back to top
16.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Nata e gjatë e 20 viteve… Jozef Radi

Gazeta

Gjirokastër... 1977
Ndoci, Jozefi, Artani… Gjirokastër… 1977

Nata e gjatë e 20 viteve…

rrefim nga Jozef Radi

në kujtim të dy shokëve të mi të fëminisë dhe ushtrisë,
Ndoc Vokrrit dhe Kujtim Nelës
që s’janë më mes nesh…

Në ditët e para të janarit të vitit 1977, me kokat e qethuna tas, me do tesha ma t’vjetrat e mundshme, thue si i kishim marrë ndër kazantë e plehnave, u hypëm maje nji makine ushtarake gjysë e zbulueme, e cila mori drejtimit kah Jugu…
Askush prej nesh s’dinte gja, se për kah na kishin nisë… veç nji gjà ishte e sigurt tashma: udhtonim drejt Jugut.
U munduem me i dhanë pak hov vedit tue bërtitë pak rrugës, e sidomos kur i shkuem përskaj Savrës sonë, mos me lanë përshtypjen se po shkonim ushtarë, po se po liroheshim prej ushtrie, po shpejt ajo shumicë bërtitse u ngjir dhe era e ftoftë e janarit na bani me u mbledhë te torbat e kuleçve, byrekëve e ndonji krahu pule që na kishte përgatitë shtëpia, për at ikje tashma të largët në shërbim të atdheut…
Kur kaluem Semanin, e lamë mbas Fierin, kuptuem se po shkonim ma përtej. Mandej pamë Ballshin e rafinerisë, kapërcyem Vjosën, e lamë diku në krah Memaliajn koha u ftof e u ba gati për shi e askush s’po kqyrte ma përtej… I rrëshqitëm përskaj Tepelenës dhe kalasë hijerandë, gjithnji pa u ndalë tue kqyrë Vjosën… Dikur, nisi nji shi i imtë e të tridhjetë sa ishim në makinë hym’ n’ujë e u rrasëm m’nji qoshe, ndërsa gjithçka si pa u ndje bahej muzg dhe mjegull… Veç kur, diku n’sfond na u shfaq nji tjetër kala e makina e la rrugën kryesore e u fut ndër do lakadredha zallishteje, u mor vesh se destinacioni Jug – na kishte sosë në Qytetin e diktatorit… E Grehoti, ishte Korpusit ma i madh i Jugut… e ku para nesh kishin mbrritë edhe qindra ushtarë të tjerë.
At mbasdite, na u thirrën disa herë emnat… derisa ma në fund ashtu të lamë në do banja të ndyta, tha pa tha u veshm n’jeshile të ullinit e u tjetërsuem aq shum sa nuk njifshim as vedin jo ma tjerët. Nën thirrje të vazhdueshme u futëm disa herë në rreshtat e famshëm, e sa herë prishesh rreshti, u mshonim qenshe atyne pak gjanave të mbetuna ndër torba, mbasi urdhni ishte i premë: “Asgjë nga shtëpitë, s’do të futej në kapanone…! Absolutisht asgjë! As kanatiere, as brekë, as çorape, aq m pak ato të leshit! Kontrolli do t ishte i rreptë dhe me pasoja!” Dikujt i shkoj në mendje me mshehë diçka përjashta, ndërsa ne tjerët po shkyeshin bulshijsh tue hangër çka mundnin! Ishte nji skenë komiko-tragjike e pashembullt, ku askush s’e shifte vedin, veç qeshej me tjerët!!
Tashma ashtu t’njillojtë, në at muzg që bahej terr, i kishim hupë krejt kordinatat e njoftjeve, e veç ne, që ishim pak ma zdapa, shërbenim si pika referimi…
Nëpër at shi t’përziem me muzg, që shpejt u ba terr, ndejtëm jashtë deri në orën tetë, e mbasi pimë çajin e darkës u futëm ndër kapanone me palltot e randueme prej shiut. At mbasdite të 3 janarit, na kishte nisë jeta dyvjeçare e ushtarit të xhenjos… 
Mbas gati dy javësh qëndrim në Korpusin e Gjinokastrës, ku jeta e rekrutit niste me terr të plotë e mbaronte në terr të thellë… kuptuem për s’pari sa e gjatë edhe e pafund ishte dita e ushtarit, dhe ai shi që s’kishte të rreshtun n’at qytet të shiut na e kishte randue aq shumë peshën e kapotës, sa na dukej sikur mbi supe s’kishim lesh t’rrahun dhije po pancirë hekuri t’mesjetës…
Me 15 t’atij janari, aty kah mbasditja, na futën sërish rresht, na thirrën sërish emnat, dhe të Tridhjetë ne t’Lushnjes, njashtu siç ishim nisë na banë gati me na degdisë. Ato ditë ishim afrue paksa me njeni tjetrin, (shumica ishim prej kampeve dhe qytetit… e veç prej Savre, ishim gjashtë…). N’ato fillime u përpoqëm mos me rà fort n’sy, prej frike mos po na ndanin, mbasi bashkë ishte sigurisht ma mirë… Kur u ba i plotë numri Tridhjetë… spondi i pasëm i Zill-it u mbyll… dhe destinacioni na u tha: Për Tepelenë!
Kur u siguruem se ne t’Savrës ishim bashkë, me nji shkelje syni e quejtm nji fitore, po asnjeni s’e dha vedin…
S’di pse at ditë ndrësa udhtoja me makinë përjetoja nji gjendje të përzishme… Dhimbje e nostalgji bashkë…

Savër... 1976
Kujtimi… Savër… 1976

Kur mbrritëm në Tepelenë, poshtë qytetit, na u shfaqën do gazerma të mëdha, t’hukubetshme… Oficeri që na kishte marrë në dorzim ishte nji mesoburrë i gjatë, serioz, me tiparë të imta e të zeshkëta, me mustaqe autoritare dhe nji shikim e qëndrim thuej të metaltë… Para portës së repartit, makinën e ndalën ushtarët e shërbimit me automatik… Na i thirrën nji për nji emnat dhe çdonjeni mbasi e ndigjonte emnin e vet, futesh mbrenda rrethimit… Oficeri i gjatë na kqyrte secilin drejt e n’sy… e njashtu i ftohtë, i mprehtë e i tehtë bante ma shumë gjeste se fjalë… Herë mbas here… si mos t’i mjaftonte shqipja, thirrte në ndihmë edhe ndonji fjalë në rusisht… Ashtu i tehtë e me shikimin autoritar… na pyeste për emnat, vendet nga vinim, shkollën që kishim ba… Mbasi kaluem të Tridhjetë, do të fillonte jeta e gazermës. I gjithë grupi i të ardhunve u caktue në qendër të njenit prej atyne kapanoneve të hukubetshëm… Kur hymë mbrenda dhe u vendosëm në kambë përpara shtretënve prej dërrase, u shkyem sysh se volumi i atij kapanoni ishte i pabesueshem, mbrenda duhej t’ishin rreth 200 ushtarë… e ndërsa prisnim me na caktue secilit shtratin, na u tha që për ne s’kishte dyshekë… Jo, dyshekë kishte… po ishin bosh…!! 
Atherë na u dha urdhën me i marrë dyshekët e me mbushë te mullarët e kooperativës ma t’afërt. Ishte vonë, e po binte nata… Ishte ftohtë e gati me ra borë… Me dyshekun bosh mbi shpinë u nisëm të Tridhjetë… Kaluem nëpër Urën e Bençës e morëm djathtas… Kaluem nëpër nji shteg e dolëm në nji rrugë të pasfaltueme e gjithë pellgje. Tashma ishte errë plotësisht. Bante ftoftë… o Zot, sa ftoftë!! Frynte nji erë e thiktë, o Zot çfarë ere frynte asaj gryke… më duhej me e kapë hundën me dorë që ta kuptoja se akoma e kisha… Kishte nisë nji shi i imët i përziem me nji borë të zezë… O Zot, çfarë nate…!! Na ishin dhanë si shoqnues nja dy djem tepelenas t’atyne katundeve, ushtarë n’atë repart ku ishim edhe ne.
Hec e hec nëpër natë, si nëpër përralla, duke pyetë s’dihet kush… A mbrritëm…?! Ja, edhe pak…! A ka edhe shumë?? -Ja, edhe pak… -Po ku janë këta mullarë, dreqi e mori… -Po ja edhe pak!!!
Ja edhe pak… ja edhe pak duhet të kemi hecë nja dy orë… “Mos u ndani, – na porosisnin shoqnuesit, – se mund të humbni!”
Kur, pyetjet na kishin shterrë, mes territ dikush tha: “Ja ku i keni mullarët, mbushini mirë me kashtë… Ne kthehemi mbasi t’i keni mbushur dyshekët…!”
Nuk shifnim asgja. Duhanxhinjtë i ndezën me zor shkrepëset prej erës së thikët dhe cigaret ishin të vetmet gjurma drite! Kashta ishte e lagët… aq e lagët sa nuk ndizesh e jo më të futej në dyshek… Dikush e mbushi dyshekun me kashtë të lagët… Peshonte sa nji dreq i mallkuem! E derdhi! Filluem me gërmue gjithandej, nëpër do gjurma mullarësh mos po biem ndokund në të thatë… Po kashtë të thatë: kërkund! U vërdallëm gjithandej mullarve, e kur dikush gjeti pak kashtë të thatë, u turrëm të gjithë mbas tij, po aq kish qenë… Nëpër terr, nën xixat e cigareve, shkonim ashtu kambadoras duke gërmue mos gjenim ndonji dorë kashtë të thatë… S’e di sa kohë ndejtëm mes erës e atij shiu me borë, që na kishte mpi krejt…
Dikur, mbasi ishin rrasë mirë me të hangme në shpitë e tyne, erdhën dy djemtë… I kishim dyshekët pothuej bosh. Na çuen diku tjetër… Edhe aty kashta ishte e lagun po pak ma ndryshe… “Hajde, mbushini dyshekët, se s’ka kashtë tjetër…!” jehoi në terr fjala njenit prej tyne… I mbushëm ashtu keq e keq… lagë pa lagë…
Dikur u nisëm… Ecnim midis shkurresh e monopatesh shkambore nëpër nji terr të plotë, dikush rrëshqiste, dikush bërtiste… Era e fortë na rrotullonte si fluger me gjithë dyshekun e kashtës mbi shpinë…
“Nuk mundem më!” – thirri dikush… 
U ndalëm të gjithë… I morëm nga nji dorë kashtë me ja lehtësue paksa barrën dhe vazhduem at ecje që s’kish të sosun… Kur mbrritëm te Ura e Bençës e n’horizont ishin dritat e repartit na duk sikur kishim shpëtue. Kaluem aty ku përroi gjëmonte dhe era e grykës ulërinte si bishë e çmendun… U shtrënguem fort mbas njeni-tjetrit… Dikush u përpoq me ia marrë nji kange që t’na jepte zemër… Edhe kanga na duhesh… Ne ishim ba me u këndue…!! 
Kur mbrritëm në repart qe mesnatë e thellë… Ndjeheshim të rraskapitun… Ndërsa tjerët flejshin, na u shfaqëm n’at kapanon t’hukubetshëm, si bandë kaçakësh të kthyem në kufoma…I shkarkuem prej shpine dyshekët e mbushun si t’ishte vdekja mbrendë… M’ishin errë sytë, e s’njifsha ma askënd… e as vedin. Duert i kisha dy copa akulli, fytyra me qe mpi krejt… kapota m’ishte randue si plumb… U përpoqa mos shoh ndokend ma mirë se unë, po ishim thuej tanë njisoj… Tash duhej qepë gryka e dyshekut me u ba gati me fjetë…
S’mjaftonte kashta e lagun, po edhe shiu kishte ba punën e vet… S’di si mund të fleja n’at dyshek…

Ushtria… në parade
Ushtria… në parade

U përpoqa me krejt zellin tim me e ndreqë sa ma shpejt shtratin e me u shtri mbasi s’po qëndroja dot në kambë… 
“Të gjatët sipër, e të shkurtët poshtë…!” qe komanda. 
U ngjita sipër dhe u shtriva… dhe ndjeva erën e kashtës po më shumë ajo duhmë e lagësht dhe e ftohtë. Edhe pse kisha vendosë nji batanije poshtë, më hynë drithmat! 
Ndërkohë njeni prej shokëve, Ndoc Vokrri më tha: “Paska kalue edhe 12 e natës!!”
Qesha pak hidhët… 
“Pse po qesh? – më pyeti ai… 
“Po qesh… – ia ktheva – se kët natë s’kam për ta harrue kurrë!”
“Si s’ke për ta harrue kurrë?”, 
“S’do ta harroj, sepse sonte kam mbushë 20 vjeç, me thes kashte në kurriz!” Dhe e vazhdova qeshjen… Qeshi edhe Ndoci. Mbas tij erdhën edhe tjerët e ma dhanë dorën dhe urimin… Ishin Luani, Kujtimi, Artani…
Vonë, u shtrimë ashtu të vdekun e të rraskapitun, kur befas te koka e krevateve, na u shfaq nji oficer tjetër… I panjoftun… Pëshpërimë u hap fjala se ishte Shefi i Sigurimit të Brigadës… Ashtu të shtrimë e të rraskapitun nën zà na pyeti nji për nji të gjithëve: emnin, mbiemnin, shkollën, a ishim në rini a jo…?!
E kalova edhe unë intervistën e tij dhe po përpëlitesha të flija. Në trup ndjeja lagshtinën e kashtës… Ishte e pamundun me fjetë! U çova dhe vuna nji çarçaf përfundi… asgja! E palosa m’dysh batanijen… dhe veç kur m’u duk se po më merrte gjumi, u ndje buria e zgjimit… dhe thirrjet e komandantëve! 
S’kisha fjetë thuejse fare, jo veç un’ po edhe tjerët…

***
Aty nga mbasdrekja e asaj dite, na lajmëruen me qendër zàni se Ndoc Vokrrit i ka ardhë familja… Ndoci, mori leje dhe doli te porta e hekurit… Mandej u kthye e na tha se i ati kishte sjellë diçka nga secila familje… Kështuqë morëm leje edhe ne, pesë të tjerët dhe dolëm… 
Te vendi i takimeve gjetëm Bardhok Zefin, të jatin e Ndocit që ishte nervoz dhe jepte e merrte me at mënyrën e tij patetike:
“Po pse more, k’tu ju paskan pru kta! Mos more!! Hej ktyne Zoti ju ardhtë hakut… Po si more, k’tu te kampi i interrnimit… ku asht ba gjama, ju paskan pru me ba ushtrinë…!! Hej o Zot merr hak!” dhe pashë se dy currila loti i rrëshqitën nëpër faqe… 
Mandej Bardhoku e mblodhi vedin e na pyeti nji për nji si ishim, si ja kalonim, a kishim me hangër, na shpërndau pakon që kishte pru për secilin. 
“Ah me e dijtë mor djem, sa kam vuejtë në kët vend…! Ah sa mirë që s’dini asgja… Ja njatje përtej kanë qenë vorrezat e fmijve. Kanë vdekë pa hesap, ndoshta dyqind, ndoshta treqind… Me duert e mija i kam vorrosë mjaft prej tyne… E kta, tash ju kan pru juve bash ktu… ushtarë…!? Hej kta mos pafshin nji ditë të bardhë!”

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (edhe si kapanon ushtrie…) skicë nga Lek Pervizi

E ndigjonim Bardhokun, po ma shumë e kishim mendjen te copat e byrekut, te qoftet, te copat e mishit e amëlsinat… Ndoshta edhe qeshnim, pse teatraliteti i Bardhokut të shkretë, që vazhdonte t’ishte i tronditun e t’na shante nëpër dhambë, ishte i pakuptueshëm për ne… 
Nuk i kallzuem asgja për nji natë ma parë, sepse do ta kishte vuejtë edhe ma shumë të vërtetën e tij… U përpoqëm t’i japim pak humor të gjashtë! 
Aty ndejtëm ma shumë se nji orë bashkë. Para se me ikë na dha njimijë porosina… po ajo çka më mbeti në mendje ishte nji e vetme: “Kini mendjen, se nuk ju kanë pru kot ktu n’Tepelenë! Ta dini! Prandaj kini kujdes djem, silluni mirë e mbajeni njeni-tjetrin… Kaq, po ju tham: Silluni mirë! Zoti ju mbroftë!!”
Mbasi u përshëndetëm, e përcollëm Bardhokun të gjashtë… dhe ashtu të ngimë, i ftova dhe i qerasa të gjithë shokët me nji çaj të ngrohtë, te klubi i repartit… 
Ishte 16 janari i vitit 1977… Edhe pse e kujtuem natën e shkueme, bamë nji festë të vogël mes shokësh… si festë ushtarësh… n’nji ish-kamp shfarosjeje të prindëve tonë!

Këtu mbaron rrëfimi im!
Po kjo histori do t’ishte e paplotë, pa batutën e famshme të Bardhokut, mbasi ai u kthye në Savër… 
At natë gjashtë gra, dmth nanat tona, u mblodhën në shpinë e tij, me marrë vesh diçka për djemtë e tyne ushtarë… 
Ne ishim gjashtë djemtë e parë të atyne familjeve… dhe Bardhoku mbasi u kishte shpjegue se ishim mirë, se as e çanim kryet për asgja… bile as për dhimbjet dhe vuejtjet e tij që na i kishte kujtue aty, te ai kamp i skëterrshëm… Ai e kishte mbyllë rrëfimin e vet me fjalinë që vlla im i vogël s’e harroi kurrë: “Leni mor ata horra… Mos më pyetni ma për ta…! Unë tuj kja prej s’keqes qi kam hjekë n’at kamp të Tepelenës… Ata zogjt’e kurvave tuj u shkri gazit…!”
E aty ishin të gjashta nanat tona!!!

(Marrë nga dorshkrimi “Savra – Monamour!”)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.