
Ervina Toptani, me libër për publikun gjerman
nga Alisa Velaj
Prej sot libri “Ich spüre die Liebe” në gjuhën gjermane, gjendet në të gjitha libraritë kryesore të Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës me porosi, sigurisht dhe në Amazon.
Ky është botimi im i parë në vendet gjermanisht-folëse dhe jam e lumtur që një dëshirë e kahershme m’u bë realitet.
Për të gjithë ata që do të kenë dëshirë ta lexojnë e që jetojnë në Gjermani, Austri e Zvicër, mund ta porosisin në librari, online ose ne Amazon me emrin e autores, titullin e librit ose dhe me emrin e shtëpisë botuese Verrai Verlag.
Ervina Toptani, 3 shkurt 2025

Quhet Ervina Toptani, profesoreshë në një kolegj në Vjenë dhe ka fare pak që ka botuar librin e saj të parë në gjuhën gjermane. Prej Ervinës kam lexuar tepër shpesh miniprozat apo poezitë që hedh në rrjetet sociale, por jo libër me vete. Dje u gëzova shumë kur pashë se një tjetër simotër shqiptare dhe letrare imja, ka nisur një rrugëtim të mbarë.
Në Vjenë është mësuese dhe kjo tregon shumë për të. Shqiptarët shesin mend për arritjet e tyre jashtë, po për mua që kam kaluar në procedurat e njohjes së diplomës a marrjes së liçencës për punën me fëmijë në Gjermani, e di se sa e vështirë është të jeshë mësuese. E di dhe se sa e vështirë është të botosh një libër në gjuhë të huaj. Më janë dashur vite për librin tim në Carvena Barva Press në USA. Prandaj dhe gëzohem shumë që një shqiptare është mësuese në Vjenë dhe mbërrin para publikut gjermanishtfolës, që nuk të fal për asgjë kur vjen puna te meritat.
Jemi mësuar të tundim flamujt për shqiptarë që çajnë jashtë nga kontaktet me Shqipërinë, që kudo lëvizin me shtet përdore, apo të trumbetojmë për përkthime veprash letrare që i bën të mundur QKLL-ja. Vepra që nuk gjenden në libraritë jashtë, emra të establishmentit që u janë bërë të lodhshëm të gjithëve dhe kur bëjnë promovime në Perëndim, kanë të pranishëm punonjësit e ambasadës e ca veta nga fisi.
Diktaturat e çfarë do lloji janë përherë marrafrymëse, kurse librat si ky i Ervinës, apo ai i Ardita Jatrusë, që botohen falë pëlqimeve të një botuesi të huaj, pa asnjë ndërhyrje shqiptare, janë një fllad i bukur për gjuhën shqipe.
Suksese Ervina Toptani!
Na e bëre më të bukur Shqipërinë e njerëzve që e duan artin falë empatisë shpirtërore, e asgjëje tjetër përtej kësaj.
Paç shëndet, qofsh grua e lumtur në çdo dimension e krijimtari të begatë!
Alisa Velaj
Ervina Toptani
Me emocionoi Alisa Velaj me çfarë sinqeriteti e ka përcjellë këtë shkrim/ njoftim të saj mbi librin tim. Nuk është aspak e lehtë t’i bësh vend vetes askund, sidomos në shtete të mëdha ku konkurenca e pse jo dhe xhelozia e shfaqur herë hapur herë e nënkuptuar nuk lenë shumë vend për përparime, por kur mirësia është motoja e çdo pune të kryer, e çdo sakrifice, ajo herët a vonë shpërblehet. Të falenderoj shumë për këtë letër të hapur e dashur Alisa e të uroj suksese pafund në fushën tënde e në jetë po ashtu.
Të përqafoj nga Vjena në Hamburg