back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 14 Maj, 2026

Elegji e Madhe per Xhon Donin – nga Josif Brodskij

Gazeta

Porta e Drites
Porta e Drites

Kjo poezi, e shkruar në moshën 23 vjeçare,
është kryevepra, sipas meje, e poetit Josif Brodskij (1940-1996)
çmimi Nobel, 1987. Agron Tufa (përkthyesi) 

Elegji e Madhe per Xhon Donin – nga Josif Brodskij

Xhon Doni fjeti. Qark fjeti gjithçka.
Fjetën muret, shtresat, dyshemeja,
Fjetën pikturat, llozat, ganxhat e mëdha,
Kristali, qirinjtë, perdet, bufeja.
Gjithçka fle. Shishet, gotat, legenët,
Buka, thika dhe ora mbi komó,
Kandili, ndërresat, xhamat, enët,
Këmbët e shkallëve, dyert. Natë ngado,
Ngado natë: shtresash, qoshesh, në syrin
Mes fletësh, në ligjëratën e gatitur,
Në fjalë, në mashë, në dru, në qymyrin
E vatrës që si gjithçka fle fikur.
Në hijet pas pasqyrës, në çorapë,
Në kundra, shpinore, krevat, jelekë,
Në Krishtin e kryquar, legen, çarçafë,
në fshesë, këpucë. Çdo gjë ka fjetë.
Fjeti gjithçka. Dritares bora ndrin.
Si sofrabez zbardh çati e pjerrtë
e fqinjit. Dhe lagjja gjumit s’pipëtin
nga suazë e frëngjisë për vdekje prerë.
Fjetwn muret, harqet, gjithçka në botë.
Ballmarët, grilat, lehet, sokaqet.
Nuk feks asnjë dritë, s’kërcet asnjë rrotë…
Ojnat, zinxhirët, komotë, parmaqet.
Flenë dyert, unazat, ganxhat shqim.
Bravat, llozat, kyçat, shulet varg,
Asnjë pipëtimë, trokitje, zhurmim.
Gjumë. Bora kërcet. Agsholi është larg.
Flenë burgjet, kështjellat. Flenë kandarët
Në dyqane peshku, derrat e rrjepur,
Shtëpia, kopshtet, zinxhirët, zagarët.
Tavernës fle macja veshëngrehur.
Flenë minjtë, njerëzit. Londra rëndë flen.
Në port gjemia fle. Në kuvertë të saj
Uji me borën njësh flen edhe gërhen
Tek derdhet qiejsh-fjetur të paskaj.
Xhon Doni tashmë fle. Dhe deti me të.
Fjeti përmbi det dhe breg’ i tebeshirtë,
Gjumit kredhur i gjithë ishulli flë.
Mbyllur ka çdo kopsht me lloz të trefishtë.
Flenë panjat, pishat, shkozat, arrniu.
Flenë shpatet, currilat, dhiarët,
Dhelpra, ujku. Ra të flerë ariu.
E ngrenë buzë zgavre pirg dëborën shqarthët.
Dhe zogjtë flenë. Me këngën unike.
Klithm’ e korbit s’ndihet. Natë. Gazet
E hutit s’gjegjen. Fle hapësira britanike.
Yjet ndrijnë. Miu lyp falje për mëkatet.
Gjithçka fle. Në varre të veta ngjitaz
Vdektarët flenë. Urtë. Në krevate
Flenë të gjallët në det këmishash.
Tek e tek. Thellë. Flenë përqafe.
Gjithçka fle. Fle lumi, mali, pylli.
Bishat, zogjtë, bota tjetër dhe e jona.
Natësorja borë flokon nga qielli.
Por flenë dhe atje lart mbi kokat tona.
Flenë engjëjt. Botë e shkretë harruar
Në gjumë shenjtorësh – për turp të tyre t’shenjtë.
Ferri fle, fle parajsë e amshuar.
Askush kësaj nate jashta s’del.
Fle Zoti. Tash toka është e huaj.
Veshi nuk ndjen më, syri nuk kap rreze.
Dhe djalli fle. Mënia u qetua, –
Fjeti nën dëborë ndër fushat angleze.
Flenë kalorësit. Bash-engjëlli me bori,
Gjumi këput kokën pahitëse të kalit.
Kryeengjëjt, ngrykas, mizëri,
Flenë nën kubenë e kishës së Shën Palit.
Xhon Doni fle. Vargjet e tij flenë.
Gjithë imazhet, gjithë rimat. Të mprehta, –
Të dobëta s’gjen dot. Mëkat, ves e brengë
Në silabe shtrirë njësoj të heshtura.
Çdo varg me tjetrin është si vlla binjak
Ani pse sho-shokut: lëviz pak, i thotë.
Nga portat e parajsës janë aq larg,
Të pastër, mjeranë, si një e vetme botë.
Gjitha strofat flenë. Të rreptët kode, jambet,
Koret majtas-djathtas si karakollë të qetë.
I ujërave të Letës vegim’i thellë endet,
Pas tyre fle thellë – lavdia vetë.
Mjerimet flenë. Ves-e-breng-e-thellë.
Ngrykas flenë e mira dhe e keqja.
Orakujt flenë. Flokim-i-bardhemë
Kërkon hapësisë do pak lara t’zeza.
Gjithçka fle. Të librave pirgjet
Flenë. Faktet në ligjërata.
Lumenj fjalësh n’akull harrimi dergjen-
Zinxhirë-kumbim – dobët ndër hallka.
Fle gjithçka: shenjtët, djalli, Zoti,
Shërbyesit e tyre të ligj, miq, fëmijë.
Rrugëve të errëta bora derdhet koti,
Dhe tinguj më nuk ka në lëmsh të dheut t’zi.
Por shshsh! N’errësi të ftohtë, ti ndjen
dikë që qan atje, pëshpërin me tmerr.
Dikë braktisur dimrit aty gjen
Dhe qan ky dikush dergjur në terr.
Aq i hollë ai zë. Mu si një gjilpërë,
veç fill nuk ka… Vetmitar, i qartë
pluskon në borë. Ftohtë e terr është bërë…
Tek natën qep me agun… ah, sa lart!
Kush pra qan atje? Ti vallë, engjëlli im?
Si pret vera nën borë kthimin përsëri
O dashnia ime… shpisë, territ në kthim,
S’je ti që po klith?… Nuk gjegjet njeri.
S’je ti, o kryeengjëll? Kor’ i trishtë
Këta lotë kumbues m’i shtiu në mendje.
S’vendose ti, që të fjeturën kishë
ta lësh befas? S’je ti, pra? S’je ti? – Heshtje.
“S’je vallë ti, Pal? Vërtet, zëri yt
I trenuar tmerr është ndër fjali.
Territ, thinjur, s’e vare vallë kryet
Dhe qan atje?” – Flatron heshtja karshi.
Territ vallë, s’është ajo dorë vështrimi
Që gjithkund dallohet që larg?
“S’je vallë ti, o Zot? I egër mendimi.
Porse fort po qan njaj zë i lartë”.
Heshtje. Qetësi. Nuk qe ti, Gabriel,
tek sekush lehu fort kur borisë i fryve?
Vetëm unë hapa sytë nën qiell:
thinjeshin kalorësit mbi kuajt e tyre.
Gjithçka rëndë fle. “Qafuar në terr
Ti vrap yshte turmën nga qiejt tëhu,
Mes dimrit, s’qe ti, o Gabriel
që me bori mes territ fill dënes këtu?”
“Jo, Xhon Don, jam unë, shpirti yt, ndër re
të qiellta, vetëm me pikëllimet.
Për çka me mundin tënd ti dhe –
Të rënda-zinxhirë, ndjenjat, mendimet.
Me këtë barrë, flatrimin mund ta kryeje
mes pasionesh, mëkatesh, lartësish.
Ti si zog popullin tënd e këqyre
Kudo, cullak, tek ngjiteshe shkëmbinjsh.
Gjitha detet pe, viset e largëta,
Dhe ferrin e pe, më pas në vetvete.
Ti e pe si përshkëndit parajsa
Më e trishta gjë ndër pasione t’vdekshme.
Ti e pe: Jeta është si ujdhesa jote.
Dhe mes oqeanit këtë gjë takove:
Vetëm terr e klithma kudo kësaj bote.
Ti ktheve – dhe tek Zoti fluturove.
Të ngjitesh lart – kjo barrë ty s’të lë
Prej nga kjo botë ca qindra kulla vjen
Me fjongo lumenjsh, ku prej pamjes në të
Ai gjyq i tmerrshëm, – i tillë s’rrëfen.
Klima nuk lëviz m’atë anë fare.
Andej si gjumë i keq gjithçka moliset.
Atje zoti është një dritë në dritare
Të një shpie n’mjegull terratisur.
Rastisin fusha. Ata plug s’i lëron.
Me vite s’i lëron. Me shekuj fare.
Veç pylli përreth mureve qëndron,
veç shiu barërash hedh vallen e madhe.
I pari druvar, i të cilit kalë-
turret vërdallë gjithë tmerr në korijë,
Ngjitet në një pishë, befas dallon zjarr
Larg tek digjet tej luginës tij.
Vis i marrtë këtu. Larg gjithçka, gjithçka.
Vështrim-qetë shket ndër t’largëtat çati.
Kaq ndritshëm këtu. Lehje qeni s’ka.
Dhe tinguj kambane s’ndjehen në ajri.
Dhe kupton që gjithçka është larg. Në pyje
me një gjest e kthen ai kalin vrik.
Sakaq, freri, saja, nata që po bie
dhe kali thatan kthehen – gjumë biblik.
Oh, jo, unë qaj, qaj, nuk ka rrugë.
Në këta gurë i thënë jam të kthej.
Andej nuk vij dot veçse me trup
Vdektar m’është thënë të vij andej.
Po, po. Duke të harruar ty drita ime.
Në të freskëtën tokë që vuan përjetë.
Të lundroj pas dëshirave t’pangime
Vetmitar me trup ndarjen time t’qep.
Nuk jam unë që qaj – ti ngashëren Xhon Don.
Si enët në raft-ti fillthi je shtrirë.
Ndërsa n’shpi të vjetër bora fërfëllon
Flatron që andej territ përpirë.
Si zogjtë ai po fle në fole të vet.
I etur për një tjetër jetë më të mirë.
Të pastrën rrugë ia besoi përjetë
Yllit që ndër rreze tash është ndryrë.
Shpirti i tij si zogjtë është i ndritshëm.
Laikja udhë mbase qe mëkatare,
Një kafaz korbi i natyrshëm
Ndër të hirtat bosh kafaze t’gargujve.
Ditën zgjohet si zogjtë zhurmëshumë.
Tash shtrirë po rri shtresash të ngrira
Përsa me borë është qepur dhe me gjumë
Mes shpirt-e trupi t’fjetur hapësira.
Porse pret në fund dhe pse gjithçka fjeti,
Vargu që skërmit t’padhëmbën gojë surrati.
Dashnia laike – veç një peng poeti.
Dashnia shpirtnore – veç një kurm abati.
Në çfarëdo mulliri uji po të bjerë
Një miell do bluajë, çoje ku ta çosh.
Nëse jetën tënde e ndan me të tjerë
Vdekjen me kë vallë do mund ta pjesëtosh?
Kush të dojë e gris vrimën në pëlhurë.
Copë-copë. Ikën. Dhe sërish e gris
Sa herë kthen. Veç qielli kur e kur
Merr në terr gjilpërën e terzisë.
Fli Xhon Don, fli. Veten mos e mundo.
Kaftani vrima-vrima varet, vajmedet!
Atë vështro, yllin ndër re dallo
që botën tënde ruajti tash sa vjet.
1963

Nga origjinali: Agron Tufa

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.