back to top
23.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Globalizmi në këndvështrimin gjeopolitik – nga Ervina Toptani

Gazeta

Globalizmi
Globalizmi

Globalizmi në këndvështrimin gjeopolitik

nga Ervina Toptani

Çfarë është globalizmi, dhe kuptimi strategjik i tij?

Globalizmi që jetojmë ne sot nuk është gjë tjetër veçse kontrolli i hapërsirës detare e oqeanike nga ana e SHBA-ve. Në thelb globalizimi është i gjithi i përqëndruar në këtë pikë. Përse është kështu? Sepse në kohët e sotme, në vitin 2019 e jo 100 vjet më parë, 90 për qind e mallrave që lëvizin nëpër botë udhëtojnë nëpërmjet rrugëve detare. Dhe është evidente se kush kontrollon hapësirën detare e oqeanike ku udhëton 90 për qind e mallrave të botës, praktikisht e gjithë tregtia ndërkombëtare, ka krijuar dhe tregun e vetëm global. Shtetet e Bashkuara e arritën këtë me përfundimin e Luftës së Ftohtë kur pasi mundën Bashkimin Sovjetik u kthyen në superfuqinë numër 1 të botës, duke fituar kontrollin absolut të të gjithë hapësirës detare e oqeanike botërore. Kështu e menduan mirë të krijojnë një treg të vetëm botëror.
Le të kthehemi një hap prapa në kohë Ekziston paragjykimi përsa i takon globalizmit se nëse e marrim në konsideratë në prizmin jostrategjik, jo gjeopolitik ky fenomen rezulton i pastudiuar me hollësi. Ne, njerëzit mendojmë se shumicën e kohës jemi të aftë të bëjmë gjëra të shkëlqyera, jetojmë mirë sidomos në kohën e internetit e rrjeteve sociale, fotografojmë pjatat e ushqimit e i nxjerrim në faqet respektive, shkruajmë gjëra të bukura kur biem në dashuri apo përdorim fatkeqësinë e të tjerëve për të bërë shkrime që prekin qindra e ndjehemi se kështu jemi bërë më humanë. Të gjitha këto i jetojmë si gjëra të mrekullueshme që na japin kënaqësi. Nga ana tjetër jemi të bindur se edhe globalizmi është diçka e tillë, si rrjetet sociale, me historik të ri por që ne e njohim mirë çfarë është e kaq mjafton.
Vetëm së fundmi është folur për të, por nëse i referohemi historisë dhe e shohim me syrin e studiuesit, në të vërtetë ka pasur disa raste të ngjashme të mëparshme në histori që ia kanë shtruar rrugën globalizmit të sotëm. Gjithçka e ka fillesën tek historia, ajo vetëm përsëritet me ndryshimet e rastit sipas kohës e hapësirës. Njëra prej tyre në kuptimin teknik që është dhe e para është “Pax Romana”, globalizmi fillestar “par excellence”. Në atë kohë mjaftonte deti Mesdhe që ishte dhe deti më i rëndësishëm i planetit për kohën, mjaftonte të kontrollohej ai për të krijuar globalizmin e kohës. Kur romakët mundën në fund të luftës së tretë punike kartagjenasit dhe morën kontrollin e plotë të detit Mesdhe krijuan globalizmin me të gjitha efektet e tij në kuptimin teknik. Dmth u bënë dominues të rrugëve detare ku lundronin mallrat e nëpërmjet saj krijuan një treg të vetëm të mallrave që e menaxhonin ata. Pas romakëve ishin britanikët ata që krijuan globalizmin në kuptimin gjeografik “Pax Britannica” e shprehur në latinisht. Në fakt vetë termi i përdorur në gjuhën latine “Pax Romana”, “Pax Britannica” e “Pax Americana” tregon sa e hershme ka qenë qenësia e globalizmit në histori, duke treguar vazhdimësi që është në fakt e kundërta e diçkaje të re e pa histori siç e mendojmë ne sot globalizmin pak a shumë.
Në atë epokë, britanikët duke pasur kontrollin e të gjithëve deteve e oqeaneve, nëpërmjet marinës së tyre të shkëlqyer krijuan globalizmin e parë të fuqishëm në historinë botërore. Kjo ndodhi në mes të shekullit të 19-të në periudhën e njohur si “Epoka Viktoriane”. Anijet e mallrave nuk lëvizin në ujëra detare e oqeanike pa plan të detajuar e të mirëmenduar sepse gjithçka bazohet mbi buxhetin, shpenzim-fitimin e reduktimin sa më të madh të jetë e mundur të shpenzimeve. Studiohen rrugët më të shkurta detare për të shpenzuar sa më pak e për të mbërritur më shpejt. Të gjithë këto rrugë detare kontrollohen nga superfuqitë. Në botën njërëzore që zakonisht dominohet nga kaosi, pëson ndryshime të vazhdueshme, bëhen luftra e shkaktohen sëmundje e pandemi e ku siguria është pothuajse 0, e në çdo aspekt ka diçka që nuk ndryshon asnjëherë e vazhdon me të njëjtin ritëm e rregull si gjithmonë, ky është kontrolli i hapësirës deteve – oqeanike nga ana e amerikanëve. Kjo është e pandryshueshme tashmë të paktën prej disa dhjetëvjeçarësh.
Ato që janë edhe më të rëndësishme sesa rrugët detare në përgjithësi janë rrathët e shënuar në ngjyrë blu nëpër hartat specifike që nënkuptojnë ngushticat. Në fakt të gjithë e dinë se sado e fuqishme të jetë një superfuqi nuk ka asnjë mundësi fizike të kontrollojnë teknikisht në plot kuptimin e fjalës milje për milje e kilometër për kilometër detet apo oqeanet e pafundme, kjo është absolutisht e pamundur. Ato kontollojnë pikat kyçe të pasazheve të detyrueshme, aty ku anijet e kanë të domosdoshme të kalojnë, tek ngushticat, kanalet si ai: i Suezit, Gjibraltarit, Bab-el-Mandeb, Malakës, Panamasë, Hormuzit, etj. Të gjitha ngushticat nëpërmjet të cilave është i detyrueshëm kalimi i anijeve të mallrave. Dhe në lëmin e superfuqisë shtetet e Bshkuara mund t’i pengojnë kalimin çdo lloj anijeje që kanë dëshirë ata si atyre tregtare po ashtu dhe ushtarake, të gjithave në planet, pa përjashtuar askënd.
Superfuqia detare amerikane është e pamposhtur ende sot. Sepse SHBA-të si në rastin e çdo globalizmi në histori, ai romak e britanik janë talasokratike, pra janë potencë thelbësisht detare. Dmth, amerikanët e shohin botën nga deti e oqeani dhe gjykojnë të tjerët nëpërmjet kësaj aftësie: fuqisë detare. Përse është kaq e rëndësishme për çdo superfuqi botërore që të ketë fuqi të madhe detare? Sepse flasim për avantazhin strategjik “par excellence”. Së pari infrastruktura detare është ajo që ka qenë e nuk është e nevojshme të ndërtohet një e re, deti ka qenë aty e aty do të mbetet. Duhet të dish ta lundrosh e të kesh flotën e duhur për të qenë superfuqi, por infrastruktura në thelb është ekzistuese.
Në planin thellësisht ushatarak, të kontrollosh detin do të thotë të mbytësh çdo lloj armiku që vjen nëpërmjet detit madje t’i ndalosh atij edhe daljen prej shtëpisë, t’i kthej kurrizin detit prej frikës. “Frika prej detit” është një temë që i takon të gjithë qytetrimeve të mëdha e superfuqive të rëndësishme, jo vetëm në fazat e tyre embrionale, por që shpesh iu ka përcaktuar dhe fatin. Britanikët e kanë krijuar globalizmin dhe era e tyre e fuqisë përfundoi pas Luftës së Parë Botërore. Ata u bënë potencë detare kur nuk ishin aspak të tillë. U bënë në shekullin e 16-të me sforco çnjerëzore, sepse pasazhi nga potencë tokësore në potencë detare është diçka tmerrsisht e vështirë që kërkon energji të jashtëzakonshme dhe sforco gati gati mizore. Atëherë britanikët ose më mirë anglezët, u shndërruan në superfuqi detare, pasi kishin frikën se mund të sulmoheshin përsëri nga armiqtë e kontinentit europian.
Sulmet ndaj Britanisë prej kontinentit europian kanë qenë një konstante e historisë angleze deri në atë pikë sa të ndikojë fuqishëm dhe tek gramatika (e gjuhës), pushtimi nomad i Anglisë ndikoi shumë tek gramatika e gjuhës angleze, aq sa i detyroi anglezët të vendosnin përdorimin e mbiemrit pas emrit (në gjuhën e vjetër angleze kjo praktikë nuk ka qenë e tillë). Pra, nga deti britanikëve u erdhën nomadët që ndikuan fuqishëm deri dhe mbi gramatikën e gjuhës. Kur ndikohet gramatika e kuptojmë të gjithë se mizoria është maksimale. Pra kush kontrollon rrugët detare e oqeanike mund të krijojë jo vetëm tregun global siç kanë bërë amerikanët, por të dominojnë planetin sepse kanë në duart e tyre instrumentin më të aftë e më të qenësishëm. Kjo është pika e vetme e rëndësisë së veçantë që nuk ndryshon asnjëherë në lidhje me gjithçka jo vetëm me globalizmin, fuqia detare.
Globalizmi nuk ka të bëjë fare me tregtinë e lirë, siç përdoret ndonjëherë si narrativë. Tregtia e lirë në fakt as ka ekzistuar e as do të ekzistojë ndonjëherë, është thjesht ideologji e pastër. Të gjithë vendet e planetit aplikojnë taksa e detyrime mbi njëri tjetrin në forma e mënyra të ndryshme, të gjithë pa përjashtuar askënd. Ata që i aplikojnë pak më pak janë ata që kanë në dorë të gjithë sistemin, amerikanët, siç kanë bërë dikur dhe romakët apo britanikët përpara tyre. Sepse për të krijuar varësi tek të tjerët këto vende importojnë mallrat e tyre në sasi tepër të mëdha duke krijuar kështu varësinë e të tjerëve dhe fizikisht i dorëzojnë monedhën e tyre në dorë si monedhë shkëmbimi të mallrave në fushën e tregtisë, e cila kthehet shumëfish po në xhepat e tyre.
Sigurisht që ka nga ata që kjo gjë nuk u pëlqen aspak. Ky dikush, në kohën e sotme për shembull është Kina, e cila nuk është ende superfuqi detare, e aq më pak talasokraci. Kina ka bërë diçka shumë interesante, ka marrë përsipër të sfidojë SHBA-të duke promovuar kundërglobalizmin që e kanë quajtur “Rrugët e Mëndafshit“. Një fetë e madhe e PIL-it të Kinës, 90 përqind të mallrave të saj eksportohen në rrugë detare që kontrollohen ekskluzivisht nga amerikanët dhe është e qartë se ajo është ende nën ndikimin e tyre të kontrollit e fuqisë, sado që kohët e fundit Kina ka ecur me ritme galopante përpara edhe në ndëtimin e flotës së saj detare. Ajo është gjithnjë në ofensivë me SHBA-të e deti në vetvete na jep të kuptojmë se cilat janë raportet e forcës ndërmjet këtyre dy superfuqive botërore.
Nuk janë kinezët ata që i pengojnë amerikanët në Gjirin e Meksikës, por amerikanët që pengojnë kinezët në Tajvan, kjo është ndryshimi midis dy superfuqive. Kina mendon që nëpërmjet korridoreve të “Rrugëve të Mëndafshit” ta sfidojë Amerikën dhe globalizmin e saj me rrugë tokësore. Ajo po ndërton infrastruktura tokësore që të kalojnë prej brigjeve të saj deri në Gjermani, vetëm përmes rrugëve tokësore, sikurse edhe përmes vendesh të Azisë Qendrore, që nuk kanë ndonjë zhvillim apo shkëlqim të madh në ditët e sotme, por që premtojnë për ndryshime në të ardhmen, sepse Kina duke mos kontrolluar dot hapësirën detare po provon të kontrollojë krejt hapësirën tokësore.
Këto janë raportet e forcës dhe balancës ndërmjet këtyre dy superfuqive të sotme. Kina kur mendon për fuqinë detare, ka vetëm mundësinë të ndërtojë porte në Oqeanin Indian e nëpërmjet tyre të mund të mbërrijë në Mesdhe. Ajo ka blerë ndërkohë portin e Pireut, në Greqi dhe dëshiron shumë të ketë mundësi ta bëjë këtë edhe me portin e Triestes, në Itali!
Globalizmi do të përfundojë kur amerikanët të mos kenë më aftësi apo forcë për t’i kontrolluar të gjitha hapësirat detare e oqeanike të planetit. Meqë prekëm tangent Kinën, e cila ka bërë progres të shkëlqyer si në zhvillimin e hapësirës tokësore, ashtu edhe në ndërtime e financime të jashtëzakonshme edhe në flotën e saj, që vazhdon të fuqizohet përditë e më shumë, me siguri ajo do të ketë njëfarë peshe në këtë respekt, ditën që do të ketë mundësi të kontrollojë të paktën një det për llogari të saj, duke ia hequr nga domeni amerikanëve. Kur të ndodhë kjo, globalizmi nuk do të jetë më ky që njohim sot, mund të jetë me disa “pronarë”, me përqindje të ndryshme përfitimi, ose vetë Amerika do të dëshirojë që globalizmi të marrë një kthesë nëpërmjet ndarjes së hapësirës detare-oqeanike midis disa superfuqive botërore.
Ajo që ka rëndësi në thelb është se sa herë të kemi të bëjnë me çeshtje mbi globalizmin nuk duhet të humbasim në konotacione ideologjike apo të tregtisë së lirë, por asaj se çfarë ndodh me hapësirën detare. Vetën deti na tregon sot e në të ardhmen se në cilën pikë është globalizmi, si e sa do të vazhdojë ai.

.
marre nga muri i Fb i Ervina Toptanit, 7 prill 2022

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.