back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

15 përgjigje të përkthyesit Hans-Joachim Lanksch (2003)

Gazeta

Hans-Joachim Lanksch
Hans-Joachim Lanksch

I nderuem zotni Radi,
sot postova nji pjesë nga nji intervistë e gjatë te “RD” e vjetit 2003.
Tue rilexue intervistën, m’u duk se të thanat e atëbotshme qëndrojnë dhe sot.
Për rastin që ju pëlqen intervista
dhe ju duket e përshtatshme për ribotim në blogun tuej,
po jua bashkëngjis këtu poshtë.
Shpresoj dhe uroj të jeni mirë e shnosh.
T’fala, Hans-Joachim Lanksch

I nderuem zoti Lanksch,
Intervista juej e vitit 2003, do të paraqitet sonte në mbramje,
mbasi shumë probleme të trajtueme prej jush në kët intervistë
të 13 vjetëve të shkueme ende vazhdojnë me e trazue kulturën shqiptare.
Gjej rast jo veç me Ju pershëndetë e me Ju urue tana të mirat
po edhe me Ju falenderue sinqerisht për guximin në trajtimin
e krejt këtyne problemeve tona te mbartuna pa zgidhje ndër kohna…
me respekt Jozef Radi

15 përgjigje të përkthyesit Hans-Joachim Lanksch

në një intervistë të Luljeta Leshanakut

1.Përkundër një bibliografie të gjërë të përkthimeve letrare nga shqipja në gjermanishte Hans-Joachim Lanksch ka mbetur një personazh enigmatik, madje është quajtur nga disa individë edhe si “person-fantazmë”. Ku i shihni rrënjët e një qëndrimi të tillë ndaj një përkthyesi që ka dhënë shumë për afirmimin e letërsisë shqipe në regjionin gjuhësor gjerman?
Hihi – në Frankfort, në panair të librit, më keni parë. Ju, Ervin Hatibi dhe Lindita Arapi më keni parë me sy të vet: të gjallë, 1 metër 80 dhe 95 kilogramë… Fantazmat janë ose dukuri të qena por në realitet fizikisht të padukshme e të paprekshme (p.sh. përbindshi i ideologjisë staliniste apo hija e së kaluarës) ose qenie të paqena në realitet si p.sh. hija e mbretit në “Hamlet”. Siç mësojmë nga dramat e Shakespeare-it a operat e shumta italiane, ata që shohin aso qeniesh të paqena – ose u ka hyrë lepuri në bark ose janë dalë mendsh. Motivet e atyre që më shpallën fantazmë nuk mund t’i di, por e marr me mend edhe mundësinë se ata orën nuk e kanë të kurdisur mirë kështu që mbase pandehin se jetuakan akoma në kohërat e monizmit tek ishte detyrë patriotike për të bërë kryqëzatë kundër çdokujt që shpreh mendime jo konformiste.

2.Cilat ishin motivet që ju shtynë të merreni me letërsinë shqipe? Çfarë do të thotë të jesh përkthyes i një letërsie të vogël?
Drejt e konkretisht t’ju them:

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n’agim.

Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s’i gjetën në terr.

Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.

Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.

Kur hasa për herë të parë në këtë poezi të Martin Camajt (“Fill i gjetun”), u shtanga “fund e krye” i habitur nga bukuria magjepsëse dhe thellësia e kësaj vjershe madhështore. Shumë shpejt e nxora përfundimin se aso poezie qenka e papërkthyeshme. Dhe, e nxora edhe përfundimin se është absolutisht e palejueshme që aso poezie ta mos kapërcejë barrierën gjuhësore. Ky ishte fillimi i obsesionit… Të jesh përkthyes i një letërsie numerikisht të vogël do të thotë, ndër të tjerash, se je pandërprerë në mëdyshje. Sepse, nga një anë, nëqoftë se nuk i përkthen poltronistët e asaj letërsie, të sulmojnë penat e klanokraturës duke ta ngjitur çdo lloj sharjesh. Nga tjetra anë, nëse botuesve e redaktorëve në vendet gjermanofone ua ofron vjet me radhë pa sukses autorë për të cilët je i bindur se meritojnë ta shohin dritën e botimit edhe jashtë vendit të tyre dhe nëse sheh se po ata redaktorë a lektorë që ta refuzojnë një Camaj, për shembull, botojnë me kilogramë autorë të tjerë skajshëm banalë gjermanë – atëherë dyshon edhe vetë mos jesh hajvan me shije të përçudnuar prej matufi që s’merr vesh gjë nga punët e letërsisë…  Me fjalë tjera, si përkthyes i një letërsie jashtë konjukturave letrare je fillikat vetëm dhe mbetesh kuk nga të gjitha anët.

Dr. Martin Camaj (1927-1992)
Dr. Martin Camaj (1927-1992)

3.Letërsia shqipe është me siguri në grupin e atyre letërsive që njihen më pak nga lexuesi gjerman. Sa jehonë kanë pasur veprat që ju keni përkthyer, dhe sa është jehona e letërsisë shqipe tek lexuesi gjerman?
Letërsia shqipe nuk njihet fare nga lexuesi gjerman. Njihet Kadareja. Pikë. Mirëpo, edhe në këto anë zuri ajo valle e çuditshme autorësh gjithnjë të njëjtë që përkthehen e botohen dmth që lansohen nga një lobby e padukshme prapa skene, valle kjo që filloi në Francë: në gjermanishte u përkthyen dhe u botuan Kadareja, Agolli, Qosja dhe Mustafaj. Është vetëm çështje kohe kur të paraqiten edhe Tozaj,  Shehu dhe Kongoli. Për të folur pak edhe për autorët e tjerë që botohen jashtë pa bekimin e akcilit shkrues të parathënies, autorët si, fjala vjen, Camaj, Trebeshina, Shkreli, Podrimja ose të rinjtë – ata korrin suksese të lakmueshme te publiku kudo të hasin në publik. Fitojnë admirim  dhe lënë përshtypje nga më të thellat, por bishti i punës është se ata nuk kanë përkrahjen a marketingun e të përkëdhelurve a bekuarve kështu që botohen me tirazhe të vogla prej më së shumti 2000 copash dhe nuk e gjejnë rrugën deri te publiku i gjerë.

4.Viteve të fundit jeni preokupuar edhe me problemet e gjuhësisë shqiptare, duke botuar artikuj rreth problemit të gegërishtes, madje dhe tekstet Tuaja në shqipe kryesisht i shkruani në këtë dialekt. Deri ku kanë arritur preokupimet Tuaja socio-linguistike dhe dialektologjike?
Nuk jam teoricien, jam njeri i praksës. Jam lajmëruar në debatin rreth gjuhës letrare si qytetar i cili nuk pranon që i serviret me dekret një gjuhë e farkëtuar sipas kritereve plotësisht të pa tru, gjuhë kjo që përftuesit e saj e shpallin arritje kombëtare, fitore historike etj., dhe na ndalojnë të marrim pjesë në diskutim sepse nuk qenkemi “ekspertë” sikur ata ekspertët e vetëshpallur që na e shesin atë gjuhë të varfër e artificiale sikur të na shitnin mushkun për at… Preokupimet e mia kanë arritur deri te përfundimi se gegnishtja letrare nuk është “dialekt” por letrarishte jashtëzakonisht e pasur, një thesar i pashtershëm që është pjesë përbërëse e patjetërsueshme e kulturës shqiptare dhe që duhet të lejohet e të përdoret. Shihet se nuk është fjala vetëm për njëfarë malli për kohërat e kaluara të lulëzimit kulturor të Shkodrës, nuk është gjuhë e vdekur por e gjallë që dëshmon se s’është “idioma e një qarku reakcionarësh të demoduar” por se është mjet artikulimi artistik – në nivel të lartë artistik – i individualiteteve letrare bashkëkohore si, bie fjala, Entela Tabaku a Ledia Dushi. Sipas meje, duhet t’i vihet dryni kulturocidit që e kanë filluar ata që zurin ta fshihnin nga faqja e dheut gegnishten, letërsinë dhe mendësinë gege.

5.Jeni prej pak autorëve që viteve të fundit keni ndjerë presionin e cenzurës. Ku janë arsyet e refuzimit të teksteve Tuaja nga syri i cenzorit të gazetave shqipe?
Më falni, konstatimi juaj nuk është i saktë – për fat të mirë, në trevat shqiptare ka mjaft revista e gazeta kështu që nuk më ka mbetur i pabotuar asnjë shkrim. Disa herë botimi shkaktoi reagime me plot duf. Nejse. Disa herë ndonjë artikull imi deri diku u përdor nga ata që e botuan, sepse unë shkrova atë që ata s’kishin kurajo ta shkruanin…

6.Viteve të fundit sikur keni dalë haptas “kundër” Kadaresë, duke ia mbajtur anën oponentit të tij, Kasëm Trebeshinës. A mendoni se në letërsinë shqipe, pa përjashtim, duhet të bëhet një rivleresim dhe, në kuadër të këtij, edhe letërsia e shkrimtarit të madh të “lexohet” nga një kënd tjetër?
Nuk jam kundër Ismail Kadaresë dhe as nuk kam dashur të shkruaj kundër tij. Duke përcjellë disa polemika në periodikun shqiptar kam mundur të mësoja shumëçka, ndër të tjerash edhe atë që shpeshherë në ato polemizime nuk bëhet fjalë për çështje, por për persona, në nivel personal dhe bile deri në nivel të fyerjes personale. Duke lexuar disa herë që ndonjë person titullohet p.sh. si “fundërrinë” a me shprehje të ngjashme, kuptoja dhe mësoja që nuk bën të cenohet nderi personal. Çdo njeri, edhe kundërshtari më i ashpër në ndonjë polemikë është krijesë e Zotit, Allahut, Perëndisë, krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit. Prandaj, edhe në polemikë të vrazhdë duhet respektuar dinjiteti personal.
Sa për Ismail Kadarenë, nuk jam kundër personit të tij, nuk jam kundër Ismail Kadaresë, por jam kundër idolatrisë që i bëhet atij. Jam kundër mistifikimit të personit e të veprës së tij. Jam kundër mekanizmit me anë të të cilit në mënyrë automatike Ismail Kadare ngrihet në piedestal si “kryeshkrimtar shqiptar”, si “shkrimtari më i madh shqiptar”, bile si “pena më e madhe shqiptare e gjitha kohërave”. Shpeshherë flitej dhe flitet se Ismail Kadareja e paska bartur emrin dhe namin e shqiptarit në gjitha anët e botës dhe se letërsia, kultura, qenia shqiptare do të kishin mbetur të panjohura në botë pa veprën e I. Kadaresë, sipas motos: “Ku do të ishim ne sot në botë pa veprat e I. K.?” Asaj pyetjeje të shpeshtë duhet t’i përgjigjemi me kundërpyetjen: “ku do të ishte sot në botë emri, nami dhe nderi i shqiptarit po qe se bota njihte figurat dhe veprat, bie fjala, të Martin Camajt, të Mitrush Kutelit, të Ernest Koliqit, të Kasëm Trebeshinës, të Jeronim de Radës etj.? Në uzinën e përkthimit  letrar të shtëpisë shtetërore botuese “Naim Frashëri” janë përkthyer me kilogramë veprat e shkrimtarëve të periudhës së Realizmit Socialist në letërsinë shqiptare dhe jo veprat e mëdha të thesarit të madh të letrave shqipe. Me këtë faj kolosal diktatura politiko-letrare e regjimit të Enver Hoxhës ka bërë krim ndaj letërsisë dhe kulturës shqiptare. Letërsia shqiptare duhet rishikuar domethënë duhet të shikohet me kriter letrar dhe jo më me atë politik. Në kuadër të këtij rishikimi duhet shikuar edhe vepra e Ismail Kadaresë. Mendoj se vepra e tij duhet shikuar në mënyrë objektive. Mendoj se anti-kadarejizmi i verbët është aq negativ sa edhe ngritja e shkrimtarit Ismail Kadare në shkallën e një qenie mbinjerëzore dhe sa ngritja e veprës së tij në shkallë të një dukurie të mbinatyrshme. Vepra e tij duhet shikuar në mënyrë objektive e të hapët dhe duhet studiuar si e tillë që është ku duhet të jenë të mundura studime krahasuese të komparatistikës letrare, përkitazi me ndikime stilistike a puqje të tjera me vepra nga autorë të përcaktuar të letërsisë botërore, ku duhet përjashtuar mekanizmi i zakontë me anë të të cilit çdo fjalë kritike për Ismail Kadarenë dhe veprën e tij vlerësohet si sakrilegj, tradhti kombëtare apo ofendim. E dimë se fjala “kritikë” vjen prej fjalës së vjetër greke (“kritein”) që do të thotë “për të dalluar”. Do të thotë se kritika ka për qëllim t’i dallojë dukuritë, vlerat. Vaj shoqërisë në të cilën nuk kuptohet më qëllimi i kritikës dhe në të cilën kritika keqkuptohet si sulm dhe jo si ajo që është dmth – kritikë në të mirën e kulturës. Duhet të jenë të mundura gjithashtu edhe studime për botimet e ndryshme të veprave të përcaktuara të Ismail Kadaresë. Duhet shikuar me objektivitet roli i shkrimtarit Ismail Kadare, autor romanesh me nëntekst kritik ndaj regjimit dhe, njëkohësisht, autor poemash të ideologjizuara dhe propaguese të frymës së Nënës Parti. Duhet shikuar me po atë objektivitet edhe roli i figurës se Ismail Kadaresë – disident e nënkryetar i Frontit Demokratik. Me një fjalë: mendoj se Ismail Kadareja duhet të lexohet e shikohet si autor dhe jo si shenjtëri kombëtare. Dhe as nuk është e shenjtë çdo fjalë nga goja a pena e Ismail Kadaresë. Ta zëmë p.sh. intervistën e tij, dhënë gazetës shqiptare që del në Zvicër, “Bota sot”, të datës 10 maj 1997 ku Ismail Kadareja damkosi me zell e vrull hermetizmin letrar si “problemet e Adamit e të Evës” duke thënë: “Lidhur me hermetizmin dhe avuangardizmin e skajshëm që shfaqet në letërsinë e Kosovës, kam mendimin se në një mënyrë apo në një tjetër ai bie ndesh me misionin e kësaj letërsie për të dëshmuar dramën e Kosovës”. Pastaj vazhdon: “Mendimi im është se kur një popull ka halle të mëdha, letërsia vetvetiu bën një modifikim, qoftë edhe një flijim, për t’u bërë jehonë këtyre halleve. E halli i Kosovës është sot kolosal. Në të vërtetë hermetizmi as s’ka qenë e as s’është diçka për t’u lakmuar, qoftë edhe në letërsitë që s’kanë kurrfarë problemesh. Nga heqja dorë prej tij s’ka vuajtur gjer më sot asnjë letërsi serioze”. Vërtet, sepse letërsitë serioze gjer më sot nuk  hoqën dorë dot nga hermetizmi. Ismail Kadareja na mëson edhe më tej se si e ka punën hermetizmi: “Ndërkaq hermetizmi është ndërprerje, është pengesë serioze për dëshmim. E Kosova më fort se kurrë ka nevojë sot të dëshmojë tragjedinë e vet”. Në vazhdim të intervistës në fjalë, Kadareja e parashtron kërkesën për dëshminë shqiptare, dmth. për vepra letrare shqiptare që dëshmojnë pamje të ndryshme të tragjedisë së Kosovës, dëshmi kjo që “është e nevojshme sot më tepër se kurrë”. Mandaj thotë: “Përpara një kërkese të tillë, kërkimet e kota avuangardiste, parabolat pseudofilozofike, me fjalë të tjera problemet e Adamit e të Evës, duken vërtet të largëta e të kota.” Tevona, shkrimtari i njohur dëshmon dhe për dëshminë shqiptare e cila është e nevojshme “sot më tepër se kurrë” se çfarë veprash presin të shkruhen, vepra për këto motive: “helmimi i fëmijeve”, “drama e kazermës së Paraqinit”, “kryengritja e pranverës së vitit 1981” dhe deri te “e vërteta mbi Betejën e Kosovës në shekullin XIV”, etj. etj. etj. Nuk dua ta komentoj nivelin a horizontin e fjalëve të cituara sepse ato flasin për vete. Nuk ka dyshim se historia e kombit shqiptar është tragjike, nuk ka dyshim dhe as se letërsia e çdo populli në një mënyrë apo tjetër e pasqyron fatin e kombit të vet. Mirëpo, rigorizmi me të cilin letërsisë shqiptare i kërkohet si detyrë e vetme përshkrimi i fatit tragjik të popullit shqiptar, na e përkujton primitivizmin e byrokracisë letrare të kohërave të Enver Hoxhës. Përveç kësaj, postulimi i misionit të letërsisë në shërbim të diçkaje – në thelb të thelbit – nuk është gjë tjetër veçse avazi i vjetër i teorisë utilitariste të letërsisë së Realizmit Socialist Shqiptar nën kozhup kombëtar a nacionalist. Ndërsa ndokujt mund t’i duket e mërzitshme monotonia e vajtimit për fatin tragjik të kombit të vet që shfaqet në shumë shkrime letrare në Kosovë dhe shumëkujt do t’i duket se dokumentimi i fakteve historike qenka detyra e historiografisë dhe jo e letërsisë, Ismail Kadareja më në fund konstaton dhe rekomandon: “Një ndryshim optike për letërsinë dhe për format e vetëveprimit të saj mendoj se është i nevojshëm jo vetëm në Kosovë, por në krejt botën shqiptare sot. Ky zgjerim i frymëmarrjes dhe i optikës jo vetëm që nuk e dëmton krijimtarinë e mirëfilltë, por i jep asaj përmasa të gjera e të thella. Në këtë kah e kam bërë vërejtjen, që është njëkohësisht sugjerim për kolegët e mi në Kosovë, për gjithë kolegët shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe vetveten.”
Kush ka qejf të shkruajë kolportazh, le të shkruajë kolportazh. Por kolportazhi le të mos ngrihet në shkallë misioni letrar. Jam i bindur se shkrimtarët shqiptarë nuk do t’i binden kërkesës së Ismail Kadaresë për letërsi funkcionale, sepse janë të ngopur deri në fyt me dirigizmin rigid të byrokracisë politiko-letrare të kohërave të sundimit monist. Dhe, njëkohësisht, shpresoj se nuk do t’i përgjigjen thirrjes antihermetike të Ismail Kadaresë, sepse po t’i përmbahej postulimit të Kadaresë letrat shqipe do të ktheheshin nën nivel të arritur nga autorë si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Kasëm Trebeshina, Anton Pashku, Azem Shkreli, etj. dhe do të ktheheshin prapa thellë në provincializmin e letërsisë nacional-omfaloskopike. Mirë është që nuk kërkohet më përshkrimi letrar i koncipimit heroizues të historisë së shqiptarëve, por ndryshimi i vendshikimit nuk e ndryshon karakterin monopolist të kërkesës së Ismail Kadaresë. Është e vërtetë se një pjesë e veprave të Ismail Kadaresë ka meritat e veta në fushën e demistifikimit e të çmitologjizimit, dmth të demaskimit të interesave ekonomikë a materialë prapa frazave. Këto vepra janë marrë, pra, me realitetin material që qëndron prapa dukurive imateriale (besimeve, traditave, dokeve, miteve) përderisa nuk trajtojnë dot aspektin e anasjelltë – të vërtetën imateriale, e cila qëndron prapa dukurive të jashtme të botës materiale. Në botën e letërsisë materialiste të Ismail Kadaresë nuk ka vend për zbulimin e farës së shkëndijes që Krijuesi i kësaj bote e ka mbjellë në shpirtin e çdo njeriu. Me një fjalë: me postulatin e cituar Ismail Kadareja dëshiron që të përjashtohet nga letërsia shqiptare dimensioni që e tejkalon botën e kufizuar materiale të atij grushti pluhuri që jemi ne njerëz në pafundësinë e gjithësisë. Ismail Kadareja kërkon, pra, që të përjashtohet nga letërsia shqiptare ajo që i mungon veprës së tij: transcendentalja, universalja, spiritualja, hyjnorja. Problemet e Adamit e të Evës…
T’i kthehem pyetjes suaj. Nuk jam për Trebeshinën sepse jam kundër Kadaresë. Jam për Trebeshinën për hir të veprës së tij dhe, jashtë kornizave të letërsisë, për hir të biografisë së tij prej intelektuali të papërkulur me moral ballëlart e shembëllor, për hir të “çmendurisë” së tij me të cilën dilte haptas kundër diktatorit (Promemorie) a kundër funkcionarëve të kulturës bolsheviste. Kadareja nuk duhet krahasuar me Trebeshinën, po duhet shikuar si Kadare, dmth autori duhet të lexohet me kritere letrare kurse figura e tij në sistemin monist duhet shikuar me sens realiteti. Të kihet parasysh jo vetëm prozatori, por edhe vargëtari dhe gazetari Ismail Kadare. Sa i përket këndit tjetër nga i cili, ndoshta, duhet të lexohet vepra e Ismail Kadaresë, në radhë të parë do të propozoja që të lexohet teksti i veprave të tij dhe jo më vetëm nënteksti. Pikësëdyti, do të propozoja që vepra e tij – si dhe vepra e shkrimtarëve të tjerë, p.sh. të Trebeshinës, Kutelit a Fishtës – të lexohet “lakuriq” dmth. zhveshur nga elementet politike, dëshmuese etj., pa kontekstet, nëntekstet, mestekstet, mbitekstet politiko-përmbajtësore. Le të shihet se ç’mbetet. Le të shihet se ç’mbetet edhe pas dyqind vjetësh kur do të kenë qenë të harruar RSPSH, LSHASH si dhe entuziazmimi i botës së jashtme për ekzotikën shqiptare që veprat e Ismail Kadaresë ia parashtrojnë lexuesit në Francë e gjetiu.

Shkrimtari Ismail Kadare 1936
Shkrimtari Ismail Kadare 1936

7.Para pak kohe bashkë me dy albanologë të tjerë keni themeluar edhe çmimin letrar “Martin Camaj” dhe post mortem ia ndatë Zef Zorbës. Cili ishte motivi i themelimit të këtij çmimi?
Motivi i themelimit për mua ishte synimi për të stimuluar elementin geg në poezinë bashkëkohore shqiptare dhe për të nderuar vlera letrare jashtë kornizave të të dekoruarve notorë.

8.Meqë jemi tek Martin Camaj, mund të na thuani, si ndjekës i gjurmëve të tij, ç’amanet keni trashëguar nga ky personalitet i madh i kulturës shqiptare?
Dashurinë e thellë e të pamposhtme për letërsinë e gjuhën shqipe. Mospërfilljen e patetikës. Dashurinë për vërtetësinë në art dhe në jetë. Imperativin: “mos me u përlye”. Edhe një herë: dashurinë e pashlyeshme për gjuhën e letërsinë shqipe.

9.Në prezantimet e deritanishme të letërsisë shqipe në gjermanishte sikur i keni dhënë shumë prioritet krahut të letërsisë së Kosovës. Cilat ishin motivet për një orientim të tillë dhe çfarë dallimesh kanë këta dy krahe të së njëjtës kulturë?
Në fillim të viteve ‘80-ta, plot 4 vjet jam marrë me poezinë e Martin Camajt. Dhe çka më pastaj?! Shqipëria ishte plotësisht e mbyllur, e mbërthyer. Ne këtu s’kemi ditur gjë për një Bilal Xhaferri, Daut Gumeni, Kasëm Trebeshina, Fatos Lubonja, Visar Zhiti, Primo Shllaku, etj. Poezia shqiptare e Kosovës më tërhiqte shumë sepse edhe ajo kishte elemente të hermetikes, arkaikes e eliptikes që i çmoja lart në poezinë e Martin Camajt. Në poezinë e Kosovës gjeta edhe puqje me një poet tjetër që e kisha dhe e kam favorit – poetin serbishtshkrues rumun, Vasko Popa, poezia e të cilit mbështetet fort në thesar të traditave gojore ballkanase. Ashtu, në Kosovë gjeta material tepër interesant e joshës, atëherë ç’më interesonin mua e lëre lexuesin e huaj qoftë petrifikimet qoftë inovacionet brenda letërsisë së Realizmit Socialist Shqiptar? Nuk mund të pritet që bota e jashtme të interesohej për letërsinë e një vendi 99,99 % të izoluar, sidomos nëse vetë shkrimtaria e atij vendi kontribuonte mjaft për izolimin në fjalë. Me fjalë të tjera: pse t’i lexonte lexuesi në Perëndim insinuatat ksenofobe që ia hidhnin Perëndimit poetët zyrtarë të Realizmit Socialist Shqiptar? Me siguri s’ka nevojë t’ju citoj a kujtoj veprat në të cilat shqiponjat nga lart lëshonin glasa mbi kapitalistët plot dhjamë.
Sa për dallimet e afërsitë e letërsisë në Shqipëri dhe në Kosovë: parimisht jam i mendimit se letërsia në gjuhën shqipe është një. Mirëpo, siç dihet, gjatë 50 vjetëve të fundit kushtet në trevat shqiptare ishin skajshëm të ndryshme gjë që, kuptohet, pasqyrohet mirë në letërsi. Letërsia zyrtare në Shqipëri ishte e shabllonizuar (“Partia – krenaria”), e ideologjizuar dhe ideologjizuese, pjesa e mirë e saj ishte e një cektësie të pashoqe, në nivel artistik provincial – konform doktrinës socrealiste për poetikën e “tipikes” dhe të “estetikës marksiste-leniniste”. Ju dini shumë më mirë nga unë për librat e mjerë për brigadistët, traktoristët, komisarët, për Njeriun e ri, ndërtimin e socializmit, realitetin socialist, etj. Përderisa pjesa e mirë e beletristikës në Shqipëri nuk e tejkalonte nivelin e kolportazhit, nivelin e penave të talentit mediokër, në Kosovë qysh në vitet e ‘60-ta një shtresë e gjerë shkrimtarësh filloi t’i braktiste kallëpet e letërsisë së idileve rurale a socrealiste (“rinia – Metohija – Partija”) duke krijuar poezi e prozë në nivel europian (Adem Gajtani, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Anton Pashku, etj.). Ndërsa shkrimtarët në Shqipëri vazhdonin edhe më tej të shkruanin për punën e çelikut, kolegët e tyre në Kosovë shkruanin poezi lapidare për punën e gurit e të shkëmbit. Asisoj, ata jo vetëm që jepnin tabllo tepër të bukura të pejsazheve të Dukagjinit, por edhe e mashtronin jo lexuesin – sikur zbukuruesit dhe himnizuesit letrarë të realitetit të trishtë pseudosocialist në Shqipëri – por censurën e shtetit jugosllav censurë e cila nuk kuptonte që ajo poezi hermetike, simbolike dhe alegorike jepte tabllo të qenies shqiptare, të qëndresës e qëndrueshmërisë shqiptare.

10. Deri tani keni përkthyer autorë shqiptarë individualisht, përmes librave dhe cikleve poetike, kurse pak si shumë është folur për një dorëshkrim të pabotuar të një antologjie. Mund të na thoni se kur mund të dalë nga shtypi dhe për çfarë projekti është fjala?
Meqenëse flitet shumë dhe shumëçka, nuk di sak për çka e keni fjalën. Projekte kam sa të doni. Një antologji të poezisë së re shqipe (shqipe, jo shqiptare) në gjuhën gjermane e kam ëndërr. Nëse mund të realizohet, kur mund të realizohet – një Zot e di… Kam një dorëshkrim të pabotuar dmth. një përpilim tematik, libër këndimi me poezi që trajtojnë disa çështje elementare të kombit shqiptar si Gjuha, Historia, Në dhé të huaj, Shqipëria dhe Kosova sot. Projekt tjetër për të cilin mund të keni ndëgjuar është antologjia bilinguale shqip-gjermanisht “Poezia e viktimave”, projekt ky që për mua ka rëndësi të dorës së parë dhe për të cilin jemi marrë vesh me shtëpinë botuese të Abdullah Zenelit, “Gjon Buzuku” nga Prishtina. Libri do të dalë vitin e ardhshëm.

11.Nga përvoja e gjatë si përkthyes a mendoni se letërsia shqipe ka autor që meriton ta njohë bota por që i ka munguar përkrahja e administratës shtetërore?
Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Kasëm Trebeshina, Zef Zorba. Këtë listë emrash merreni si aktakuzë!
Përkrahja e administratës shtetërore, përndryshe, u ka munguar edhe gjithë atyre përfaqësuesve dinjitozë të inteligjencies shqiptare që dirgjeshin në Spaç, Burrel, Qafë-Bari, Savër e kudo ku mbyllej e mbytej e vërteta.
Përveç kësaj, mund vetëm të merremi me hamendje se si do të ishte zhvilluar letërsia shqiptare po të kishte pasur lirinë e fjalës. Si do të kishte qenë po të kishin pasur mundësi ta shfaqnin talentin e vet poetët Buçpapaj, Rreshpja, Hamiti? Si do të kishte shkruar një Xhevahir Spahiu a Moikom Zeqo? Çfarë librash do të kishte shkruar Rudolf Marku? Ç’autorë të tjerë do të kishim sot, eventualisht, autorë që dhe as nuk janë guxuar të dilnin me ndonjë varg sepse kanë preferuar ta kalonin jetën në qetësi si punëtor, mësues a kooperativist në vend që të çonin dashuri me letërsi si autor me gojëz…

Kasem Trebeshina (1926)
Kasem Trebeshina (1926)

12.Shpesh ndodh që të ngatërroheni në konfliktet e brendshme të kulturës shqiptare sa që njerëzit fitojnë bindjen se keni marrë shumë nga karakteri i shqiptarit. A ju ndodh ta zini veten duke menduar dhe duke ndjerë si shqiptar?
Shpeshherë mendoj në gjuhën shqipe, nganjëherë mendoj shqip. Sadoherë që ndonjë shqiptar dëmton a turpëron veten, vëllaun e vet shqiptar, çështjen shqiptare a kulturën shqiptare – llahtarisem e trishtohem. Nuk di as vetë nëse kjo do të thotë se je duke ndjerë si shqiptar?

13.Ç’mund të na thoni për mbylljen e katedrës së albanologjisë në Universitetin e Munihut, për të cilën ju edhe keni reaguar?
Çështja ende rri pezull. Po të mbyllej katedra, kjo do të thoshte ndërprerjen e një tradite madhështore dhe shkatërrimin e një pjese të madhe të veprës e jetës së Martin Camajt, i cili me këtë katedër ka themeluar një institucion unik peshën e të cilit më duket se nuk e kanë kuptuar aspak ata që mendojnë se foleja e ngritur nga Martin Camaj mund të bartet në Tiranë.

14.Si e përjetuat botimin e kompletit të veprave të Martin Camajt?
Rasti i veprës së Martin Camajt më prek thellë. Është rast tragjik. Fatin tragjik e ndan me intelektualë të tjerë shqiptarë të mospërfillur nga diktatura – p.sh. Arshi Pipa, Zef Zorba, Lazër Radi dhe shumë të tjerë që nuk ishin të ftuar në studio, por në birucë a në heshtje totale kështu që ishin të përjashtuar nga kultura shqiptare. Me Arshi Pipën dhe Zef Zorbën, Martin Camaj e ndan sidomos tragjikën se vepra dhe veprimtaria e tij vlerësohet e çmohet në Shqipëri vetëm post mortem. Tragjika e posaçme e Martin Camajt është se vepra e tij është shprehimisht jo politike. Me gjithë përpjekjet nga anët e ndryshme, kurrë s’ka pranuar t’i shërbente ndonjë rryme politike. Sa për politikën, Martin Camaj thoshte se ndonëse ishte njeri politik, nuk ishte njeri i politikës. Përmbajtja e veprës së tij nuk është politike. Madje, nuk ka rreshtur të shqetësohej për interpretime politike të veprës së tij që i quante “spekulime”. I vetmi “faj” i veprës së Martin Camajt ishte se ajo ishte art individual dhe jo sipas kallëpit socrealist. Është tepër tragjik fakti se vepra e njërit prej poetëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe u ndalua dhe u anatemizua vetëm për këtë “gabim” dmth se u përzu nga kultura shqiptare mu njëri i kulmeve të saj për shkak se diktatura e suspendoi artin individual dhe e abrogoi kulturën e lirë.
Vepra e Martin Camajt ka hasur në shumë telashe e pengesa edhe pas “kthese”. Në trashëgiminë letrare të Martin Camajt kam gjetur jo vetëm letërshkëmbim me z. Ilirjan Zhupa rreth botimit të një vëllimi poetik, por bile edhe parathënien e Camajt për librin në fjalë. Para realizimit të botimit, Martini vdiq. Pas vdekjes së tij nuk ka ardhur deri tek sendërtimi i botimit pasi që u pengua, siç kam ndëgjuar nga disa anë, nga një individ tepër xheloz e ambicioz dhe arrogant. Pastaj meritën e botimit të parë të dy veprave të Martin Camajt në vendlindjen e tij e ka shtëpia botuese “Hylli i Dritës” që ia botoi gjigantit të poezisë shqipe vëllimin “Lirika mes dy moteve”. Ishte edhe drejtori i kësaj shtëpie botuese, At Zef Pllumi, që ndërmjetësoi kontaktin e parë të drejtorit të shtëpisë botuese “Apollonia”, Lili Bare. Camaj për pëlqimin e saj për botimin e veprave të të shoqit. Jam shumë i kënaqur që tash, ndonëse 5 vjet pas vdekjes së Martin Camajt, filloi botimi i veprave të zgjedhura të tij. Më në fund, vendlindja e Martinit filloi ta shlyejë turpin e pandëgjuar të injorimit të veprës së këtij shqiptari të madh. Është e bukur që Martin Camaj tash ka miq të shumtë në Shqipëri, ndërsa është ironi e fatit se këta miq s’i ka pasur për të gjallët e tij, ashtu siç vendlindja e Arshi Pipës e nderoi atë dy ditë pas vdekjes së tij.
Do theksuar që botimi i tashëm përfshin vetëm pjesën e parë të veprës dhe që duhet edhe shumë punë e mundim për ta mbaruar edicionin. Pasi figura e intelektualit dhe shkrimtarit Martin Camaj pothuaj është e panjohur në Shqipëri, me interes të veçantë për lexuesin shqiptar do të jenë materialet plotësuese të edicionit dmth shkrimet e tij eseistike dhe, doemos, letërshkëmbimi i tij. Në korrespondencën e vet, Camaj shpeshherë trajtonte çështje parimore të artit e të letërsisë ndërkaq eseistika e tij përfshin jo vetëm paraqitje të vlerave të traditës por doemos edhe kritikë letrare të të bëmave të letërsisë së Shqipërisë pas lufte. Shpresoj fort që do të përballohen vështirësitë që janë lindur në mënyrë që një person ka përjashtuar nga punët e përgatitjes dhe redaktimit bordin e parashikuar editorial, dmth. e ka përjashtuar gjer me tani ku vendosi e njoftoi se ai vetë tërhiqet nga puna. Përndryshe, edicioni është punuar shumë mirë dhe shumë bukur, e meriton çdo lëvdatë dhe shpresoj që do të jetë përfunduar për së mbari. Me botimin e veprës së Martin Camajt po vërtetohet edhe njëherë përvoja e lashtë se, më në fund, ngadhnjen e vërteta.

15.Në fund një pyetje stereotipe: çka mund të presim nga pena e përkthyesit Hans-Joachim Lanksch.
Uratën e përditshme tek Zoti që të ma dhashtë jetë të gjatë për të përkthyer gjithë atë që dua të përkthej dhe që mendoj se do ta pasurojë lexuesin e huaj. Përveç kësaj, në panairin e sivjetshëm të librit në Frankfort do të paraqiten, ishalla!, tre libra: botimi bilingual i librit të Martin Camajt, “Njeriu më vete e me tjerë” (dorëshkrimi dremiste plot dy vjet e gjysëm në fijokët e zyrës së botuesit), një vëllim poetik i shtatë poetëve shqiptarë të diasporës në Zvicër e Gjermani dhe përkthimi shqip i një përmbledhjeje të poetes Rose Auslaender. Përndryshe, këto ditë doli në qarkullim numri i ri i “mercedesit” të revistave letrare gjermane, “Akzente”, që boton një përzgjedhje nga poezia e Primo Shllakut, poet klandestin gjatë periudhës së monizmit. Mund të gëzohen paraprakisht edhe ata që më veshin epitete të bukura si “rast skandaloz”, “rast patologjik”, “injorant”, “shkatërrues i fizionomisë së vërtetë të letrave shqipe”, “palaço” a ku ta di unë se ç’titujsh të tjerë nderi: mora nismë për themelimin e dy revistave letrare shqiptare – një për letërsinë në diasporë dhe një për letrat gege. A njihni ndonjë sponzor a donator?
Intervistoi: Luljeta Lleshanaku

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.