back to top
31.5 C
Tirana
E martë, 25 Qershor, 2024

Arshi Pipa: “shkatrrimtari” i përjashtuari… – Mile bisedon me studiuesin Agron Tufa (2007)

Gazeta

Arshi Pipa (1920-1997)
Arshi Pipa (1920-1997)

Arshi Pipa: “shkatrrimtari” i përjashtuar..*

Alma Mile bisedon me studiuesin Agron Tufa (2007)

Në 10-vjetorin e vdekjes, u mbajt një sesion shkencor mbi veprën e Arshi Pipës, ku u prezantuan edhe dy vepra të botuara në shqip. Sipas Agron Tufës, po zbatohet një strategji kundër botimit të veprës së Pipës
Dhjetë vjet më parë, u plotësua amaneti i tij lënë në vargje. Hiri i tij u përkund në ujërat e Adriatikut. Aty mbeti i paqtuar. Shumë thonë i harruar dhe jo me pa të drejtë. Rreth 17 vjet pas rënies së komunizmit dhe 10 vjet prej vdekjes, lexuesi di shumë pak për Arshi Pipën. Ende nuk është pjesë integrale e letërsisë shqipe, edhe pse në figurën e tij gërshetohet poeti, studiuesi, filozofi, politologu e përkthyesi. Dje, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt një sesion shkencor mbi figurën e Arshi Pipës. Studiues e publicistë si Fatos Lubonja, Primo Shllaku, Erion Kristo, Floresha Dado, etj., u munduan të zbardhnin anë të njohura e të panjohura të veprës së Pipës. Me këtë rast u prezantuan edhe dy vepra të Arshi Pipës, botuar së fundmi, “Montale dhe Dante” dhe “Stalinizmi shqiptar”. Ky i fundit është pjesë e kolanës “ad memorandum” që po botohet nga Instituti i Kontakteve Kulturore. Për Agron Tufën, botuesin e këtij libri, ndaj veprës së Pipës po ndiqet një strategji e mirëpërcaktuar, në mënyrë që ajo të mos botohet dhe të mos bëhet pjesë e kulturës shqiptare. Sipas tij kjo ndodh që të mos cënohen sistemet e vlerave të vëna vite më parë. Sipas Tufës me veprën e tij të gjithanshme, Pipa do ta shkatërronte këtë sistem të dalë kohe.
.
Prof. Pipa e Prof. Gjeçi 1993
Prof. Pipa e Prof. Gjeçi 1993

Plot 10 vjet pas vdekjes, sa i njohur është Arshi Pipa për lexuesin shqiptar? I rikthehemi Arshi Pipës sot, kur 10 vjet më parë hiri i trupit të tij u hodh mbi Adriatik, sipas një amaneti të lënë në një poezi nga ai vetë. Sot shohim që ai është i përjashtuari, njeriu që shqetëson gjithë traditën e vjetër e të re të kritikës dhe studimeve shqiptare, gjithë institucionet e ligjshme, ku kryesojnë auditorët. Pipa nuk përfshihet si poet, nuk studiohet, nuk i botohen librat. Ai ka mbi 100 vëllime të botuara nga universitetet më në zë të Amerikës, Gjermanisë, Romës… Ne mendojmë se kemi luksin e madh të mos pranojmë një emër të madh, të njohur gjerësisht dhe botërisht.

Çfarë mund të veçojmë në figurën poliedrike të Arshi Pipës? Pipa si studiues dha modelet më të mrekullueshme të teorive dhe shkollave bashkëkohore evropiane, që në moshë të re. Më vonë, si studiues i klasit botëror, i parapriu me studimet “Montale dhe Dante”, 5-6 vjet para se Montale të fitonte çmimin Nobel. Pipa ka një kryevepër, që quhet “Triologia Albanica”. Është një histori e thukët e letërsisë shqipe. E vetmja gjë që ne nuk e kemi dhe që pas rënies së komunizmit, asnjë prej instituteve nuk është dakord që ajo të bëhet. E njoh mirë këtë rast. Që prej moshës 10-vjeçare jetoj me letërsinë. E jap në auditore, jam vetë studiues, shkruaj letërsi dhe përkthej. Ky është një rast unikal i mosdashjes: një strategji që zbatohet me konsekuencë deri në vdekje, që ky kolos i gjithanshëm i shkencave humanitare shqipe, të mos ketë vend në këtë kulturë. Demonstrativisht botova librin e parë të Pipës, “Stalinizmi shqiptar”. Është interesant të shihet se me çfarë unikaliteti është botuar nga Universiteti i Columbias. Ndërsa si përkthyes Arshi Pipa është një nga përkthyesit më interesantë të paradigmës gege me lirikën moderne evropiane, por edhe klasike tradicionale.
Po Pipa poet? Ai është një nga poetët më të rëndësishëm pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Nëse do të bëja një klasifikim timin, Camaj dhe Pipa janë poetët më të rëndësishëm dhe asnjë poet tjetër nuk mund të krahasohet me ta, për kushtet, vitet, problematikën, kur janë shkruar këto vepra. Ndryshimi është që veprat e Pipës dhe Camajt janë të përjetshme dhe lexohen në çdo lloj kohe, kurse veprat e poetëve të tjera mbesin, nuk e kalojnë 10-vjeçarin, dalin démodé. Pipa na ka dhënë një nga kryeveprat e letërsisë evropiane, në poemën me sonete “Kanali”. Nëse mahnitemi me tregimet e Kolimës, të Varllam Shallamovit, nga Gulagu, apo nga Kolima, nga kampet e tmerrshme naziste, vepra e Pipës e shpreh në vargje. Shkruhet në një formë të ngurtë, klasike, duke ringjallur një formë thuajse të vdekur dhe është një ekuivalente e Ferrit të Dantes në Shqipëri. Nuk duan ta lexojnë! Ndaj në mënyrë demonstrative botova në Nr. 2 të “Fjalës” gjithë këtë poemë. Pse të mos të jetë ajo në antologjitë shkollore dhe universitare, por të mbledhim gjëra të dorës së dytë dhe të tretë. Kjo është një dëshmi në rang europian të rezistencës ndaj hadit komunist, burgjeve komuniste. Nuk është një kronikë brenda qelisë, por një metaforë e vendit burg, e shtypjes së individit në diktaturë dhe kampet e përqendrimit.
Po ndërkohë tregimet e burgut, apo diktaturës janë në modë… Problemi i Pipës është shumë më i koklavitur se kaq. Pipa ka shkruar në katër gjuhë. Është i pari filozof në kuptimin e mirëfilltë të sistemeve filozofike që në moshën 22-vjeçare, kur Anri Bergsoni kishte marrë çmimin Nobel si filozof në 1927, pak vite më vonë boton një kritikë mbi sistemin filozofik të Bergsonin. Ka botuar vepra të mirëfillta filozofike me koncepte, terminologji, gjuhë të filozofisë moderne, jo të mendimtarëve të lirë, siç jemi mësuar ta keqkuptojmë ne filozofinë. Ka dhënë modelet e para politologjike me veprat si “Stalinizmi” dhe vepra të tjera që do t’i botojmë, do apo nuk do dikush.
E teksa thoni që ka një rezistencë të fortë ndaj botimit të Pipës, nuk ju duket se misioni juaj është tepër i vështirë? Përse e bëni këtë? Këtë e bëjmë se është e domosdoshme. Përpiqemi ta sjellim Pipën në shqip, sepse është e nevojshme për peizazhin tonë kulturor, letërsinë. Është e domosdoshme që dikush ta lexojë atë dialog me këtë figurë kaq interesante. Duke u ndeshur me veprën e Pipës, (këtë të mirë e ka kultura, një strukturë zgjon një tjetër) krijohet një traditë mendimi që s’e kemi, një traditë poetike që po e harrojmë të tërën, por dhe për të shlyer një turp. Sepse unë mbaj përgjegjësi edhe për ata kritikë të gardës së vjetër që e luftuan dhe e futën në burg. Unë jam pasardhës i gjuhës dhe kulturës shqipe dhe do mundohem deri sa të kem frymë, bashkë me bashkëmendimtarët e mi, ta kthejmë ne kulturën ku ka dhënë kontributet kryesore. Këto janë përcaktuese dhe jo për inat të ndonjë tjetri.
Ju thoni se është po kjo gardë e vjetër që vazhdon t’i bëjë barrikadë Pipës? Përse? Jam i gatshëm të përballem me këdo, me argumente dhe jo emocionalitet fiktiv, që për veprën e Pipës po ndiqet një strategji që të mos botohet. Bashkë me të dhe të tjerë autorë. Dhe kjo sepse u prishën kararet, apo hierarkitë e vlerave, siç janë vënë dikur dhe nuk i qëndrojnë kohës. Kjo është lufta e Don Kishotit me “mullinjtë e erës”. Në fund të fundit koha do ta rikthejë vetë Arshi Pipën. Poeti ka për detyrë të shkruajë mirë, shoqëria mund ta lexojë ose jo. Nëse nuk e lexon do të bjerë në nivele të tilla që bëhet pre e manipulueshme. Ne u bëmë pre e manipulueshme. Ai e kreu detyrën, kurse ne jo. Citoj një thënie të Camajt që thotë se “Shqipëria do të dekomunistizohet, vetëm atëherë kur të botohen veprat e Arshi Pipës”. E kam dëgjuar që kur isha në vitin e parë në Filologjik dhe ju them se është një e vërtetë absolute…
Marrë nga Gazeta Shekulli, 21 korrik 2007
*Titulli redaksional radiandradi.com

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.