back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Carleton S. Coon – Antropologu i famshëm amerikan që bëri studime në Gegni

Gazeta

Antropologu Carletoon S. Coon (1904-1981)
Antropologu Carletoon S. Coon (1904-1981)

Karleton Kuni (Carleton S. Coon) 1904-1981

Antropologu i famshëm amerikan që bëri studime në Gegni

nga Ilir Seci

Duke lexuar një reviste antropologjike që publikohet nga Universiteti i Harvardit, në një artikull, më ra në sy si reference një citim nga një libër i titulluar: “The Mountains of Giants” – A Racial and Cultural Study of the North Albanian Mountain Ghegs, me autor Carleton S. Coon, libër që ishte botuar për herë të parë në vitin 1950…
Në shqip titulli mund të perkthehej afërsisht: “Malet e Gjigandeve” – Një Studim Racor dhe Kulturor i Malësorëve Gegë në Veri të Shqipërisë, libër që kishte për autor profesorin e Universitetit të Harvardit Karleton Kun, (Carleton S. Coon)…
 Libri është një studim antropologjik i kryer në Shqipëri nga antropologu Carleton S. Coon, nga viti 1929 deri në vitin 1930…

Fytyra Shqiptare (1930)
Fytyra Shqiptare (1930)

Profesori i Harvardit C. S. Coon, kishte ardhur në Shqipëri gjatë atyre viteve dhe ishte ndihmuar nga autoritetet shqiptare të asaj kohe që të kryente studime antropologjike, matje të banorëve të Malësive Veriore, duke marrë të dhëna fizike, si përmasat e kafkës, ngjyra e syve, flokëve si dhe duke studiuar jetën dhe zakonet e jetës malësore.
Studimet antropologjike të Coon-it, janë bazuar mbi këto të dhëna antropologjike të malësoreve të malësive të veriut si Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, si e kanë njohur në vitet ’30 , (Tropoja si njihet sot), Hasi, Luma, Mirdita, Mati dhe Dibra…
I shtyrë nga kërshëria, kërkova më shumë të dhëna rreth autorit dhe… me rezultoi se Carleton Stevens Coon, ka lindur me 23 Qershor 1904, në Wakefield Massachusetts dhe vdekur me 3 Qershor 1981, se kishte qenë një antropologjist amerikan me famë, se kishte dhënë leksione si profesor i Universitetit të Pensilvanisë dhe më vonë edhe Profesor i Universitetit të Harvardit. Carleton S. Coon, kishte qenë Presidenti i shoqatës së Antropologjistëve Amerikanë, (President of the American Association of Physical Anthropologists…)
I befasuar nga titulli, e porosita menjëherë në Amazon këtë libër edhe e lexova me një frymë!

Carletoon Coom  “The Mountains of Giants”
Carletoon Coom “The Mountains of Giants”

Vepra ishte një studim shterrues antropologjik shkruar nga një autor që ka kryer disa nga studimet më të rëndësishme në këtë fushë! Vepra e tij “Origjina e racave”, që konkludon me gjetjen e fillit gjenetik të racës së bardhë nga Kaukazi, qëndron e palëkundur… Termi kaukazian, “Caucasian” përdoret që nga ajo kohë si përcaktim i racës së bardhë në USA… Disa vepra të tij janë kundërshtuar nga studiues të mëvonshëm por studimi mbi Malësorët e Veriut vazhdon të përdoret nga studiuesit edhe sot e kësaj dite…
Konkluzioni i Karleton Kun për malësorët e veriut është se ata “…janë racë Dinarike dhe janë aty prej fillimeve të njerëzimit, se, të dhënat e tyre gjenetike ne krejt rajonin europian përputhen me banorët dinarikë në kufirin mes Bosnjës dhe Kroacisë dhe me banorët e Tirolit në Zvicër!
Habia më e madhe ishte që ky libër kaq i rëndësishëm dhe i shkruar nga një autoritet kaq me peshë, është pothuajse i panjohur ndër vetë shqiptarët që kanë qenë objekt i këtij studimi!? Vepra me sa dimë nuk është përkthyer në shqip edhe pse është botuar para 64 vjetësh në vitin 1950, në Kembrixh Masacusets…
Autori Carleton S. Coon, në këto ekspedita është shoqëruar nga Stavri Frashëri, i cili po ashtu ka shkruar një libër të vetin rreth ekspeditës me titull “Through Mirdita in winter”, “Përmes Mirditës në Dimër…”. Libri i Karleton Kun “Malet e Gjigandëve” është ribotuar disa herë dhe vazhdon e përdoret si tekst akademik në studime të kësaj fushe…

Studimi i gegve nga Carleton Coom
Studimi i gegve nga Carleton Coom

Me ta mbaruar se lexuari librin, i hyra kërkimeve rreth këtij botimi dhe njohjes në botën shqiptare… dhe e pashë të përmendur vetëm në faqen online të studiuesit Robert Elsie. Në këtë faqe të tij, Robert Elsie kishte publikuar fotot e librit të Carleton S. Coon dhe ndihmësit të tij, Stavri Frashëri, por ajo që më befasoi ishte se studiuesi Robert Elsie kur e përmendte librin e C. S. Coon, e kishte ndryshuar titullin e librit, duke e zëvendësuar fjalën “Gegë” me fjalën “Fise”!?! Ku titulli origjinal: “The Mountains of Giants”: A Racial and Cultural Study of the North Albanian Mountain Gheges”, shqip “Malet e Gjigandëve”: Një Studim Racor dhe Kulturor i Malësoreve Gegë në Veri të Shqipërisë!”, studiuesi Robert Elsie e ka publikuar në faqen e vet si: “The Mountains of Giants” – A Racial and Cultural Study of the North Albanian Mountain Tribes”, shqip “Malet e Gjigandeve” – Një Studim Racor dhe Kulturor të fiseve Malësore në Veri të Shqipërisë”? ! ! … Titullin e ka vendosur vetë studiuesi K. Kun, dhe nuk e kuptoj përse të jetë ndryshuar, të paktën origjinalin në anglisht se po të ishte përkthim në shqip ndoshta edhe do të mund të diskutohej kjo punë. Nuk po gjykoj arsyet se përse e ka ndryshuar këtë studiuesi Robert Elsie…

Foto nga libri “Malet e Gjigandeve”
Foto nga libri “Malet e Gjigandeve”

Habitem përse nuk është përkthyer në shqip kjo vepër kaq me rëndësi? Carleton Coon që ka jetuar në Massachusetts, ka pasur njohje me plot shqiptarë që jetonin atje!? Sepse në vepër disa herë Karleton Kun e përmend Fan Nolin si dhe Qerim Panaritin si miqtë e tij shqiptarë me të cilët është konsultuar për shumë aspekte të veprës! Por libri i Karleton Kun edhe pse vepër me rëndësi nuk është përkthyer, kurse libri i ndihmësit të Kunit, Stavri Frashërit, me titull “Through Mirdita in Winter”, “Përmes Mirditës në Dimër”, është përkthyer në shqip nga Peter Prifti, pasi i shkruar dhe botuar në anglisht?!
Gjithsesi unë këtë vepër e kam në dorë dhe kam filluar ta përkthej pasiqë lexuesi shqiptar mendoj se duhet ta njohë këtë studim kaq të vecante dhe thuajse të panjohur për ta! Falë internetit dhe mundësive të pafundme të informimit, ne sot po mësojmë shumë fakte! Interneti dhe rrjetet sociale po ja ndryshojnë faqen njerëzmit! Rrjetet sociale sot po bëjnë atë që bëri Gutenbergu me shtypshkrimin! Ashtu si shtypshkronja e Gutenbergut që nxorri dijen jashtë mureve të manastireve, sot interneti po e bën dijen të gatshme për këdo që është i interesuar…
http://illyriapress.com/karleton-kuni-carleton-s-coon

Stavri Frasheri , nji malsor dhe Carletoon Coom (19030)Stavri Frasheri , nji malsor dhe Carletoon Coom (19030)
Stavri Frasheri , nji malsor dhe Carletoon Coom (1930)

Edgar Frashëri shkruan

Z. Seci,
Duke vlerësuar shkrimin tuaj për studiuesin amerikan Carlton Coon, e shoh me vend t’ju bëj një vërejtje lidhur me një pasaktësi që ju keni shkruar për ndihmësin e Z. Coon – Stavri Frashëri, kur thoni se libri i tij “Përmes Mirditës në Dimër” është përkthyer në shqip nga Peter Prifti. E vërteta është se libri është shkruar e botuar në shqip nga Stavri Frashëri – babai tim – në vitin 1930, dhe tani vonë është kapur nga Peter Prifti, i cili e përktheu atë në anglisht.
Nga korrespondenca që kam patur me të ndjerin Peter Prifti (mik i z. Coon), mbas përkthimit të librit, mësova se z. Coon, jo vetëm nuk e dinte që ish guida dhe përkthyesi i tij Stavri Frashëri të kishte bërë një libër për atë udhëtim, por nuk dinte nëse ishte gjallë apo jo.
Pra libri është përkthyer në anglisht pas vdekjes së Z. Coon.
Ju përgëzoj për ndërmarrjen tuaj në përkthimin e librit të Coon-it në shqip.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.