back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Grimca humori nga i Papërsëritshmi Tefë Palushi…

Gazeta

Tefë Palushi (1943-1985)
Tefë Palushi (1943-1985)

Grimca humori nga i Papërsëritshmi Tefë Palushi…

***
Kishte raste që në tavolinën e Tefës uleshin shumë njerëz e që përfitonin edhe nga bujaria i tij dhe Tefa porosiste kujt një gotë, kujt nji kafe e në fund paguante ai. Po shpejt e kuptoi që disa nga këta ishin tipa i binin qylit. Nji mbramje shkon te tavolina e tyne dhe priti si do të silleshin ata. Asnjeni s’porositi. Pinin veç cigare dhe prisnin të porosiste Tefa. Edhe Tefa ndejti në lojën e tyne tuj pi cigare pa porositë asgja, veç tymoste duhan. Dikur, u mërzit, u çu nga vendi dhe ju thotë miqve të tavolinës:
-Ma bashi natën e mirë, e m’kallzoni kur po mblidhna herës tjetër me pi cigare?!

***  
Tefa ishte në Tiranë me grupin e delegatëve shkodranë në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistave. 
Te holli i hotelit, dikush i shërbimit, për ta ngacmu Tefën i thotë:
-Me cilin ke dëshirë me fjetë në të njejtën dhomë. Ke dy mundsi o me Tinka Kurtin a me Fadil Krajën?
-Po t’jetë puna me fjetë, ma mirë flej me Fadilin! – ia ktheu Tefa…

***
Në Parrucë bahej varrimi i nji të vdekuni.
Tefa në shenjë nderimi kishte ndalu anash trotuarit. Në momentin që arkivoli po futej në makinë, para Tefës kalon nji shok i tij me biçikletë. Ky e shef Tefën që po kqyrte arkivolin që futesh në makinë dhe me të shpejtë i thotë:
”O Tefë, t’pafsha ty aty mbrendë (në makinën e vdekjes)”.
”T’lumtë goja, mirë e ke… Unë shofer… ti pasagjer!”

***
Shkon Tefa për drekë në nji restorant dhe porosit groshë. Kur kamarierja i sjell pjatën Tefa fut lugën në pjatë, e përzien langun dhe kur s’shef asnji kokërr groshe në pjatë i thotë kamarieres:
”Mos u largo se du me më ndihmue pak”
“Me gjithë qejf – i thotë kamarierja?”
Dhe Tefa heq xhaketen ia le në dorë, heq këmishës dhe ia le në dorë dhe kur po bahej gati me heqë pantallonat… kamarierja e habitun e pyet:
-Ç’ka po ban mor Tefë, nuk asht as vapë”?
-Po zhytem n’lang t’groshës, se mos gjej ndoj kokërr”!

Kol Idromeno - Dasma Shkodrane
Kol Idromeno – Dasma Shkodrane

***  
Kur e pyeti ish drejtori i kinema “Rozafatit” Dilaveri, Tefën:
-Pse tifoz i gjermanve qenke ti Tefë?
-Po pse me kë me u ba tifoz, me ty? Ti sa kje drejtor dogje kinema “Rozafatin”. Gjermanët kanë kalue nëpër Shkodër, e s’e kanë djegë nji jerevi!…”

***
Nji herë Tefa, po rrinte n’breg të liqenit. Kalojnë dy djem andej pari e shofin Tefën dhe shkojnë ta ngacmojnë. E pyesin se çfarë po bante dhe ai u thotë:
-Po gjuj peshk mor djem!
-Po mirë – i thonë ata, – e shofim që po gjun peshk po tullën pse e mban aty?
Tefa si me të qeshun u thotë: Po ma qerasët nji kafe jua kallzoj!
Në fillim ata hoqën dorë, po kureshtja ishte e madhe dhe ia sollën kafen. Si të paduruem djemtë s’po e linin rehat për shpjegimin. Mbasi mbaroi kafen kthehet dhe ju thotë!
-Me grep nuk kam zanë asgja, ndërsa me tullë nja shtatë a tetë peshq.

***
Në stacionin e Laçit, në vagonin ku udhëtonte Tefa u fut edhe kompozitori Ruzhdi Keraj. Mbasi përqafohen, Tefa i zgjat paketën e cigareve “Partizani” dhe Ruzhdiu i merr nji cigare. E ndërsa Tefa po fliste me dikë tjetër, Ruzhdiun si pa u ndje i merr edhe  tri-katër cigare tjera!
E shef Tefa dhe i thotë:
-O Ruzhdi! Që vjedh muzikë e kam dijtë, por që ke nisë me vjedhë edhe cigare sot po e marr vesh!”

Aktori Llazi Sërbo (1945-2010)
Aktori Llazi Sërbo (1945-2010)

***
Në restorant “Drini” hante darkë aktori Llazi Serbo me nji shok të tijin – Sapo kishte ardhë nga Korça, për xhirimin e nji filmi “Operacioni Zjarri” ku ai aktronte me sukses në rolin e Pal Mëlyshit! Ishte gati ora njimbëdhjetë e natës, kur futet Tefa, që sa kish  dalë nga mbledhja e kolegjumit të revistës “Hosteni” dhe ulet pranë tyne.
-Po si jeni more shoku Pal? – i drejtohet me humor Llazit.
Llazi ia bën me shenjë shokut të vet, “Ore ky është në vete, apo është i shkalluar nga trutë!”
Shoku ia miraton mendimin, i buzëqesh dhe vazhdon të hajë. Vjen kamarieri dhe i zgjat menynë Tefës! Tefa e sheh që të gjitha asortimenteve u kishin ra vizë, dhe e kuptoj që o ishte shaka, o s’kishte asgja me hangër!
-Hë mo Tefë porosit çdo të hash?! – e thotë Llazi.
Dhe Tefa qetësisht iu përgjigjet:
-Mi ban nja dy viza të shkurta dhe nji vizë të gjatë!

***
Ishte ulë Tefa në kafe dhe po pinte nji teke fernet. Në at çast hyn në kafe kontrolli shëndetsor dhe drejtohen te Tefa. Mbasi e përshëndesin Tefën, i thonë që t’u japë gotën.
-Posi jo – u thotë Tefa, dhe fap e ktheu pijen që ishte në gotë. Ata të habitur nga veprimi i Tefës i thonë: Ne e kishim fjalën për pijen dhe jo për gotën. Dhe Tefa pa e prishë terezinë ju thotë:
Më falni, më thatë për gotën, jo çka kishte në gotë!!

Kafja e Madhe - Shkodër
Kafja e Madhe – Shkodër

***
Futet Tefa në Kafe të Madhe, dhe i thotë banakierit mos kishte ndonji paketë “Partizani”.
-Pasha besën Tefë, asnji për bè, – ia ktheu banakieri Lin!
Ndërkohë vjen nji bukuroshe shkodrane, e njoftuna e Linit dhe nën zà i thotë:
-Lin, t’marrsha t’ligat nji “Partizan”, se e kam litarin n’fyt?
Lini ia ban me shenjë dhe i jep fshehtas dy paketa!
Tefa mbasi e pau krejt skenën i afrohet kamarjerit.
-Lin kam me të paditë, ke nisë me strehu edhe Partizan!

***
Shtjefën Palushi (Tefa) e Paulin Selimin mbeten dy krijues të njoftun të humorit shkodran. Tefa ishte i shkurtë e i shtrembtë,  Paulini i hollë e i gjatë…
Si bashkëkrijues humori dhe shokë, ata shkonin e vinin shpesh për vizita te njeni-tjetri. Nji ditë, Paulini e merr Tefën në telefon, dhe i thotë se po kalonte andej kah shpija.
-Po mirë hajde! – ia kthen Tefa.
Mbas disa minutash, bien zilja e derës në shpinë e Tefës…
-Kush asht? – ndigjohet nji zà nga mbrenda.
-Unë Paulini jam, hape Tefë…
-A ti Paulin je, futu nëpër plasë(çarë) të derës… se të xen… ia kthen nga mbrenda Tefa.
Mbas do ditësh, i njëjti rit përsëritet, po tash asht Tefa që i bie ziles në derën e shpisë së Paulinit.
-Kush asht? – pyet Paulini.
-Tefa, Tefa jam, po hape derën…
-Futu, nëpër birë të çilësit se po pritoj me u çu… ia ktheu kusurin Paulini.

Paulin Selimi (1947-2013)
Paulin Selimi (1947-2013)

***
Mbasi qe mërzitë prej komunizmit, Tefës i shkrep në mendja me u arratisë. Dhe niset e shkon në Zogajt ku ishte kufini, me shpresë të arratiset për në Mal të Zi. Po syni vigjilent i kufitarëve të kohës së Xhaxhit, pikas nji burrë shtrembaluq, që po i afrohej kufinit dhe mbasi e rrethojnë ushtarët e kapin dhe shohin se ishte Tefa, që e njifnin të gjithë. E marrin e hypin në një makinë dhe e nisin për në Shkodër. Kur mbërrijnë në Shkodër, policët e pyesin Tefën:
-Tefë, pse deshte me e thy kufinin?
-Po jo mor burra, as në mendje s’më ka shku, – ua kthen Tefa, – Po kisha mbetë në rrugë e s’dijsha si me u kthy në Shkodër. Atëherë thashë: A e din çka baj, ma mirë po i afrohem kufinit, ushtarët kanë me më kapë, e kanë me m’pru me makinë në Shkodër…!!

***
Nji ditë Tefë Palushi kishte marrë grepin dhe ishte ulë në lulishte dhe bante sikur gjuante
peshk. Kalonin njerëz dhe çuditeshin me Tefën.
Paska luejtë mendsh Tefa i shkretë!  – thoshin
-Ça po ban mor Tefë? – e pyet njeni
-A s’e shef, po gjuej peshk!
-Hajt mor i marrë pijmë ka nji birrë, çfarë peshku n’lulishte! Dhe pinë nga nji birre e nji bërxollë. Mbarojnë dhe Tefa vazhdonte me grep në lulishte derisa erdh dikush tjetër edhe e pyet dhe u përsërit historia e nji birre mee bërxollë.
Kur kaloi nji i tretë dhe për me u tallë me Tefën i thotë:
-Hë mor Tefë, a t’ka ra ndonji peshk?
-Për njat zot, n’ma dhansh nji birrë, je i treti që ma han karremin! ia ktheu Tefa

***
Nji ditë Tefa shkon te Mapoja industriale me ble nji palë të mbathuna.
-Mirdita!
- Mirdita Tefë! Ça dëshiron me ble mor Tefë?
-M’duhen nji palë të mbathuna për vedi.
 Dhe shitësja menjiherë i vuni mbi banak nji palë të mbathuna numër i madh, dhe i thotë:
-Tefë, s’kam tjera veç kët numër kam!
Tefa ashtu i dobët e i vogël, i kqyr mbarë e mbrapsht të mbathmet dhe vendos me i marrë. Paguan paret, merr të mbathunat dhe niset me dalë. Kur…
-Tefë, Tefë ku po shkon?! Prit, se ke me marrë kusurin.

-Lene lene, kusurin ma jep b… – i thotë Tefa dhe tërheq derën.

***
Nji ditë vere, Tefa qe ulë te bordura para lulishtes “1 Maji” në Shkodër, nën hije të nji peme. Me dëshirën për me hy në muhabet po edhe për me e tallë pak, nji hetues, që kalonte me “Gaz” aty pari, i thotë humoristit shkodran:

-Ik prej aty mor Tefë, o hyp e t’çova në Degë.

-Unë mezi po rri në tokë, ti më thu me hypë në degë, – ia ktheu Tefa me humor.

***
E pyetën Tefën:
-O Tefë! Kush asht ma i gjati n’Shkodër…
-Unë, – tha Tefa, – pse a ka ma të gjatë se unë?
Ata që ishin rrotull ia dhanë gazit.
-Pse po qeshni – ju kthye Tefa – ba me u hekurosë dal dy metër!!

***
N’ato kohna kishte njerëz që krijonin edhe barcaleta (të konsiderueme reaksionare) që i përhapnin duke thanë se “E ka thanë Tefa!” Ky ishte nji spekullim që bahej me emnin e tij, pse kishte popullaritet të madh në krejt vendin. Tefa bahej nervoz dhe nervozizmin e tij e shprehte jo aq me faktin se ato barcaleta mund t’i edhe hapnin telashe, por sepse brenda batutës nuk kishin art. Sa herë i ndigjonte Tefa këto barcaleta thoshte: “Mund ta pranoj si timen, por kjo barcaletë s’asht as e bukur… s’ka as humor!”.
Pra, edhe në ksi momentesh ai ishte ekzigjent i cilësisë së humorit.

***

Mbasi Tefën e pranuan si piktor/ artist, në Lidhjen e Shkrimtarve dhe Artistave… ai merr pjesë në mbledhjen e parë të Lidhjes. Ngrihet një diskutant në podium dhe mban fjalën e hapjes. Tefa si i ri që ishte, s’i njihte ende të gjithë anëtarët dhe me zë të ulët pyet shokut që kishte pranë: -Kush asht ky mar?
-Skifter Këlliçi! – iu përgjigj ai…
-Po çka don ky n’Lidhje të Shkrimtarve!? Pse s’shkon te Lidhja e Gjuetarëve…!? pyeti Tefa.
.
***
Pak kohë mbas Tërmetit të vitit 1979 në zonën e Shkodrës, qeveria i kohës dërgoan atje Estradën e Tiranës për të krijuar pak atmosferë etuziazmi…
Sapo mbërritën në Shkodër Vasillaq Vangjeli dhe Veli Rada shkojnë te Kafja e Madhe të takonin Tefën si shokë të ngushtë mes tyre…
Sapo futen në kafe, i sheh Tefa dhe i habitur i pyet:
-Po ju mar, ça po kërkoni kndej?
-Po ja, kemi ardhur të japim koncert variete, ta engledisim popullin, në këto ditë të vështira që kalon… – i tha Vasillaq Vangjeli me shpoti..
-Kukuuu për Shkodrën, që s’iu dànë fatkqesitë… Mirë tërmeku, po edhe ju ishit mangut…! shpërtheu Tefa…
.
(Dy barcaleta e fundit janë kontribut i Kel Dukes)

.
(mblodhi dhe redaktoi Jozef Radi)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.