back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Tri shkrime për Mbretëreshën Teutë – Klodi Stralla & Gjergj Anastasi & Leon Molla

Gazeta

Mbreteresha Teuta
Mbreteresha Teuta

Tri shkrime për Mbretëreshën Teutë

Pushtimi i Ilirisë

nga Klodi Stralla

Në 25 maj të vitit 229 p.e.s – Romakët pushtojnë për herë të parë Ilirinë, kur dy konsuj, Fulvus dhe Postimius, me ushtritë e tyre (njëri nga deti e tjetri nga toka) u dërguan për të ndëshkuar mbretëreshën Teuta – Ajo kishte vrarë ambasadorin romak, pasi ky i ishte përgjigjur pa respekt.
Historiani romak Polybius (203 p.e.s – 120 p.e.s) tregon: “…Roma dërgoi në oborrin e mbretëreshës Teuta dy ambasadorë për ta paralajmëruar që ilirët duhej të ndërprisnin piraterinë ndaj anijeve dhe brigjeve romake. Teuta iu përgjigj se: “ilirët ishin njerëz të lirë dhe nuk kishin nevojë për urdhërat e saj se si të silleshin…” Një nga ambasadorët, ai më i riu në moshë, ia ktheu: ‘Mbretëreshë Teuta, romakët kanë një traditë të shkëlqyer se është shteti që merret me dënimin e atyre që kryejnë gabime, dhe me ndihmën e atyre që vuajnë gabime. Me ndihmë të Zotit, ne do të bëjmë sa më shpejt ç’është e mundur që mbretëresha ilire të ndryshojë mënyrën se si qeveris nështetasit e saj’. Ishin këto fjalë, në oborrin e saj, nga një i huaj, që e zemëruan Teutën, e cila dërgoi njerëz dhe e vranë ndërsa ambasadori po i hypte anijes për t’u kthyer në vendin e tij. Kur lajmi mbërriti në Romë, romakët u zemëruan së tepërmi dhe autoritetet menjëherë filluan mbledhjen e legjioneve, përgatitën flotën, dhe u nisën për herë të parë drejt brigjeve të Ilirisë dhe asaj pjese të Europës…..”

Mbretëresha Teutë - mbi Bankën e Durrësit
Mbretëresha Teutë – mbi Bankën e Durrësit

Ndonse personalisht besoj se ky duhet të ketë qenë vetëm preteksti dhe jo shkaku i vërtetë pse romakët pushtuan Ilirinë dhe zbarkuan në Ballkan, ngjarja dëshmon se kur gjestet apo veprimet nuk janë proporcionale me fuqinë e atij që i ben, pasojat janë fatale. Kjo është shumë aktuale sot me shqiptarët, që para se të bëjnë retorikë patriotike (me tubime, deklarime apo përurime bustesh) më mirë është të forcojnë shtetin e tyre, ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, sepse nuk dihet se çfarë sjell e nesërmja.
Këtë mësim na dërgon Teuta e para 2245 vjetëve!

Mbretëresha Teutë -Në Kështjellën e Mantas-s Cuneo (Itali)
Mbretëresha Teutë -Në Kështjellën e Mantas-s Cuneo (Itali)

Figura e Mbretereshës Teuta – në Manta të Italisë

nga Gjergj Anastasi

Në kështjellën e Manta-s, në Cuneo të Italisë gjejmë këtë pikturë murore të mrekullueshme, e cila paraqet Mbretëreshën e Ilirisë, Teutën. Kjo kështjellë është dhuruar nga Elisabeta De Rege Provana del Sabbione dhe Kështjella gjendet mbi kodrat e Provincës së Cuneo-s, kështjella e Manta-s mbart në Sallonin e Baronëve një nga pikturat më të famshme të stilit gotik internacional: një cikël pikturash afreske ku prezanton heronj dhe heroina në faqen e murit që ndodhet përballë Burimit të Rinisë, (la Fontana della Giovinezza).
Kompleksi i kështjellës është frut i një realizimi të integruar me fortifikimin fillestar të shek. XIII-të dhe më pas është pasuruar në shek. e XVI-të me elegantin Sallonin Grotesk dhe të një galerie të pasur afrekesh. Në këtë sallon elegant afreskesh, midis kavalierëve dhe heroinave, të realizuar nga Maestro della Manta, (në dekadat e para të shek. XV-të, midis heronjve më të mëdhenj të historisë internacionale si Mbretit Artù, Tamiri, Lampeto, Guida Maccabeo, Goffredo di Buglione, Re Davide, Delfile, do gjejme dhe Mbretëreshën e Ilirëve, (Mbretëresha jonë, nuk radhitej aspak e fundit siç e klasifikova unë, e bëra një gjë të tillë, për të krijuar idenë se ç’rëndësi kishte Teuta në nivel internacional). Blazoni i Mbretëreshës Teuta jo më kot ishte një shqiponjë, Maestro della Manta e dinte shumë mirë se kjo heroinë vinte nga vendi i shqiponjave.
Sot në Torino vizitova një kështjellë e 1884-ës e cila kishte kopjuar jo vetëm aspektin arkitektonik të jashtëm dhe të brendshëm të kështjellës së Manta-s, por dhe afresket e saj ku fotografova shqiponjen tonë me dykrerë…

Mbreteresha Teuta - Tmerri Adriatikut (https://heroineimages.wordpress.com
Mbreteresha Teuta – Tmerri Adriatikut (https://heroineimages.wordpress.com)

Rezidenca e Mbretëreshës Teuta

nga Leon Molla

Për Mbretëreshën Ilire Teuta flitet shumë pothuajse në të gjitha librat historikë të Europës e sidomos në enciklopedinë Franceze ku ajo cilësohet si një grua e guximshme, e vendosur dhe diplomate.
Mbretëresha Teuta ishte gruaja e parë e Mbretit Agron dhe kujdestare e Pinit djalit të Agronit që e kishte me gruan e dytë.
Mbretëresha Teuta u vu në krye të shtetit Ilir e të ushtrisë duke mbretëruar e komanduar në vitet 230-228 p.e.s.
Mbretëresha Teuta ishte një përsonalitet me zë në historinë e Ilirisë.
Ajo mbretëroi pas Bardhylit, Glaukias, Klitit e Agronit. Vetëm 3 vite do e udhëhiqte ajo shtetin Ilir, por do mbetej në histori dhe me lavdi, pasi rivalizoi perandorinë dhe perandorët e mëdhenj romakë.
Sipas historianëve të kohës, të cilët nuk përmendet në librat e Historisë Shqiptare, në atë periudhë perandoria romake kishte nën zotërim, Apolloninë, Durrësin dhe Lezhën.
Në një takim që zhvilloi delegati i perandorisë romake me Mbretëreshën Teuta, ky i fundit në bisedë e sipër e ofendoj dhe Mbretëresha urdhëroj t’i prisnin kokën.
Koka e prerë e këshilltarit romak fillimisht u dërgua në Durrës, pastaj në Romë.
Ky veprim i Mbretëreshës Teuta e acaroi perandorinë romake, të cilët nisën ofensivën ushtarake në drejtim të Ilirisë.
Duke përfituar nga situata e krijuar Dhimitër Fari tradhëtoi Mbretëreshën Teuta dhe ju bashkua forcave romake duke i dorëzuar flotën e fuqishme Ilire.
Mbretëresha Teuta për të qënë e sigurtë shkoj në Rezidencën e saj që ndodhej në Vakorrë, Pirusi (Mirdita sot), e cila nuk ishte shumë larg Kalasë së Buklit e vendosur në mes shkëmbinjëve.
Ushtria e perandorisë romake e zbuloi vendodhjen e saj dhe nisën drejt Pirusit, fillimisht u përplasën ushtarakisht Romakët dhe Pirusët në afërsi të rezidencës së Mbretëreshës.
Mbretëresha Teuta në pamundësi për t’u tërhequr në Kalanë e Buklit dhe për të mos rënë e gjallë në duart e ushtrisë romake, lëshon rezidencën dhe hidhet në shkëmb që ndodhej fare pranë.
Sipas shkrimtarëve romakë dhe gojdhënave, flitet se Mbretëresha Teuta u hodh në shkëmb që pranë shkëmbit kalonte Lumi.
Pikërisht rezidenca e Teutës në Vakorrë që kufizohet me Malaj, Kodërshen dhe lumin Fanë mund të ketë qënë edhe fundi i jetës së saj.
Po t’i referohemi shkrimeve dhe gojdhënave, del me konkluzionin se pikërisht në shkëmbin pranë rezidencës së Vakorrës është hedhur Mbretëresha Teuta, pasi dhe Lumi Fanë kalon pranë shkëmbit siç përshkruhet në historinë e kohës.
Pas vdekjes së Mbretëreshës Teuta, ushtria romake do rrethonte Kalanë e Buklit ku aty do u zhvillonte beteja më titanike mes ushtrisë romake dhe ushtrisë Piruse (Mirdita sot).
Kalaja e cila falë vendodhjes gjeografike e ngritur mes shkëmbinjëve madhështor, Pirusët fituan luftën.
Në Vakorrë tek ish rezidenca e Mbretëreshës Teuta shikohen qartë që ndërtesa ka qënë e ngritur me gurë të bardhë gëlqeror që nuk mund të gjenden në atë zonë.

Flota e Mbretereshes  Teuta
Flota e Mbretereshes Teuta

Për këtë vend nuk është shkruar dhe nuk janë bërë gërmime arkeologjike për të zbuluar dhe nxjerrur në dritë historinë e një Mbretëreshe që udhëhoqi shtetin Ilir.
Përvec një kënge kushtuar këtij vendi e kënduar kohëve të fundit nga Mark Gjoka (Mjeshtër i Madh) me titull Kalaja e Teutës, asgjë më shumë nuk është bërë për këtë vend historik dhe arkeologjik.
http://shqiperiajone.blogspot.com

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.