back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

Fillesat publicistike të Lazër Radit – Parathënie nga Jozef Radi

Gazeta

Lazër Radi – Publicistika e Viteve ’30 -’40 – Vepra e 9
Fillesat publicistike të Lazër Radit
Parathënie nga Jozef Radi

Ndërsa punoj prej kohësh, në përmbledhjen e gjithë veprës publicistike të Lazër Radit, jam përballur me disa të vërteta që shpesh më kanë bërë të ndjehem keq, sepse me gjithë njohjen time të thellë mbi veprën e Lazër Radit, vetëm tani e kuptoj se paskam pasë një mendim më modest se sa ai meritonte. Vetëm sot, mbas përfundimit të kësaj pune të gjatë, të vëllimshme të mundimshme, kam krijuar një ide më të qartë e më të plotë mbi kontributin publicistik të tij, dhe vetëm sot mundem të them se kontributi i tij mbetet model i një gazetari që ka luftuar gjithë jetën për të vërtetën, pavarsisht nga taksat që iu desh t’i paguajë.
Duke qenë se publicistika e tij është e vëllimshme dhe e shtrirë në tri kohra: (Koha e Mbretërisë, Koha e Pushtimit dhe Koha e Postdiktaturës) ajo mbetet një prej dëshmive më të plota të kohës kur u shkrua, po edhe e përkushtimit të tij si intelektual e publicist, i cili luftoi në të tria kohrat për të dëshmuar të vërtetën, (pa harruar se midis këtyre tri kohëve, është edhe një e katërt, ajo më e gjata, 46 vjeçare, ku autori mbasi pësoi dënime makabre për shkrimet e veta. Kjo kohë mund të emërtohet edhe: Koha e Heshtjes Diktatoriale).
Dikush, mundet edhe të mendojë se është në narrativën e një fëmije, ta vlerësojë apo mbivlerësojë figurën e prindit, kurse unë besoj se paraqitja e kësaj vepre thuajse e plotë (mbasi ende mungojnë mjaft shkrime, që deri në sot s’kemi mundur t’i gjejmë e t’i paraqesim) e shfaq Lazër Radin si një figurë solide në fushën e publicistikës shqiptare, dhe besoj se i ka tejkaluar dukshëm bindjet e mia si autor, studjues dhe botues i veprës, mbasi një pjesë të saj, kam pasur fatin të jem pjesë e diskutimit dhe ta përcjell qysh në kohën kur ajo shkruhej.
Publicistika e Lazër Radit, i ka fillesat e saj të hershme diku rreth viteve 1934-’35, në Gjimnazin e Shkodrës, kohë kur autori hyn në marrdhënie me profesorin Ernest Koliqin, fillimisht si raporte midis nxënësit dhe mësuesit, e ku me një vlerësim të ndjeshëm ndaj mësuesit, siç shprehet edhe vetë autori në këtë pikë nyje të jetës së tij: “S’mund të merret me mend se çfarë shtyse qenë ato fjalë për jetën time. Prej asaj vjeshte, fillova me shkruejtë gjana të vogla që i botoja te “Illyria”, po edhe te “Vatra e Rinisë”, që nxirrte në Tiranë, Vasil Xhaçka. Kështu libri “Hija e maleve”, u ba libri im i nënjastekut… dhe Koliqi u ba për mue Gjuha Shqipe…”

***
E theksova edhe pak më sipër, publicistika e Lazër Radit edhe pse e shtrirë në tri epoka, për arsye studimi dhe paraqitjeje e kemi përmbledhur në dy libra: i pari përfshin vitet 1934-1944 dhe i dyti 1991-1998. Pra, edhe pse e konceptuar në tri etapa: “Publicistika e Viteve ’30” dhe “Publicistika e Viteve ’40” janë të përfshira në një libër, kurse “Publicistika e Viteve ’90” – është përfshirë në një libër më vete.
Etapa e parë, nis prej vitit 1934, kur shfaqen në shtyp shkrimet e para dhe modeste të nji gjimnazisti, e janë të botuara kryesisht te gazeta “Illyria” dhe “Vatra e Rinisë” dhe vazhdojnë te Diana, Kombi dhe Shtypi e ndonjë tjetër deri në fillim të vitit 1939, para pushtimit italian, ku janë të përfshira edhe disa shkrime të kësaj periudhe, kohë ku Lazër Radi, nga Roma vazhdonte të mbante raporte të rregullta me gazetën “Shtypi”, me të cilën deri para largimit në Itali, kishte punuar si korrepondent i saj nga Shkodra.
Pushtimi fashist i 7 prillit 1939, duket sikur e mpiu vazhdimësinë e kësaj fryme shkrimesh. Gjithsesi vlen të nënvizojmë se autorit i duhej të përqëndrohej në studimet universitare, të cilat kanë edhe ato ndikim në këtë mpakje të shfaqjes së tij në shtyp.

***
Trajektorja e botimeve publicistike të Lazër Radit, në Vitet ’30, mbetet e lidhur me frymën e asaj kohe dhe me ndikimin që kishin personalitetet më në zë të asaj periudhe në shoqërinë shqiptare e në veçanti te rinia e gjimnazeve. Emrat e Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Migjenit, Vangjel Koçës, Et’hem Haxhiademit, Haki Stërmillit, Sterjo Spasses, Branko Merxhanit, Krist Malokit e ndonjë tjetri, kishin tërhequr vëmendjen këtij brezi, dhe do të kishin një ndikim të fuqishëm te rinia e asaj kohe; që edhe në format e saj kundërshtuese ndaj kësaj plejade, mbeti gjithnji mirënjohëse dhe i trajtoi ata, si modele frymëzuese të guximit qytetar e intelektual.
Edhe në botimet e Lazër Radi gjatë kësaj periudhe, do të vërejmë gjurmë të patjetërsueshme të këtyre ndikimeve, në veçanti të frymës së Migjenit, Koliqit e Haki Stërmillit po edhe ndonjë tjetri. Te skicat e tij letrare, që përbëjnë edhe shumicën e krijimtarisë së tij të kësaj faze, do të gjejmë ndikimin e tyre, dhe trajtime minore të këtyre problemeve, me fluiditet sentimental rinor dhe mjaft angazhim social.
Duke qenë se Vitet ’30, përbëjnë majën më të lartë të arritjeve të shoqërisë shqiptare mbas pavarsisë, (po edhe në kohët e mëvona) ato patën një shtrirje të vazhdueshme për thuajse dy dekada, në mbarë kulturën shqiptare. Mund të themi se ato nisën të zënë vendin që meritonin, mbasi tashmë kjo qe shpallë si një lëvizje e gjerë intelektuale, e asaj rinie të shkolluar në perëndim, e cila po kthehej e po diktonte dukshëm me kulturën e saj europiane jo vetëm në fushën e publicistikës e të shtypit, po edhe në emancipimin e jetës shoqërore, si me botimet letrare edhe me ngritjen e nivelit institucional të shtetit shqiptar. Kjo frymë ndjehej dhe shpërndahej më së shumti në qarqet letrare dhe intelektuale të Shkodrës dhe Korçës, po edhe në atë të Gjirokastrës a ndonjë qyteti tjetër. Ndërkohë, Tirana e asaj kohe po rritej me ritme të shpejta dhe po bëhej një qendër me rëndësi e kulturës shqiptare.
Përgjat kohës që Lazër Radi do të ishte si korrespondent i gazetës “Shtypi” do të kemi edhe një seri shkrimesh informative që bien në sy për trajtimin e lajmit, si fjala vjen: Koncerti Tashko – Një Triumf; Rreth prolemit të Rinisë; Migjeni si poet dhe si Njeri; Dibranja e Mjerueme; Elena Qirici dhe Trupa e saj; apo Për një bashkëpunim shkrimtarësh…, të cilat dëshmojnë jo vetëm nivelin në ngritje të autorit, por edhe një trajtim gjithnjë e më serioz të këtyre fenomeneve në shoqërinë shqiptare. Disa prej këtyre shkrimeve, hapën edhe debate publike, të cilat u bënë të rëndësishme për kohën, disa prej të cilave, gjykuam t’i përfshijmë edhe në këtë botim…

Lazër Radi e Jozef Radi 1996
Lazër Radi e Jozef Radi 1996

***
Mbas botimeve të Viteve ’30, për Lazër Radin nis një periudhë heshtjeje.
I apasionuar siç ishte mbas shkrimeve, ai do t’i futej një faze të dytë mjaft komplekse, te vështirë dhe tejet e ndërlikuar, si për jetën edhe për shkrimet e tij. Ishte koha kur bota po futej me të shpejtë në spiralen e një lufte botërore dhe tragjedie të pashoqe. E megjithatë ai vendos të shkruaj… Kështu nis edhe faza që e kemi quajtur: “Publicistika e Viteve ’40”.
Në këtë fillimfazë të dytë, le ta quajmë kështu, ai do të ketë si mentor, publicistin më të njohur të kohës, Vangjel Koçën.
Ishte koha kur studenti i drejtësisë në Sapienza të Romës, ka lënë pas një periudhë reflektive, pa shkruar asgjë. Mbas asaj heshtjeje që zgjati rreth 5-6 muaj, në verën e vitit 1939, Lazër Radi kthehet në atdhe, ku krahas pushimeve dhe angazhimeve personale, vihet në kontakt me Vangjel Koçën, i cili e fton jo vetëm të shkruajë, po edhe të drejtonte një faqe letrare të përjavshme. (e famshmja histori ku i Lazër Radi, botoi një shkrim letrar të Qemal Stafës së viteve të gjimnazit pa lejen e autorit). Aty do të rishfaqen shkrimet e Lazër Radit, i cili në këtë periudhë duhej të mbante familjen po edhe veten për vazhdimin e studimeve në Romë, e ku shkrimet e tij do të paguheshin mjaft mirë. Të kësaj kohe janë mjaft artikuj problemorë që u botuan te gazeta “Fashizmi”, e më pas te “Tomorri i Vogël” apo “Tomorri”. Ajo çka dimë, është se ajo seri artikujsh të botuar nga fundi i vitit 1939, e deri në pranverë të 1940, u përmblodh në trajtë redaksionale, dhe u botuan në formë libri, i cili në maj të vitit 1940, u paraqit me titullin “Fashizmi dhe fryma shqiptare”.
Mbas këtij botimi, Lazër Radi vijoi sërish një periudhë heshtjeje, e lidhur kjo kryesisht me vazhdimin dhe mbylljen e studimeve.
Mbas mbarimit të studimeve në drejtësi dhe mbrojtjes së Doktoraturës, në vjeshtë të vitit 1942, Lazër Radi kthehet nga Roma, me studimet e kryera shkëlqyeshëm. Ai vendosi ta braktisë ftesën si asistent profesor, në emër të shërbimeve ndaj vendit të vet. Tani, s’është më ai djaloshi me interesa të shumta e të hallakatura, po një intelektual i rafinuar dhe raporti i tij me botën e publicistikës, ka ndryshuar mjaft e në mënyrë të dukshme, krahasuar me periudhën e fillimit. Në këtë fazë të re jete, kur sapo kishte krijuar edhe familjen, atij i duhet më së pari të sigurojë një punë për të mbajtur veten dhe ata që vareshin prej tij, pa e braktisë dëshirën e të qenit një figurë aktive, gjithnjë në raport të drejtë me shkollën, me kulturën dhe profesionin e fituar të juristit e më pas të avokatit.
Mbas rreth dy vjetësh, i pashfaqur në shtyp, nga fundi i vitit 1943 dhe fillimi i vitit 1944, nis sërish një seri shkrimesh në publicistikë, te gazeta me frymë kombëtare: “Bashkimi i Kombit”. Aty Lazër Radi, do të kontribuonte me artikuj të shumë e të ndryshëm, pjesa më e madhe e të cilëve nënshkruar me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”.
Duke ndjekur ecurinë e këtyre shkrimeve kuptojmë se kemi një fazë pjekurie dhe përgjegjësie të lartë intelektuale. Në këtë periudhë tejet delikate, për fatet e Shqipërisë, ai shfaqet me shkrime analitike duke vënë gishtin në plagët e një realiteti që po shkonte vrulltas drejt degradimit dhe luftës civile. Shitja e interesave kombëtare dhe idealeve të bashkimit, që me aq mundim qe realizuar gjatë asaj periudhe, konflikti ideollogjik mbi konfliktin çlirimtar ishte çeshtje e ditës, ndërkohë vëllavrasja po bëhej gjithnjë e më e hapur… Fitorja e forcave antifashiste, tashmë qe ndërthurur më së shumti me marrjen e pushtetit se me çlirimin e vendit, ku shihej qartë se forcat komuniste, kishin jo vetëm përkrahjen e dukshme prej boshtit sllav, po edhe një organizim kapilar prej emisarëve serbosllavë për organizimet e ardhshme shtetërore, gjithnji edhe përmes përkrahjes së aleatëve perëndimorë. Dukej sikur e gjitha kjo ishte kundra frymës nacionaliste dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, dhe atyre njerëzve patriotë që kishin sakrifikuar gjithçka për një Shqipëri të lirë, përfaqësuese e përbashkuese, e cila siç po shihej duhej të pësonte një katastrofë edhe më të madhe, nga ky konflikt i brendshëm, i nxitur nga armiqtë shekullorë të shqiptarëve.
Artikujt e Lazër Radit të periudhës ’43-’44, janë një klithmë e kësaj situate dramatike. Ata, sigurisht janë të një cilësie të veçantë dhe niveli të lartë, sa i përket trajtimit të çështjes kombëtare dhe situatës që kalonte vendi. Kosova mbetet kryeshqetësimi i tij, dhe një pjesë e mirë e këtyre shkrimeve janë të lidhur me këtë temë.
Nga shkrimet, vërehet qartë se nuk kemi më atë djaloshin e Viteve ’30, me shpirt të thellë social e sentimental, që mban anën e shtresave në nevojë, që lufton me pasion për emancipimin e rinisë e të shoqërisë shqiptare, që e gëzon jeta në çdo hap që hedh, por përballemi me një intelektual të pjekur e atdhetar, një penë premtuese, me kulturë të thellë, jo veç në temat letrare e juridike, po edhe një dipllomat i përgjegjshëm për fatet e vendit të vet, duke e paralajmëruar atë tragjedi që kërcënonte trevat gjithëshqiptare e duke bërë thirrje për ndalimin e atij konflikti ndërshqiptar që do të na grryente egërsisht si komb në dekadat e mëpasme. Çdo tre-katër ditë kemi një shkrim të tij, ku ai përmes klithmës “vox in desertis” përpiqet ta ndalë at hemoragji të kombit shqiptar duke ofruar edhe rrugë për kapërcimin e asaj ploje të përgjithshmë, ku shumë shpejt pjesë e pësimit do të ishte edhe ai vetë…
Disa nga shkrimet e paraqitura gjatë vitit 1944, me ndryshimin e kohrave, do të shërbenin si bazë e një akuze që do t’i kushtonte shtrenjtë Lazër Radit.
Mbas arrestimit të tij me 23 nëntor 1944, ai do të gjykohej nga “Gjyqi Special” (1 mars-14 prill 1945), ku do të dënohej me 30 vjet heqje lirie, thjesht “për marrdhëniet e tij me publicistikën e periudhës së luftës!!” Bile, në seancën gjyqsore ndaj tij shkrimi: “Bota jonë politike”, i botuar te Bashkimi i Kombit, të mërkurën e 26 janarit 1944, do të lexohej i plotë, e mbi të do të ndërtohej aktakuza kryesore!! Gjatë këtij Gjyqi, ka shërbyer edhe dëshmia me shkrim e Arben Putos, i cili ka nënvizuar faktin se: “Ushtima e Sharrit – është pseudonimi i Lazër Radit, i cili shkruan artikuj kundra nesh…!”

***
Shkrimet e para në shtyp të Lazër Radit, simbas gjithë gjasave duhet të jenë disa përkthime të botuara te Illyria e Koliqit, në vjeshtë të vitit 1935, të cilët ende nuk i disponojmë ndaj nuk gjenden në këtë përmbledhje. Autori, në të gjallë të vet, po edhe në disa intervista këmbëngul se ka shkrime të botuara edhe përpara kësaj date, te gazeta “Vatra e Rinisë” e Vasil Xhaçkës. As autori, i cili u kujdes për mbledhjen e pjesës më të madhe të këtyre shkrimeve, as ne që po kujdesemi për botimin e tyre, s’kemi mundur të gjejmë diçka më shumë që të mund të saktësojmë, se cili mund të jetë shkrimi i parë i Lazër Radit. Edhe dy shkrime të kodifikuara, nga pikëpamja bibliografike, që mund të quhen të parat, ende s’i kemi si tekste, po thjesht, vetëm si tituj. Në disa shënime të tij ai ka sqaruar se “botimet e para ishin disa përkthime nga Elin Pelini…” Shkrimi i fundit i viteve ’30, është edhe ai një përkthim poetik nga serbishtja i poetit Jovan Duçiq, dhe i përket datës 26 mars 1939, shkrim që e përmbyll këtë periudhë publicistike. Pikërisht në dorëshkrimin me titull “Princesha e vogël” Lazër Radi ka lënë këtë shënim dore: “13 ditë para 7 prillit 1939, unë botoja copëza letrare!! Sa larg dallavereve politike isha…!”, dëshmi, se prej shtatorit të vitit 1938, kur u nis drejt Romës, Lazër Radi, ka vazhduar t’i mbajë lidhjet me shtypin në atdhe.

Musine Kokalari & Lazër Radi, studente në Romë
Musine Kokalari & Lazër Radi, studente në Romë – prill 1939

***
Nga e gjithë kjo punë disavjeçare hulumtuese, mund të themi se ende s’kemi mundur t’i mbledhim gjitha shkrimet e Lazër Radit. Vështërsitë kryesore janë të lidhura me largësinë dhe pamundësinë e komunikimit të përditshëm me Bibliotekën Kombëtare, e cila mbetet burimi themelor dhe i vetëm i kësaj pune. Por, mund të themi se asnjë shkrim prej atyre që posedojmë nga arkiva e pasur e Lazër Radit, s’është lënë jashtë këtij botimi, për asnjë lloj arsyeje. Shkrimet që mungojnë, për të cilët kemi informacion bibliografik, i kemi vendosur thjesht si tituj, me besimin se në kohë të përshtatëshme, kur do të mund t’i gjejmë t’i vendosim menjëherë në botimet vijuese.

***
Për sa i përket gjuhës së përdorur në këto 90 shkrime të botuara në libër, (gjithsej janë të kodifikuara 116 shkrime), vërejmë se gjuha e përdorur nga autori në fillimet e veta është paksa e ndryshme nga gjuha që ai përdor në shkrimet e tija të fundit. E vërtetë është, se fillimet e autorit janë prej gjimnazisti, dhe janë trajta etydesh letrare, tema sociale, përkthime sentimentale, gjendje shpirtërore, ndërsa të mëvonat, janë artikuj publicistikë të thukët e problemorë, trajtime figurash të njohura, disa herë kemi të bëjmë me përkthime, domosdo gjini krejt të ndryshme nga ato letrare që karakterizojnë shkrimet e fillimeve të Lazër Radit.
Nëse në fazën e parë vërejmë një gegnishte të ëmbël letrare, jo fort të pasur, po gjithsesi të ngrohtë, të cilën me kohë autori e ka pasuruar e zhdërvjelltësuar, gjithnjë duke e ruajtur bazën e saj letrare. Vërejmë gjithashtu se ai merr fjalë ngado që mundet, i bën të vetat, duke krijuar kështu një amalgamë gjuhsorë, që përbën edhe mënyrën e të shkruarit të Lazër Radit.
Në periudhën e dytë, shkrimet janë të një tjetër natyre e një tjetër rrafshi, ku pjesa më e madhe e tyre janë studime të nxjerra nga bota e jurisprudencës, si analizat konstitucionale, të shtetit, të partive, të shtypit, të lirisë apo edhe institucioneve. Aty vërejmë se edhe gjuha e tij bëhet më e mprehtë, më e sigurt, duke u larguar vazhdimisht prej tonaliteteve të ëmbla të gegnishtes që lulëzonin dukshëm në fazën e parë.
Në këtë përmbledhje, kemi synuar që ta ruajmë trajtimin e gjuhës dhe mënyrën e së shkruarës së autorit, duke ndërhyrë me masë vetëm te tepria e fjalëve të huaja, te gabimet ortografike, po edhe te disa lloje trajtash lokaliste që brenda të njëjtit material na shfaqeshin në mënyra të ndryshme. Pra, jemi përpjekur të ruajmë njëfarë nivelimi gjuhësor si në përdorimin e gegnishtes përgjat fazës së parë, po edhe të kujdesemi për atë mënyrë trajtimi të toskërishtes në fazën e dytë…
Vlen të theksohet këtu, se tek shkrimet në gazetën “Bashkimi i Kombit”, simbas dëshmive të vetë autorit, edhe gjatë “Gjyqit Special”, ballafaqohet fakti se shkrimet kalonin në një zyrë që merrej me përpunimin e tekstit, ku i jepej paksa një trajta standarte, (edhe pse nuk në atë kohë nuk ekzistonte një koncepti “ gjuhë standarte”), mbasi siç tha edhe në Gjyqin Special, drejtori i kësaj gazete Akile Tasi, pranoi se zyra e shtypit e kësaj gazete, kishte një censurë edhe përmes një korrekture rigoroze mbi tekstin, në pikëpamjen gramatikore po edhe një ndërhyrje në konceptet e autorëve…
Mendojmë se kjo mënyrë trajtimi redaksionale në gazetën “Bashkimi i Kombit”, e ka thelluar paksa më tepër hendekun mes gjuhës së përdorur nga Lazër Radi në vitet ’30, dhe asaj të përdorur në vitet ’40. Pa harruar, se në fazën e parë e kemi theksuar se bëhet fjalë për botën shpirtërore të një djaloshi që kërkonte përmes letërsisë të emanciponte veten dhe shoqërinë, ndërsa në fazën e dytë kemi të bëjmë me një intelektual të pjekur, që s’rresht së trajtuari problemet kardinale të një shoqërie që po zhytesh në një konflikt të thellë me vetveten. Ai nuk u jep edhe aq rëndësi nuancave gjuhësore, por thelbit të problemeve që merr përsipër të trajtojë dhe ballafaqimin e tyre me shoqërinë shqiptare.

***
Nga periudha e shkrimeve të Viteve ’30, në bibliografinë e Lazër Radit, kemi të regjistruara rreth 61 shkrime, dhe na mungojnë rreth 14 shkrime, të regjistruara prej kohës kur ka nisur të botonte autori. Pjesën më të madhe të tyre, e kemi të kodifikuara dhe paraqitur në këtë botim.
Në këtë botim janë të përfshira edhe dy shkrime që s’janë të Lazër Radit… Një prej të cilëve është replikë, kurse tjetri një kritikë vlerësuese ndaj autorit, të cilët i kemi gjykuar si plotësues të kësaj vepre.
Kurse, nga publicistika e Viteve ’40, në bibliografinë e Lazër Radit, janë të regjistruara rreth 55 shkrime, nga të cilat na mungojnë rreth 12 shkrime.
Pra, nga gjithsej 116 shkrime të kodifikuara (sigurisht mund të ketë edhe të tjera që na figurojnë nëpër shënime, por që s’kemi mundur t’i gjejmë as t’i kodifikojmë), na mungojnë rreth 26 shkrime. Janë të paraqitura rreth 90 shkrime në këtë përmbledhje.
Në mbledhjen dhe kodifikimin e kësaj vepre jo të lehtë, autori qysh në të gjallë të vet ka bërë një punë shembullore. Mund të themi se me gjithë tekstet e kodifikuara, edhe ato që mungojnë, me siguri mund të ketë edhe të tjera të pakodifikuara, mbasi koha ka bërë të vetën, por ky botim përbën gjithsesi një sukses, mbasi pjesa thelbësore e publicistikës së Lazër Radit është mbledhur dhe përfaqësuar denjësisht në kët libër…
Në një të ardhme të afërt, mbasi shkrimet e munguara të grumbullohen, ato do të bëhen pjesë e edicioneve të mëvonshme.

Lazër Radi & Elez Braha qershor 1938
Lazër Radi & Elez Braha qershor 1938

***
Në dallim nga faza e parë e publicistikës ku autori ka disa kushtime letrare ndaj shokëve të tij të gjimnazit si Polikron Niçe apo Elez Braha, në këtë fazë të dytë, një vend të rëndësishëm në publicistikën e Lazër Radit e zë edhe trajtimi apo studimi e figurave të kulturës apo historisë. Aty do të gjejmë material informativ mbi figurën e skulptorit Andrea Aleksi, apo edhe të albanologut të famshëm kroat Milan Shufflay-t, për të cilat është shkruar gjerësisht në dy numra gazetës “Bashkimi i Kombit”. Nuk janë lënë në harresë as figurat e patriotëve si: Bajram Currit, Avni Rustemit apo ajo e muderrizit Ymer Prizreni
Vlen të nënvizohet gjithashtu, fakti se autori ka një simpati të veçantë për popullin kroat, ndaj është edhe në krye për themelimin e shoqatës Kroato-Shqiptare, pikërisht në atë periudhë të vështirë. Këtë simpati ai e përcjell përmes përkthimeve nga disa autorë kroatë si Tom Smerdel apo Mirosllav Kërlezha, çka e bën edhe me të pasur aktivitetin e tij publicistik të kësaj periudhe…

***
Në Vitet ’30, po ndoshta edhe më përpara, ishte si të thuash modë, që ata që përfshiheshin në shtypin e shkruar, të kishin edhe ndonjë pseudonim të tyre. Shumë prej shkrimtarëve të njohur, po edhe figura publike të shtypit të asaj kohe, kishin pseudonimet e tyre. Një fenomen paksa i çuditshëm që s’e kam fort të qartë, pse, pothuajse të gjithë përdornin pseudonime!
Më së shumti, besoj se këto pseudonime kishin disa arsye: e para, mund të ketë ndodhur meqë numri i shkrimtarëve apo publicistëve të kohës ishte i vogël, e për mos t’u dukur se i njëjti person kishte dy-tri shkrime, dhe e kishte mbushur ai vetë gazetën; e dyta, mendoj të ketë qenë edhe modë, të qenit disi misterioz; dhe e treta për të pasur më shumë liri mendimi e liri fjale në shprehje, dhe për të mos pësuar pasoja, kur bëhej fjalë për ndonjë kritikë të ashpër ndaj pushtetit apo pushtetarëve…
Kështuqë, as Lazër Radi s’i ka shpëtuar tundimit të kësaj fryme, por për të, unë mendoj se më së shumti ka qenë si modë. Qysh në shfaqjet e para si publicist, do të kishte edhe ai pseudonimet e veta… Nga materiali i mbledhur për botim, kemi vërejtur se pseudonimet më të shumta, janë ato të periudhës së fillimit, ku së pari na shfaqet me Lazarredi, më pas me pseudonimin La-pre-di, me siguri në imitim të Migjenit, ku merr gërmat e para të emrit, të atit dhe nga mbiemri; diku tjetër shfaqet me La-di e diku edhe me La-ra… disa herë thjesht me siglën L. Kurse në shkrimet e botuara mbas vitit 1943, thuajse shumica janë nën pseudonimin “Ushtima e Sharrit”, por nuk mungojnë edhe pseudonime që ai i ka lënë të shënuara vetë, por që ne s’kemi mundur të gjejmë materiale prej tyre, si fjala vjen pseudonimet: Gjergj Komneni, Malësori, Dardani e ndonjë tjetër…
Le t’i konsiderojmë këto pseudonime, shumica letrare si pjesë e asaj kohe, e cila kishte edhe nuancat e veta të komunikimit…
***
Një tjetër dëshmi që na del nga arkivi i Lazër Radit, është edhe botimi i një reviste ende të panjohur! Gjatë kohës që kishte hequr dorë, edhe përkohësisht nga marrdhëniet me shtypin, dhe ishte përkushtuar tërësisht studimeve, ka disa gjurmë të kontributeve të tija si student, në një revistë për të cilën pak është folur. Janë vetëm disa gjurmë bisedash dhe shënimesh të tij. Kohët e fundit ndesha edhe një shënim shpjegues, në një libër mbi Musine Kokalarin të botuar në Itali kohët e fundit, që kishte disa rreshta mbi praninë e tij…
E vëretë është, se Lazër Radi, së bashku me dy shokë të gjimnazit të Shkodrës, Pashko Gjeçi e Kolë Ashta, edhe ata studentë të letërsisë në Sapienza të Romës, botojnë një numër të vetëm të një reviste të quajtur “16 Prilli”, gjurmat e së cilës s’i kemi gjetur askund!! Dëshmohet se ajo revistë u lind si numër unik, dhe se në të janë trajtuar kryesisht probleme të letërsisë dhe kulturës shqiptare, e ku së bashku dy studentë të Letrave dhe një student i Drejtësisë, ia dalin në krye ta realizojnë një punë të tillë…!!
Vetëm kaq, është e gjitha ajo çka dimë për botimin e kësaj reviste.

***
Në përfundim të kësaj tablloje dëshiroj të theksoj edhe diçka tjetër: Komunikimin e sotëm me shkrimet e asaj kohe gjithnjë e më e largët.
Një pjesë të këtyre shkrimeve ua kemi ofruar lexuesve të sotëm përmes portalit radiandradi.com., duke kërkuar kësisoj edhe një ballafaqim të ri me shkrimet e asaj epoke të largët. Kemi vërejtur se leximi i tyre edhe mbas 7 – 8 dekadash, u ka krijuar një shije të mirë atyre, duke na dëshmuar se ato s’e kanë humbur koherencën dhe se ende ruajnë vlera e mund të lexohen me ëndje edhe sot.
Mendojmë se ky komunikim i ri përmes kësaj vepre, do të prodhojë gjithsesi një hapje, për të ballafaquar konceptet dhe rrugët mbi të cilat ka funksionuar Shqipëria e paraçlirimit, mbi lirinë e shtypit dhe larminë e temave të rrokura, qoftë edhe nga një individ i vetëm, si dhe rolin e publicistikës në emancipimin e shoqërisë shqiptare…
Pra, mund të themi se shqyrtimi i publicistikës së viteve ’30-’40, nën penën e Lazër Radit, mbetet një kontribut serioz, edhe pse studimet shqiptare e kanë kapërcyer në heshtje, o për rrethana jashtëkulturore janë përpjekur me të gjitha mënyrat ta shpërfillin. Megjithatë, e konsideroj një kontribut modest, pjesë e një vepre që bëhet gjithnjë e më e plotë, edhe përmes këtij botimi në dy vëllime të Publicistikës së Lazër Radit.
Në përfundim, mund të themi se kontributi i Lazër Radit, edhe në fushën e publicistikës mbetet një tjetër dëshmi e përkushtimit të tij, e cila së pari duhet të lexohet, të kuptohet, të pranohet e më pas të vlerësohet, nëse e meriton, gjithnjë e trajtuar në kontekst të kohës kur kjo vepër u shkrua.
Si studiues mund të them se publicisti Lazër Radi e ka kapërcyer hendekun e kohës, qoftë edhe përmes këtyre kontributeve të realizuara në rininë e hershme, rreth tetë dekada më parë…
jozef radi, prill – maj 2021

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.