
Çmimi “Arshi Pipa” në Festivalin Ndërkombëtar GEGNISHT
Edicioni IV për esene ma të mirë Dr. Gëzim Puka
Gëzim Puka asht pedagog studiues dhe kritik letrar pranë Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Pasion i tij i gjithmonshëm ka kenë drama dhe teatri. Qysh fëmijë e ushqeu këtë pasion, duke u aktivizue në shumë shfaqje për fëmijë dhe të rinj. Ka mbarue studimet për gjuhë – letërsi në Shkodër e mâ vonë studimet master dhe doktoraturë në Universitetin e Tiranës. Aktualisht mban titullin Profesor i Asociuar në studime letrare. Asht autor i tri monografive që trajtojnë dramën dhe teatrin tonë. Ka botue mbi 30 artikuj brenda e jashte vendit, si dhe ka kumtue në konferenca kombëtare e ndërkombëtare. Në Universitetin e Shkodrës dallon se asht promovues i lëvizjes teatrore studentore dhe ka marrë iniciativa për me vue në skenë disa pjesë të randsishme.
Vlerësimi i jurisë
Eseja e Gëzim Pukës mbi dramën “I nemici del Popolo” të Fadil Karakaçit asht nji trajtesë kritiko-historike e randësishme dhe e hollësishme, që meriton një vlerësim të posaçëm për disa arsye:
1.Karakteri zbulues dhe dokumentues
Autori ka meritën e nji punimi që del përtej analizës letrare të ngushtë, duke ndriçu nji autor të panjohun, të lanë jasht vëmendjes për dekada.
Përmes nji pune kërkimore serioze, ai rindërton me kujdes një profil të mungun në historinë e letrave shqipe – atë të Fadil Karakaçit, i cili përfaqëson nji ndër zanet ma të hershëm të denoncimit letrar të komunizmit në diasporë.
2.Ese e ndërtume mbi nji reflektim të thelluem historik dhe kontekstual
Autori arrin ta lidhë dramën me rrethanat politike të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botënore dhe emigracionin politik shqiptar.
Ai ndërton nji kontekst të qartë: lidhjen me revistat e mërgatës, trajtat e diskursit antikomunist në gjuhë të huaj, dhe përpjekjen për të “jehonu” dhimbjen shqiptare në nji gjuhë tjetër – siç dikur Barleti përdori latinishten për “Rrethimin e Shkodrës”.
3.Interpretim me ndjeshmëri artistike dhe ideore
Në analizën e dramës, Puka lexon jo vetëm strukturën dhe konfliktin, por edhe moralin dhe botëkuptimin që ajo përcjell. Ai identifikon përplasjen midis idealizmit humanist (përfaqësu prej mësuesi, prifti, nxënësja) dhe brutalitetit ideologjik (nxënësi komunist, gjykatësit, spiuni), duke e vendosë veprën në nji kornizë filozofike dhe jo thjesht propagandistike.
4. Krahasim me tekstin zyrtar të kohës
Një nga arritjet ma të veçanta të kësaj eseje asht përballja e kësaj drame të shkrume në mërgim me komedinë zyrtare të realizmit socialist “Dom Gjoni” të Kolë Jakovës.
Përmes këtij krahasimi, Puka nxjerr në pah simetrinë e përmbysun të personazheve dhe ideologjive që prodhonte propaganda zyrtare përkundër asaj që përpiqej të thoshte realiteti i përgjakun i Shkodrës së pasluftës.
5. Diskurs i pasun dhe i kujdesshëm
Gjuha e Gëzim Pukës asht akademike, por e komunikueshme. Ai ruen nji ton të qëndrueshëm serioz, por nuk e humbet kurrë pasionin intelektual, duke ba që eseja të jetë njikohësisht informuese dhe e angazhume emocionalisht.
Përfundim
Kjo ese asht nji akt i rëndësishëm kujtese dhe rehabilitimi për nji vepër të heshtun padrejtësisht.
Ajo nuk asht vetëm nji analizë letrare, por një veprim i ndërgjegjshëm kulturor e qytetar me rikthye në vëmendje zana të harrum që kanë folë për lirinë në kohë zaptimi.
Vlera e saj qëndron jo vetëm në ndriçimin e dramës si vepër artistike, por edhe në kuptimin e saj si akt dokumentues i një të vërtete historike.
Në nji fjali: Një ese model për mënyrën sesi duhet lexu, ndriçu dhe integru në kujtesën kulturore nji vepër e margjinalizuar.
Fragment nga studimi prej 19 faqesh
***
Disa shekuj ma përpara, Marin Barleti, me një kronikë të romanzueme, siç e ka quajtë kritika veprën “Rrethimi i Shkodrës”, i bani jehonë një qëndrese heroike të shkodranëve, tue e shkrue në gjuhën latine. Ndoshta diçka të ngjashme ka pasë në mendje edhe autori ynë, kur ka vendosë me i dhanë pak za në italisht ngjarjeve të dhunës komuniste dhe qëndresës së guximshme të kundërshtarëve. Mësuesi, prifti e nxanësja dalin në skenë për me mos e lanë pa u denoncue kjo përmbysje shoqnore, që po linte mbrapa aq shumë viktima. Ana tjetër e personazheve asht në skenë me armët e revolucionit ngjeshë për brezi, bashkë me tanë propagandën e rrejshme që i shoqnon.
Në dramën “I nemici del Popolo” (“Armiqtë e Popullit”) të Fadil Karakaçit, personazhe gati-gati të përditshëm, si: prifti, mësuesi, nxanësja, madhërohen.
Nji tjetër libër me natyrë letrare e dokumentare që pasqyron ma së miri vitet e para të ardhjes së komunizmit në Shqipni, e në veçanti në Shkodër, asht “Në gjurmët e një ditari” i Ahmet Bushatit. Ky libër ka për sfond “entuziazmin” e turmave ndër gjyqet komuniste. Thirrjet e mbrapshta që na përshkruen këta ditarë të dhimbshëm, janë zani i personazhit “popull”, që dëgjohet shpesh edhe në dramën që kemi analizue. Edhe vitet përkojnë. Për me ilustru, po citoj këtë paragraf prej librit:
“Horaci, tue folë për trimat e kohës para Agamemnonit, thoshte: “ata u harruen në natën e përjetshme, pse s’pat kush me i qa”. Edhe na, prej anës tonë, themi se shumë trima janë vra e mbytë prej komunizmit, po për shkak të diktaturës, s’pat kush me i qa, as me u këndue. Kanë mbetë si varë diku ndërmjet nderimit e harresës. Na sapo kemi nisë me denoncue fakte nga jeta nën diktaturë e me kthy në jetë figura trimash e martirësh, me shpresë se vepra e emni i tyne do të mbesin peng edhe për breznitë që vijnë.”
Drama “I nemici del Popolo” (“Armiqtë e Popullit”) po dokumentonte përsekutimin që në Shqipninë komuniste nuk ndalej, por për të cilin bota e qytetnueme heshtte. Falë disa bibliotekave në Itali (që e kanë këtë vepër në fondin e tyne), e sidomos falë Bibliotekës Françeskane në Shkodër, arritëm me ra në gjurmët e këtij teksti artistik, të cilin nuk mund ta dënojmë ma me heshtje. Nuk mund të heshtim për mjeshtërinë me të cilën asht shkru në italisht. Nuk hasëm asnji “shkjepim”. Italishtja që përdor autori, në gjykimin tonë, nuk çalon kurrkund e asht shumë e saktë. Shihet se ka një përvetësim të mirë të materialit gjuhësor.
Autori, kët mjet të fuqishëm shprehësie që asht gjuha e dramës, nuk e ka përdorë për të tipizue karakteret aq shumë, sepse vëmendjen e tij ia ka kushtue drejtpërdrejtësisë së mesazhit. Edhe pse synon me kenë vepër letrare, s’mundet me iu shmangë kontekstit politik e ideologjik të kohës. Për vetë mesazhet humaniste që mbart, drama e Fadil Karakaçit asht një vlerë e shtuar për teatrin shqiptar.
4 qershor 2025
Marrë nga Gegnisht