
Ded Miri – Një shpirt që falte
esse nga Ndue Hoti
Me 12 shkurt 2026,
populli i Gurzit i dha lamtumirën birit të tij
Dedë Miri (5 mars 1956 – 10 shkurt 2026).
Kishin ardhë për këtë rast me qindra bashkëvendas,
familjarë, të afërm, miq dhe ish-kolegë të të Ndjerit.
Dedë Miri u lind në Gurëz, më 5 mars 1956, në një familje që mbartte në gjak historinë dhe sakrificën për liri e atdhe. Gjyshi i tij, Zef Miri, dhe të afërm të tjerë ranë dëshmorë për Shqipërinë. Që në fillesë të jetës, ai u rrit mes plagëve të persekutimit, internimeve dhe dhimbjeve të një familjeje që u ndëshkua vetëm pse kishte dashur lirinë.
Në moshë të vogël, Dedë Miri pa me sytë e tij fytyrën më të egër të padrejtësisë: i ati u pushkatua kur ai ishte vetëm tre vjeç; familja u përndoq; ndërsa nana e tij, Pashke Miri, u bë shtylla e qëndresës dhe e dinjitetit njerëzor. Këto plagë nuk e thyen, përkundrazi, e formuan si njeri të fortë, të drejtë dhe të dhembshur.
Ndarja nga jeta erdhi për arsye shëndetësore, Dedë Miri, ish-gjyqtar dhe ish-drejtues gjykate.
Jeta e tij është për një libër.
Lindur, më 5 mars 1956, në Fushkuqe, Kurbin, ka qenë banues i përhershëm i trevës tonë.
I vetmi mashkull i mbijetuar i familjes së tij, nga shfarosja e kryer nga komunistët, të cilët, pavarësisht angazhimit në Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar, pas Luftës, vranë 11 anëtarë të familjes Miri, për shkaqe politike.
Pas dënimit “vetëm” me burgim në Burgun e Spaçit, e kalimit të tetë viteve në këtë burg, si dhe të pesë viteve, me punë të detyruar, në minierën pranë tij, u sëmur me silikozë, por mbijetoi, si pak të dënuar të tjerë.
Pas viteve ‘90, fillimisht kaloi disa vite në polici, edhe duke u plagosur me disa goditje me armë zjarri, gjatë ushtrimit të detyrës.
Nga viti 1994, ka ushtruar, fillimisht, detyrën e ndihmës-gjyqtarit e mandej atë të gjyqtarit, deri në mars 2023, kur me mbushjen e moshës 67-vjeçare, në dallim nga të tjerë, nuk u ngul me thonj pas karriges.
Por padrejtësia nuk u ndal me kaq. Vetë Dedë Miri u dënua politikisht dhe kaloi nëntë vite burg, jo për faj të tij, por për origjinën e tij, për mbiemrin që mbante dhe për historinë e familjes së tij. Në ato qeli të errëta ai njohu vuajtjen, poshtërimin dhe peshën e rëndë të padrejtësisë, por prej tyre doli më i fortë, më i mençur dhe më njerëzor.
Nga ajo përvojë e dhimbshme lindi filozofia e tij e jetës dhe e drejtësisë:
Ligji për Dedë Mirin nuk ishte hakmarrje ishte shpirt faljeje, ekuilibri dhe dinjiteti njerëzor.
Ai besonte se drejtësia duhet të ndreqë, jo të shkatërrojë, të shërojë, jo të plagosë, të mbrojë të dobëtin dhe jo të forcojë të fortin.
Me kët shpirt ai ndoqi rrugën e dijes, duke përfunduar Fakultetin e Drejtësisë pa u shkëputur nga puna dhe sakrifica. Për dekada me radhë shërbeu me ndershmëri, duke arritur deri Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, një post që e mbajti me përulësi, përgjegjësi dhe ndërgjegje të pastër.
Në çdo vendim të tij ndihej njeriu që kishte vuajtur padrejtësinë dhe që nuk donte ta shihte më kurrë atë mbi askënd tjetër. Për këtë arsye ai fitoi respektin e kolegëve dhe besimin e qytetarëve.
Por mbi të gjitha, Dedë Miri ishte njeri familjeje. Ishte bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur për të bijën, mik i sinqertë dhe njeri i thjeshtë në zemër. Edhe kur sëmundja e lodhi trupin e tij, ai nuk u dorëzua, vazhdoi të punojë, të krijojë dhe të shërbejë me dinjitet deri në fund.
Në dy netët e hatrit/ngushllimeve e pamë sa shumë njerëz u mblodhën për ta nderuar. Kjo ishte dëshmia më e bukur e jetës së tij: një jetë që la gjurmë në zemrat e njerëzve.
Pjesëmarresit në këtë procesion mortor përcollën jo vetëm një ish-kryegjykatës, po përcillnin një bir dëshmorësh, një ish-të dënuar politik që e mundi padrejtësinë me dinjitet, një burrë që e shndërroi vuajtjen në urtësi dhe ligjin në instrument faljeje.
Le ta mbajmë gjallë shembullin e tij.
Le të mësojmë nga jeta e tij se drejtësia e vërtetë buron nga zemra e pastër dhe nga shpirti që ka vuajtur, por nuk është helmuar nga urrejtja.
Me ndarjen nga jeta të këtij njeriu të mirë, treva jonë Gurzi dhe Kurbini humbën jo vetëm birin e tij, po edhe një mbrojtës të tyre. Fushkuqja do ta ndjejë për shumë kohë ndoshta mungesën e tij në drejtësi.
Pushoftë në paqe, Dedë Pjetër Miri.
I përjetshëm kjoftë kujtimi i Tij.