back to top
35.5 C
Tirana
E mërkurë, 16 Korrik, 2025

Historiografia moderne nuk ndërtohet mbi hierarki autoritetesh, por mbi dialog… – nga Romeo Gurakuqi

Gazeta

Historiani Romeo Gurakuqi
Historiani Romeo Gurakuqi
Historiografia moderne nuk ndërtohet mbi hierarki autoritetesh, por mbi dialog…
nga Romeo Gurakuqi

Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës – një qytet me rëndësi të veçantë shpirtërore dhe kombëtare për shqiptarët. Për dekada me radhë, përmes valëve të Radios dhe Televizorit te Prishtinës, shqiptarët nga të gjitha anët kanë ndjekur rrahjet e pulsit të pjesës tjetër të kombit, dëshminë e mbijetesës dhe rezistencës kulturore. Në periudhat kur Rilindësit dhe ndërtuesit e shtetit shqiptar ishin të ndaluar në Shqipëri, Prishtina mbeti një hapësirë e hapur frymëzimi për lirinë e Dardanisë.
Intelektualët, shkrimtarët, studiuesit dhe historianët e Kosovës – rilindësit e rinj të kësaj ane të Gegnisë – pavarësisht mungesës së lirisë politike, përbënin një burim frymëzimi edhe për Shqipërinë e izoluar nga diktatura. Në Kosovë ruhej ende e pastër dhe e gjallë lidhja me Shqipërinë Tradicionale, e cila përtej kufirit ishte bërë objekt ndalese. “Lahuta e Malësisë” ishte libri i shenjtë i Kosovës në ruajtjen e identitetit. Kjo ruajtje e autenticitetit kombëtar ndërthurej me një formim intelektual thelbësisht të ndryshëm nga ai i Shqipërisë, ku për një gjysmë shekulli universi akademik evropian dhe ai i etërve të kulturës kishte qenë i ndaluar.
Takimi im i parë me studiuesit e Kosovës – që, ia dolën të marrin pjesë në forumet shkencore në Shkodër dhe Tiranë, në kohën kur Kosova ende ndodhej nën pushtim – mbetet një përvojë e paharrueshme dhe e pashlyeshme për mua.

Shqiperia & Kosova
Shqiperia & Kosova

Sot Kosova është e lirë.
Dje u ktheva nga Prishtina me shpresën se ajo frymë e dikurshme do të ruhet, do të zhvillohet dhe do të ngrihet më lart në funksion të misionit të një shteti modern evropian.
Kosova ka pasur dhe ka personalitete me ndikim të madh në fushën e historiografisë, me autoritet të pakontestueshëm në prodhimin e dijes shkencore. Ata kanë ndërtuar një traditë të konsoliduar të përgatitjes së brezave të rinj të studiuesve, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë. Reputacioni i tyre është ndërtuar mbi përkushtimin ndaj standardeve akademike dhe mbi një punë kërkimore të palëkundur.
Unë, mendoj se periudha e tranzicionit nuk duhet të çojë në harrimin e kësaj trashëgimie, dhe as të hapë rrugë për krijimin e “padrinove” që ushtrojnë kontroll arbitrar mbi shkrimin shkencor të historisë, duke përzgjedhur dhe vendosur në mënyrë të njëanshme mbi vlerën e veprave kërkimore.
Në kontekstin e vendeve post komuniste, raporti midis pushtetit, autoritetit akademik dhe prodhimit të dijes është shpesh i ngarkuar me tensione strukturore dhe personale. Prandaj, në përputhje me parimet e epistemologjisë bashkëkohore, lejimi i krijimit të figurave me pushtet arbitrar vendimmarrës është në kundërshtim me frymën e kërkimit shkencor të lirë dhe të verifikueshëm.
Duhet të kemi parasysh se historiografia moderne nuk është ndërtuar mbi hierarki autoritetesh, por mbi dialog, kritikë të ndërsjellë dhe rishikim të vazhdueshëm të tezave në dritën e burimeve të reja dhe qasjeve teorike të përparuara. Kulti i autoritetit personal bie ndesh me parimet themelore të shkencës: një punim është i vlefshëm jo sepse e pohon një autoritet, por sepse është ndërtuar mbi metoda të qëndrueshme, burime të mirëpërdorura dhe analizë të thelluar.
Republika, mendoj se duhet të vazhdojë të investojë në zhvillimin e shkencës mbi këto parime, por njëkohësisht duhet të jetë e kujdesshme për të identifikuar nëse aktorë të caktuar financojne tinzisht me synim të deformojnë këtë rrugë modernizuese dhe europianizuese të institucioneve që janë themeluar për të përmbushur një mision të lartë kombëtar dhe qytetar.
Marrë nga Muri i FB Romeo Gurakuqi, 5 qershor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.