back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Kur xhelatet japin leksione demokracije… Arben Borshi i shkruen Ardita Repishtit

on

|

views

and

comments

Arben Borshi
Arben Borshi
Kur xhelatet japin leksione demokracije…
Arben Borshi i shkruen Ardita Repishtit

në lidhje me shkrimin www.radiandradi.com/nje-foto-dhe-nje-shenim-nga-pas-nga-ardita-repishti/

E nderueme zoja Ardita Repishti!
Mora shkas të komentoj, tuj u nisë prej tregimit tuej në kujtim të babës tuej të ndjerë.
Për aq sa arrij të vlerësoj nji narrativë (sepse nuk jam ekspert e as kritik letrar), shkrimi i juej mund të rreshtohet, pa ma t’voglin dyshim, përkrah tregimeve të Shalmov-it (Tregimet e Kolyma-s) ose të Solgenitzyn, (Nji ditë e Ivan Denishoviç) për me përmendë dy shkrimtarë të huej, i dyti fitues i çmimit Nobel për letërsi.
Por edhe përkrah autorve shqiptarë, jo ma pak cilsorë, që trajtojnë këtë temë të dhimbshme e që librat e tyne filluen me pa dritë, mes shumë pengesash, mbas viteve ‘90 të shekullit të kaluem, kur u shemb “perandoria e së keqes!”
Ka nji shprehje të at Zef Pllumit, autorit të librit “Rrno për me tregue”, që përmbledh realitetin shoqnor të asaj periudhë, që thotë: “Kurr nuk e kam kuptue se si nji vend kaq i vogël ka mujtë me nxjerr kaq shum rrugaça”!! Un kisha me thanë: kaq shum kriminela!!!
Historija, – thojnë, – shkruhet dy herë: herën e pare prej historianëve lakej të regjimit që e deformojnë qëllimisht, dhe herën e dytë, prej shkrimtarve të pavarun ose të parreshtuem “në krahun e drejtë të historisë” – për me përdorë nji frazë të vonshme të t’parit të qeverisë aktuale!
E kjo narrativë e porsadalun prej qelive të gulagut shqiptar, paraqet nji të vërtetë verbuese, të pakundërshtueshme dokumentarisht, realitetin e kobshëm që ende sot tentohet të kalohet me heshtje ose me justifikimin “banal të së keqes” se: ashtu ishte koha!!

Ardita Repishti
Ardita Repishti

Ndërsa në ish Bashkimin Sovjetik, ky realitet i kobshëm u demaskue qysh në vitet ‘60-‘70 të shekullit të kaluem prej shkrimtarit të madh disident Aleksandër Solgenicyn me veprën e parë të tij: “Nji ditë e Ivan Denishoviç” e ma vonë me veprën voluminoze “Arqipelagu Gulag”. Në At-Dheun tonë të vogël, jo vetëm që nuk doli nji “shkrimtar disident” për të demaskue gjenocidin dhe terrorin komunist, por përkundrazi, ai për t’cilin na ushqyeme nji shpresë të zbehtë se mund të imitonte sadopak Aleksandër Solzenitsyn, jo vetëm që nuk e bani nji gjâ të tillë, por edhe sot e ksaj ditë vazhdon me heshtë përballë fakteve të pakontestueshme të përfshimjes së tij aktive në propogandën rrenacake dhe kriminale të PPSH, si pjestar i nomenklaturës së naltë që ishte!!
Për me pasë nji kuadër sa ma të saktë të asaj periudhë të errët, por edhe të ktij tranzicioni infinit që po përjeton At-Dheu i jonë, ku terrori i “forcave t’errsinës së drejtueme nga shtabi akoma funksional (autori flet për vitin 1997. Shën i imi) i ish-PKSH (PPSH) partia terroriste shqiptare” (fjali e marrun prej hymjes të librit “Pika loti” e prof. Sami Repishti), duhet t’i referohena pikërisht ksaj narrative, që aq shumë po luftohet edhe në ditët e sotshme. Por me nji ndryshim esencial: ndërsa dje shkrimtarët e “rrezikshëm” për regjimin “digjeshin në turrën e druve” si heretikë prej kupolës të terrorit masiv, sot pasardhësit e ksaj kupole, përdorin metoda moderne, “njerzore” kisha me thanë si p.sh.: mospromovimi i librave të tyne ose futja nëpër qoshe të padukshme të tyne kur kena t’bajmë me panairin e librit (pse jo edhe mohimi indirekt i nji interviste me xanjen e qëllimshme të kohës në dispozicion prej gurus së realizmit socialist!).
E ajo që asht edhe ma shqetësuese, simbas mendimit tem modest, asht fakti se nëpërmjet disa zyrave institucionale po tentohet të “kanalizohet” edhe publikimi i ktyne librave, në mnyre që kah njena anë të krijohet përshtypja se po tentohet të bahet institucionalisht dekomunistifikimi i shoqnisë, dhe kah ana tjetër që asht establishmenti qeveritar, që po ndërmerr inisiativa të tilla. Në pamje të parë ky asht kuadri që “piktori iluzionist” paraqet sidomos përballë të huejve. Por po të analizohet me vëmendje, kjo nuk asht gjà tjetër pas nji prej lëvizjeve propagandistike të tijat, bile nji plagjiaturë e vuejtjeve të viktimave!!
E kët e vërteton ma s’miri edhe ministrja e arsimit, e cila në nji qarkore të shpërndame shkollave dhe institucioneve arsimore në 500 tituj librash të rekomanduem, nuk ban pjesë as edhe nji prej titujve si: “Pika loti” (Sami Repishti); “Rrno vetëm për me tregue” (at Zef Pllumi); “Libri i Burgut” (Arshi Pipa); “Kur këndonin gjelat e tretë” (Agron Tufa); “Në gjurmët e nji ditari” (Ahmet Bushati); “Çinarët” (at Konrad Gjolaj); “Nji monument nën dhè” (Fritz Radovani); “Zoti zbret në ferr” (Marcel Hila); “Nëpër rrugët e ferrit” (Visar Zhiti); “Njeriu përballë përbindëshit” (Jozef Radi) e shum e shum tjerë që të gjith bashkë përbajnë narrativën e “Arqipelagut Gulag” – shqiptar!
“Ajo që do t’edukojë tërthoras familjen e sotshme e do t’formojë familjen shqiptare të nesërme asht shkolla, dhe vetëm shkolla” – shkruen profesor Zef Pali. E pra, nëpër shkolla nuk ekzistojn programe dedikue këtyne librave dhe kësaj narrative!!
Ende sot, jo vetëm që kto libra që rrjeshtova ma nalt, po edhe të tjerë të ktij zhanri narrativ nuk promovohen nëpërmjet institucioneve arsimore, por vazhdohet me autorët e realizmit socialist, ksaj armë të destruktimit masiv dhe shplamjes të trunit, të cilët na paraqiten tashma të zhveshun “Xhyben e Inkuizitorit” e të veshun me petkun e dashamirësit të lirisë dhe demokracisë. Dhe kulmi arrin kur nëpërmjet ekranit të televizionit, krye-xhelati prokurori që firmoste me qindra e mijra dënime kapitale, na jep leksione edhe demokracije!!!
Fatkeqsisht, kjo situatë ka përkrahjen e ktij establishmenti qeveritar, që vepron me vetdije të plotë. Jep “fletë lavdërimi” dhe promovon ndonji shkrim “të zbutun” të viktimave të mbijetuem, nëpër ambjente të reduktuem, e promovon me pompozitet, në praninë e gjysës të qeverisë dhe k/ministrit vetë, nëpër sallonet e vilës të diktatorit, librin që emulon ideologjine kriminale marksiste!!
U zgjata pak, sepse kjo temë ka nevojë për thellim simbas mendimit t’em.
Në mbyllje, deshta të shpreh nderimet e mia për Babën tuaj të ndjerë, zotin Vehbi Ibrahim Repishti dhe respektin ndaj vuejtjeve të familjes tuej!!!

Related Images:

Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.