
Nji foto dhe historia e nji libri!
nga Jozef Radi
Kjo foto asht disi e vjetër, po jo aq sa ta cilësoj të arkivës. Thjesht në kohë, prej saj jam në distancë prej 22 vitesh… Pra, kur isha pak ma i ri…!
Paraqitja thjesht si foto do t’ishte e paplotë, e do t’tingllonte sikur po kërkoj me shitë at që s’asht ma…!!! Zakonisht, i kam për zemër fotot. Secila, ka mbas nji histori, që ma të shumtët s’e shkruejnë, edhe pse shpesh fotot na ndihmojnë me konstruktue mjaft të vërteta t’harrueme…
Këto foto janë të vjetit 2000, dhe pjesë e nji albumi që e realizova jo fort prej vullnetit tim, se prej nji shtyse… N’ato vite, fotografitë ishin me lamje, dhe ende s’kishte foto digjitale e as celularë me ba foto.
Në vitet 1997 e 1998, në harkun e e nji vjeti, pata humbjen e dyfishtë të prindve, ndërkohë m’u desh me ndërmarrë edhe nji akt tejet të trishtë, ende të papenduem, largimin nga atdheu, ose e thanë ndryshe: rrugën e emigrimit!
Ngjarjet e vjetit ‘97 e kishin tronditë thellë shoqninë shqiptare sigurisht edhe besimin tim… kështu shpresa e nji Shqipnie ma të mirë, për të cilën isha përpjekë kishte marrë nji goditje “nockdauni”, e ishin të shumtë ata që humbën besimin e nji jete normale në vend.
Ndër ta edhe unë, mbas nji eksperience 34 vjeçare ndër kampe e këneta komunizmi… dhe në 7 vite betejë në Tiranë me e kapë kohën e humbun…
Gjatë atij udhëtimi me traget me familje, n’ato pak valixhe të aventurës së re, për dreq, gjatë zbritjes në qytetin e Anconës, në hutim e sipër, na humbi nji valixhe. Kishte qëllue ajo e dorëshkrimeve të mia. Po për fat, të nesërmen, në t’njajtin vend ku e kishim harrue e gjetëm. S’e kishte prekë kush!!
Detaji i humbjes së dorshkrimeve edhe gjetjes së tyne, qe jo veç nji gëzim për mue, po u ba shkak me iu futë punës seriozisht për botimin e nji libri të ri. Më duhet me e theksue se mbas humbjes së Babës, më ishte i domosdoshëm nji botim me poezitë e mia!
Në vjetin 1993, kishim botue sëbashku me Babën librin “Muret e Muzgut”, tash kishte ardhë koha që veçmas e në kujtim të dy prindve të humbun, në harkun e nji vjeti ta kryeja kët libër, në përkushtim të tyne!
Dhe vërtet! Për rreth nji vjet e mblodha pjesën ma të madhe të poezive të disa viteve. Librin e titullova “Kujtesa e Mjegullës”. Gjatë vjetit 1999, përgadita materialin për botim. Para se me e çue librin për botim, kërkova mos kisha ndonji fotografi si duhet për me e vendosë në kopertinë. Asnji! Kështu shkova dhe fola me nji fotograf profesionist. I shpjegova se më duhej nji foto e veçantë dhe ai më tha: “Nëse don me botue nji libër, pra ty s’të nevojitet një foto, të nevojitet nji album ku ti mundesh me përzgjedhë at ma përfaqësuesen tande. E supozojmë se ndonji të del flu ndonji s’të pëlqen e ndonjena edhe digjet (digjeshin edhe fotot) prandaj të duhen disa foto profesionale...” Arsyetimi ishte i qartë! Lamë një ditë takimi, më porositi të merrja disa veshje të sipërme që të ndrrohesha herë mbas here. Caktuem orën, ramë dakort për nji shumë prej 100 mijë liretash…
Ai erdhi me makinë, më mori dhe bamë mjaft foto në pika të ndryshme të qytetit. Ishin rreth 100 foto, mjaft prej të cilave profesionale…
E kjo asht njena prej tyne!
Fotografia asht realtivisht e vjetër, pra mos i besoni imazhi që shfaqet.
E vuna thjesht me tregue kët historinë e veçantë të saj… e jo veç për kënaqësinë teme…
jozef radi, 15 korrik 2022