Kanga e dhimbjes së nji nane…
nga Jozef Radi
Ky shkrim i kahershëm, mund të lexohej me ose pa kët shënim…
Ka ma shumë se gjashtë vjet që e kam shkrue, dhe si shumë shkrime të miat, që mbasi i shkruej dhe e çliroj vedin prej asaj çka mendoj, i lshoj diku në arkivën time, i bindun se nji ditë: “Bane punën tande dhe hidhe n’detë, n’mos e gjen robi, e gjen peshku…”
Ky shkrim mjaft i ndjemë, asht ndër të paktit për Mamën time, mbasi ajo s’desh kurrë as të shkruhej dhe as të flitej për të… “S’kam ba asgja t’randsishme në kët botë veç Jush… Si unë kanë ba edhe gjithë nanat e tjera…!”
Duke u trembë, se mos kam vetëm babë, sot po e dëshmoj edhe Mamën time…!
Vitore Vushmaqi – Radi, lindi në Pejë, (Kosovë) me 12 qershor 1926, ishte ma e madhja e 6 fëmijve të Frano Llesh Vushmaqit, me origjinë nga Vermoshi dhe fis i largët i Prek Calit. I ati i saj, Frano dhe axha i saj Pjetër, studiojnë në Austri. I pari në përpunimin e sallamit dhe i dyti në shkollimin ushtarak… Në vitin 1932, të dy vllaznit Vushmaqi, Pjetër dhe Frano, vendosen në Tiranë, ku i ati i saj, hap punishten e parë të sallamit në kryeqytet, kurse axha i saj Pjetri shërben si oficer i Xhandarmënisë Mbretnore.
Merr mësimet fillestare në kolegjin e murgeshave, e ma vonë shkollohet në Institutin “Nana Mbretneshë”. Zotnon dy gjuhe të hueja, italishten dhe serbo-kroatishten dhe punon për nji vit si sekretare. Fakti që prindët e saj u shkolluen në Austri, banë të ndjehet te ajo shpirti i disiplinës, rregulli dhe respekti. Në vitin 1943, martohet me Lazër Radin, e mbas nji viti iu lind fëmija i parë vajzë – Veronika. Mbas arrestimit të Lazrit, me 23 nandor 1944, ajo mbetet rrugave pa mbështetje dhe jeton te i kunati. I vdes vajza pa mbushë vitin (mars 1945)… dhe ma pas arrestohet në vitin 1952. Dënohet me dhjetë vjet burg si “agjente”, në nji grup, ku ajo s’njihte asnji prej t’akuzuemve… Lirohet në vitin 1956, dhe kthehet në kampin e Kuçit të Kurveleshit ku jetonte i interrnuem i shoqi, si e vetmja mundësi jetese. Jeton aty tre vjet si e Vetmja Grua midis Njiqind Burrave!! Aty u lind femija i parë. Ma pas vazhdon Odiseja e kampeve të interrnimit: Gradishtë, Çermë dhe Savër, ku krahas vuajtjeve pafund i vijnë edhe dy fëmijët e tjerë…
Kthehet në Tiranë në shkurt të 1991… dhe vdes, po në Tiranë, me 21 mars 1997… jr
Requiem për gjithçka ikën prej kësaj bote…
Dhjetë vite ma parë… 19 mars 1997
Ende s’po u besoja veshëve se ato fjalë të dala nga thellësia e shpirtit… ishin të sajat… Jashtë qielli vazhdonte me gjimue prej krismave të kryqëzueme të kallashëve. Krejt afër dritares, prej nji ballkoni aty afër u lëshue nji dritë ulëritse plumbash nëpër terr…
Ajo u tkurr edhe u ba ma e vogël…
“Për fat, i keni rrugët e hapuna… E keni ma të lehtë… Edhe mbret me t’ba në kët vend, s’ia vlen… S’po ju them asgja me ju dishprue, po ju them çka po shofin sytë e çka po më ndigjojnë veshët…”
Im atë qe shtangë si statujë. E kqyrte drejt e në sy at grua të terrorizueme dhe s’dinte nëse duhej me e kundërshtue, me e përkrahë, apo me e plotsue në fjalët e saj. Me e përkrahë kurrsesi, pse kishte mendue dhe veprue ndryshe tanë jetën… Pse kishte besue në t’ardhmen e vendit të vet… Me e kundërshtue s’mundte, pse ishte instikt nane, pra ishte cënue thelbi i qenies së saj, mbrojtja e krijesave të veta. Ta plotsonte, në çfarë, pse… a s’ishte i plotë krejt kuptimi i thanive të saj…?!
At mbramje Marsi, (oh Marsi: Perëndi e Sherrit dhe Luftës) ajo Grua, i kishte kapërcye krejt limitet e veta, që ai, si Patriark i Madh, as i kishte mendue!
“Mos ju gëzoni punëve që keni, as njeni e as tjetri. Nji punë edhe ma e randë, boll që t’jetë e ndershme, s’ka randësi se ku… Po t’më ndigjoni mue, njizetekatër orë mos e zgjatni… Ikni… Mos e keni gajlen tonë, ne bajmë si bajmë…”
“Boll, boll, se na kënaqe me filozofi! Poshtë urave kanë me fjetë… Mos kujto se po i pret ndokush me lule kah të shkojnë…” ia ktheu im atë, tashma i nervozuem duke kthye njiherit gotën e venës…
Për pak çaste sundoi heshtja… Nji heshtje që grryente gjithkah. Ndjeva nji ngashërim të thellë mbrenda vetes. Po s’kishte asnji kuptim të zbrazesha… Dola jashtë. At natë u ndjeva mes udhëkryqit ma të vështirë të jetës. Dhe s’isha i vetmi! Ishte krejt nji popull midis atij udhëkryqi të frikshëm. Krejt si popull kishim mbetë midis Skillës dhe Karibdës… dhe askush s’guxonte me folë për të nesërmen, mbasi e tashmja ishte e pafund… dhe e pakuptim!
Lajmet bahehin gjithnji e ma të vrazhdta.
Vrasje, djegie, banda, kërcënime, premje kokash, Komitete (Qendrore!!)… ishin kudo… E keqja jonë e madhe, e nxitun nga jashtë dhe e mbështetun nga mbrenda po merrte përmasat e nji lufte civile… Jugu kundra Veriut, Veriu kundra Jugut… mbushte gjithkah ekranet.
Sërish prap me të humbunit ne… mendova me vedi, ndërsa përcillja prindët nëpër terrin e natës…
Aty në oborr, vuna re se mosha po u randonte edhe ma shumë mbi shpinën e të dyve, po ma shumë po u randonte ajo natë plumbash e bataresh pafund… Njeni ishte 71 vjeç dhe tjetri 81… Kishin mbi supe peshë burgjesh dhe internimesh të pafundme, kishin nji jetë…
Ndërsa po ndaheshim, nji breshëri kallashnikovi gjëmoi prej atij pallati përbri, dhe nji tjetër e sharroi qiellin pak ma tej! Askush prej nesh nuk foli. E ç’kuptim kishin fjalët në nji natë si ajo. Flisnin grykat e pushkëve, dhe njeriu tashma kishte veç përmasën e atyne armve që kishin ndër duar ata njerëz…
Mama u mbështoll edhe ma fort mbas palltos, i puthi të dy nipat që kishin dalë ta përcillnin, na puthi edhe ne të tjerëve që ishim shtangë aty në oborr: “Nëse m’ke ndigjue ndojherë, mos e len mbasdore çka të thashë!” më pëshpëriti si nëpërdhambë, duke m’urue të fundmen “Natën e mirë…!”
Hapat e saj u larguen njashtu zvarrë nëpër terr, ndërsa grykat e kallashëve sharronin në t’gjitha anët qiellin kryeqytetas.
Ç’ka kish me thanë ma tepër ajo Nanë… I kishte thanë të gjitha ndërsa ikte drejt përjetsisë…!
Mbas asaj nate krejt ekulibret e botës morën teposhtën brenda dhe jashtë meje. Çka më kish thanë aty në tavolinën e festës, ajo s’do të kish mundsi me e përsëritë mà. Kurse mua m’duhej t’ia përsërisja vedit pafundësisht deri në dhimbje…
Dy net ma vonë, ashtu si kputet nji lule, ajo e la kët botë vuejtjesh me nji qetësi të papame. Foli me vajzën e saj në Amerikë u mbështet në divan… dhe ashtu e mbështetun fjeti përgjithmonë… E braktisi kët botë të zhytun në kaos e tmerr si nji engjëll në kërkim të qiejve të paqes. Jeta kish qenë nji tmerr i vërtetë për të e për shumë gra të tjera si ajo, përtejeta sigurisht do t’i hapte pak vend diku në Parajsë… për shpirtin e saj të fisëm…
…Nuk ia shkulja dot sytë asaj fytyre ku flinte paqja vetë. Ishin aty të shkrueme krejt vuejtjet e fshehuna, krejt lodhjet, krejt heshtjet e saj… po edhe ato fjalët e thana si amanet, që me aq dhimbje ia kishte shkulë shpirtit të saj të rraskapitun…
Prej asaj nate, jeta vazhdon rrjedhën e vet, por asgja s’asht ma si para asaj nate. Krejt ekuilibret e atij çasti magjik tash s’janë ma. Jeta përpëlitet, nëpër gjurmat e fjalëve të saja të fundit, të thana nëpër at terr të zhbiruem plumbash në nji natë marsi, ndërsa bota zhytej thellë e ma thellë n’at tmerr ende të pashpjeguem, e që veç njeriu i mbrapshtë mundet me ia shkaktue vetvedit…
19 mars, 2007
Me 12 qershor 1926, ka lindur Nëna ime Vitore Vushmaqi – Radi,
pra sot ajo ka 89 vjetorin e lindjes… Po sot asht edhe dita e Shna Ndout, nji prej shenjtorve, aq të njohur ndër shqiptarë, dhe kisha e Shna Ndout në Laç, i pret të gjithë shqiptarët pa diferencime feje a krahine, duke mbetë vend i nji pelegrinazhi mbarëshqiptar. Në nderim të këtij shenjtori, Nëna ime mbas daljes nga burgu, jo vetëm e dëshiroi ardhjen time, po ardhjen time, e pagëzoi edhe me emrin Antonin… Meqë regjistri une civil ndodhej në Tiranë… dhe familja jonë jetonte në Kuç të Kurveleshit!!! xhaxhai im, (me emrin Anton), më regjistroi si Jozef Radi… Pra, të gjithë ata që më njohin si Nini… duhet ta dinë se ky emer mbeti si nji përkushtim i Nënës sime ndaj Shna Ndout… i cili mbrojti jetën dhe familjen e tyre edhe në ditët ma të vështira që ata kaluan…!
I lehtë dheu Nëna Ime!
Janë dimensione të jashtzakonshme Jozef, si kjo e vuejtjes së nji nane, e nanës tande.
Këto janë udhekryqa në kalvarin e nji kombi të martirizuem, sic asht kombi shqiptar! Flm fort që e ndan me ne, vetëm nji shpirt fisnik e ban kët, nji shpirt poetit! Këtu ruhet kujtesa e kombit dhe kjo ka me kenë nji ditë mbijetesa jonë…
Të lumtë mik! Nana Vitore pastë dritë në Parajsë!
Jozef e Adriana!
Jo vetëm ju që jeni bijtë e kësaj nane, por dhe unë që s’e kam njohur… kur e lexova këtë shkrim jam përlotur dhe më është dashur gjatë ta lexoj shkrimin, se lotët më ngatërroheshin ndër rreshta dhe ju kthehesha sërish rreshtave që i kisha lexuar njiherë, dhe më dukej sikur ecja në një kodër të baltosur ku kërkoja të ngjitesha, por rrëshqisja dhe kthehesha prap aty ku kisha filluar ngjitjen.
Nana juaj do ishte e lumtur sot, që atje ku prehet, dikush t’ia kishte lexuar kët shkrim… dheu do i bëhej më i lehtë. Ajo paska zgjedhë pranverën për t’i dhënë fund vuajtjeve, dhe ka mbetur si pranverë në zemrat tuaja, pranverë në zemrën e djalit që e ruan aq ngrohtë në zemrën e tij…
Nini,
e përjetova atë darkë me ju… e piva edhe nji gotë verë ku ish përzier urimi me dhimbjen, pashë sytë e nji nane tuj folë ma shumë se fjalët e nxjerra me za prej goje dhe po kjaj, nji gulsh më ka pushtu krejt qenien time si njeri dhe du me ulëri me krejt forcën e shpirtit.
Ju jeni krenarë për bijtë e atyne prindërve e unë krenare që jam mikja juej… shumë ju du, vërtet shumë…
VIOLA.
Kozeta Zylo
Jeta çuditërisht s’është e njëllojtë në shoqërinë njerëzore, por me sa ndihet dhe kuptohet qenka vetëm për një pakicë të privilegjuar, që egërsohet përditë e më shumë… Duke lexuar vazhdimisht shkrimet nga më të dhimbshmet, më mbresëlënëset dhe më të çmuarat të shkrimtarit Jozef Radi, i cili është lindur dhe rritur në interrnim dhe ka parë me sytë e fëmijës së pjekur para kohe, tragjedinë dhe burgosjen e familjës se tij, vazhdimisht them: “Ç’mjerim, sa pak kemi në dorë ne shumica, që s’mundemi të bëjmë asgjë për këtë rracë që hoqën të zitë e ullirit nga diktatura, përballë asaj pakice të privilegjuar, groteske dhe të frikshme…!!
Ja më thoni ju miqtë e mi, hidhet në fb një bejte, një foto lakuriq ku çmenden për të, edhe pse e shoqëruar me fjalë të grisura, copë e çikë… dhe të gjithë i bëjnë like, ose më “trimoshët” superlike, ndërsa skëterrën që ka kaluar një pjesa më e mirë e intelektualëve shqiptarë më në zë, ku shumica e tyre kishte mbaruar në shkollat e Perëndimit shumë shumë mund të shikosh 10 pëlqime dhe 3 komente…!!?
Shkrimet e Jozef Radit, janë të një intelektuali fin, njeriu të thjeshtë, por të realizuara mjeshtërisht me penën e tij të artë. Shkrimet e tij nëse do të lexohen nga regjisorët e Hollivudit me siguri do të ngacmohen për të arritur një film nga më prekësit, më tronditësit, por edhe me forcën më të fuqishme për të ndryshuar botën, Shqipërinë, ashtu siç e kanë tronditur botën liderët e vuajtur nga prangat që jo në pak raste janë mbajtur mend gjatë për ndryshime.
Duke pasur fatin ta njoh qysh në vitet e para të lëvizjes studentore dhe intelektuale për demokraci, babain e Jozefit, Prof. Dr. Lazër Radin, doemos që ndjeva trishtim të madh kur përfundova shkrimin homazh për nënën e tij aq të nderuar, të ëmbël, një hyjneshë e vërtetë, e cila në vitin e mbrapshtë të 97-ës ku plumbi të kërciste në lule të ballit, ju thotë djemve të saj: “Ikni bir, ikni, se në këtë vend s’bën hajër kurrkush! Boll vuejtët ju një gjysmë shekulli, prej nesh! Mos i lini fëmijët tuej të vuejnë prej jush!…” E cila zemër shqiptare nuk do të tronditej nga këto fjalë! Ndërsa motra e mrekullueshme e Jozefit, Adriana dhe bija e vetme e Dr. Lazër Radit që ishte tepër krenar me të, pasi e kishte lexuar shkrimin i shkruante se qava me dënesë, paskam pasur nevojë të qaj…
Jozef Radi është Migjen shqiptar. Jozef Radi i ka reale kalvarin e vuajtjeve, ndaj dhe po shkruan kangën e dhimbjes së nji nane, dhe requiem për gjithçka ikën dhimbshëm prej kësaj bote…
(marrë nga fb 27.11.2013)
Adriana Dine
Joze, si duket kam pasë nevojë të qaj…
Dhe ti me kët shkrim kaq të bukur e po aq të dhimshëm për mamën më bëre të qaj sa të ngopem… M’i prune në vesh tingujt e zërit të saj n’ato minutat e fundit të jetës, mbasi u ndamë bashkë… Pushofsh në paqe mama ime e dashur, e mirë dhe e bukur…
Për mua ke qënë dhe do të mbetesh më e mira në botë!!!
(marrë nga fb 26.11.2013)
Pjetër Delia
e lexova shkrimin tënd dhe më detyrove edhe nji herë të kujtoj Savrën dhe Heronjtë e heshtur të saj. E kam thën edhe disa ditë më parë që kët Savër të shkretë, të pafajshme, tashmë e kemi në gjak e nuk do të mundemi me harrue kurrë… ajo është nji llampë mbi kokën tonë, është si nji yll në qiell që na drejton, na bën të fortë, të durueshëm, të ekuilibruar… Savra, Gradishta, Pluku, Gjaza, Rrapza, Grabiani, e të tjerë fshatra, që na i zgjedhën si burgje dhe kampe terrori për prindët e tu, për prindët e mi, e të qindra e mija prindëve të tjerë… e këta prindër, kush intelektual, kush tregtar, kush fshatar a punëtor, ashtu sëbashku i kthyen këto fshatra në vende me nji kulturë që edhe qytetet rreth e rrotull i shifnin me zili… Më ke prekë në shpirt… Më beso Jozef, me kët shkrim ku ti flet për nënën tënde, për këtë grua të mrekullueshme e të urtë, grua që qe krahu i djathtë i Lazër Radit, nënë e dashur për fëmijtë e saj, komshie e mirë për ata që e rrethonin, me edukatën, zgjuarsinë, ndershmërinë e urtësinë që ju zotëroni të tre, është frut i punës shumë të madhe të atyre dy prindërve tuaj… Sot ju, pa asnji borxh ekonomik, as moral, keni ndërtuar të ardhmen tuaj në mënyrë të shkëlqyer…
Jozef, të them të drejtën, kur e kujtoj Savrën më duket emër mjaft i dashur, se më duket sikur edhe Savra ka qenë e persekutuar ashtu si ne… më duket sikur e kam lënë vetem, e kam braktisur… edhe pse nuk kam lindë aty, e konsideroj si vendlindjen time… Rroftë Savra…
Të uroj natën e mirë…
(marrë nga fb 26.11.2013)
Për shkrime të tilla veç kemi nevojë, jo për paçavure përrallash që na servirin, për atë “parajsë” diktatoriale…