back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 6 Dhjetor, 2024

90-vjetori i shpalljes së Mbretërisë – Fjala e Princ Lekës me 8 tetor 2018

Gazeta

Princi Leka, në mbrëmjen e 8 Nëtorit 2018
Princi Leka, në mbrëmjen e 8 Nëtorit 2018

Mbrëmja festive e 8 Tetorit 2018,

dhe fjalimi “ndryshe” i Princ Lekës…

shënim nga Jozef Radi

Mbrëmja e 8 tetorit të 2018, mblodhi në rezidencën mbretërore të Familjes Zogu, shumë miq të rinj e të vjetër të Familjes Mbretërore, mes të cilëve edhe autoritete të shtetit shqiptar, të Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe trupin dipllomatik, përfaqësues të kulturës, të shtypit, të mediave, të cilët uruan Princin Leka në përvjetorin e 123 të lindjes së Mbretit Zogu i Parë, po edhe dyvjetorit të martesës së Tij me znj. Elia Zaharia. Pa harruar se pak kohë më parë ishin krmtuar edhe 90 vjetori i Mbretërisë Shqiptare dhe 80 vjetori i martesës së Mbretit Zog me konteshën hungareze Geraldina Apogny… Pra mbrëmja e 8 tetorit 2018, i bëri bashkë të gjithë ata që respektojnë vlerat dhe historinë, në një festë ndër ato të rrallat, ku nën freskinë e vjeshtës së dytë, gostisë të servirur me aq kujdes, efektit të dritave dhe dy skermave të mëdha ku jepeshin dokumentarë të periudhës parambretërore dhe mbretërore, në një ceremonial të organizuar me mjaft kujdes nga z. Beniamin Bakalli, e ku u përcoll mjaft bukur një kor i shumtë djemsh e vajzash, që kënduan së pari Hymnin Kombëtar e më pas edhe Hymnin Mbretëror. Më pas, Princ Leka mbajti një nga diskutimet më të rëndësishme të jetës së tij (të cilin po e përcjellim më poshtë), e ku mbas tij përshëndetën Presidentit Meta, Kryeministri i Kosovës Haradinaj, e në mbyllje foli përfaqësuesi i dipllomatik, zoti Peter Stzaray, i cili e mbështeti fuqishëm Princ Lekën në diskutimin e tij, gje e cila u përcoll mjaft ngrohtë e me duartrokitje nga pjesëmarrësit…
Ajo ku desha të ndalem pak e ta theksoj është diskutimi i Princ Lekës, i cili në fjalën e tij, thekso se i bashkohet kontributeve të gjyshit të tij dhe atit të tij, duke e trajtuar gjendjen nëpër të cilën po kalon Shqipëria, si të vështirë nga politika e derisotme, e cila ende nuk ka dhenë shenjat e një paqtimi social dhe një bashkejetese me të drejta e detyrime të barabarta të krejt shtetasve dhe shtresave shoqërore, ku shtresa që ka bashkëpunuar ngushtë me diktaturën ende sot vazhdon të ketë tagrat e trashëgimisë së pushtetit, pa qenë as mbretërore dhe as me vlera të spikatura në shërbimet e tyre ndaj këtij vendi…
Tejet i emocionuar, po edhe dukshëm i sinqertë, Princi i Ri, vuri gishtin mbi të gjitha plagët e shoqërisë, dhe i bëri thirrje politikës se kjo rrugë po vret shpresën te shqiptarët dhe se Familja mbretërore e gjeneratës së tretë është e gatshme të rreshtohet e të luftojë që mjaft probleme të zgjidhen e të ecin më mirë që shpresa te rinia shqiptare të mos vritet, dhe braktisja të ndalojë…
Mbrëmja kaloi bukur dhe këndshëm, nën tingujt muzikorë dhe në biseda mes miqsh të vjetër e të rinj, me disa prej të cilëve nuk shiheshim prej vitesh, e që kënaqësia e kujtimeve dhe sakrificave të dikurshme mbetet mjaft e dashur mes nesh.
Ndamë më shumë se nji orë bashkë Hyrije Kupin, bijën e legjendarit të Legalitetit: Abaz Kupit, me Valieta Dostin, të bijën e Viktorit dhe mbesën e Hasan Dostit, me Neritan Kolgjinin të birin e Ahmetit dhe nip i Tahir Kolgjinit, e mjaft të tjerë me të cilët takoheshim mbas shumë vitesh…
I bashkangjis krahas fotove të kësaj mbrëmje, edhe fjalimin “ndryshe” të Princ Lekës, të cilin gjeta rast ta përgëzoja për frymën e thellë të analizës së problemeve të kësaj kohe, po edhe për ndjenjën e përgjegjsisë që ai manifestoi përballë këtij realiteti, ku krimi dhe korrupsioni është pjata e parë e ushqimit, që u ofrohet bollshëm shqiptarëve në të përditshmen e tyre gjithnji e më të varfër.
Tiranë, 9 tetor 2018
.
Mbrëmja e 8 Tetorit në Rezidencën Mbretërore
Mbrëmja e 8 Tetorit në Rezidencën Mbretërore

90-vjetori i shpalljes së Mbretërisë

Fjala e Princ Lekës me 8 tetor 2018

Me lejoni ta filloj këtë fjalim duke kujtuar fjalët e babait tim të ndjerë kur, në mars të vitit 2002, një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, patën guximin dhe vizionin të ftojnë Familjen Mbretërore për t’u rikthyer përfundimisht në atdhe. Në një intervistë nga Johanesburgu për “Zërin e Amerikës”, Leka i I u shpreh: “Jemi gati të japim kontributin tonë si qytetarë, ose cilado që të jetë nevoja, për të zhvilluar ekonominë, fuqinë shqiptare dhe sidomos për të mirën e të gjithë kombit shqiptar”. “Unë dhe familja ime, – vazhdoi ai – jemi në shërbim të atij populli dhe do të vazhdojmë të jemi në shërbim të popullit shqiptar”.
Përpara 90 vitesh, kombi shqiptar i mbledhur në Asamblenë e Dytë Kushtetuese, e thirri gjyshin tim për shërbyer në detyrën e lartë si Mbret i Shqiptarëve. Është shprehja e mirënjohjes më të veçantë të kombit për shërbimet dhe kontributet e Ahmet Zogut për të mirën dhe begatinë e vendit. Ne do të jemi përjetësisht mirënjohës për këtë privilegj.
Si Familje mbretërore në pushtet midis 1928-ës dhe 1939-ës, si një familje e shquar e Matit më përpara, dhe si Familje Mbretërore në mërgrim, deri në vitin 2002, familja jonë ka qenë përherë e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe stabilitetit të vendit, si edhe ndaj bashkimit dhe zhvillimit kombëtar.
Me rikthimin tonë në atdhe, roli dhe misioni ynë në shërbim të Kombit ka marrë trajta të reja.
Prandaj është drejt të ardhmes që dua të përqëndrohem. Sot, sikurse shprehej Preambuli i Kushtetutës së 1928-ës, çështja themelore është si t’i sigurojmë “brezit të ardhshëm një mbarëvajtje të meritueshme”.
E tashmja është e mbushur me shpresë por edhe e mbarsur me kërcënime.
.
Prin Leka, Presidenti Meta, dhe Kryeministri Haradinaj
Princ Leka, Presidenti Meta, dhe Kryeministri Haradinaj

1.Bashkim në diversitet

Nga njëra anë, aspirata shekullore për liri dhe dinjitet kombëtar është sot më pranë se kurrë realizimit të saj. Nga ana tjetër, mënyrat e ndryshme të të qenit shqiptar brenda dhe jashtë kufinjve, nganjëherë shkaktojnë tendosje të unitetit tonë kombëtar. Mendimtarët dhe intelektualët kanë përpara sfidën e madhe se si të ndërtojmë bashkimin në diversitet të shqiptarëve për shekullin e 21-të.
.
Mbrëmja e 8 Nëntorit 2018, Peter Stzaray duke folur në Pallatin Mbretëror
Mbrëmja e 8 Nëntorit 2018, Peter Stzaray duke folur në Pallatin Mbretëror

2.Pajtimi kombëtar

Bashkim dhe vëllazërim nuk mund të ketë pa një pajtim të vërtetë kombëtar. Plagët e së shkuarës, mjerisht, ende janë të hapura. Riatdhesimi i eshtrave të Mbretit Zog dhe, së shpejti, të patriotit Mid’hat Frashëri, janë hapa që shkojnë në drejtimin e duhur. Por janë të pamjaftueshëm. Vuajtjet dhe torturat e parrëfyeshme duhet të gëzojnë respektin e merituar nga autoritet publike dhe nga shoqëria.
Integrimi dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve është një proces që duhet mbyllur sa më parë.
3.Një qeveri që punon për popullin
Qytetarët janë të zhgënjyer me mënyrën sesi funksionon demokracia jonë. Duket sikur grupimet politike më shumë luftojnë për pushtetin si një qëllim në vetvete, sesa në funksion të vënies në jetë të një vizioni për zhvillimin e vendit dhe përparimin e popullit. Jeta e qytetarëve, punësimi, arsimi, shëndetësia dhe liria e sipërmarrjes duhet të jenë më shumë në debatet e ditës.

.

Pritja e e Zijaudin Selës në ceremoni
Pritja e Zijaudin Selës në ceremoni

4.Liri e rregulluar me ligj

Për shumë dekada, populli ynë jetoi nën një liri të mohuar. Një shpresë lirie – më shumë anarkike sesa e vërtetë – lëshoi rrënjë në vitet 1990-2000. Ka ardhur koha që populli shqiptar të gëzojë lirinë e rregulluar me ligj – një liri të denjë për një komb europian. Inkurajojmë përfaqësuesit e popullit dhe qeverinë të intensifikojnë përpjekjet për të ndërtuar dhe reformuar institucionet që garantojnë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve: një drejtësi të pavarur dhe të paanshme, fjalën e lirë brenda kornizave të ligjit, gëzimin e lirë dhe të qetë të pronës.

5.Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik

Në ekonomi, ne tashmë përballemi me sfidën e shfrytëzimit të qëndrueshëm të kapitalit tonë natyror dhe njerëzor në fushën e turizmit, energjisë dhe bujqësisë. Sfida kyçe është si të prodhojmë punësim dhe perspektivë për të rinjtë tanë, këtu në vendin tonë. Na duhen ide të reja sesi të çlirojmë energjinë, gjallërinë dhe ambicien e rinisë tonë dhe të nxisim inovacionin dhe sipërmarrjen.

6.Një shoqëri të hapur, tolerante dhe solidare

Së fundi, të gjithë së bashku duhet të punojmë për një shoqëri të hapur, tolerante dhe solidare. Nuk mund të lejojmë që diferencat sociale dhe ekonomike të cënojnë dinjitetin e barabartë të qytetarëve dhe barazinë e tyre para ligjit. Duhet t’i shtrijmë dorën më të dobtëve dhe të margjinalizuarve.
.
Kori që këndoi hymnin e Flamurit dhe atë të Mbretërisë
Kori që këndoi hymnin e Flamurit dhe atë të Mbretërisë
Në të gjitha këto fronte, publikisht ose jo, Familja Mbretërore, Fondacioni Mbretëresha Geraldinë, unë dhe Elia, si dhe bashkëpunëtorët e miqtë tanë vendas dhe të huaj, përpiqemi të japim kontributin tonë, këshillën tonë dhe inkurajimet tona…
Përveçse është jubileu 90-vjeçar i shpalljes së Mbretërisë, sot është edhe 123-vjetori i lindjes së Mbretit Zog I.
Eshtë më se e natyrshme të përmenden disa nga arritjet më të rëndësishme të saj, të cilat e bëjnë këtë një nga periudhat më të suksesshme të historisë së kombit shqiptar.
Shqipëria nën udhëheqjen e mbretit të Zog nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përçarë, me kontradikta të shumta, u bë një vend modern , i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe administratës në secilin cep të saj.
Në vitet e Mbretërisë me një Kushtetutë tipike të mbretërive konstitucionaliste evropiane, vendi njohu një zhvillim të paprecedent, si: respektimi i madh i lirisë së besimeve fetare, respektimi i pronës, i lëvizjes së lirë, konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën. ndërtimi i mijëra kilometrave rrugë e ura, porte detare dhe aeroporte, qindra shkollave, qendrave shëndetësore, spitaleve në mbarë vendin, etj.
U krijua një administratë e efektshme, një gjyqësor i besueshëm, u vendos mbretërimi i ligjit, u luftua fanatizmi, u krijuan kushtet për lirinë e shtypit, u forcua monedha kombëtare në një shkallë që nuk është njohur deri tani.
Me Mbretin Zog ndërlidhet edhe Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare, vendosja e Kryegjyshatës botërore bektashiane në Shqipëri, si dhe liria e plotë e besimit që ndikoi në zhvillimin e veprimtarisë së gjithanshme të Bashkësisë Islame dhe të Kishës Katolike.
Nuk mund të mos përmendet dhe mbrojtja e ndihma që iu dha hebrenjve si një vlere e padiskutueshme e shtetit shqiptar ne periudhën e mbretërisë.
Atdheu mbi të gjitha!
Oborri Mbretëror Shqiptar

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.