back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Dy ngjarje nga jeta e historianit Sherif Delvina – nga Avni Delvina & Nebil Çika

Gazeta

Sherif Delvina (? -2022)
Sherif Delvina (? -2022)

Dy ngjarje nga jeta e historianit Sherif Delvina

nga Avni Delvina & Nebil Çika

Sot kaloi në përjetësi historiani i shquar, studiuesi, hulumtuesi e njeriu i mirë, Sherif Delvina.
Me vdekjen e tij bota akademike shqiptare humbi një personalitet të jashtëzakonshëm, një studiues me integritet të lartë, një historian që iu përmbajt palëkundshmërisht së vërtetës. Shoqëria humbi një njeri me cilësi të vyera humane. Çamëria një luftëtar të çështjes së saj. Shqipëria humbi një mbrojtës i figurave të harruara kombëtare dhe me kontribute të paçmuar, por që ishin nënvlerësuar nga diktatura dhe harresa e qëllimshme e luftës së klasave.
Pinjoll i familjes Delvina, historiani dhe studiuesi Sherif Delvina një jetë të tërë studioi, duke kërkuar, hulumtuar, qëmtuar dhe shkruar.
Sherif Delvina la pas një pasuri të çmueshme autoriale, një trashëgimi të pamohueshme dhe të pacënueshme duke mos kërkuar dukjen boshe, as duke mos u munduar për të. Publikut i foli përmes punës së tij studimore për Çamërinë, Kosovën, Epirin, etj. Lexuesve u foli me tragjeditë që shkroi.
Në veprën që ka lënë pas si trashëgimi e vyer ai trajtoi një radhë të gjatë të temave kombëtare.
Në të shkruar vepra e tij ishte gjithashtu e shumëllojshme dhe mbresëlënëse, nga studimi historik te tragjedia.
Sherif Delvina koncentron thënien se “Patriotët nuk vdesin dhe misionarët e së vërtetës janë në themelet e një kombi.”

Marre nga Muri i Fb i Bujar Leskaj

Sherif Delvina - Epiriusi dhe Albania
Sherif Delvina – Epiriusi dhe Albania

Një ndodhi me historianin Sherif Delvina,

nga Avni Delvina

Sherif Delvina, me 7 prill 2022 u largua për në përjetësi…

Aty rreth vitit 1994, isha kthyer në Tiranë dhe kishim dalë të dy bashkë me Sherif Delvinën…
Ndodheshim pranë Pallatit të Kulturës, kur në një moment Sherifi më thotë: Hajde ta ngacmojmë një çikë këtë maskarain, për një person që po na kalonte aty pranë…
Maskarai në fjalë kishte qenë shefi i arsimit nëe ministri rreth viteve 60, dhe i ishte qepur Sherifit dhe e dërgonte vazhdimisht mësues nëpër fshatrat më të largëta e të humbura të Tepelenës dhe Gjirokastrës. Dhe kështu Sherifi bridhte sa në një fshat në tjetrin… Sherifi i del përpara shefit, i hap duart dhe i thotë maskarait gjithë dashuri: “Po ku je o shef!”
Maskarai, si duket u tut dhe s’po i besonte sjelljes së Sherifit, për gjithë të këqiat që i kishte bërë… Mbasi shkëmbyen disa fjalë mirësjellje, ndër të tjera Sherifi e pyet për shendetin, dhe maskarai ju qa se ishte shumë sëmurë nga zemra, etj, etj… Sherifi i kthehet dhe i thotë se të jam shumë mirënjohtës për të mirat që më ke bërë…
Aty maskarai ngeli! Filloj ta shihte me dyshim, dhe me gjysëm zëri i tha se: “Nuk i kishte bërë ndonjë të mirë…!” Ndërkohë Sherifi vazhdoi: “Po si ore s’më ke bërë të mira!!!” Ti mbylle e burgose vehten në një zyrë dhe shiko si je katandisur e sa shumë sëmurë je! Ndërsa mua më dërgoje të bëa sport nëpër malet e Tepelenës, atje në ajër të pastër e të bridhja nga një mal në tjetrin, e të kaloja lumenj në mes të dimrit, dhe më bërë më të fortë e plot shëndet… Ja psh. Shikoje sa mirë mbahem unë e sa forcë kam… E shikon këtë grushtin tim, dhe i tregoi grushtin… Po të të fus një goditje me këtë, ti nuk bëhesh më për njeri…!
Shefi i dikurshëm i Arsimit, e kuptoi që e gjithë kjo që një tallje e madhe, dhe ia mbathi duke sharë nëpër dhëmbë…
Mes meje dhe Sherif Delvinës plasi një e qeshur… e cila vazhdon edhe sot në ditën e ikjes së tij!!

Sherif Delvina - The Truth on Kosova
Sherif Delvina – The Truth on Kosova

Vlera e “panjohur” e Sherif Delvinës!

nga Nebil Çika

Në vend të një elegjie!

Sherif Delvinën shumica e njerëzve e njohin për seriozitetin, elokuencën, kulturën, përkushtimin për historinë, letërsinë, kombin etje .
Por Sherifi kishte, në të njëjtën masë, edhe dimensionet e tjera njerëzore.
Dikur në midis viteve 1990- 2000 bashkë me Sherifin dhe ish Drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, znj. Nermin Basha, po ngjiteshim në kafen që ka qenë në katin e dytë të Pallatit të Kulturës në Tiranë.
Në bisedë e sipër, Sherifi foli diçka për dashurinë.
Me shaka Nermini, duke e ngacmuar nga që që Sherifi ishte beqar, i tha:
-Vetëm ti Sherif, mos fol për dashurinë…!
Ndërkohë ballë për ballë me ne, po zbrisnin shkallët dy zonja, artiste të njohura shqiptare, muzikante. Njëra prej tyre, ju drejtua Nerminit:
-Të lutem shumë mos ma lëndo Sherifin!
-Po ku merr vesh ky nga dashuria – e vazhdoi shakanë Nermini.
-E ke gabim, – ia ktheu zonja, – Letër dashurie, me 28 faqe, që ta lexosh gjithë jetën dhe të mos mërzitesh kurrë me të, vetëm Sherif Delvina mund të shkruaj! – tha artistja në fjalë.
-Të lutem shumë, a mi ktheni ato letra. Tani je bërë gjyshe, e nuk ka kuptim ti mbash më! – i tha Sherifi i vënë disi në siklet.
-Jo Sherif, nuk t’i jap! I ke shkruar për mua, dhe janë të mijat! – e mbylli bisedën zonja.
Kur u ngjitëm në kafe, Nermini nuk po i ndahej Sherifit, donte të dinte më shumë për atë histori dashurie që dëgjuam në shkallë dhe këmbënguli deri sa Sherifi na tregoi diçka më tepër. Ai na tregoi se kishte pasur një lidhje, histori dashurie, që kishte filluar që kur ishin studentë. Por, pas diplomimit Sherifin si bir i një familje “armiku” e degdisën mësues në Bënçë të Tepelenës, ku kaloi disa vite të jetës së tij. E vetmja mënyrë komunikimi me vajzën që ngeli në Tiranë ishin letrat. Blija një fletore 28 faqe (besoj ju kujtohen atyre që kanë jetuar në kohën e komunizmit )dhe i shkruaja për gjërat tona, gjëra që i shkruajnë njëri-tjetrit të dashuruarit, deri sa mbaronte fletorja, dhe ja nisja me postë.
Asaj i pëlqenin shumë. I kam kërkuar disa herë të m’i kthejë por nuk pranon, e dëgjuat edhe vetë! – tha Sherifi.
M’u kujtua kjo histori sot kur mora lajmin e ikjes në përjetësi të tij dhe dua ta kujtoj për këtë dimension njerëzor të mrekullueshëm, por të panjohur të tij nga publiku, mikun tim të nderuar Sherif Delvina!

Marrë nga muri i Fb i Nebil Çikës, 7 prill 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.