back to top
33.1 C
Tirana
E diel, 12 Korrik, 2026

Asnjë qiell s’e ka humbur rrugën… nga Laura Olldashi

Gazeta

Laura Olldashi
Laura Olldashi
Asnjë qiell s’e ka humbur rrugën…
nga Laura Olldashi

Një grup zogjsh më lëvizin mbi kokë. Janë ata që i bëjnë xhiro ankthit tim. I shoh, por nuk duhet t’u shkoj pas zigzagut të fluturimit të tyre.
Është mirë të rri ku jam.
Por as ku jam nuk e di nëse vërtet aty edhe ndodhem.
Ku gjendet njeriu?
Aty ku ka trupin, apo atje ku e nisin mendimet?
Kam veç një dëshirë: të iki.
Me mendje apo me trup?
Ndoshta mjafton të fshihem nën hijen e pemës dhe të vëzhgoj flladin që lëkund gjethet. E shtrirë, të mbulohem nga qielli. Të mbyll sytë para dritës verbuese dhe t’i jap strehë të panjohurës. Mbi tokë, fijet e barit do të krijojnë vijat e një katrori të gjelbër. Brenda tij do ta vija veten: veç për të dëgjuar pikat e ujit të rrëkesë.
……
Por as kështu nuk e largoj zhurmën. Përfundimisht kuptoj se jam e futur brenda saj.
Po ta shohësh mirë, zhurma është pluhur. Hyn në pore dhe ta elektrizon qenien në blu.
Nuk janë njerëzit që na e krijojnë. Ata nuk flasin më me ne. Kanë gjetur një të çarë në katrorin e trupit, prej nga dalin vetëm për të komunikuar.
Janë të bukur. Me buzëqeshje në gojë. Janë mjeshtër të argumentit. Por në cepat e buzëve kanë fshehur vetveten e vrarë.
Zëri, adrenalinë blu.
Fytyrat edhe më blu.
Pastaj mbyllin të çarën e trupit. Zhduken në dhomën e vetmisë dhe presin zemrat tona për t’i miratuar.
Qelitë i kemi krijuar me duart tona. Edhe zemrën ia shkulëm kraharorit dhe e hodhëm në rrugë. Jetojmë pa zemër tani. Me një vrimë të zezë në gjoks dhe të autodënuar të dëgjojmë dritaret e çdo trupi që çahet.
Vetja nuk e mban më veten. U zbraz mes fjalëve dhe, si llavë, i rrjedh drejt tjetrit.
Tjetri i merr. As ai nuk di të rrijë me to. Nuk i vëzhgon, por u shton inatin e vet. Pastaj hap dritaren e trupit, nxjerr kokën jashtë dhe performon prologun kundër tjetrit. Më vonë na përshëndet. Mbyllet brenda katrorit dhe pret zemrat tona si miratim.
Një ego është shumë.
Dy janë tepër.
Por mjafti nuk është mjaft.
Të gjithë hapim dritaret dhe bëhemi shpërndarës.
Jemi brenda bulëzës së zhurmës, ku fjala ushton pa u bërë veprim, as edhe zgjidhje.
Performancë e shkëlqyer për një pikëz ekzistence.
Kaq është rezultati: vrima në ujë.
Fjala rrotullohet rreth vetes, si zogjtë që kërkonin të nisnin tregimin. Ata rrotullohen mbi qiell. Ndërsa fjala rrotullohet te ne. Sa nuk dimë më të rrimë pa të.
Dikur fjala ishte e respektuar. Mblidhej në kuvende. Merrte kohën, por e kishte një zgjidhje.
Sot është platformë.
Pa kuvende.
Pa burra.
Pa të përzgjedhur.
Pa një përfundim.
Ne nuk kërkojmë zgjidhjen. Kërkojmë veç vazhdimësinë e zhurmës.
Dikur e kisha një fener. Dhe i isha vënë në kërkim të dritës. Tani më duhet një çelës për të mbyllur të çarat e trupit tonë.
Më duhet zëri që thotë:
“Rrini pak me veten, o të bekuar. Brenda formës së enës suaj dhe njihni tjetrin.
Është kohë për të hequr, jo për të shtuar. Brumi që rritet, derdhet vetë.”
Kisha menduar se Zoti është jashtë nesh. Edhe tani, e shtrirë mbi bar, nën qiellin blu, i lutem që të na shpëtojë.
Por ai nuk e çan qiellin. Nuk gjen as dritare nga e cila të dalë dhe të më flasë. Atëherë lodhem së kërkuari jashtë dhe vendos dorën mbi gjoks për t’i dëgjuar rrahjet.
Mendoj se nuk është Zoti që na shpëton ne. Por, në këtë kohë të re, është Zoti ai që duhet shpëtuar.
Me sytë mbyllur i hyj vetes. Kërkoj një oaz qetësie, një hapësirë sa një pikëz. Aq sa të mbështes Zotin tim. Tani ia ndiej praninë. Më bën të mirë. Më mban të bukur.
Pikëza e tij rreh dhe është zemra.
Por ne, zemrën e nxorëm jashtë vetes. Nuk e kemi më dhe ecim rrugëve me një vrimë të zezë në kraharor.
U rizgjuam me të njëjtën vrimë të vjetër.
Është paradoks që bërtasim: “Liri!”
Ne, skllevërit e vetvetes dhe të performancës.
U bëmë të lirë për të folur dhe kaq të varfër për të qenë.
Rrëkeja vazhdon të rrjedhë.
Edhe zhurma blu vazhdon të na elektrizojë.
E vërteta është te ne. Por nuk kemi qetësi për ta dëgjuar.
Zogjtë rrotullohen mbi kokën time.
Asnjë qiell nuk e ka humbur rrugën…
Të humburit jemi ne.
Lauraolld
Rinas, 06 Korrik 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.