
Një PD që po mbytet në të shkuarën: as drejtim, as shpresë!
nga Ervina Toptani
Në Shqipëri, çdo katër vjet flitet për ndryshim. Por realiteti është kokëfortë: të njëjtat fytyra, të njëjtat lista, të njëjtat premtime. E djathta shqiptare ka 35 vite që bën të njëjtin rrotullim në vend, pa guximin për të prerë lidhjet me të shkuarën, me dështimin dhe me paaftësinë për të përfaqësuar aspiratat reale të qytetarëve.
Në këto zgjedhje, këtë mungesë guximi e sheh më qartë se kurrë. Në listat “e reja” të Partisë Demokratike, rikthehen për herë të disatë të vjetrit, ndërsa figura si Ilir Alimehmeti, një qytetar me integritet, i respektuar, profesionist i pakontestueshëm renditet në vendin e 10-të a 11-të në Tiranë, si për t’i thënë publikut: Po, e duam në listë, por jo mjaftueshëm sa për t’i dhënë rolin që meriton.
Ironia arrin kulmin kur në të njëjtin front opozitar, në emër të “ndryshimit”, rikandidohet Ilir Meta, një figurë që prej më shumë se dy dekadash është mishërimi i politikës së vjetër shqiptare, si simboli më i qartë i faktit që PD, as këtë herë, nuk e mori seriozisht reformimin.
Deri në ç’pikë ka rënë ideja e përfaqësimit, sa që përballë një rinie që kërkon dinjitet, meritokraci dhe moral publik, opozita i ofron riciklimin e emrave të konsumuar që s’mund të ngjallin më as emocion, e jo më entuziazëm?
Si mund të luftosh korrupsionin, kur aleancat bëhen me figurat më të konsumuara të politikës post-komuniste? Si mund të frymëzosh qytetarin kur vetë kandidati yt më i respektuar renditet pas tetë emrave që për popullin nuk thonë më asgjë?
Po nuk u reformua e djathta, po nuk u nda qartë nga hija e së shkuarës, Shqipëria do të mbetet peng i së majtës edhe për 50 vite të tjera. Jo sepse kjo e fundit ofron shpresë, por sepse përballë saj nuk ka alternativë.
Të rinjtë kanë ikur. Të zhgënjyerit heshtin. Të varfrit janë të lodhur.
Dhe në këtë gjendje të rëndë shpirtërore kombëtare, opozita vjen me premtimin e radhës, por me të njëjtën përbërje, me të njëjtën logjikë, me të njëjtën pamundësi për të përfaqësuar të ardhmen.
Kohë nuk ka më! Reforma nuk është çështje dëshire, por mbijetese. Nëse e djathta nuk guxon të rilindë sot, ajo do të shuhet përgjithmonë. Dhe bashkë me të do të shuhet çdo shpresë për një Shqipëri ndryshe.
Marrë nga Muri i FB Pro Gegnishtes, 13 maj 2025