back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 5 Mars, 2026

At Martin Gjoka – Në përvjetorin e lindjes së kompozitorit

Gazeta

At Martin Gjoka (1890-1940)
At Martin Gjoka (1890-1940)
At Martin Gjoka – Në përvjetorin e lindjes së kompozitorit 

Botue me 20 shkurt 2026,
në FB nga kulturologu, studiuesi e etnografi Ndoc M. Shaben.
Duke e falënderue nga zemra,
dëshroj të tërheq vëmendjen e opinionit dhe organeve kompetente
se At Martin Gjoka nuk ka një titull, nuk ka asnjë titull nderi,
edhe pse asht një ndër përkursorët e muzikës së kultivueme shqiptare,
autor, ndër të tjera, i një simfonie e një opere në vitet 1918–1922.
Nuk ka asnjë titull edhe pse asht pedagogu
i shumë muzikantëve që ma vonë luejtën rolin ma të madh
në zhvillimin e muzikës sonë kombëtare në gjysmën e dytë të shek. XX.

(Material i ripunuar edhe në referim të “Kënga dhe Këngëtarët Shkodranë” – Ferid Bala dhe u redaktua sipas disa të dhanave të internetit dhe disa shkrimeve nga Tonin Zadeja e Robert Prennushi)

Kompozitori At Martin Gjoka lindi në Tivar, me 20 shkurt 1890, në familjen e Filip Gjokës.
Në Shkodër erdhi në moshën 15-vjeçare për të vazhduar shkollën e mesme në shkollën e etënve françeskanë më 1905, ku mësimet jepeshin shqip qysh në vitin 1902, kur Fishta ishte drejtor.
Aty ai mori mësime edhe nga Palokë Kurti dhe Frano Ndoja, të cilët zbuluan talentin e tij dhe e mbajtën afër, duke i dhënë edhe njohuritë e para për instrumentet, pianon dhe violinën.
Më vonë, etnit françeskanë, me largpamësinë e tyre, e nisën për në Salzburg të Austrisë, ku ai përveç filozofisë e teologjisë, studioi edhe shkollën muzikore, duke i thelluar studimet e mëtejme të profileve muzikore si harmonia, kontrapunti dhe në instrumente si pianoforte, flauti e violina, si dhe filloi të kompozojë pjesë të ndryshme.
Me sa dihet, kompozimi i parë i tij asht “Ave Maria”, të cilën më vonë e vlerësuan shumë Palokë Kurti dhe At Shtjefën Gjeçovi.
Respektin ndaj këtyre dy figurave ai e shprehu më vonë, kur u kushtoi atyre dy kompozimet e para të tij, në vitin 1910, veprat për pianoforte “Liria” dhe “Atdhe dhe gjuhë shqiptare”.
Në Shqipëri u kthye pak kohë para shpalljes së “Lidhjes së Prizrenit”.
Jep mësim në kolegjin Illyricum të fretënve në landët: histori, gjeografi dhe gjuhë gjermane dhe formon bandën me nxënësit e kësaj shkolle.
Në vitin 1924, ishte koha kur minarja e Xhamisë së Fushës së Çelës lidhej me një varg dritash me Kambanoren e Kishës së Fretënve dhe, me këtë rast, At Martin Gjoka me nxënësit e tij bëri një koncert në sheshin kryesor të qytetit të Shkodrës për Pashkët dhe festën e Bajramit.
Me këtë rast, pas koncertit, deputeti i qytetit tonë, Bajram Curri, shkoi drejt At Martin Gjokës që ta përgëzojë për koncertin, duke i dhënë një dhuratë simbolike parash për atë dhe fëmijët e këtij formacioni orkestral, me fjalët:
“Ky peshqesh asht për kalamajtë edhe ju.
Vazhdoni të punoni pa u lodhur për idealin kombëtar dhe përparimin e vendit.”
Qysh në vitin 1914, formoi korin femëror te shkolla e “Motrave Stigmatine”, që sipas dijes sonë ishte edhe kori i parë femëror në vendin tonë, i cili me rastin e vënies në skenë të melodramës “Barijtë e Betlehemit” (1917) dhe “Shqyptarja e qytetnueme” (1927) të shkrueme nga At Gjergj Fishta, me numra muzikorë të kompozuar nga Martin Gjoka, patën një sukses të plotë.
Sipas shembullit të At Tomë Marcozzi-t, që më 1878, mori nismën dhe formoi të parën orkestër frymore në Shqipëri, ashtu edhe At Martin Gjoka krijoi orkestrën më 1922. Me rastin e të Kremtes së Krishtlindjeve, u paraqit para publikut shkodran me orkestrën frymore prej 50 fëmijësh instrumentistë, të gjithë nxënës shkollash.
Kjo orkestër, në vitin 1924, pas koncertit të Shkodrës, u dha edhe para publikut të Tiranës dhe më 1930 fitoi “Çmimin e Parë” në konkursin e shpallur nga Ministria e Arsimit midis orkestrave frymore të të rinjve.
Ai ishte i pari që kompozoi muzikë klasike në Shqipëri në zhanre të ndryshme.
Gjatë vitit 1936, e transferuan nga Shkodra në famullinë e Planit. Atje ai punoi pa u lodhë për një album me prelude e pjesë të tjera për organo.
Nuk qe e lehtë për atë të braktiste bandën, korin e Kishës së Fretënve, shkollën e muzikës, të krijueme të gjitha prej tij gjatë 25 viteve të veprimtarisë në qytet.
Mbas 3 vitesh që ndej në malsi, Patër Martinin e transferuan përsëri në Shkodër, ku ndihej vendi i tij i zbrazët e i pazëvendësueshëm.
Erdhi në gjysmën e dytë të atij viti, por tashma punët i gjeti shumë të ndryshueme.
Liceu Illyricum i françeskanëve ishte mbyllur, sepse trupi mësimor nuk pranonte me shti në shkollë doktrinën fashiste që kishte programue Ministria e Arsimit.
Një prej profesorëve, Athanas Gegaj, ishte arrestue e internue në Itali, ndërsa At Gjon Shllaku e At Lekë Luli kishin ikë në Jugosllavi.
Bandave të Shkollës Françeskane e të Shoqnisë Antoniane u ishin sekuestrue të gjitha veglat muzikore nga Partia Fashiste.
I vetmi aktivitet artistik kishte mbetë kori i Kishës së Fretënve e orkestra.
Këto ngjarje ia thyen zemrën.

At Martin Gjoka midis nxansave
At Martin Gjoka midis nxansave

Shëndeti i tij u dobësue edhe më tepër dhe më 3 shkurt 1940, vdiq në Shkodër, në moshën 50-vjeçare, nga një infarkt fatal.
Populli shkodran e përcolli me nderime të mëdha e dashuri kufomën e tij në varrezat e Kishës së Fretënve dhe, gjatë Meshës funerale, me lot ndër sy, kori ekzekutoi disa copa nga vepra e tij e muzikës kishtare.
Tue ndjekë traditën e kompozitorëve si Bach dhe Handel, Gjoka kompozoi muzikë polifonike dhe korale, si dhe la të papërfundueme një simfoni (“Dy lule mbi vorr të Skanderbeut”, 1922).
Për shkak të mungesës së institucioneve muzikore apo një sistemi profesional për muzikën klasike, veprat e tij mbetën të paluajtura në publik.
Ato u luajtën vetëm nga instrumentistë amatorë dhe u ndigjuen në rrethe të ngushta shoqnore.
Megjithatë, falë punës së Gjokës dhe muzikantëve të tjerë të asaj kohe, Shkodra u bâ qendra ma e rëndësishme e jetës muzikore në Shqipni gjatë periudhës midis dy luftërave botërore e sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore.
Veprat e sivëllaut françeskan, At Gjergj Fishta, “Juda Makabe” (1915) dhe “Shqyptarja e qytetnueme” (1917), u vunë në skenë me muzikën e At Gjokës, gjithashtu edhe vepra të tjera të At Vinçenc Prennushit dhe At Leonardo de Martinos.
Ndër kompozimet e veta përdorte shpesh motive popullore.
Prenkë Jakova, Abdulla Grimci, Tonin Zadeja, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Tonin Rrota, Pjetër Dungu (piano), Zef Alimhilli (violinë), Simon Gjoni, Zef Gruda (oboe), Lukë Kaçaj, Gjon Kujxhia, gjithashtu ishin nxënës të At Martin Gjokës.
Në një farë mënyre, të gjithë muzikantët shkodranë deri në vitet ’50 ishin nxënës ose nxënësit e nxënësve të At Martinit.
Kështu, violinisti Zef Alimhilli ishte nxënësi i At Martin Gjokës, të cilit me shumë përkushtim i dha njohuritë e para të violinës, e që vetë Zef Alimhilli ua dha njohuritë e para të këtij instrumenti Ndoc Shllakut dhe Mark Kaftallit, spala të para të orkestrës simfonike, të cilët më vonë krijuan breza të rinj violinistësh, që tue vazhduar më lart studimet, u bënë pedagogët e parë të Shkollës së Muzikës “Prenkë Jakova” në Shkodër.
Po kështu, instrumentistët e frymës, sektor ku Prenkë Jakova krijoi shkollën e vet, dhe nxënësit e tij që u bënë të njohun në mbarë vendin, apo Abdulla Grimci, që ishte drejtuesi i parë pas çlirimit të vendit i bandës frymore të Shtëpisë së Kulturës Shkodër qysh në vitin 1945–46, ishte gjithashtu kontribut i ish-nxënësve të At Martin Gjokës.
Kronikat e kohës e tregojnë At Martinin herë tek shoqnia “Bogdani” dhe herë tek shoqnia “Rozafa”, ku ishte njëri ndër bashkëthemeluesit e këtyre shoqërive që flasin për koncertet e tyre, jo vetëm me krijimtarinë e tij, por edhe me vepra të klasikëve të mëdhenj.
Në kronikat gazetareske që përshkruajnë programin e koncertit të parë të grupeve të bashkuera të shoqatave “Bogdani” dhe “Rozafa”, më 27 prill 1919, ndër të tjera thuhet:
“Ky program kje zhvillue prej pjestarëve t’orkestrës me shumë mjeshtri.”
Më poshtë gjejmë shënimin se, megjithëse programi nuk pati kohën e domosdoshme për t’u përgatitë, nënvizohet se:
“Ky përparim i shpejtë i don dijet e P. Martin Gjokës, i cili ia ka vue barrë vedit mësimin e muzikës e që drejtoi edhe koncertin. Vallja “Shqiptarët dhe muzika”, kompozue prej P. Martinit, u pëlqye aq fort sa të gjithë ndigjuesit kërkuen që të përsëritej për së dyti…”
Në vitet 1924-36, pothuajse të gjitha veprimtaritë muzikore u zhvilluan me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të At M. Gjokës.
Veprat e tij u rimëkëmbën pas ardhjes së demokracisë në vend nga puna e Provincës Françeskane dhe e muzikologut Robert Prennushi, e ing. Paç Alimhilli dhe pianistit profesionist italian Luigi Angelini, që solli botimin e një libri dhe të një CD-je me 24 pjesë të krijimtarisë së Gjokës.

Në përkujtim të At Martin Gjokës
Në përkujtim të At Martin Gjokës

Disa tituj të veprave vokale të At Martin Gjokës: “O ata t’lumtë që dhanë jetën”, “Atmes”, “T’falem Shqypni”, “Lamtumirë, o vendet e mia”, “Grueja shqyptare”, “Porsi shqipe n’hove t’veta”, “Ushtari i vogël” etj.
Në muzikën instrumentale, simfonike e operistike: “Liria”, “Atdhe e gjuhë shqiptare”, “Shqiptari e muzika” etj.
Megjithatë, nuk mungon tek krijimtaria e Gjokës edhe tema lirike baritore e ajo për fëmijë. Larmisë tematike i përgjigjet një larmi e madhe formash muzikore. Ai lavroi pothuej në të gjitha gjinitë vokale e instrumentale.
Në gjinitë vokale lëvroi kangën e tipit popullor e të përpunuar, këngën për fëmijë e lirike, koralet, baladën, rapsodinë, potpurinë, melodramën e deri tek opera, ndërsa në gjinitë instrumentale e simfonike: nga pjesët për pianoforte, harmonium, flaut, pjesë orkestrale, fantazia e deri tek simfonia.
Muzikologu Prennushi shprehet se:
“…në të gjitha këto vepra ndjehet një stil unik, i konsoliduem, dëshmi e pjekunisë dhe e formimit të tij si kompozitor. Melosi i tij asht i mbështetun mirë në trevat e Veriut, folklorin e të cilit e studioi thellë dhe e asimiloi në mënyrë krijuese. Në këtë drejtim ai mbetet mjeshtër i vërtetë edhe për kohët tona. Tue pase tashma në dorë albumin me 24 copa, siç e quante At Martini, tue vë re përdorimin e teknikës instrumentale polifonike në një vepër të kësaj natyre, që nuk haset tek asnjë muzikant shqiptar bashkëkohës.”
Marrë nga Prof. Robert Prennushi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.