Me klithmë i pushtoj hapësirat – cikël poetik nga Dije Demiri-Frangu

Dr. Dije Demiri-Frangu

Dr. Dije Demiri-Frangu

Me klithmë i pushtoj hapësirat

cikël poetik nga Dije Demiri-Frangu

Dije Demiri – Frangu, paraqitet për herë të parë në portalin radiandradi.
Ky cikël prej 11 poezish është dëshmi e fluiditetit shpirtëror të një gruaje,
e cila krejt lirshëm rreket të kap frymën e jetës,
e me risjellë të filtruar përmes botës së së saj me dritë…
Nji kënaqesi e veçantë që nji poete nga Kosova bëhet pjese me poezitë e saj… j.r.
 
Prof. asoc. Dr. Dije Demiri – Frangu, është ligjëruese në Fakultetin e Filologjisë të U.P-së.
Merret me krijimtari letrare për të rritur e fëmijë.
Është e paraqitur në shumë antologji, dhe poezia e saj është përkthyer në disa gjuhë.
Ka shumë botime diskursive mbi letërsinë.
.

 

Me ken gege

Me u nis me shkue nënkodrës pa fsha
Me dal në Shkodër – Rozafë
E lame në falje
Me i fry zjermit të Bunës
Deri në vërshim
Me fol me asht
Me lëkund Rozafën në temel
Asht me ken gege
Gjithë mallkimet me i ba gur
E mëkatet me i ba lule
Kur je gege
Je arra e thatë dhe diell që fshan
Me ken gege
Shekujve me ju dhanë qumësht
Deri në amshim…
.

Hëna e vogël

sa e vogël ishte hëna atë natë
gogël e verdhë
mbi gjithçka dukej fjongo e bukur
ti e rrëmbeve të tërën e shtrydhe
e harxhove mbi mua
derisa pamëshirshëm grimconim qiellin
kafshonim ajrin si copë dashnie
 
deponi erosi shkëlqenin poret
sa mija yjë kur janë në shkrirje
e binim në to si në gropa
lumturie
si në hoje djajsh binim
 
ti shtrydhje lëkurën mbi mua
-faculetë të larë në valë e
krip deti më mbulonte si fustan nusërie
unë primaverë Boticeli
duart tua brushë paneli
i dashur
të lutem
mos m’u bë meteor
bëhu shall i imi qafës
nga djersët më pikojnë 
.

Në magjinë e Thethit

Në magjinë e Thethit

Troket me asht të tharë

Ti vjen edhe kur mendoj se unë kam ikur larg
Kur mendoj se udhët i ka zënë zjarri i malit aty
Ku sytë të patën rënë
si dy gur margaritarë
për të mbirë dashuria
 
ty të sjell vaji i baladave
me kuaj besëtytnie vjen
edhe mbi sqep zogjsh paluar
 
vjen si copë e harruar shpirti
që më mbetet në fyt
si mallkim si urim
vjen
e troket si me asht të tharë
në zemrën time të vrarë
.

Klithja e Evave

Të klithësh është të pushtosh hapësirë
E të shkundësh yje
Të thyesh copë-copë zemra
E të ecësh mbi to
Si mbi copa të lëna mishi
Do të klith se
Dhembjet
Si mallrat me shumicë
Shtrirë rrinë mbi plazhin e shpirtit tim
Do të klith
Të pëlcas
Si poç hekuri zemrimi im
Dashuria ime
Klithniiii
Zhveshnuu
-Nga lëvorja e mollës së Adamit
.
Dije Demiri- Frangu .- Theth, 2018

Dije Demiri- Frangu .- Theth, 2018

Thellësia e dashurisë

(motivuar nga relievi i Thethit)
 
Thethi thyen e thërmon, thith e thepon
Diellin e madh mbi të
Aq shumë unaza i vuri zoti mbi kurriz
E Thethi theku shekuj si tufë gjethesh
O sa do doja ta lija ëndrrën të më pushojë aty
Në shtratin e thëllëzës ku ajo edhe mund të qaj
Se thëllon era shpesh
E thërroket dridhen si dritë e syrit të dashuruar
 
Thekem në zemër kur shoh
njerëz në atë zemër toke
E drunjë plot thithka në dheun e thukët të Thethit
Ku një thumbverdhë nga
thekërishtja del e më sulmon
Për të më treguar se është aty
Si thundrat e deleve mbi thuprat
 
Frikë të bukur më jep Theth
Kah eci mbi trupin tënd
Tek shoh si ke bluajtur vuajtjen
Miell buke për ta bërë
 
Thethi i shpjegon më së miri
Dashurisë thellësinë
Theth, 26.07.2018
.

Pagjumësia

pagjumësia punon me hile
si njeri i maskuar që të tremb
ironikisht hyn dritareve
i betonon netët para syve
i shtrydhë nga heshtja
nga bukuria e ëndërrave
plaçkë i bën
 
sa e tmerrshme
yjet i shkul si cunga nga qielli
si portokaj kur shtrydhë amvisja
ajo shtrydhë shkëlqimin e syve të mi
hënës i zë fytyrën me renë e zezë
e më errëson udhën për tek ti
nata ime nuk ka mbetur më nënë e ëndërrave
dhe as që duket fushë e fluturimeve
velo e zezë bëhet qielli në fytyren time
 
e vetëm një thikë e ëmbël shikimi
atë mund ta shky
.

Zhbërja e eshtrave

sa herë m’i çbën eshtrat
për t’më zënë grushti yt
unë zhdukem reve
sërish m’i mbledh ti si pupla
më rindërton komplet prekja jote
e nuk e di a do të vi
 
më pëlqen kur më thua
-thembrat ruaj aman
Se thembrat janë toka e trupit
të mbajnë
edhe kur të tjerët të shtyejnë
e si të them
se toka ime je ti
.

Të jesh Shën Mari

Të jesh Shën Mari
Është sikur të sitësh re
Bukë të bësh nga shiu
 
Të jesh Shën Mari
Të bësh dashuri me ajër
T’i rrisësh fëmijët me diell
E të vdesësh duke vjelur fruta jete
T’ia besosh jetën ringjalljes
Të hash ëndrra pa fund
Të jesh Shën Mari
 
Krejt është si një flakë që ndez qiej
Që rrënon si mure llaçi shekujt
.

Aty hëna është një grusht dhẻ

Mëngjeset nuk shtrihen mbi varreza
Kanë frikë se nuk arrijnë të bëhen muzgje
Vetëm zërat e heshtjes bëjnë ditën aty
Ku edhe hëna është një grusht dhe
 
Në atë peisazh të shtrirë si për vdekje
Jeton kujtimi për ty nënë
 

Yjet bien si fruta qielli

(Këngës napolitane)          
 
më vjen me flatrat e freskave
si zogu i humbur i mesnatës
vjen si ngjyrë si ujë i bekuar
kur jam duke folur me terrin
kënga napolitane
 
tingujt i përhap si temjan
duke i vërbuar qoftëlargët
derisa yjet bijnë si pemë qielli
në dyshemenë
e dhomës sime
duke bërë ekspozitë drite    
 
sa shpirtra të mirë dalin nga këngët
më puthin si ujë ujvare
si ngjyrë e do syve
që dikur hanin gjumin tim
            
si kënga korçare
si kënga shkodrane
më spërkat me dashuri për bekim
-kënga napolitane
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook