back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Gjela Gjikola: Na vdiqën foshnjat! Kërkimi i eshtrave pas 55 vjetësh nga Fatbardha Saraçi (Mulleti)

Gazeta

Dy Kunatat Gjikola
Dy Kunatat Gjikola

Gjela Gjikola:

Na vdiqën foshnjat! Kërkimi i eshtrave pas 55 vjetësh

nga Fatbardha Saraçi (Mulleti)

Një bisedë me të moshuarën znj. Gjela Gjikola e cila është në moshën 91-vjeçare. Të përshkruash një të moshuar nuk është e thjeshtë se mosha e mbush fytyrën me rrudha, por ajo që të bën përshtypje është forca jetësore e saj, mendja e saj e kthjellët, sytë e kaftë që të shohin me ngulm, vetullat të harkuara dhe sipër tyre një shami e zezë e lidhur mbi kokë, karakteristikë e femrës mirditore, e trashëguar brez pas brezit, në shekuj e shekuj. Trupin e mban drejt dhe ka udhëtuar në drejtim të qytetit të Shkodrës për vizitë tek një mbesë e saj.

Gjela Gjikola
Gjela Gjikola

Ishte dita 28 nëntorit…

Gjatë bisedës ajo më tregon: -Jam e datëlindjes 1925, kam lindur në Perlat, jam e bija e z. Gjetë Macaj. Jam fejuar 13 vjeçe dhe martuar 20 vjeçe. Jam bashkëshortja e Prengë Gjinit. Bashkëshorti im Prenga ishte një burrë i pashëm, i veshur bukur, shtatlartë, i qeshur, i binte çiftelisë dhe këndonte bukur. Ai ishte plot gjallëri, në qafë i varej një zinxhir i artë me sahat dhe në shtëpi kishim gramafon që dëgjonim muzikë. Kishte një dyqan që furnizonte fshatin me ushqime e veshmbathje, fshatin Selitë e Gjetaj.
Ishim të lumtur… Unë jetova vetëm 4 vjet me burrin tim. Në vitin 1948, u largua nga fshati bashkë me vëllezërit e kushërinjtë, se ndiqeshin nga forcat e ndjekjes.
Bashkëshorti im Prengë Gjikola, dy kunetërit e mij Biba dhe Ndreka dhe shumë burra të tjerë të fshatit, por edhe të zonës u larguan. Ky është momenti i fundit që jemi parë në zonën e Selitës… Ikën dhe nuk u panë më, nuk dihet! Ikën për të mos u kthyer kurrë… Asnjëherë nuk mësuam ku përfunduan gjithë ato burra. As sot e kësaj dite. Kështu që dhe unë nuk mora ma asnjë lajm nga bashkëshorti im. Ky është momenti i fillimit të vuajtjeve së familjes, i imi, i vjehrrit të moshuar dhe kunatës Mrika.
Unë sapo kisha lindur vajzë dhe i vura emrin Dila, ndërsa kunata ime ishte shtatzanë. Erdhi policia dhe na mori ashtu siç ishim dhe për tre javë na mbajtën të mbyllur me çelës, në një dhomë të vogël, në fshatin Bardhaj-Mirditë. Na nisën në këmbë nga fshati për në Perlat qendër dhe më pas në Burrel. U detyruan të na ndalnin në një banese të rastit në fshatin Perlat, se kunatës i erdhën dhimbjet e forta të lindjes… Aty lindi vajzën, të cilës i vuri emrin Prena. Dhe për çudi, të nesërmen edhe pse sapo kishte lindur, ata e morën me një kalë dhe e dërguan në Perlat… Unë ecja e ecja me foshnjën e vogël në krah, përkrah kisha vjehrrin e moshuar. Në Burgun e Burrelit na mbajtën tre muaj dhe më pas na liruan. Më shumë mundime duke ecur në këmbë, në borë dhe në akull, mezi mbrritëm të gjallë në shtëpi, në Kurbnesh. Vetëm një ditë qëndruam në shtëpi, pasi erdhi përsëri policia dhe na dërgoi në kampin e internimit në Turan të Tepelenës.

Preng Gjikola
Preng Gjikola

Jeta në kapanone ku ishim të grumbulluar me qindra familje, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, dëgjoheshin të gjithë dialektet. Në kapanone jeta ishte shumë e vështirë, në veçanti mungonin kushtet për një jetesë normale, ushqimi bëhej në kazanë dhe ishte vetëm lëng me oriz e bullgur të mykur… E kisha shumë të vështirë rritjen e vajzës. Si unë me fëmijë, ishte kunata ime dhe shumë nuse të reja…
Na përdorën për transportimin e drurëve nga mali i Turanit në qendër të qytetit. Të ngarkuara me drurë ecnim e ecnim… Punova me gratë e familjes Mirakaj e të Bilal Kolës, me znj. Hajrie Mulleti, me gratë e familjes Mëlyshi, dhe familja e Muharrem Bajraktarit e shumë të tjera.
Shoqet e mia të vuajtjes i mbartnin drurët në krah, por iu dëmtohej supi, kishin dhimbje të mëdha… Transportimi i drurëve ishte një torturë më vehte. I ndihmoja qytetarët duke ja lehtësuar ngarkesën, se unë i kisha ngarkuar në kurriz. Kur ktheheshim në kazermë ishim të lagura deri në palcë dhe s’kishim me se të thaheshim. Nuk kishim as të drejtën e ngrohjes në kapanon.
Njerëzit vuanin nga uria.. Kam parë njerëz të vdisnin nga uria. Fëmijë që coptoheshin nga shpërthimi i minave që ishin në territorin e kampit. Nata në kapanon ishte një tmerr, nuk kishte ndriçim dhe s’kishte të mbaruar errësira dhe të ftohtit. Në internim punova punët më të rënda dhe me një ushqim të pakët, vajza u bë tre vjeçe…
Kështu kaluan tre vjet…
Ra epidemia në kapanon, thanë se është sëmundja e tifos. E para u sëmur vajza e kunatës, Prena e vogël, e dërguan deri në Gjirokastër për kurim, por e kthyen pa jetë.
Ndërsa tre javë më vonë m’u sëmur vajza ime Dila… Kishte temperaturë të lartë… më kërkonte ujë…, buzët i kishte të thata, më sollën shoqet e vuajtjes pak ujë dhe i’a laga gojën me pika, pika uji… Nuk kisha mundësi ta mjekoja. Nata, errësira… duke zbardhur dita, vajza ime i mbylli sytë përjetë. M’u fik e vogla ime ndër duar. Zemra më pikonte gjak. Më vdiq shpresa ime, që mendoja ta rrisja dhe ta gëzoja.
Në kapanon vajtohej… Shumë të reja humbën fëmijët. Vajzat e vogla i varrosëm pranë njëra-tjetrës, në afërsi të kazermave. Si shenjë dalluese ishte një varr monumental i një ushtari italian që ishte vrarë aty.

Holokausti i Foshnjave (skicë nga Lek Pervizi)
Holokausti i Foshnjave (skicë nga Lek Pervizi)

Katër vjet më mbajtën në kampin e Tepelenës deri në vitin 1952. Me ne ishin të internuar dhe shumë familje nga zona e jonë si familja e Nikolla Mark Tuci – i internuan katër pjestarë të familjes, gruan, djalin, vazjën dhe nusen dmth e reja.
Preng Dedë Gjomarkaj ishte në burg, por familjen ia internuan në Tepelenë, nanën e tyre Mrika e Preng Dedëgjomarkaj dhe djemtë Filip e Gaspër. Nusja – Dava e Zef Shytit (dmth dhe ky u largua bashkë me burrat e familjes dhe nuk dihet asgjë për të) ishte shtatzënë kur e internuan. Lindi fëmijën në kapanon. U grumbulluan gratë mirditore, e rrethuan nusen që po lindte, i hapen fundet e tyre të bardha, i lidhën duart me njëra-tjetrën dhe e veçuan nga pjesa tjetër e kapanonit. Lindi foshnja por lehonës i vdiq fëmija.
E internuar ishte dhe Mrika e Shyt Markut dmth vjehrra e nuses që lindi, bashkë me të ishin dhe tre djemtë e saj, më i vogli ishte 13 vjeç. Ishin nga fshati Bardhaj i Mirditës.
Nga fshati Mërkur-Selitë, e internuar Dila Preng Gjini (të cilës i kanë humb djemtë; Ndue Prenga, Lazri dhe Vlashi) plaku Preng Gjini dhe reja – Mara e Ndojt ishte pa fëmijë.
E internuar Prenda e Lec Lufit me vajzën e saj Liza që ishte 15 vjeçe (Ndrec Lufi dhe djemtë nuk dihej ku ishin).
Familjes së Ndue Lalës nga Mali i Bardhë i Kurbinit i kishin internuar gjithë familjen.
Familja e Ndue Përgegës nga fshati Krezës afër Krujës (që e kishin pushkatuar) i internuan familjarisht (burra, gra e fëmijë).
Mara e Frrok Dedë Lleshit nga fshati Ndërfushaj-Mirditë, e internuan me të tre djemtë, 2 vajzat dhe e reja. Njëra nga vajzat i ka vdekur rrugës, kjo ndodhi në vitin 1952. Mara e Marka Jakut prej Lezhe e internuar me pesë pjestarët e familjes dhe dy mbesat.
Na lanë të lirë të iknim. Së bashku me vjehrrin dhe kunatën u liruan dhe një grup mirditorësh, që ishin dhe ata në kampin e Tepelenës. Kemi udhëtuar për tetë ditë në këmbë deri në Kurbnesh… Në këtë udhëtim të lodhshëm… vdiq vajza e vogël. Mbeta vetëm me kunatën, kemi jetuar e punuar bashkë. Tani jetojmë me pension.

Holokausti i Foshnjave - Tepelenë (skica Lek Pervizi)
Holokausti i Foshnjave – Tepelenë (skica Lek Pervizi)

Mbas 55 vitesh…

Ajo vazhdon e tregon: “Nuk mund të vdisnim pa gjetur eshtrat e dy vogëlusheve që na vdiqën në internim. Për shumë kohë kemi menduar gjatë nëse do të mund të shkonim pikërisht në atë vend, i cili është shumë larg nga Mirdita. Por më në fund ajo ndodhi. Së bashku me të afërmit e mi dhe me ndihmën e Komunës së Kurbneshit, mundëm ne dy kunatat, të mbrrinim në atë vend. E gjithë zona kishte ndryshuar, madje dhe lapidari që e kishim piketuar si shenjë, nuk ekzistonte.
Por ama vendin e kujtuam dhe e njohëm. Iu referuam shenjave të tjera, por mbi të gjitha instiktit të nënës. Pas disa gërmimeve u bë e mundur gjetja e eshtrave të fëmijëve të varrosur para 55 vitesh.
U bë sistemimi i tyre në arkivole të vegjël dhe ne dy kunatat – punuam veshjet e tyre si nuse, me kostume të vogla mirditore, dy arkivolët i mbuluam me flamurin kombëtar. I vendosëm arkivolat në oborrin e shtëpisë ku jetojmë. E gjithë zona është mbledhur për ngushëllim.
Ajo vazhdon rrëfimin e saj: “E prita bashkëshortin tim gjithë jetën, me shpresën se ishte gjallë, me mendimin se është diku…!”
Në kohën e diktaturës i drejtuam një letër (të dy kunatat) sekretarit të partisë së PPSH, por në përgjigje na drejtuan tek Kadri Hazbiu – Ministër i Brendshëm. Shkuam (të dy kunatat e pandashme) dhe folëm: “Jemi nga Mirdita – Gjelë e Mrikë Gjikola, kemi qenë në internim, nuk dimë se ku i kemi burrat.
Shoku Kadri Hazbiu na tha: “I keni si pëllumba, por nuk janë për Shqipëri ma. Shteti i din, ju mos i prisni. Kunata ime Mrika Gjikola tha: Në rast se janë gjallë, unë shkoj e i përgëzoj, vetëm të jenë gjallë, vetëm të jetojnë…!”
Por s’na tha më shumë.
E gjitha jeta më kaloi duke pritur bashkëshortin tim, njeriun e zemrës, i kalova të nëntëdhjetat… U dënova me internim pa bërë asnjë faj, më vdiq vajza trevjeçare në kampin famëkeq të Tepelenës, një kamp i rrethuar me tela me gjemba dhe që ruhej me roje të armatosur, më punë të detyruar pa shpërblim, që e quaj kampi çfarosës i Tepelenës… Tash jam e moshuar 91-vjeçare, e vetme, deri tashti s’kam marr asnjë vlerë monetare për punën e bërë në internim. Dhe sa mund të pres unë?! – mbyll rrëfimin e saj.

Gjela Gjikola...
Gjela Gjikola…

Apel për humanizëm!

Zonjë e nderuar – iu përgjigja unë – gëzohem që të takova, e të jam mirënjohëse që ndave dhimbjen me mua, por unë vetëm shkruaj dhimbjet tuaja, këto i kam paraqitur në librin “Dhimbje” në tre vëllime, që brezi i ri të mos harrojnë të kaluarën sepse ajo nuk na harron ne. Një e keqe që harrohet përsëritet në forma të tjera.
I bëj thirrje opinionit publik si nënë, si shqiptare, si mund t’i lehtësohet dhimbja një e zonje 91 vjeçare?!
Kaq të pashpirtë me u tregu ndaj moshës së tretë?

*Autorja është studiuese dhe ka botuar tre vëllime me dëshmi mbi vuajtjet e femrave në regjimin komunist Nëntor 2016
Marrë nga http://shqiptarja.com/news 02 Dhjetor 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.