back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Gurët e Tomorrit po fillojnë të flasin… nga Mr. sc. Besim Dervishi

Gazeta

Mali I Tomorrit
Mali I Tomorrit

Gurët e Tomorrit po fillojnë të flasin…

nga Mr. sc. Besim Dervishi

Adhurimi i Kultit të Lisit
ose Pemës së Jetës në Tomorr.
Zbulohet dhe një artifakt bronzi i rrallë!

Egzistojnë burime të shumta që evidentojnë se banorët e antikitetit adhuronin pemët si vende të shenjta. Pemët-Orakuj, pemët e adhuruara tregojnë besimin e lashtë në të mbinatyrshmen. Profecitë e të cilave zakonisht jepeshin me atë të fëshfërimës së gjetheve dhe interpretimi e këtij riti të lashtë bëhej nga “Peljusit e Dodonës” (kujto në veri të Tomorrit gjendet vendi i quajtur Çuka e Peljes). Fuqia profetike e Pemëve-Orakuj i atribuohet pemës së lisit (“Esculus Quercus” ky mendohet se ishte emri i lisit, i cili rritej në Dodonë). Kjo lloj peme është quajtur “Pema e Botës”, ose thirrej ndryshe dhe “Dru Kozmik”, qendra e botës, një motiv i përhapur në shumë mite dhe tregimet popullore midis popujve të ndryshëm sidomos atyre keltë. Në vertikale, pema e dijes shtrihet midis tokës dhe qiellit. Kjo është lidhja jetike midis botës së perëndive dhe botës njerëzore. Orakujt (kujto Orakullin e Dodonës) kryenin aktivitete profetike në bazë të saj. Në horizontale, pema e jetës është mbjellë në qendër të botës dhe është e mbrojtur nga kujdestarë të mbinatyrshëm. Ajo është burimi i pjellorisë tokësore dhe jetës. Jeta e njeriut është zbritur prej saj; fryti i saj jep jetë të përjetshme dhe, në qoftë se ajo pritet ose thahet, të gjithë pjelloritë do të pushojnë se egzistuari (shih Enciklopedinë Britanike http://www.britannica.com/topic/world-tree). Gjurmët primitive të pemës së jetës, na shpien shumë larg në kohë. Legjendare është pema e lisit të shenjtë ku ishte ngritur Orakulli i Zeusit të Dodonës. Atje pra, në Orakullin e Dodonës ishte një korije me lisa shumë të lashtë, dhe besohej se ishte selia e hyjnive. Origjina e orakullit ka humbur në errësirën prehistorike; ndoshta ka ekzistuar më herët se adhurimi i vetë Zeusit. Homeri thote se Uliksi e vizitoi atë, por mendohet se Orakullin e ka vizituar dhe Enea, Oresti, Herkuli dhe Akili (i cili ishte pellazg), si dhe të tjerë heronj të antikitetit. (Shih librin “Dodona”, autori Howard Fremont Stratton, viti i botimit 1937, Michigan USA, fq. 74). Hesiodi thotë se Zeus aty banoi në trungun e një peme lisi. Ndërkohë që, sipas Eustathius, vendndodhja e Dodonës është mister, dhe medohen dy vende: ose në Thesproti (në Çamërinë e pushtuar nga Grekët, diku afër Janinës) ose në Chaonia (Labëri). Por ka dhe studiues të tjerë, që e vendosin afër Beratit, në Shqipëri, o në Thesali apo edhe Këlcyrë.
Ndërsa mendimet kundërshtuese për vendodhjen e saj vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, debate ka dhe për kuptimin e emrit Dodona. Disa studiues emrin e saj e lidhin me fjalën “dhurata” apo “dëshira”. Studiuesi arvanitas, Aristidh Kola, ka një mendim ndryshe. Për Kolën emri i Dodonës lidhet me një instrument zhurmues apo tingëllues, i cili shërbente për të mbledhur popullin. Ky instrument ishte i përbërë prej druri, metali ose lëkure dhe i përngjante daulles. Mirëpo daullja nxjerr si tingull kryesor “Dum!”, ndaj dhe quhet daulle. Ndaj, në një fazë të dytë, prej saj lindi edhe emërtimi i vendndodhjes së orakullit, “Dodoni”, ose “Duduna”, në të folurën arvanitase të dialektit tosk të gjuhës shqipe. Pra, tingulli i çangës lajmëruese përcaktoi dhe emrin e vendit të shenjtë (Shih “Gjuha e perëndive” i autorit Aristidh Kola, Athinë, përkthyer nga Spiro Xhai). Ka dhe studiues të tjerë të cilët emrin e Dodonës e lidhin me mesazhe të përmendura në librat e shenjtë, më konkretisht, me emrin e parajsës tokësore “Kopshtin e Edenit”, i cili ishte shndërruar në një vend të shenjtë para shumë e shumë kohësh. Eden shqiptohej ndonjeherë me emrin “A don”. Dhe më vonë me një dyfishim të rrokjeve të para është quajtur “Adadon” dhe më pas “Dodona”. Është krejtësisht i pasaktë mendimi se vendi i shenjtë i Dodonës ishte midis qyteteve të mëdha. Në fakt, tempulli nuk kishte asnjë ndërtesë. Ai përbëhej vetëm nga “Dy Lisa” (Esculus Quercus), të cilët ishin vendosur në mes të një korije të madhe me lisa të harlisur. Priftërinjtë (Peljus) e Dodonës ishin mjeshtra të leximit të fatit dhe ëndrrave, si dhe të përformimit të praktikave okulte si hipnoza apo e ashtuquajtura “biseda me të vdekurit”. Ata ishin astrologë të mbaruar. Midis të tjerave, ata u mësuan nga Pelasgus të bënin dhe veshje nga lëkurët e kafshëve. I gjithë vendi rreth Dodonës kishte emrin Hellopia ose Ellopia, pra “ellah” ose fusha (krahu apo degëzimi) si dhe prapashtesa “opeia” apo “opeai”, që do të thoshte gjarpër. Priftërinjtë e Delfit janë quajtur dhe “python”, emër i cili është i njëllojtë edhe me emrin e gjarpërit të “Kopështit të Edenit”, Pitonit. Si pemë simbol e Dodonës përmendet lisi i shenjtë. Por më vonë besimi druid kelt adhuronte dhe pemë të tjera. Mendohet rreth 12 drurë. (Shih librin “The testimony of profane antiquity to the account given by Moses of Paradise and the fall of man” Mathew Bridges – botuar ne Londër më 1825).  

Guret e mureve qikllopike ne Tomorr
Guret e mureve qikllopike ne Tomorr

Ne besimin hebraik dhe atë pagan, si simbol i pemës së jetës ishte palma. Kuptimi i këtij simboli ishte jeta abstrakte, rezidenca e perëndive, si dhe vende ku takoheshin perënditë. Tek besimi asirian simboli i pemës së jetës ishte druri i pishës me shtatë degët saj. Egjiptianët e lashtë kishin për simbol të pemës së jetës drurin e panjës, gjethja e të cilit sot është simbol i Kanadasë. Ky dru prej tyre besohej se ishte rezidenca e Hathor, Perëndeshës së Perëndimit, si dhe rezidenca e Perëndeshës së fuqisë krijuese Nut. Simbol tjetër tek asirianët ishte dhe druri i akacies, i cili mendohej se ishte rezidenca e Osiris, ose Perëndisë së Diellit. Egjiptianët dhe asirianët kishin si simbol të pemës së jetës drurin natyral të pishës, të cilin e konsideronin si simbol të pemës së zotave. Ndërsa sipas Zoroastrian simboli i pemës së jetës ishte selvia, e cila ishte emblema e Ormuzd apo krijuesit të dritës. Druri i frashërit adhurohej nga popujt skandinavë dhe konsiderohej si vend ku takoheshin dhe bisedonin zotat. Tek populli indian simboli i pemës së jetës ishte pisha, e cila konsiderohej si simbol i fertilitetit. Kalldienët kishin simbol të tyre palmën, e cila ndryshe quhej ushqimi i shpirtit. Për persianët, selvia ishte rezidenca e Mithras dhe simboli i Zoroaster. Tek babilonasit palma ishte rezidenca e Istar, simboli i nënës hyjnore. Pellazgët adhuroni drurin e shelgut, vendin ku besohej se kishte lindur Hera. Romakët si pemë të jetës konsideronin druret frutore aromatikë, të cilët i konsideronin si simbol të Adonis, zotit të bukurisë. Në besimin hebre, lisi ishte vendi i vizioneve engjëllore si dhe stema e Abrahamit. Por pellazgo-ilirët kishin dhe drurë të tjerë që adhuronin, si druri i kedrës, një lloje pishe, e cila ishte simbol i Artemisës, Perëndeshës së Hënës, druri i  rrapit, ulliri, i cili ishte emblema e Athinës. Dafina, e cila adhurohej më vonë dhe nga romakët, ishte stema e Apollonit. Por më legjendari ishte druri i lisit, i cili ishte emblema e Zeusit, i konsideruar babai i zotave, pema nënë e rracës njerëzore, emblema e korijes së Dodonës, ku ndodhej dhe Orakulli. Lisi është njohur më vonë nga romakët si simboli i Jupiterit dhe me futjen e kristianizmit u adhurua nga ata si një dru simbol i madhështisë, i cili personifikonte forcën dhe durimin. Nga kristianët, përveç lisit, u trashëgua dhe adhurimi i drurve të tjerë si akacia, pema e bredhit, e cila u bë simboli i Krishtlindjeve si dhe të tjerë drurë (shih librin “A glossary of important symbols in their Hebrew, pagan and Christian forms” viti i botimit 1912, Michigan SHBA, shkruar nga Adelaide S. Hall, fq. 1,2,3 dhe 4).

Gurë në Tomorr Pema e Jetës...
Gurë në Tomorr Pema e Jetës…

Adhurimi i Pemës së Jetës në Tomorr. Kulti i Lisit deri në Ditët Tona

Për herë të parë për adhurimin e pemës së jetës në Tomorr flet historiani dhe studiuesi Perikli Ikonomi. Ikonomi botoi librin “Historia e Tomorrit” në vitin 1936, ku midis të tjerave ai thotë se: “…vidhat dhe lisat e mëdhenj, por dhe vegjet (arret) si dhe të tjera bimë të mëdha, popullsia e zonës supersticionisht i respekton dhe nuk i dëmton kollaj. Më tepër graria shpie nëpër këta drurë copa rrobesh të të sëmurit si dhe lënë nishane për shëndet (shih fq. 40). Po aty Ikonomi vazhdon se: Mbi katundin Peshtan është një vend me emrin Vokof (Vokof ose Vakëf do të thotë “vend mistik”), ku ndodhet një bimësi lisi e madhe dhe e thatë (vendi quhet Korija e Lisave). Këtë e respektojnë banorët e zonës dhe, sado që është e thatë, nuk e pret njeri nga frika e ndonjë dënimi apo sëmundje (Shih po aty fq. 40). Të gjitha këto vende sipas Ikonomit janë në përputhje me thëniet e Athanas Stagjiriti, (faqja 304) i cili thotë se Dodona dimër-keqe malësore që gjendet në Malin Tomorr, ka pranë lumin Dodona dhe një burim që bën çudira, si dhe një pyll me lisa. Edhe tek gjeografi Meletios (faqja 214) thuhet se pranë Dodonës ishte pyll me lisa dhe me vegje (arra). Sipas tij, pyllit me lisa dhe me vegje pranë Dodonës, i përshtaten mirë pyjet me lajthi me lisa dhe me vegje pranë Tomorrit. Në vazhdim ai citon Titus Livyn, i cili midis të tjerave thotë se: “Banorët e Dodonës ushqeheshin me lende lisash dhe valangjithi që në atë kohe quhej pema e arrës (dhio valanos ose Pema e Zotit). Ndaj sot ka mbetur një farë respekti për drurin e arrës në rrethinat e Tomorrit, banorët e të cilit e adhurojnë dhe e kanë për keq prerjen e tij. Por ka edhe vende të tjera, në rrethinat e Tomorrit ku janë adhuruar dhe vazhdojne të adhurohen Pemët – Orakuj, sidomos kulti i lisit, simbolit të Dodonës Pellazgjike. Një lis i shenjtë ka qenë edhe në fshatin Peshtan të Beratit, rrëzë Tomorrit quhej “Lisi i Kokës”. Afër tij ishte një qytet me mure pellazgjikë, kjo sipas banorëve të zonës por dhe Eqerem Vlorës, i cili ka vizituar Tomorrin në vitin 1906.
Ky lis ishte aq i madh sa pesë burra nuk mund ta rrethonin. Tek ky vend banorët bënin sakrilegje si dhe hidhnin monedha e ndiznin qirinj. Sipas të moshuarve të fshatit emri “Lisi i Kokës” ishte vendosur për arsye supersticioze nga që egzistonte një besim sipas të cilit, ai që do të priste qoftë edhe një degë të lisit, do të vuante nga dhimbje të forta të kokës deri në fund të jetës. Ky lis u pre me urdhër të pushtetit monist në vitin 1967, sepse besohej se ishte vend fetar, kur në fakt, adhurimi i tij ishte i karakterit dodonas. Sipas studiuesit Engjëll Qato, një lis gjigand i cili adhurohej nga banoret e fshatit Tomorr ishte dhe Lisi i Dules i cili gjendej midis disa rrënojave shumë të vjetra që banorët e quajnë “Qyteza”.
Lisa – Orakuj ka pasë dhe në fshatrat Kostren dhe Perisnakë, tek vendi i quajtur “Varret e Perisnakës”. Fatkeqsisht këta lisa u prenë rreth vitit 1998. Edhe në këta lisa zhvilloheshin rite supersticioze nga banorët e zonës. Lis i shenjtë ka qenë dhe i ashtuquajturi Lisi i Becit, afër fshatit Duhanas, disa kodra larg Tomorrit. Ky lis ishte shumë i madh, aq sa dhjetë burra nuk mund ta rrethonin. Pranë këtij lisi bëheshin sakrilegje nga banorët e zonës si dhe rite supersticioze dhe me karakter paganor si hidheshin lekë, vendoseshin copa rrobash dhe rreckash, ndizeshin qirinj. Ky lis u dogj pjesërisht nga rrufetë e shumta që e godisnin herë pas here. Pjesa e mbetur u pre rreth viteve 2000 nga punëtoret e një kompanie, të cilët instaluan aty antenat e telefonisë celulare. Por nga të gjithë këta lisa të shenjtë, më mistikët dhe më misteriozët ishin Lisat e Prokucës apo Lisat e Mbrakullës afër fshatit me të njejtin emër. Enigmatik është dhe emërtimi i vendit ku ndodheshin këta lisa. Sipas Perikli Ikonomit, Eqerem Çabejt, Ilir Cenollarit, Llaqi dhe Mihal Janos, toponimi “Mbrakull” lidhet me emrin “orakull”, orakulli cili bënte mbrekullira. Këtu vinin njerëzit në lashtësi për të gjetur prehje. I gjithe ky rit supersticioz ka vazhduar deri ne vitin 1967, kur këta lisa u prenë nga sistemi monist. Disa nga ritet që praktikoheshin nga banorët e zonës ishin: dhurim (hedhje) parash e copa rrobash, si dhe ndizeshin qirinj për njerëz të sëmurë apo probleme të tjera. Për këtë vend ka dhe një legjendë. Ja si na tregon mësuesi Tomorr Çelibashi: Duke rrugëtuar së bashku, tre dervishë qëndruan në atë vend dhe hëngrën drekën. Kur mbaruan së ngrëni, lugët i ngulën në tokë, aty ku ishin ulur dhe ikën. Lugët e tyre të drunjta, siç përdoreshin atëhere, mbinë e u bënë tre lisa. Këta ishin Lisat e Prokucës. Ka të ngjarë që më parë këta shenjtorë të qenë quajtur ndryshe dhe me hyrjen e fesë bektashiane, u quajtën “dervishë”… Përveç Lisave të shenjtë një vend tejet misterioz në Tomorr është “Shpella tek Shkëmbi i Larë” mbi fshatin Kapinovë. Për këtë vend ka disa legjenda. Është përmendur nga studiuesi Rrok Zojzi në Librin “Folklor” Vëllimi i Parë, 1939 faqja 37-38, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin tonë”, Rrok Zojzi, vj. 1949 të hedhur në Youtube nga “Mallakastrioti”. Zojzi midis të tjerave thotë: “Thonë se në nji vend afër majës, asht nji mollë e shenjtë. Vetëm ata që janë me zemër të pastër mund ta këpusin mollën, por deri tash nuk asht gjet njeri. Kur nji grua që s’ban fëmijë ha nji kso molle, ajo ngjitet me barrë. Disa thonë se kjo mollë ndodhet në luginën ndërmjet të dy çukave, disa të tjerë thonë se ndodhet në grykë të nji shpelle që asht përmbi shkamb që nuk i hypet e që gjindet ndërmjet katundevet Bargullas dhe Kapinovë…”.
Por rrëfimin më të qartë për vendin ku ndodhet e ashtuquajtura “Molla çudibërëse”  e tregon arkeologu dhe studiuesi britanik Arthur Bernard Cook. Ja si thotë Cook: “Një dervish i ri dhe i shkolluar kishte më shumë për të thënë. Ju duhet ta dini që në Tomorr nuk është vetëm ky vend i shenjtë (Teqeja). Diku në pjesën e veriut thonë se është një shpellë e futur në një pllajë brenda së cilës rritet një pemë molle. Unë asnjëherë nuk kam qenë atje dhe vetëm flas për atë që kam dëgjuar, por të gjithë e dinë atë vend. Frutat e kësaj molle janë më të mëdha se mollët natyrale, por vështirë që të futesh atje, sepse shpella ku rritet molla është shumë e thellë dhe deri më sot askush nuk ka hyrë për të këputur qoftë dhe një kokërr mollë të vetme. Në vjeshtë kur fryn era banorët e zonës që jetojnë aty  rreth e rrotull shkojnë me shpresë se mos gjejnë ndonjë kokërr mollë të rrëzuar nga era, sepse ato kokrrat e mollës thonë që kanë fuqi të shërojnë çdo lloj sëmundje edhe ata që janë duke vdekur kam dëgjuar se mundet të vijnë përsëri në jetë nëse hanë nga ky frut” (shih Zeus: A Study in Ancient Religion, Volume 3, Part 2. Arthur B. Cook Londër 1940 fq. 1170).
Legjendën e kësaj molle e përmend dhe rilindasi Perikli Ikonomi. Ai, midis të tjerave thotë: “Mbi katundin Lybeshe, në faqe të Tomorrit, midis shkëmbenjësh, – thotë gojdhëna, – se në një shpellë brenda është një mollë që askush nuk afrohet dot atje nga frika e vdekjes, se e ruajnë të mirët mollën, por dhe as hipën dot njeri. Legjenda e Mollës çudibërse, mos vallë është legjenda e Pemës së Jetës, me frutet e së cilës ushqeheshin perënditë e Tomorrit? Mos vallë kemi të bëjmë me Pemën e Jetës, e cila është permendur në të gjithë librat e shenjtë religjozë deri dhe tek Testameti i Vjetër (shih proverbën 13:12) fruti i së cilës besohej se te sillte pavdeksinë? A është rastësi se afër Shpellës së Kapinovës tek vendi i quajtur “Shkëmbi i Larë”, ku legjenda thotë se rritet “Molla çudibërëse”, pra Pema e Jetës, ndodhet edhe burimi i Vitalemit që në shqip do të thotë Burimi Jetëdhënës (pra Burimi i Jetës)!?

Statuje gruaje e gjetur ne Tomorr
Statuje gruaje e gjetur ne Tomorr

Simbole Misterioze të Gdhendura në Gurë

Në veri të Tomorrit në një banesë të vjetër gjenden disa gurë me shenja misterioze. Nga biseda me banorët e zonës rezulton se këta gurë dikur janë marrë nga një ndërtesë 300 vjeçare. Lexuesi me të drejtë do të pyesi, po çfarë na duhet ne këta gurë që janë në këtë banesë? Nga do kene ardhur ata gurë misteriozë aty? Përgjigjen na e tregon Eqerem Vlora në librin e tij me titull “Nga Berati në Tomorr dhe kthim” në faqen 171, ai pasi viziton zonën e Tomorrit ndalet në fund tek disa rrënoja në fshatin Peshtan, të cilat i kishte rekomanduar Babë Dudë Karbunara, midis të tjerave ai thotë se: “Për një ore ishim në Peshtan. Fillimisht nuk më morën vesh se ç’kërkoja, pastaj na çuan në një fushë plot shkurre përmbi fshat, që sikurse shumë rrënoja të tjera të vjetra në Shqipëri, quhej “Qyteti” dhe mbahej nga populli si vende ku mblidhen xhindët. Por ndryshe nga sa më ishte thënë, rrënojat ishin shumë më të pakta. Pjesa më e rëndësishme ishte një qoshe muri ciklopik me blloqe guri të papunuara 0,60 me 1 m. Gërmimet po të ishin bërë me siguri do të kishin pasur sukses, sepse gjithandej nëpër barë dukeshin kokat e gurëve. Tani mjerisht popullsia përreth e përdor rrënojen si karrjerë guri për ndërtim”.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës por dhe vet të zotit të shtëpisë, jo shumë larg është një vend misterioz i quajtur “Beja”. Nga ky vend herë pas here raportohet të kenë dalë kollona, statuja dhe artifakte të tjera. Afër Bejës ndodhet dhe vendi i cili thirret me emrin “Qyteti”, ku ka rrënoja të shumta me gurë ciklopikë dhe pranë është Kalaja madhështore e Tomorrit. Sipas shpjegimeve që na bëri pronari i banesës, këta gurë janë marrë pikërisht nga ky territor para shumë vitesh. Ikonomi në librin e tij për Tomorrin tregon se në këtë zonë ka qenë dikur një vend i shenjtë. Citojmë për të krijuar një panoramë sa më të qartë: Pranë vendit të quajtur Stradom (Saturni) ndodhet dhe Çukja e Peljes (Peljus). Veçanërisht ky vend ka dhe emrin Çuka e Shën Iliut (Ilio ose Çuka e Diellit). Ndër këto pranë Qytezes në një shesh të bukur thuhet se ka qenë një kishë e krishtere me emrin “Metamorfoza” ose “Shën Sotiri” e cila ka qenë ndërtuar mbi një faltore pagane. Albanologu Robert Elsie thekson se: Në Shqipëri, ka pasur një manastir të Saint Blaise (Shën Vlashit) ndërtuar në shpatin e malit të Tomorrit në veri të tij, i cili përmendet në 1343, si Hibernum S. Blasii (Shën Vlashi dimëror – shih Robert Elsie Balkanistica 13, 2000, fq. 48). Dihet se të krishterët e parë përdorën si vende të tyre të adhurimit kultet pagane mbi të cilat i ngritën dhe kishat dhe manastiret. Nga kqyrja e gurëve të cilët janë 6 copë duket qartë se kemi të bëjmë me Pemën e Jetës. Në një nga këta gurë është gdhendur dhe pema e Lisit. A mos vallë kemi të bëjmë me Lisin e Dodonës? A mos vallë kulti i adhurimit të tij vazhdoi edhe në kristianizëm? Përveç Pemës së Jetës të gdhendur në gurë në njerin prej gurëve është simboli i diellit, një peshk ose delfin si dhe një dragua. Dielli në lashtësi tek shumë popuj, por dhe tek ata pellazgo-ilirë ishte simboli i jetës. Populli shqiptar ka shumë shprehje që lidhen me diellin, por një ndër to është kur ai shpreh mirënjohjen me fjalët “Ta bëjë Zoti (Zeusi) dritë” ose “Ta bejë Zoti apo perëndia (Zeusi) rrugën diell”. Në këto urime Zoti apo perëndia pra Zeusi i dikurshëm personifikohen me dritën hyjnore të diellit. Dielli në të gjitha format e tij personifikon fuqinë natyrore, format më arkaike të tij janë njohur qysh në Mesopotami si emblema e Assur, në Egjiptin e Lashtë ku njihej si personifikim i Osiris dhe perëndisë Ra, tek persianët si simbol i Mithras apo krijimit të dritës si dhe tek pellazgo-ilirët dhe më vonë tek grekët si simboli i Helios – dritës së universit (kujto Çukën e Shën Iliut në Tomorr).
Dielli si simbol është njohur dhe në kristianizëm ku ai personifikonte pjellorinë.
Tek gurët e gjetur në Tomorr janë dy diej, njeri prej tyre është në majë të një dekoracioni me një kryq në brendësi dhe një pikë në qendër. Kjo formë njihet nga studiues të ndryshëm si forma më e vjetër dhe me arkaikja.
Në Egjipt simboli i diellit me një rreth dhe pikë në qendër kishte kuptimin e perëndisë Ra, por nëse kishte një kryq kjo tregonte katër stinët e vitit. Në një gurë me simbolin e diellit është dhe një delfin simbol i të cilit është njohur nga pellazgo-ilirët dhe më vonë grekët dhe personifikonte Afërditën perëndeshën e bukurisë. Poseidonin, Zotin e detit si dhe Apollonin Zotin e diellit. Në shkrimin me titull “Nga Tomorri i Beratit në Tomorrin e Janinës” të etnologut Prof. Ramadan Sokoli, publikuar nga Lazër dhe Jozef Radi midis të tjerave thuhet se: “Në trevën e Beratit në këtë perle etnokulturore të Shqipërisë, rrëzë Malit Tomorr, mendohet se aty ishte një faltore përkushtuar Zeus-Diellit, pikërisht aty në selinë e Hyjnive. Në atë mjedis rronin murgj të lashtësisë. Me kalimin e kohës ai tempull pagan u shndërrua në faltore të Krishterë dhe pastaj përfundoi në Teqe Bektashjane. Sipas traditës së lashtë vinin aty besimtarë dhe blatonin therore. Kjo traditë u trashëgua nga kultet e lashta brez pas brezi dhe arriti deri në kohën tonë…”
Sipas autorit Manly P. Hall në librin me titull “The Secret Teachings of All Ages” botuar në vitin 1928, midis të tjerave thuhet se: Dielli është përcaktuar nga astrologët e lashtë si trupi qiellor më suprem mes të gjithë trupave qiellorë të dukshëm. Ndaj ai u bë simbol i autoritetit suprem të vetë krijuesit. Tek shumë popuj si ata egjiptianë por dhe pellazgo-ilirët, simboli i diellit është simbol i pavdeksisë. Ndërsa ai perëndon çdo mbrëmje, ai rilind apo ringjallet përsëri në mëngjes. Shumë studiues e lidhin Orakullin e Dodonës me adhurimin e Kultit të Diellit, pra me adhurimit e Zeusit vetë mbretit të perëndive.
Po imazhi i dragoit: çfarë tregon?
Ka shumë të ngjarë që dragoi përfaqson kujdestarin e mbinatyshëm. Por imazhi i tij më vonë është përqafuar dhe përdorur nga kristianët. Përveç gjetjes së gurëve mbi të cilat janë gdhendur pemët e jetës ku përfshihet dhe lisi i Dodonës, dielli si dhe imazhe dhe simbole të tjera misterioze. Eshtë zbuluar dhe një artifakt prej bronzi i cili është i gjatë rreth 40 cm dhe peshon 4,5 kg. Nga kqyrja e tij me sy të lirë mendohet se kemi të bëjmë me një artifakt të rrallë i cili në vetvete ka imazhin e Luanit. Sipas studiuesit Gjergj Zogaj, i cili e ka parë nga afër artifaktin kemi të bëjmë me imazhin e një luani deti. Por ka dhe mendime të tjera se kemi të bëjmë me luan, qenë Mollosë deri dhe tek imazhi i një sfinksi. Imazhi i luanit është përdorur nga shumë popuj të lashtë. Priftërinjtë egjiptianë në shumë prej ceremonive të tyre mbanin veshur lëkurët e luanëve, të cilat ishin simbole të rruzullit diellor, për shkak të faktit se dielli është i lartësuar, ishte simbol me dinjitet, por dhe se ishte i vendosur në konstelacionin e Luanit. Për këtë arsye lëkura e tij është mbajtur dhe nga heroi i mitologjisë pellazge, Herkuli i cili ashtu si priftërinjtë egjiptianë mbante veshur lëkurën e kësaj kafshe.
Interesant është fakti se Perikli Ikonomi midis të tjera në librin e tij për Tomorrin rrëfen se në kohë të lashta në këtë mal ka patur luanë. Të gjitha këto gjetje gati rastësore duhet të analizohen nga ekspertët e fushës së historisë dhe arkeologjisë, por njëkohsisht ato janë rreze shprese se në Malin e Tomorrit, Malin e Perëndive, Olimpin e shqiptarëve gurët dhe drurët kanë filluar të flasin.

Froni i Perendive - Tomorri
Froni i Perendive – Tomorri

Bibliografia
“Dodona” Howard Fremont Stratton, Michigan USA, 1937
“Historia e Tomorrit Dodona Pellazgjike dhe Tomor’i Zotit te Pelazgjevet” Perikli Ikonomi, Vlorë 1936
“A glossary of important symbols in their Hebreë, pagan and Christian forms” Adelaide S. Hall, Michigan USA 1912
“Zeus: A study in ancient religion” Vëllimi III Pjesa II, Arthur Bernard Cook, Londër 1940
Enciklopedia Britanike http://www.britannica.com/topic/world-tree
“The testimony of profane antiquity to the account given by Moses of Paradise and the fall of man” Mathew Bridges, Londer 1825
“The Secret Teachings of All Ages” Manly P. Hall, USA 1928
“Nga Tomorri i Beratit në Tomorrin e Janines” Prof. Ramadan Sokoli, publikuar nga Lazër dhe Jozef Radi Folklore”
Vëllimi i Parë 1939 “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin tonë”, Rrok Zojzi 1949 (Publikuar në YouTube nga Mallakastrioti)
“Nga Berati ne Tomorr dhe Kthim” Eqerem bej Vlora, Sarajevë Bosnje Hercegovinë 1911, Ribotuar nga Fatmir Koçi Tiranë 2001
“Balkanistica 13” Robert Elsie 2000
“Gjuha e Perendive” Aristidh Kola, Athine, përkthyer nga Spiro Xhai
“The sacred tree; The Tree in Religion and Myth” Mrs J. H. Philpot, Londer 1897
Ndihmuan me të dhëna Gj. Zoga, E. Qato. T. Çelibashi, K. Kajo.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.