Nata e gjatë e 20 viteve… Jozef Radi

Gjirokastër... 1977

Ndoci, Jozefi, Artani… Gjirokastër… 1977

Nata e gjatë e 20 viteve…

rrefim nga Jozef Radi

në kujtim të dy shokëve të mi të fëminisë dhe ushtrisë,
Ndoc Vokrrit dhe Kujtim Nelës
që s’janë më mes nesh…

Në ditët e para të janarin e vitit 1977, me kokat e qethuna tas, me ca rrobat ma të vjetra të mundshme thuej si i kishim marrë nga kazanët e plehnave, hypun maje nji makine ushtarake gjysë të zbulueme, morëm drejtimit e Jugut…
Askush prej nesh s’dinte gja, për ku na kishin nisë… veç nji gja dihej tashma: udhtonim drejt Jugut.
U munduem me bërtitë pak rrugës, sidomos kur kaluem Savrën tonë, për mos me lanë përshtypjen se shkonim ushtarë, por se po liroheshim, por shpejt shumica u ngjirëm dhe era e ftohtë e janarit na bani me u mblodhëm te torbat e kuleçve dhe byrekëve që na kishte përgatitë shtëpia, për at ikje tashma të largët…
S’pari kaluem Semanin e menjiherë lamë mbas Fierin, mandej pamë Ballshin e kapërcyem Vjosën, diku lamë në nji krah Memaliajn mandej i rrëshqitëm përskaj Tepelenës gjithnji pa u ndalë… Aty, nisi nji shi i imët dhe të tridhjetë sa ishim në makinë hyme n’ujë dhe u rrasëm me nji qoshe, ndërsa gjithçka njashtu si pa u ndje bahej muzg dhe shi… Veç kur, diku n’sfond na u shfaq kalaja dhe makina la rrugën kryesore dhe u fut nëpër do lakadredha zallishteje, u mor vesh se destinacioni Jug – ishte Qyteti i Qenit… Grehoti, Korpusit i Gjirokastrës… ku ishin tashma edhe qindra ushtarë të tjerë.
At mbasdite, na u thirrën disa herë emnat… derisa ma në fund ashtu të lamë, të veshun dhe të tjetërsuem u futëm në rreshtat e famshëm. U mshuem qenshe atyne pak gjanave të mbetuna nëpër torba, mbasi urdhni qe i premë… “Asgjë nga shtëpia, s’do të futet në kapanone…!!” dikush i fshehu përjashtë tjerët u shkyen bulshijsh tuj hangër!
Tashma të njillojtë, as e njifnim ma njeni tjetrin. Veç ne ma të gjatët si zdapa, shërbenim si pika referimi…
Nëpër shiun e përziem me muzg, që aq shpejt u ba terr, at mbasdite janari nisi jeta dyvjeçare e ushtarit të xhenjos…

Mbas nja dhjetë ditësh qëndrimi aty në Korpusin e Gjinokastrës, ditë ku jeta e rekrutit niste me terr të plotë dhe mbaronte në terr të thellë… e kuptuem përsëpari se sa e gjatë dhe e pafund ishte dita e ushtarit, dhe se ai shi që s’kishte të rreshtun na e randoj aq shumë peshën e kapotës, sa na dukej sikur mbi supe kishim jo lesh të rrahun dhije po pancirë hekuri…
Me 15 janar, aty nga mbasditja, u futëm sërish rresht, na u thirrën sërish emnat, dhe të Tridhjetët e Lushnjes, ashtu siç ishim nisë, e afrue paksa me njeni tjetrin, (mbasi shumica ishim nga kampet… nga Savra gjashtë…) u përpoqëm mos me rà fort në sy, prej frikës mos na ndanin… Kur u ba i plotë numri tridhjetë… spondi i pasëm u mbyll… dhe destinacioni: Tepelenë!
Të gjithë ne të Savrës për fat ishim bashkë dhe kjo qe nji fitore për të cilën u pamë në sy të tanë…
At ditë po e jetoja me nji gjendje të përzishme… dhimbje dhe nostalgji bashkë…

Savër... 1976

Kujtimi… Savër… 1976

Kur mbrritëm në Tepelenë, aty nën qytet, na u shfaqën do gazerma të mëdha, të hukubetshme…. Oficeri që na kishte marrë në dorzim ishte nji mesoburrë i dobët, serioz, me mustaqe dhe me nji shikim e qëndrim pothuej të metaltë… Para portës së repartit, makinën e ndalën ushtarët e shërbimit… Na thirrën nji për nji emnat dhe çdonjeni mbasi ndigjonte të vetin, futesh mbrenda rrethimit… Oficeri i gjatë na kqyrte secilin në sy… ashtu i ftohtë dhe i mprehtë, bante ma shumë gjeste se fjalë… Herë mbas here… si t’mos i mjaftonte shqipja përdorte edhe ndonji fjalë rusisht… Ashtu i tehtë dhe me at shikimin disi autoritar… na pyeste për emnat dhe vendet nga vinim. Mbasi kaluem të tridhjetë, filloi për ne jeta e gazermës. I gjithë grupi u caktue në qendër të njenit prej atyne kapanoneve të hukubetshëm… Na u tha që s’kishte dyshekë për ne… jo, dyshekë kishte… po ishin bosh… Na u tha që asht dhanë urdhën me i mbushë te mullarët e kooperativës ma të afërt, po mbasi të binte nata… dhe ashtu, sa ra nata me dyshekun pa peshë mbi shpinë u nisëm… Kaluem nëpër Urën e Bençës, mandej morëm djathtas… Bante ftoftë… o Zot sa ftoftë!! Frynte nji erë, o Zot çfarë ere frynte n’at grykë… më duhej me e kapë hundën me dorë që ta kuptoja se akoma e kisha… Binte nji shi i imët me borë të zezë… O Zot, çfarë nate…!! Na shoqnonin nja dy djem tepelenas të atyne katundeve përreth, ushtarë të atij reparti.
Hec e hec nëpër natë, si nëpër përralla, duke pyetë… A mbrritëm…?! Ja edhe pak…! A ka edhe shumë?? Ja, edhe pak… ja dhe pak!!!
Ja edhe pak, ja edhe pak duhet të kemi hecë nja dy orë… “Mos u ndani, – porosisnin shoqnuesit, – se do të humbni!”
Kur, edhe pyetjet na kishin shterrë, mes territ dikush tha: “Ja ku i keni mullarët, mbushini mirë me kashtë… Ne do të kthehemi mbasi t’i keni mbushur mirë…!”

Nuk shifnim asgja. Duhanxhinjtë ndezën nga nji shkrepse po kashta ishte aq e lagët… sa as ndizesh e as në dyshek futesh… Dikush e mbushi ashtu me kashtë të lagët… e dysheku i peshonte sa nji dreq i mallkuem! E derdhi dhe filluem me gërmue gjithandej mos po biem ndokund në të thatë… po kashtë të thatë: kërkund… U vërdallëm gjithandej mullarit, e kur dikush gjeti pak kashtë të thatë, u turrëm mbas tij, por aq kish qenë… Nëpër terr shkojshim ashtu kambadoras duke gërmue mos gjejshim ndonji dorë kashtë të thatë… S’e di sa ndejtëm ashtu mes erës dhe atij shiu me borë që na kishte mpi krejt…
Dikur, mbasi ishin rrasë mirë me të hangme nëpër shtëpitë e tyne, erdhën dy djemtë… I kishim dyshekët pothuej bosh. Na çuen diku tjetër… edhe aty kashta ishte ashtu e lagun po pak ma ndryshe… “Hajde, mbushini dyshekët, se s’ka kashtë tjetër…!” jehoi në terr fjala njenit prej tyne… I mbushëm ashtu keq e keq… lagë pa lagë…
Dikur u nisëm… Ecnim midis shkurresh e monopatesh shkambore nëpër nji terr të plotë, dikush rrëshqiste, dikush bërtiste… Era e fortë na rrotullonte si i donte qejfi me gjithë dyshekun e kashtës mbi shpinë…
“Nuk mundem ma!” – thirri dikush… U ndalëm të gjithë… i morëm nga nji dorë kashtë me ja lehtësue sado pak barrën dhe vazhduem ecjen që s’kish të sosun… Kur mbrritëm te Ura e Bençës na duk sikur shpëtuem. Aty përroi gjëmonte edhe ma zi dhe në grykë era ulërinte si bishë e çmendun… U shtrënguem fort mbas njeni tjetrit… Dikush u përpoq me kangë t’na jepte zemër… edhe kanga na duhesh… ne ishim ba me u këndue… Kur mbrritëm në repart qe natë e thellë… Ndjeheshim të rraskapitun… e ndërsa të tjerët flejshin, na hymë si bandë kaçakësh të kthyem në kufoma… i shkarkuem dyshekët e mbushun prej shpine si t’ishte vdekja mbrendë… M’ishin errë sytë, e s’njifsha askënd ma… aq ma pak vedin. Duert i kisha dy copa akulli, fytyra me qe mpi e tana… kapota ishte e randë plumb… u përpoqa mos shoh ndonji ma mirë se unë, po ishim të tanë njisoj… tash duhej qepë edhe gryka e dyshekut dhe me u ba gati me fjetë…
S’mjaftonte kashta e lagun, po edhe shiu kish ba punën e vetën… S’di se si mund të fleja n’at dyshek…

Ushtria… në parade

Ushtria… në parade

U përpoqa me krejt zellin tim me e rregullue sa ma mire shtratin dhe me u shtri mbasi s’po qëndroja dot në kambë… “Të gjatët sipër, të shkurtët poshtë…!” qe urdhni. U ngjita sipër dhe u shtriva… kur njeni prej shokëve të mi Ndoci më tha se… “Paska kalue ora 12 e natës!!”… Qesha pak hidhët… “Pse po qesh? – më tha… “Po qesh… i thashë – se kët natë s’kam për ta harrue kurrë!”. “Si s’ke për ta harrue kurrë?”, “S’do ta harroj, sepse prej sonte jam 20 vjeç!” dhe qesha… Qeshi edhe Ndoci. Mbas tij erdhën edhe tjerët shokë e ma dhanë dorën dhe urimin… Erdhën Luani,  Kujtimi edhe Tani e m’uruen…
Vonë, u shtrimë ashtu të vdekun e të rraskapitun, kur te koka e krevateve, na u shfaq nji oficer tjetër… I panjoftun… si pëshpërimë u hap fjala se ishte Shefi i Sigurimit të Brigadës… Ashtu të shtrimë e të rraskapitun na pyeti nji për nji të gjithëve emnin, mbiemnin, shkollën, a ishim në rini a jo…
E kalova edhe unë intervistën e tij dhe po përpëlitesha të flija. Në trup ndjeja  lagshtinën e kashtës… Ishte e pamundun me fjetë! U çova dhe vuna nji batanije përfundi, po asgja… E palosa m’dysh batanijen… dhe veç kur po më merrte gjumi, u ndje buria e zgjimit… U çova mbasi s’kisha fjetë nji çast, jo veç unë po edhe tjerët…
Aty nga mbasdrekja e asaj dite, na lajmëruen me qendër zàni se Ndoc Vokrrit i ka ardhë familja… Ndoci, mori leje dhe doli te porta… Mandej u kthye dhe na tha se i ati kishte sjellë diçka nga gjitha familjet tona… Kështu që morëm leje edhe ne pesë të tjerët dhe dolëm… Te vendi i takimeve gjetëm Bardhok Zefin, të jatin e Ndocit që ishte nervoz dhe jepte e merrte me at mënyrën e tij patetike.
“Pse mor, ktu ju paskan pru kta! Mos more!! Hej ktyne Zoti ju ardhtë hakut… Po si more, ktu te kampi i interrnimit… K’tu ku asht ba gjama, ju paskan pru ushtarë…!!” dhe dy currila lotësh i rrëshqitën nëpër faqe… Mandej e mblodhi vedin dhe na pyeti nji për nji si ishim, si po ja kalonim, a kishim me hangër, na shpërndau pakon që kishte pru për gjithsecilin. “Ah me e dijtë mor djem sa kam vuejtë në kët vend… ah sa mirë që nuk dini gja… Ja njatje përtej janë vorrezat e fmijve. Kanë vdekë pa numër, ndoshta dyqind… Me duert e mija i kam vorrosë disa… Edhe kta ju kan pru bash ktu… ushtarë… Hej kta mos pafshin ditë të bardhë!”

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)

Kampi Tepelenës (edhe si kapanon ushtrie…) skicë nga Lek Pervizi

E ndigjonim Bardhokun, po ma shumë e kishim mendjen te copat e byrekut, te qoftet, te copat e mishit dhe amëlsinat… Ndoshta qeshnim, edhe pse Bardhoku i shkretë vazhdonte të ishte i tronditun e shante nëpër dhambë… Nuk i thamë asgja për naten e parë aty, sepse do ta kishte vuejtë edhe ma shumë… U përpoqëm të qeshnim të gjashtë! Ndejtëm ma shumë se nji orë me të. Na dha njimijë porosina… po ajo çka më mbeti në mendje ishte nji e vetme… “Nuk ju kanë pru kot ktu n’Tepelenë, ta dini! Prandaj kini kujdes djelm, silluni mirë dhe mbajeni afër njeni tjetrin… Kaq, po ju tham: veç silluni mirë! Zoti ju mbroftë!!”
Mbasi u përshëndetëm, e përcollëm Bardhokun të gjashtë… dhe ashtu të ngimë siç ishim, i qirasa të gjithë me nga nji çaj të klubi i repartit… ishte 16 janari i vitit 1977… Edhe pse e kujtuem at natën e shkueme, e bamë nji festë të vogël mes shokësh… si festë ushtarësh… në nji ish-kamp shfarosjeje… të prindërve të tyne!
Kjo histori s’mund t’ishte e plotë, pa batutën e famshme të Bardhokut, mbasi u kthye në Savër… At natë të gjashtë nanat tona, u mblodhën në shtëpinë e tij, me marrë vesh diçka për djemtë e tyne ushtarë… Ishim të gjashtë, djemtë e parë të familjeve… dhe Bardhoku mbasi u shpjegoi se ishim mirë dhe as e çanim kokën hiç… për asgja… bile as për dhimbjet dhe vuejtjet që ai na kishte kujtue aty, n’at kamp skëterre…  e mbylli rrëfimin e vet me  fjalinë që s’do ta harronim kurrë: “Leni mor horrat… mos më pyetni ma për ta… Unë tuj kja prej s’keqes qi kam hjekë n’at kamp… ata zogjt e kurvave… tuj  u shkri gazit…!”
(Marrë nga dorshkrimi “Savra – Monamour!”)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Artikuj, “Savra-MonAmour!”  Etiketat: , , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook