17 vjet burgim në diktaturën komuniste, 
në vitet 1947-1954 dhe 1979-1989
Ai hyri në burg në moshën 37 vjeçe dhe doli prej andej 79 vjeçar. 
Në pjesën e mëposhtme, ai kujton torturat 
nga hetuesia e burgimit të parë. 
Fotografia i takon arrestimit të dytë në vitin 1979. 
Pjesa nga dëshmia për torturat: 

Anton Lul Nikaj - foto e arrestimit të dytë 1979
Anton Lul Nikaj – foto e arrestimit të dytë 1979

“Isha në burg atë natë, kur mbarë bota e krishtenë përkujtonte lindjen e Jezu Krishtit me një festë shumë prekëse. Shefi i policisë më zvarriti në një nevojtore tanë handrak, në katin sipër. Aty më urdhnoi me u zhdeshë picak. Mandej lavari nji litar në tra, ma kaloi nën stjetulla e më detyroi me u çue në maje të gishtave. Më lidhi fort. Në mënyrë që trupi të mos mujte me pushue, tue e prekë tokën me kambë. E ngrehi litarin e ndjeva një dhimbje të mprehtë. M’u duk se m’u thyen tanë eshtënt. Mbeta varë ndërmjet tavanit e dyshemes, të cilën e prekshe sapak vetëm me majet e gishtave të kambëve. 
Bota kremtonte Natën e Krishtlindjes. 
Ndërsa aty ishte terr, shi, ftohtë. Mbeta varë, në heshtje të thellë. Një gjysëm ore, ndoshta. A një orë. Nuk më kujtohet sa. Mandej ndjeva se po më akulloheshin kambët e akulli ngjitej kadalë-kadalë. Ngjitej në gjuj, në stomak mandej… edhe pak, edhe pak, e do të mbrrinte në zemër. Më kapën të dridhuna të forta. Nuk isha ma në gjendje me e sundue trupin tem, varun në terrin e zi të natës ma të shndritshme të vjetës. Thashë me vedi: “Tashti do të des me siguri. Vjerrë mbi handrakun e nevojtores së palame qyshkur. Në vend që të isha pranë elterit, la me dritën e Natës së Madhe!”.
Ndjeva se akullina po më prekte zemrën. Atëherë nisa me bërtitë me dishprim. Shefi i policisë më ndigjoi e vrapoi në atë gjiriz, ku kalojshe, ndoshta, natën e fundit të Krishtlindjes e të jetës. Më preku nën gju. E pa se po jepshe shpirt. Nuk i duhesha gjà i dekun… Më zgjidhi, prandej, shpejt shpejt e më çoi në dhomën e tij. Aty ishte një stufë e ndezun. Më vuni aq pranë stufës, sa kjesh në rrezik me u djegë për së gjalli. Sepse trupi ishte ngri aq, sa nuk e ndiente ma nxehtësinë. Vetëm mbas një gjysë ore jeta nisi me u kthye në trupin e mardhun… 
Nata e Krishtlindjes… Isha gjallë!”

Papa Gjon Pali i Dyte me Dom Anton Luli
Papa Gjon Pali i Dyte me Dom Anton Luli

Anton Luli, ma shumë engjell se njeri.

nga Bujar Bakalli

Anton Lulin, e kam njoftë dhe e kam dashtë. Katër vjetet e fundit te burgut i kemi ba bashkë në Zejmen të Lezhës dhe Shënvasi të Sarandës. Mbas ’92, ai shërbeu në kishën katolike të Rrugës së Kavajës, në Tiranë. Shifeshim dhe takoheshim shpesh. Një kujtim për kët engjëll, do e ndaj me ju.
Ishte kohë vizash… dhe të gjithë ne ish të burgosurit u sillshim vërdallë për ta gjetë e kapë nji vizë. Një shok burgu Shefqet Kau më thotë:
-Vrit veten o Bujar Bakalli, o më gjejë sa ma parë nji vizë italiane. Çeti, kishte gjetë rrugën ma të shkurtë. Ai ulesh te kjoska e Lidhjes së Shkrimtarëve, përballë shpisë sime dhe të paktën dy herë në ditë, unë o tu hy o tu dal prej shpie, ndigjojsha thirrjen e Çetit.
-O Bujar, o Bujar! 
Dhjetë ditë me rrallë kjo histori. Pata bezdisë disa miq e të njoftun dhe isha në pritje.
Një paradite, jemi në oborrin e kafes tetë shokë burgu. Anton Luli, mbasi bani ritualin e përditshëm fetar ishte nisë nga Kisha Katolike e Rrugës Kavajës, e i sillesh Bankës së Shtetit rretheqark dhe kthehesh mbrapsht. Gjithmonë po në trotuarin e mesit të rrugës.
E dallova nga larg, dh e pashë që po vinte drejt nesh.
-E sajuam vizën Çet! – i thashë… 
-Tallesh! – më tha Çeti.
-Jo, jo e kam të mbarueme. Shife, shife kush po vjen: Anton Luli!
Dolëm të gjithë në rrugë dhe e takuam atë engjëll. Pranoi dhe erdhi e u ul për nji kafe me ne.
Mos të zgjatem… Viza u sajua, dhe disa ditë më mbas, Antoni i kishte lanë porosi babës tim që të shkoja ta takoja, në kishë. Tre a katër javë ma vonë Shefqet Kau mori vizën italiane, kështu folëm dhe
diskutuam edhe për punën e një peshqeshi.
Dhe e gjetëm nji zgjidhje për të dashtunit tonë.
Shkuem në kishë unë, Fatmir Llagami, Shefqet Kau, Burhan Kalaja dhe bomë atë që na leu në zemër.
Sa shumë u lumturu kur na pa të gjithëve në kishë engjëlli Anton Luli.
I qoftë shpirti midis kopshteve të Parajsës, se edhe Parajsa është ma e mirë dhe e bukur me At Anton Lulin…
25 dhjetor 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.