Kur gjej kohe e merrem me Baudelaire-n
nga Jozef Radi
Baudelaire asht poet acid…
të grryen e të shkatrron dhe as i bahet vonë për ty e për askënd…
po njiherit edhe të nalton e të mrekullon…
Shpesh ia kam përsritë vedit se asht mirë mos me u ngatrrue me të,
po thjesht me iu avitë njashtu kadalë e djallzisht s’asht fort keq,
sigurisht nji tundim i ambël e me pasoja…
Shpesh jam mundue me e mbrritë po edhe kam vuejtë ma shpesh
prej njatij stërmundimi të pafundmë me e pru sa ma gandull
poezinë e tij në gjuhën teme…
Jam rropatë ndër vite e diçka m’ka mbetë në thes prej tij,
po kam përshtypjen se Ai kurrë s’ka me qenë i plotë…
sepse Baudelaire njashtu si të rrënon
njiherit asht edhe magjik n’at energjinë
e n’at stuhinë që s’i askush ndryn në shpirtit e tij…
Poezinë “Bekimi” e kam lexue e punue qindra herë,
e po aq herë kam qenë i pakënaqun prej përkthimit të saj,
pse mendoj se në kët poezi gjendet dëshmia ma e plotë e vlerës së këtij poeti…
Besoj se mundim i madh i jemi ka me mbetë
edhe kënaqsi e kujdo qe merr guxim me e lexue…
9 prill 2014
Bekimi
poezi nga Charles Baudelaire
(Lulet e së Keqes)
Përktheu Jozef Radi
Njatherë, kur me dekret fuqish hyjnore
kësaj bote t’mërzitshme iu shfaq Poeti
e trembun, plot mallkime nanë e tij
nyjtoi grushtet, krahët e n’ashk Zotit iu lëshue:
“Oh! Ma mirë t’kisha sjellë nji çerdhe gjarpnijsh
se t’mëkoja me gji kët krijesë t’përdrequn!
Mallkue kjoftë njajo natë kënaqsish shterpe
kur barku jem ngjizi kët vuejtje t’pakufi,
Pse m’zgjodhe mue midis krejt njatyne grave
o veç me m’neveritë para t’mjerit, burrin tim,
pse s’mujta m’e zhdukë pa dhimbë mes flak’sh,
si nji letër dashnie kët përbindësh të squlltë,
Kam me ba gjithçka, t’rrjedhë urrejtja rr’nuese
mbi kët sajesë t’mallkueme të djallzive tua.
Mos u trazo, se njat llastar mjeran kam m’e spërdredhë ,
t’mos mundet me qit n’dritë ma sytha t’qelbun!”
Njashtu kërcnues, shkumzim’i urrejtjes së saj,
krejt i pandjeshëm ndaj frymës së përjetshme,
ma s’fundi te holokausti foshnjave u gatitën
turrat e destinueme për krime t’egra nanash.
Po n’kujdes t’nji Engjëlli të padukshëm,
ky kërthi i përzanun e dehun me drit dielli,
n’gjithçka që pinte e në gjithçka hante
gjente ambrozin dhe nektarin ngjyrëgjaku…
Dhe tallej me erën dhe prrallesh me retë,
këndonte gjith delir n’rrugë të Mundimeve,
dhe Fryma ngado ndiqte shtegtimin e tij,
e qante kur e shihte njashtu t’shlirtë si zog pylli.
Krejt njata që shtyhej me i dashtë e kqyrin me droje,
e zemër tuj marrë prej urtisë s’tij, hynin n’garë
kush mund t’ia shkulte atij ndonji ankim,
o n’trup tij, me e shijue krejt egërsinë e tyne,
N’bukë e n’venë caktue për buzët e tij,
përzjenin bashk’ me hinin pshtymat e ndyta,
n’hipokrizi kërcenin kur i prekte, e ndjeheshin n’faj
pse kambët i lëshonin ndër gjurm’ t’hapave t’tij.
Dhe grueja e tij shkonte tuj uluritë n’sheshe publike:
“Aq e bukur ndjehem sa duhet t’adhurohem,
e kam me u ba si ata idhujt e lashtësisë,
si ata me u prarue pse baras me ta ndjehem.
Do dehem me narden, me temjan, me mirrë,
me përgjunje, me mish e venë, ta dijnë se dhe unë
mundem njashtu tuj qeshë me e rrëmbue njat zemër
që m’adhuron, me krejt nderet që u përkasin Perëndive…
E lodhun ndër k’si farsash të mbrapshta,
do ta mbështes dorën time t’ashpër e të fortë,
e me thojtë e mi si shtrigë, kam me e shkye
rrugën derisa të mbrrijë te ajo zemra e tij,
që fort i ngjan nji zogu t’vogël që dridhet e përplitet,
e kam me ia shkulë njat zemër të ndezun prej gjoksi
e kam me ia hjedhë, kafshës sime ma të zgjedhun
pse veç ajo due ta shijojë e kërkush tjetër …
Drejt qiellit ku syni i tij shenjon nji fron lavdie,
Poeti krejt i qetë ka me ia shkulë fundin flatrave,
dhe gjama e vetëtimavee njatij shpirtit shndritës,
ka me ia kputë shikimin njerzve t’egërsuem:
Qofsh i bekuem, ti o Zot që e lejon vuejtjen
rregullatore hyjnore të poshtërsive tona
thelbin ma të ndritshëm e ma t’efektshëm
në gatitjen e t’fortëve për kënaqsit’ e shenjta.
E di, ti i ke ruejtë nji vend edhe Poetit
n’rradhët ma fatlume të Legjioneve të tua,
ku ti t’Parë e ke, n’festat e amshueme
të Fronit, të Virtytit dhe Sundimit…
E di, dhimbja asht e vetmja liri, në t’cilën as toka
e as ferri s’do të munden me e kafshue kurrë,
E me ia rrënue njatij kunorën mistike,
duhen taksue krejt kohnat e krejt galaktikat.
Edhe perlat e humbuna të Palmirës së lashtë,
metalet e panjoftuna, krejt margaritart e deteve,
punue prej duerve tua s’kanë me mjaftue kurrë
për njat kunorë njaq t’bukur, n’dritë vezulluese;
do t’jetë njajo drita e vërtetë e votrës së shenjtë
plot rreze që s’mbahen mend, e ku sy vdekatarë
n’kulm të shkëlqimit tyne, s’kanë me qenë tjetër
veç pasqyra t’zymtueme e krejt të përlotuna…
2012